Një ditë te “Patrioti” Saimir Strati, artisti i 11 Rekordeve Guinness

Midis katër më të mirëve në botë për mozaikët modernë! Ky është mjeshtri Saimir Strati!


Nga Dash Frashëri, botues TiranaDiplomat.com

11 Rekorde të Certifikuara “Guinness”! Midis katër më të mirëve në botë për mozaikët në botë!

Ky është mjeshtri Saimir Strati! Artisti shqiptar me famë ndërkombëtare. Artisti i mozaikëve!

Me shijen e vecantë, thuajse unike dhe syrin e artistit të formuar prej 22 vitesh, Saimir Strati ka mënyrën e tij të të parit të artit. Që e dallon qartësisht nga të tjerët.

Artisti i mozaikut modern hapi ekspozitën e tij më të re të titulluar “Patriot” te Kalaja e Tiranës, duke ekspozuar njëzet punime mbresëlënëse. Një ekspozitë e bukur, e kuruar me shumë profesionalizëm e nga Vlora Demiri.

Punime në mozaik janë pjesë e kësaj ekspozite personale, ku artisti Saimir Strati tregon se pjesa më e madhe ekspozohen për herë të parë. Strati shprehet se në veprat që janë përzgjedhur ka dhe punë, që janë bërë vite më parë.

“Veprat nisin që para 22 vitesh, që është një nga punët më të vjetra dhe deri në ditët e sotme. Veprat që ekspozohen janë punuar brenda një harku kohor 22 vjeçar dhe kemi bërë një përzgjedhje të tyre. Disa vepra kanë qenë prezantuar në Shkodër kur më kanë ftuar, por pjesa më e madhe e punëve prezantohen për herë të parë”, tregon ai.

“Kuratorja Vlora Demiri, e cila është profesoreshë në Universitetin e Tetovës, mendoi që titulli të ishte “Patriot”. Në këtë ekspozitë janë punime të gjitha në mozaik. Tematika është kryesisht me motivet shqiptare, nga natyra, nga legjendat, si edhe ndjeshmëria e folkut”, shprehet Strati gjatë intervistës për TiranaDiplomat.com të realizuar në ambientin e eksopozitës..

Autori i shkrimit, Dash Frasheri dhe artisti i mozaikeve, Saimir Strati

 

Kalaja e Tiranës është shndërruar tashmë në një atraksion turistik, ku muk mungojnë turistët e huaj, shumë prej të cilëve janë edhe vizitorë të ekspozitës, të cilët mbeten të mrekulluar nga punimet e bukura të Saimir Stratit, duke shkruar përshtypjet e tyre në bllokun e vizitorëve të kësaj ekspozite.

Një  prej tyre është një artist i ri nga Peruja e largët, Mario Hidalgo (i veshur me bluzë të bardhë, në këtë foto).

Vizitorët e huaj janë nga vende të ndryshme: Izraeli, Gjermania, Italia, Norvegjia, Hungaria, Franca, Anglia, etj.

E ndjek prej vitesh artistin e famshëm Saimir Strati. Më pëlqejnë jashtë mase punë e tij. Kudo që shoh një vepër të tij, bëj foto, si ky rast te Hotel Hilton Garden Inn Tirana.

STRATI DHE REKORDET “GUINNESS”

11 rekorde janë unike për një artist, në Shqipëri, por edhe në botë. Po, ku buron gjithë ky frymëzim, gjithë ky entuziazëm te Saimir Strati. Një gotë verë është pjesë natyrore e frymëzimit të tij, e një punë të jashtëzakonshme dhe shumë të lodhshme. Të orëve të gjata. Të punëve të bukura.

“Gjithkush dëshiron të arrijë disa maja, qofshin edhe këto Rekorde Guinness. Pasioni im për mozaikët buron që nga fëmijëria. Pjesën e rekordeve jam kam borxh fëmijërisë sime. 11 rekorde janë cështje numrash, pasi brenda rekordeve ka dhe teknikë, ka artin, ka krijimtarinë. Tetë janë kategori të reja, në mozaikun modern. Gjithmonë kërkoj perfeksionin në veprat e mia”, thotë Strati për TiranaDiplomat.com.

Në vitin 2004, Saimir Strati u regjistrua në Shoqatën e Artistëve Britanikë të Mozaikut modern, ku tashmë është edhe artisti me më shumë rekorde. Dy vjet më pas, në 2006, ai regjistroi rekordin e parë Guinness. Një “Leonardo Da Vinci”, të realizuar me gozhdë.

“Cdo rekord ka një histori. Leonardo Da Vincin e kam studiuar që fëmijë, edhe pse atëherë mundësitë ishin të kufizuara në literaturë. Ai mbetet një gjeni i madh, një shkencëtar i madh, një mendje e madhe, një dimension i jashtëzakonshëm. Për mua si artist i ri ishte ‘Zoti i Artit’. Eshtë rekordi im i parë”, tha Saimir Strati.

Gozhdë, tapa, disqe, pipëza plastike, kokra kafeje marrin forma nga të bukurat nga duart e një mjeshtri, si Saimir Strati.

“Për mua nuk ka ndonjë rëndësi materiali, me të cilin do të punoj. Shko në një supermarket dhe ke një milion produkte. Cështja është tek ideja. Idetë i sjell vetëm puna”, tha mjeshtri duarartë.

Me 11 rekorde “Guinness”, Strati është i famshëm në botë. Me ekspozita në Itali, Portugali, Turqi, Kosovë dhe vende të tjera. Me shumë intervista në mediat më të rëndësishme në botë.

“Eshtë kënaqësi. Njeh kultura të ndryshme. Artistë të tjerë. Artisti ka nevojë për duartrokitje, por kur prezanton edhe vendin e tij është akoma më bukur. Arti nuk ka nevojë për përkthim”, tha Saimir Strati.

I dekoruar “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, dhe vlerësuar nga shumë organizata kulturore dhe institucione të rëndësishme artistike botërore, Saimir Strati është anëtar i Shoqatës Britanike të Mozaikut Modern dhe është një nga 4 artistët që udhëheqin mozaikun modern sot në të gjithë botën.

Në 26 korrik 2014, artisti me orgjinë nga Vlora fitoi “Guinnesin” e 8-të me “Mozaikun më të Madh të realizuar me Pipëza Plastike”.

Në Portugali koleksionoi Rekordin e 11-të Guinness (27 shtator 2014), me këtë punim të realizuar me tapa druri të madhësive të ndryshme.

Rekordi i fundit i Saimir Stratit është në vitin 2019. Ai tregon se i ftuar nga shteti turk realizoi portretin e Mustafa Kemal Ataturkut me vida.

Artisti Saimir Strati është i dashur dhe i sjellshëm me vizitorët dhe artadashësit. Nuk harron t’iu japë me dedikim dhuratën e tij. Ashtu sic ma dhuroi edhe mua.

Lexo më shumë nga

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.