“Puthja e Kupidit”, sensualiteti i dashurisë sublime!
Kjo vepër është tejet romantike dhe pasionante, dallohet një fisnikëri dashurie në përqafimin e tyre
Nga Dr. Bledar Kurti
Psikika e Ringjallur Nga Puthja e Kupidit, (1787-1793) e artistit venedikas Antonio Canova (1757 – 1822), është një ndër veprat skulpturore më elegante në historinë e artit. Një ilustrim artistik i dashurisë sublime.
Edhe pse është e gdhendur në mermer, arrihet të ndjehet mishi, lëkura, pulsimi i trupave, e madje edhe fryma që lidh femrën e bukur e të përgjumur me Kupidin e dashuruar me krahë engjëllorë.
Psikika dhe Kupidi është një histori e cila e ka origjinën tek vepra Metamorfoza, e njohur edhe si Gomari i Artë, shkruar nga Lucius Apuleius në shekullin e 2-të pas Krishtit. Kjo është një histori mbi sprovat dhe vështirësitë e dashurisë midis Psikikës që do të thotë “Shpirt” or “Frymë Jete” dhe Kupidit që do të thotë “Pasion,”“Dashuri,” ose “Eros,” dhe bashkimin e tyre në një martesë të shenjtëruar.
Në këtë histori, Psikika ishte një princeshë aq e bukur saqë njerëzit kishin filluar ta trajtonin atë porsi një perëndeshë, madje duke i dedikuar asaj edhe oferta dhe lëvdata. Venusi, perëndesha e dashurisë, u bë mjaft xheloze për bukurinë e Psikikës, kështu që e shtyrë nga xhelozia dhe inati ajo i kërkoi djalit të saj, Kupid, që ta shponte me shigjetë e ta bënte Psikikën të binte në dashuri me një njeri të shëmtuar. Megjithatë, përpara se Kupidi të qëllonte me shigjetën e tij, ai aksidentalisht gërvishti veten dhe ra menjëherë në dashuri me Psikikën.
Ndërkohë, Psikika mbetej aq e bukur, sa që meshkujt kishin frikë të kërkonin dorën e saj. Prindërit e saj u shqetësuan dhe kërkuan ndihmën e zotit Apollo i cili u kërkoi prindërve të Psikikës që ta linin atë mbi një shkëmb. Aty Psikika u morr dhe u transportua në një pyll ku e kaloi kohën me një admirues të fshehtë i cili e vizitonte atë vetëm natën, por të cilin ajo nuk lejohej ta shihte. Pas një farë kohe, e shtyrë nga kureshtja, Psikika arriti ta shihte të dashurin e saj dhe kuptoi se ai ishte Kupidi, i cili menjëherë u largua dhe u kthye në botën e perëndive.
E dëshpëruar, Psikika u përpoq të bindte Venusin që ta ndihmonte atë të fitonte sërish Kupidin. Venusi pranoi por i dha Psikikës të kryente një seri detyrash e sprovash. Një prej tyre ishte se Psikika duhej të shkonte në Botën e Nëndheshme (Hades) nga ku duhet të sillte një qyp të mbushur me bukurinë hyjnore. E shtyrë nga dashuria e madhe për Kubidin, Psikika zbriti në botën e Nëndheshme dhe e mori qypin, por u udhëzua nga Venusi që të mos shikonte brenda enës.
E shtyrë nga kureshtja, Psikika pa brenda duke shpresuar që të merrte një pjesë të asaj bukurie hyjnore për vete. Megjithatë, në vend të bukurisë, ena përmbante “gjumin e errësirës së thellë”.
Sapo u hap kapaku, tymi i errësirës së thellë u shpërnda menjëherë tek fytyra e Psikikës, ndaj ajo ra pa ndjenja dhe e zuri një gjumë i thellë porsi vdekje. Kupidi erdhi për ta shpëtuar dhe e zgjoi atë me një puthje.
Pasi Psikika kaloi me sukses të gjitha sprovat e Venusit, ajo u lejua të martohej me Kupidin dhe u shndërrua në një perëndeshë. Dhe ata lindën një fëmijë emri i të cilit ishte Kënaqësia. Dhe në këtë vepër, ne arrijmë të ndiejmë dashurinë e Kubidit, frymën e jetës së Psikikës, duke bërë të lindë brenda nesh një lloj kënaqësie e pa përshkruar e cila të ysht e të fton të bëhesh dëshmitar i atij momenti të zgjimit dashuror.
Kjo vepër është tejet sensuale dhe pasionante. Trupat janë të zhveshur por nuk janë ndjellës. Përkundrazi, dallohet një fisnikëri dashurie në përqafimin e tyre. Me njërën dorë Kupidi mban butësisht fytyrën e Psikikës ndërsa me tjetrën prek gjoksin e saj, por më shumë si shenjë përqafimi sesa ledhatimi. Psikika ka ngritur kokën lart për nga i dashuri i saj dhe me të dyja duart ka mbështjellë kokën e tij duke i kërkuar ta puthë përsëri. Kubidi ia ka ngulur vështrimin plot ëmbëlsi, i lumtur që ajo po zgjohet në krahët e tij prej gjumit të vdektë. Aq e ëmbël është kjo skenë sa që dashuria nis e merr një kuptim tjetër edhe për shikuesin. Një perëndi që dashurohet me një femër njerëzore, e cila zgjedh të shkojë edhe në botën e nëndheshme vetëm për t’u bashkuar me dashurinë e saj. Dy krahët engjëllorë të Kubidit janë të pozicionuara lart e shpalosen me forcë duke treguar epërsi dhe vetëkontroll, e duke e theksuar më shumë dorëzimin e butë të trupit të Psikikës.
Vepra nuk ka një kënd të caktuar vështrimi. Ajo mund të shihet përballë, në të majtë, në të djathtë, e madje edhe nga pas. Ajo është krijuar për të qëndruar në qendër të një dhome dhe shikuesit mund të vërtiten rreth saj për të shijuar çdo fragment e çdo element. Pas këmbëve të Psikikës, gjendet ena që ajo solli nga bota e nëndheshme, ndërsa Kubidi ka hedhur pas krahëve trastën me shigjeta.
Emocionet e thella që na transmetojnë Psikika dhe Kupidi janë aq magnetike saqë edhe ne përfshihemi plotësisht në atë skenë. Përqafimi i tyre është një moment i ngrirë i gdhendur në mermer por shikuesi ndien një përndezje emocionale prej frymës rigjallëruese që shkëmbehet përmes buzëve të dy të dashuruarve.