Michelangelo, “Davidi” i Rilindjes që gdhendi historinë!

(Me rastin e 548-vjetorit të lindjes)


Nga Dr. Bledar Kurti

Më 6 mars 1475 lindi një prej figurave më të rëndësishme të artit botëror, Michelangelo, mjeshtri i Rilindjes që gdhendi historinë e i cili ndryshoi përgjithmonë mendësinë botërore.

Michelangelo di Lodovico Buonarroti Simoni, i njohur si Michelangelo (6 mars 1475-18 shkurt 1564)

 

Vepra e tij Davidi është gurthemeli i botëkuptimit modern evropian e perëndimor.

Nëse Helena e Trojës është fytyra më e njohur e historisë letrare, e cila bëri të vërshojnë një mijë anije, dhe portreti i Mona Lisa të bën të ndiesh një mijë buzëqeshje, mashkulli më i famshëm i të gjithë kohërave në botën e artit është pa asnjë dyshim, Davidi, (1501-1504) i Michelangelo Buanorroti (1475-1564).

Homeri e mitizoi Helenën me fjalë; Leonardo e përjetësoi Mona Lisa me ngjyrë; ndërsa Michelangelo e çliroi përtej epokave këtë figurë vigane nga një bllok mermeri të ardhur nga Carrara, që kishte mbetur i pa sfiduar për më shumë se një shekull, i flakur diku pas Katedrales së Firences.  Me daltën e tij, pak e pak, ditë pas dite, e vit pas viti, mermerin e akullt Michelangelo e solli në jetë, duke i dhënë frymë, pulsim zemre, vërshim gjaku, dhe një shpalosje të përsosmërisë së trupit njerëzor. Por, mbi të gjitha kjo statujë u bë ikonë e një beteje të re: betejës midis epërsisë së Zotit dhe forcës së njeriut. Për herë të parë në historinë e njerëzimit, njeriu nisi të pretendonte se ishte ai Zoti mbi tokë.

Kjo ikonë e humanizmit gjendet në figurina, ilustrime e ballina librash, e shpalosur me madhështi, por ndjesia e vërtetë, dhe yshtja që ofron, mund të përjetohen vetëm në vendlindjen e tij, në Firence.

Teksa shkel rrugët e Firences, Davidi shfaqet plot egoizëm në hyrje të Palazzo Vecchio. Sigurisht, vizitorët nuk mund t’i rezistojnë tundimit së bëri foto e ta shohin plot admirim, por pavarësisht se ajo statujë i përafrohet kryeveprës botërore, ajo është vetëm një imitim i bukur, një kopje ndër të shumtat, ndërsa mrekullia e vërtetë gjendet pak qindra metra më larg, në Galleria dell’Accademia, ku ajo figurë e mermertë të hipnotizon me madhështinë e vet.

Davidi është mbi pesë metra i lartë dhe e bën çdo vizitor të duket e ndihet i vogël. Michelangelo nuk çliroi nga materia e mermerit një bari hebre por njeriun humanist. Tematika e veprës është e krishterë, por përveç emrit dhe elementit të hobesë që ai mban mbi supe, çdo gjë tjetër është humaniste. Bashkë me këtë David evropian lindi edhe njeriu humanist.

Nën kontekstin e krishterë në të cilën gjendej mbarë Evropa, tematikat dhe motivet në art ishin kryesisht fetare, mitologjike, apo të heronjve të lashtësisë. Kisha e lejonte disi “shthurjen” që kishte nisur në art e krijimtari por për aq kohë sa ato ishin të bukura ato pranoheshin, sepse bukuria ishte reflektim i natyrës, dhe natyrën e kishte krijuar plot bukuri vetë Perëndia.

Por artistët kishin një agjendë tjetër, ndaj nën emrin e krishterimit dhe nën hijen e historive biblike ata arritën simbolet më humaniste të të gjitha kohërave. Dhe shembulli më i mirë i trillimit që humanizmi i bëri krishterimit gjendet tek kryeveprat e Rilindjes italiane, të cilat përpiqeshin ta sfidonin krishterimin duke patur madje më të shumtën e kohës mbështetjen financiare të vetë klerit, papës dhe duartrokitjet dhe admirimin e krishterëve më të zellshëm.

Disa kryevepra të Rilindjes, pa u vënë re, promovonin humanizmin përpara syve të kishës. Shumica prej tyre madje u kryen në ambiente kishtare, në zemrën e Evropës, në Vatikan, apo në sheshe publike në Firence dhe Romë. Dhe mbi të gjitha këto vepra “heretike” kryeson Davidi, si njeriu i ri, i fortë e i fuqishëm, i patëmetë dhe i pavdekshëm, ndryshe nga njeriu i rënë, mëkatar, dhe i humbur që përshkruhet në Bibël.

Për të gjithë bashkëkohësit e Michelangelo, madje edhe të disa kritikëve të ditëve të sotme, skulptura e Davidit është një vepër me temë biblike. Historia tregon se Davidi, një djalë i vogël, një bari izraelit, mposht Goliathin, luftëtarin kolos dhe të fortë, vetëm me një gurë me hobenë e tij. Kjo vepër u bë e njohur që kur u shfaq për herë të parë, por ndryshe nga si e shihnin njerëzit, kjo skulpturë nuk është e Davidit të Biblës, të vajosurit të Perëndisë, por e një Davidi tjetër, birit të humanizmit. Statuja me emrin David ishte thjeshtë një titull.

Në historinë e Biblës, tregohet sesi një i ri, i parëndësishëm, i pastërvitur dhe trup vogël, por i mbështetur nga forca e Perëndisë mposht një kolos dhe luftëtar të frikshëm si Goliathi. Në këtë histori Goliathi tallet me Davidin duke i thënë: “Eja këtu, dhe unë do t‘ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushës. Por Davidi u përgjigj ―Ti po më vjen me shpatë, më shtizë dhe me ushtë, kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë së ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.”

Davidi i Biblës është një djalë i vogël që bën një mrekulli të madhe në emër të Zotit të tij, por Davidi i Michelangelo ka trupin e një atleti i cili nuk duket as i vogël dhe as i pafuqishëm. Ai duket sikur nuk e ka nevojën e Zotit pasi ka një trup perfekt, plot muskuj dhe forcë. Për më tepër, nëse Davidi i Biblës ishte i rrethprerë, për shkak të traditës hebraike, Davidi i Michelangelo duket qartë se është i parrethprerë, thënë ndryshe, i pabërë synet.

Të gënjyer nga historia e mrekullueshme biblike ishte e vështirë të dallohej se Michelangelo po promovonte njeriun e ri, të fortë, të sigurt në vetvete, perfekt, sportiv, të arsyeshëm, të bukur, inteligjent, vizionar, guximtar, etj., atribute të cilat Bibla nuk ia jepte as Davidit në këtë histori dhe as racës njerëzore në përgjithësi, e cila, sipas saj, ra bashkë me mëkatin.

Michelangelo krijoi Davidin për të promovuar se njeriu është madhështor. Shikoni proporcionin më të madh të duarve në krahasim me trupin. Kjo dredhi e qëllimshme e bën më të fuqishëm këtë figurë njerëzore. Nuk ka patur dhe nuk ka asnjë njeri si Davidi. Nëse një vajzë do binte në dashuri me skulpturën dhe do priste gjersa të takonte një njeri që i ngjason atij, ajo do mbetej pa martuar.

Njeriu perfekt gjendet gjithmonë në veprat e Rilindjes por asnjëherë në Bibël. Njeriu i përsosur ishte një metër e matës artistik dhe filozofik në Greqinë e Lashtë, ndaj rilindësit italianë kishin vendosur ta ringjallnin atë koncept, por Michelangelo shkoi përtej, ai krijoi një njeri të ri, ashtu siç bota nuk e kishte njohur kurrë më parë, njeriu humanist: zot i vetes, zot i kombit, zot i botës.

Davidi qëndron në këmbë, me një qetësi të shtirur, në një pozicion contrapposto, me peshën e trupit të anuar në njërën këmbë, ndërsa tjetra është e dalë nga përpara. Michelangelo e shpalosi trupin në lëvizje, me bustin që rrotullohet paksa nga e djathta, ndërsa qafa nga e majta. Ndonëse Davidi duket i qetë, arrijmë të ndiejmë nervozizmin tek muskujt e qafës dhe shohim venat që fryhen në pjesën e pasme të dorës së djathtë.

Statuja ka dy plane. Davidi ka dy natyra. Nëse e ndajmë atë në mes vertikalisht do e vërejmë këtë dyzim personaliteti dhe lëvizje. Trupi i tij është i ndarë në dy natyra: vita activa dhe vita contemplativa, jeta aktive dhe jeta ëndërrimtare. Ana e djathtë e trupit është pjesa aktive. Krahu i tij i djathtë i zgjatuar dhe i fortë shtrëngon gurin me të cilin do vrasë Goliathin, armikun e tij, e më pas do e bëjë atë luftëtar të ri mbret të Izraelit. Këmba e tij e djathtë, e mbështetur fort e duke mbajtur peshën fizike dhe psikologjike të gjithë trupit të tij, manifeston nevojën e veprimit mizor që ai ka për të kryer. Ana e tij e djathtë është themeli i ekzistencës së Davidit, pasi ajo mban në këmbë pozicionin e fortë dhe të gjallë të tij. Ana e tij e majtë bën të kundërtën. Krahu i tij i majtë e mban butësisht hobenë e hedhur mbi sup, duke relaksuar tërësisht armën e aksionit (në këtë rast vrasjes) e duke u përhumbur në atë çastin e përjetshëm të mendimit dhe meditimit. Këmba e majtë, plotësisht e lirë nga barra e aksionit, qëndron e lirshme, pa mbajtur asnjë peshë të trupit.

Ky dyzim ishte edhe një pasqyrë e vetë natyrës së Michelangelo. Artisti ishte njeri i trazuar, i shëmtuar, i veshur dhe i ushqyer shumë keq. Michelangelo ushqehej vetëm me thërrime buke. Ai ndëshkonte veten përmes një jete më pak se modeste dhe e konsideronte veten si një qenie larg përsosmërisë dhe objekt i ndëshkimit hyjnor. Ndaj kjo vepër është edhe krijimi i një egoje tjetër. Egoja perfekte e një artisti plot të meta. Imazh bukurie prej një artisti të shëmtuar. Një zot i lindur nga dalta e një njeriu plot frikë nga Zoti.

Kështu do e kishte interpretuar edhe Sigmund Freud dualitetin e natyrës së artistit. Davidi ka një vështrim therës, vetullat janë të ngrysura plot përqendrim dhe vështrimi tejet zhbirues, të njëjtin vështrim që Michelangelo krijoi me Moisiun, një skulpturë tjetër një vit më vonë. Dhe për atë vepër me të njëjtin vështrim si të Davidit, Freud bëri një vlerësim psiko-analitik.

Në ditën e katërt të vizitës së tij në Romë në shtator të vitit 1901, Freud shkoi për të parë statujën e Moisiut të Michelangelo në Kishën e San Pietro në Vincoli. Për Freud, imazhet e veprës së Michelangelo u bënë të pandashme. Në një letër të 12 prillit 1933 për Edoardo Weiss, pionier italian i psikoanalizës, ai shkroi: “Çdo ditë për tre javë të vetmuara të shtatorit 1913, qëndrova në kishë para statujës, duke e studiuar atë, duke e matur dhe duke e vizatuar.” Dhe ndër të tjera ai përqendrohet tek vështrimi i Moisiut, i cili, i ngjashëm me të Davidit, ishte “një vështrim i zemëruar.”

Michelangelo ishte njeri i vetmuar dhe grindavec. Një herë ai ofendoi artistin e ri Pietro Torrigiano, i cili po vizatonte bashkë me të në një kishë në Firence; Torrigiano tregon se “e mblodha grushtin dhe e godita aq fortë në hundë sa që ndjeva kockën dhe kërcin që të shkërmoqeshin si një biskotë nën dorën time.” Që nga ajo ditë Michelangelo e pati hundën e shtrembëruar deri në fund të jetës. Ajo hundë, e shoqëruar me shpinën e përkulur dhe pamjen e tij të palarë e bënte të dallonte nga artistët e tjerë si Leonardo da Vinci, i cili ecte në rrugët e Firences i veshur plot hijeshi e bukuri.

Davidi ishte një deklaratë mbi sesi njeriu humanist e shihte veten në të nesërmen! Populli e shihte si vrasësin e tiranëve, dhe e gjithë Firence ecte plot vetëbesim drejt një të ardhme madhështore. Me të mbaruar statuja, Paria e Firences u has me dilemën se ku do e vendosnin atë kolos madhështor. Ajo çështje hapi aq shumë diskutime sa që pati edhe një incident me hedhje gurësh nga disa protestues. Duke qenë republikë, Firence ngriti një komitet. Rreth tridhjetë artistë dhe drejtues civilë u mblodhën për të diskutuar këtë çështje, përfshirë edhe Filippino Lippi, Perugino, Botticelli, dhe sigurisht Leonardo da Vinci. Ata u mblodhën në 25 janar të vitit 1504, në një sallë mbledhjesh pranë Katedrales, nga ku dukej statuja e mbaruar, dhe morën në konsideratë nëntë vende për vendosjen e statujës, dy prej të cilave u zgjodhën si finaliste.

Michelangelo kishte shpresuar që statuja e tij do qëndronte jashtë hyrjes së katedrales tek Piazza del Duomo, por shpejtë kuptoi që do shërbente më mirë si një simbol civil e jo fetar i Firences dhe i shtyu të bindeshin që ta vendosnin tek sheshi përpara Palazzo della Signoria. Giuliano da Sangolla, një nga arkitektët më të mirë të Firences, sikurse edhe skulptor, preferonte një vend poshtë harkut të madh tek Loggia della Signoria, një ndërtesë në cep të sheshit. Ai, bashkë me mbështetësit e tij, argumentuan se duke e strehuar aty Davidin, skulptura do ruante elementet e saj, por ajo zgjidhje e bënte veprën të mos binte në sy, e të ishte më pak dominuese dhe e spikatur. “Do shkojmë ne që ta shohim atë, e jo të vijë figura të na shohë ne,” u shpreh një nga mbështetësit e idesë së vendndodhjes tek Loggia.

Dr. Bledar Kurti

 

Leonardo da Vinci ishte një rival i përbetuar i Michelangelo. Ose më saktë ishte e kundërta. Michelangelo ishte tejet xheloz për mjeshtrin e madh da Vinci i cili me artin e tij kishte dëshmuar se ishte i papërsëritshëm. Por, kjo xhelozi u kthye në drejtim të kundërt kur da Vinci pa Davidin, ndaj nuk është për t’u habitur që Leonardo mbështeste grupin që kërkonte t’a strukë statujën poshtë portikut. Kur erdhi radha e tij për të folur, ai tha, “Pajtohem që duhet të vendoset tek Loggia, por të qëndrojë tek parapeti ku varen sixhadetë.” Dukej qartë, që Leonardo preferonte që statuja e Michelangelo të vendosej në një vend ku nuk binte shumë në sy. Por, sikur të mos mjaftonte kaq, Leonardo e vazhdoi fjalën e tij e tha diçka të habitshme. Ai u shpreh se statuja duhej të vishej “me një zbukurim të hijshëm [chon ornamento decente].” Ishte e qartë çfarë nënkuptonte. Michelangelo e kishte gdhendur Davidin në mënyrë të guximshme, tërësisht lakuriq, me detaje të spikatura të pubisit dhe organit gjenital. Leonardo sugjeroi që t’i shtohej një mbulesë e hijshme në mënyrë të atillë që të mos prishë ceremonitë zyrtare.

Michelangelo e fitoi betejën për vendin se ku do vendosej statuja. Davidi i tij u lëviz me rrota për katër ditë, në mënyrë shumë të kujdesshme nga punishtja e tij, dhe u vendos në hyrje të Palazzo della Signoria. Qëndroi aty deri në vitin 1873, e më pas u vendos brenda Galleria dell’Accademia, dhe në vitin 1910 një kopje e statujës u vendos sërish aty kishte qenë, por kësaj here pallati kishte marrë emrin Palazzo Vecchio. Por Leonardo fitoi me argumentin e tij se “një mbulesë e hijshme” duhej shtuar tek statuja. Një kurorë e stolisur e bërë prej tunxhi, me njëzetë e tetë gjethe bakri, u var tek skulptura, duke mbuluar organin gjenital të Davidit. Qëndroi aty për të paktën dyzetë vjet.

Leonardo dhe Michelangelo ishin dy figurat më kryesore të Rilindjes e padyshim dy emrat më të shquar të epokave të artit dhe mendimit. Nën ethet e artit ata ndizeshin nga xhelozia ndaj njëri-tjetrit, por piketa e përbashkët e botëkuptimit të tyre ishte humanizmi. Në fillim të shekullit të 15-të, umanisti do të thoshte, profesorë apo studentë të letërsisë klasike. Fjala umanisti rrjedh nga studia humanitatis, një kurs i studimeve klasike i cili, në fillim të shekullit të 15-të, përbëhej nga gramatika, retorika, poezia, historia dhe filozofia morale. Humanitas është fjalë latine, dhe përfaqëson një ideal arsimor dhe politik. Humanizmi i Rilindjes, në të gjitha format e veta, u përqendrua drejtë këtij ideali.

Humanitas kishte si burim letërsinë klasike. Mendimi grek dhe romak, i vënë në dispozicion nga dorëshkrime të lashta të ri-zbuluara ose të përkthyera rishtazi, i siguroi Humanizmit strukturën dhe metodën themelore të tij. Për humanistët e Rilindjes, nuk kishte asgjë të vjetruar në shkrimet e Platonit, Ciceronit, ose Livit. Duke u krahasuar me prodhime tipike të krishterimit mesjetar, këto vepra pagane kishin një ton të freskët, radikal, dhe avant garde.

Rilindja synonte të rizgjonte kulturën dhe botëkuptimin e lashtë greko-romak. Por, grekët, e më vonë romakët, e ndërtuan shoqërinë e tyre mbi zotat. Por zotat e tyre nuk ishin edhe aq të mëdhenj, pasi ata ishin të kufizuar. Edhe të mbledhur të gjithë së bashku, zotat grekë e romakë nuk mund të bëheshin të pakufizuar. Ata ishin njësoj si burrat e gratë e zakonshëm, por me përmasa më të mëdha, kësisoj nuk mund të ofronin zgjidhjen e njeriut drejt përjetësisë. Ndaj, Davidi ishte tre herë më i madh në përmasa sesa njeriu i zakonshëm, por ai shkoi përtej konceptit të rilindjes së diçkaje të shkuar, e solli një botëkuptim të ri, të njeriut zot, të njeriut si qenie e pakushtëzuar dhe e përjetshme, si qendër e mbarë universit.

Por, kjo gjendje e pakushtëzuar dhe hyjnore e njeriut, mbeti e përkohshme dhe u la pas krahëve nga vetë Michelangelo. Kryeveprat e tij të mëvonshme, të cilat sot konsiderohen si mrekullitë e botës, na shpalosin një fytyrë tjetër të artit të Michelangelo, një botë tjetër të brendshme të tij, një qasje të ndryshme ndaj humanizmit dhe natyrës njerëzore, e cila ndryshe nga madhështia dhe shkëlqimi suprem në statujën e Davidit, aty na shfaqet e errët, e plogësht, e humbur, dhe e rënë.

Dikur krenar për njeriun e përjetshëm, në kryeveprat e ardhshme, si për shembull, në afresket e Kapelës Sistine, Michelangelo përjetoi një transformim zemre, zbrazi veten dhe artin e tij për ta përjetësuar njeriun si vdekatar, e nën mëshirën e Perëndisë, krijuesit të tij.

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.