Pietro Porcinai, arkitekti i famshëm italian i Kompleksit të Gjelbërt të Pallatit Presidencial në Tiranë
Pietro Porcinai hyn në elitën botërore të arkitektëve të kopshteve dhe peizazheve.
Nga Zylyftar Hoxha, gazetar & enciklopedist
I vlerësuar për veprat, studimet dhe botimet në fushën e peizazhit natyror, Pietro Porcinai, hyn në elitën botërore të arkitektëve të kopshteve dhe peizazheve dhe konsiderohet si më i shquari i kësaj fushe në shekullin e kaluar në Itali dhe në botë.
Por pak e dinë se shkencëtari me famë botërore ka lënë një vepër monumentale edhe në Shqipëri, dhe ky është Kompleksi i Gjelbërt rreth Pallatit Presidencial (Pallatit të Brigadave). Natyrisht ky kompleks ka pësuar ndryshime të mëdha, por drurët dhe shkurret që solli Porcinai dhe që janë unike në Shqipëri, janë dy llojë sekuoje, një cedër, një bambu dhe disa shkurre që nuk i gjen gjetkë në vendin tonë.
Projektin në Shqipëri ai realizoi nëpërmjet firmës “Vëllezërit Sgaravatti”, që është edhe sot e kësaj dite një firmë e famshme me filiale në të gjithë Italinë, por edhe në botë.
Kompleksi i Gjelbërt u kombinua edhe me veprat e dy artistëve të mëdhenj të kohës, të italianit Antonio Maraini dhe skulptorit shqiptar Odise Paskali.
Kush është Pietro Porcinai
Pietro Porcinai u lind në Firence më 20 dhjetor 1910 dhe vdiq më 9 qershor të vitit 1986.
Opusi i tij projektues dhe krijues përfshin një listë shumë të gjatë në shumë vende të botës, mbi 1100 vepra të peizazhit natyralistik.
Veç një numër të madh monomesh të gjelbra në mbarë botën, Porcinai ka lënë edhe mjaft botime profesionale, libra, udhëzues praktikë, ese të vlefshme të cilat sot kanë gjetur përdorim në projektet e parqeve dhe lulishteve.
Thënia e famshme e tij është: “Nëse mbretëron vetëm dogma e ekonomisë, pa meditim dhe poezi të kopshtit, natyra do të shkatërrohet nga dora e njeriut dhe ky shkatërrim do të përfshijë edhe vetë njeriun”
Pallati Presidencial
Pallati Presidencial, i njohur si Pallati i Brigadave, filloi të ndërtohej nga Mbreti Zog I në vitin 1936. Ndërtimi i pallatit u përfundua në vitin 1941 nga italianët. Pallati mbretëror u quajt “Pallati i Brigadave” nga regjimi komunist. Nga viti 1992, emri zyrtar i këtij institucioni është “Pallati Presidencial”.