Ekspozita autentike e piktorit Krist Dimo!

Personazhet e pikturave të Krist Dimos shfaqen si ftesë interesante në ekspozitën e titulluar “Tejdukshmëri ekzistenciale”


Nga Ina Kosturi

Personazhet e pikturave të Krist Dimos shfaqen në disa postera të mëdhenj, si ftesë në ambjentet e COD (Center for Openness and Dialogue) në një ekspozitë autentike dhe interesante të titulluar “Tejdukshmëri ekzistenciale” Personazhe të çuditshme të vendosura në posterat në hyrje të ekspozitës, të një gjuhe sa specifike dhe aq të rrallë të krijuar nga intuita, fantazia e subkoshienca e piktorit paralajmërojnë takimin me botën e tyre të panjohur, thuajse surreale, tejet origjinale, si një armatë qeniesh të konturuar në një ishull shpirtëror ku qëndrojnë dhe lëvizin përtej telajove në fantazinë tonë, na përfshijnë në botën e tyre sa të dukshme aq dhe të pakapshme, në tablo të mëdha me ngjyra e tone të veçanta, në figura të deformuara intriguese. Bota e tyre si personazhe të një planeti të mistershëm shpirtëror është e thjeshtë në dukje nëpërmjet kontureve, linjave e njëkohësisht tejet e komplikuar, në shpërfillje të anatomisë, tipareve, aty ku ndjesia fëmijërore dhe meditimi i thellë shkrihen me njëri tjetrin në një bashkim abstrakt, në linja sa të thjeshta aq dhe moderne, në një stil unison që i unifikon të gjitha dhe i veçon nëpërmjet tipareve tejet personale e unike, duke i siguruar secilës pavarësinë.

Çrregullsitë e tyre bashkohen në një uniformitet mendimi, ndjesie, përjetimi dhe krijojnë një botë paralele me atë reale ku personazhet flasin një gjuhë specifike nëpërmjet tipareve të çuditshme të formave, ngjyrave, linjave, të elegancës, sfondeve, të kepucëve të gjelbra, të shprehjeve, të kontrasteve, kontradiktave, pakënaqësive dhe rebelimit, herë si përçues të ndjesive e herë si profesionistë që nëpërmjet ironisë kontrastojnë e ngjasojnë me kohën e sotme. Më një stil elegant, me përkushtim dhe dashuri teksti kuratorial i vendosur në hyrje dhe gjithë detajet e infrastrukturës dixhitale, titujt e tablove duket se e përfshijnë vizitorin për të kuptuar, menduar e vëzhguar gjatë. Shkrimet, ngjashmërisht si titujt e veprave muzikore me program, nëpërmjët fjalës të drejtojnë drejt tablove, për të çuditur me lidhjen e përsosur mes tyre dhe asaj çka piktura përfaqëson, për ta vëzhguar sërisht herë në detaje e herë të gjithën, me ndjesinë se diçka i ka shpëtuar vëmendjes, mbetur në misterin e botës së personazheve në atë ngatërrese linjash e fantazie, të vendosur mjeshtërisht mbi kanavaca të kthyera mbrapsht, në materiale të përziera, të studiuara e përshtatura ndjesive, si një domosdoshmëri për ti shfaqur unike.

Përtej fjalës e shpjegimeve letrare, kisha besuar në një lidhje mes arteve. Ishte një fushë tjetër që interferonte me anë të së cilës mund të jepje një tjetër shpjegim. Letërsia u qëndronte arteve pranë në shpjegime e dokumentime, po shpesh dhe artet pamore kishin ngjashmërinë me të tjera forma. Muzika me misterin e saj të tingujve u qëndronte pranë gjuhëve të pakuptuara, apo ekspozitave të tilla ku personazhet i përkisnin një bote tjetër, ku liria e fantazisë të lejonte të bëje paralelizma. Teksa shëtisja mes tablove, të cilat ishin të ngjashme e të ndryshme, tingujt e kompozitorit të madh amerikan minimalist më shoqëronin heshtaz. Muzika magjepëse e Philip Glass ishte më pranë kësaj pikture. Stili minimalist, detajet e përsëritura, fraza e nota që përfshiheshin nga ndryshime harmonike më kishin çuar në kohë të largëta, në atë lidhje mes artesh që krijonte gjendje emocionale të veçanta. Isha munduar ti shkëpus personazhet duke i shoqëruar mes tingëllimeve unike të “Metamorphossis” apo “The hours” që i përshtateshin ekspozitës, ndërsa kjo lidhje mes arteve më kish çuar larg në një kohë fëmijërie, ku talenti i piktorit të ekspozitës kish shtresuar në mendje. Gjatë viteve, ngjyra e një autobuzi të vizatur mrekullisht kish humbur, ish harruar, kish mbetur e paqartë, ndërsa ai vizatim i autorit në moshën 5- vjeçare që gjyshja më kish treguar dikur nga fëmijëria e djalit të saj ish shndërruar në simbolin e talentit për njeriun e afërt, autor i kësaj ekspozite.

Ai vizatim kish udhëtuar në kohë me atë mjet në mënyrë figurative, talenti i artistit kish nisur të konsolidohej fillimisht në Durrës, në qytetin e lindjes, me vizatime, kompozime, me kopjime të piktorëve të mëdhenj siç ndodh zakonisht, ish ndalur në fletore të tëra shënimesh ku specifikoheshin stilet e pikturat moderne, karakteristikat e figurave të modernizmit si Paule Gauguin, Claude Monet, Gustave Climt, Paul Klee, Pablo Picasso e shumë të tjerë, ish frymëzuar nga letërsia, muzika, këngët, kinemaja, ish ndalur në orë të gjata bisedash me të afërmit, me piktorin e skenografin Zef Ujkaj, me piktorët Nikolet Vasia e Gavril Priftuli. Që herët në heshtje duket se e kish konsoliduar në mendje të ardhmen e tij në rrugën e artit…Ndryshimet e sistemit dhe koha e lirisë që po vinte i dhanë mundësinë ti bindej ikjes e gjendej në shtetin përtej detit, për ti dhënë pasionit dhe talentit rrugën e duhur drejt një pikture moderne, të lirë, përtej skematizmit, në një rrugë që do ta shfaqte pikturën e tij tejet autentike. Rrugëtimi ish ndalur për një periudhë të gjatë dhjetëvjeçare në Itali, ndërsa takimi me profesorin e Akademisë së Arteve të Bukura, si dhe drejtues i saj në Foggia, do ndikonte profesionalisht, duke e çuar pikturën e tij në nivele të tjera kompozimi dhe meditimi. Dario Damato, i njohur si profesor dhe personalitet i nderuar i qytetit të Foggia-s dhe Capitanatë-s shquhej për ekpozimet e punëve të tij në muzetë e rëndësishëm në Itali dhe Perëndim si dhe cmimet dhe vlerësimet e niveleve të larta mes të cilëve ai i Senatit Italian të vitit 1973 dhe Presidentit të Republikës Italiane në vitin 1974. Damato ishte drejtues artistik në shumë galeri arti në Itali. I komentuar dhe vlerësuar nga kritikë të rëndësishëm, në vitin 1967 regjizori Massimo Mida i dedikon një film artistik, fitues i çmimit të parë në Festivalin e Cannes. Qyteti i Foggia -s, kjo nyje hekurudhore e qyteteve italiane do bashkonte talentin dhe profesionalizmin e Krist Dimo- s. Dario Damato e ftoi dhe udhëhoqi në laboratorin e tij për ti dhënë drejtimin e duhur në rrugën e veçantë dhe moderne. Kjo periudhë do vendoste të tjera ritme në krijmtarinë e tij, filloi një përvojë re dhe e shpejtë e realizmit të kuadrove të mëdha, e pikturave që do bëheshin pjesë e ekspozitave në Itali, e më pas e një koleksioni privat në Romë. Një periudhë eksperimentimi që fillonte me materialet e telajove, teknikën, me gërshetimin e talentit me profesionalizmin.

Kjo eksperiencë do i jepte pikturës së tij të veçantë dhe personazheve intrigues përsosmërinë, në përpjekje për konsolidimin e një stili unik, që do i bënte ato të qarta, të dallueshme, që më pas duket se nuk do kishin nevojë për firmën e piktorit. Mendoj se suksesi i kësaj pikture është pikërisht autorësia e kuadrove e cila nuk vjen nga autori, po firmoset në heshtje nga veçantia e personazheve. Puna intensive dhe pjekuria ndër vite do i stilizonte, rafinonte, do i shndërronte me elegancë personazhet enigmatikë të një bote imagjinare që lindnin nga subkoshienca, tashmë akoma më të përsosura. Ato do pasuroheshin, konsolidoheshin në një stil unik, duke theksuar vlerën e tyre më të spikatur, veçantinë. Pjesëmarrës në “ekspozitat e nëntorit” në Galerinë Durrës, në Galerinë Kombëtare, në “Onufri 2000” Tiranë, krijimet e mëvonshme i përkasin periudhës 2015-2024. Pjesëtar i Fedac Found Brussels, krijimet e tij janë publikuar dhe në galerinë Hambly and Hambly, galerinë Kiro Group C Irlandë, si dhe Eine Art Galery në Gjermani. Po aq interesant vjen dhe albumi me fotot e pikturave të punëve të tij kryesisht nga viti 2016- 2024. Qëndrojnë bashkë në një botim elegant, si domethënie dhe dëshmi e ekspozitës. Në album kuadrot shoqërohen me shkrime dhe komente interesante nga Carlo Colombo Calabria, (shkrimtar) i cili hulumton, përshkruan e analizon me pasion në mënyrë të spikatur personazhet e kësaj pikture. “Burra extra ujorë me sy si milingona që jetojnë në qoshet e një bote të lodhur, që heshtjet shqetësuaese i kufizojnë në forma” i cilëson Colombo personazhet e tablove …

Tingujt e “Metamorphossis” të Philip Glass më shoqërojnë edhe jashtë ekspozitës. Ato ngjajnë si trokitje të përsëritura, apo kujtesë tashmë për ekspozitën, e cila është e hapur për të tjerë vizitorë.

Marrë nga VOAL.CH

Lexo më shumë nga

“Prestanome”

"Mjeshtri i Madh" Helidon Haliti sjell një ekspozitë unike në Galerinë FAB (12-25 Mars). Kurator: Nodileh Itilah

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.