
Një shtëpi që duhet të kthehet në muze!
Kjo është shtëpia e “Piktorit të Populli” Vangjush Tushi, një artisti të madh nga Korça e arteve pamore

Nga Lindita Komani
Një shtëpi që duhet të kthehet në muze. Kjo është shtëpia e Piktorit të Popullit Vangjush Tushi, një personazh i qytetit të Korçës, i cili pavarësisht cilësisë të lartë të veprës që ka lënë pas, aktivitetit si mësues në këtë qytet dhe faktit që ishte një nga të paktët njerëz të elitës së vjetër të kulturës, i diplomuar në akademi të arteve si në Greqi ashtu edhe në Itali, mbetet i panjohur për pjesën ndoshta më të madhe të publikut shqiptar, jashtë Korçës.
Kjo mosnjohje vjen ndoshta për një arsye të fortë. Në kohë të diktaturës komuniste, kur kishte dalë në pension, Piktori u dënua nga regjimi dhe u burgos në burgun e Ballshit ku pas gjashtë vitesh ndërroi jetë.
“Piktori i Popullit” Vangjush Tushi
Familja, me shumë vuajtje e sakrifica, i mbijetoi persekutimit dhe me gjithë përkushtimin, jo vetëm si detyrim e mision ndaj trashëgimisë familjare, por duke kuptuar vlerën e artit që Vangjush Tushi bëri, ka bërë gjithë sa ka mundur për ta ruajtur trashëgiminë e për ta sjellë atë në vëmendjen e publikut.
Punime të Piktorit janë përfshirë në disa katalogë, gjithashtu disa prej tyre ndodhen në Galerinë e Arteve. Vjet në Korçë një pjesë e mirë e punimeve u ekspozuan në Galerinë e Arteve të Korçës.
Në shtëpinë e Piktorit na pritën e bija Etleva dhe mbesa Stefania. Në fytyrat e tyre e dalloje krenarinë për prejardhjen por edhe përulësinë e njerëzve që kanë kaluar nëpër vështirësi në jetë. U jam shumë mirënjohëse për gjithë sa ndanë. Mes pikturave që pashë më bënë përshtypje shumë të madhe sidomos portretet shumë të arrira, por edhe peizazhet nga qyteti i Korçës, sikurse edhe natyra të qeta me lule, që e përcjellin ndjeshmërinë dhe kuptimin e thellë të artistit ndaj subjektit.
Unë uroj që së shpejti të kemi një ekspozitë edhe në Tiranë e pse jo edhe në ndonjë qytet tjetër dhe Vangjush Tushi të marrë vendin që i takon në hapësirën e artit dhe kulturës shqiptare. Korça e pikturës është e dy Vangjushëve, jo vetëm e Mios, por po aq edhe e Tushit. Por mbi të gjitha uroj që shtëpia, ku vepra është ende e gjallë e në përkujdesje të plotë, të kthehet në muze, që do t’i shtojë qytetit edhe një vlerë më shumë në vargun e atyre vlerave që e bëjnë atë një qytet krenari dhe destinacion shumë të dashur turistik për shqiptarët.