Tirana, 24 orë kryeqyteti europian i “Retro”
Një organizim kompleks dhe i përsosur, i realizuar nga DPSHTRR, Retro Albania dhe FIVA
Nga Dash Frashëri, botues i Bloger.al
Tirana, 24 orë kryeqyteti europian i “Retro”!
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe RETRO Albania organizoi për herë të parë në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA), Simpoziumin “Bashkëpunim dhe Partneritet me Qeverinë dhe Institucionet e tjera/ Cooperation and Partnership with GOV and other Institutions”.
Një organizim shumë kompleks. I realizuar në perfeksion nga Blendi Gonxhja, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtuesit e Retro.al në bashkëpunim me FIVA – Federata Ndërkombëtare e Mjeteve të Vjetra (FIVA – Fédération Internationale des Véhicules Anciens).
Përzgjedhja e Shqipërisë si vendi mikpritës në organizimin e këtij simpoziumi, erdhi pak muaj pas anëtarësimit të shumëpritur të RETRO Albania në FIVA në Nëntor 2022.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishin të pranishëm në këtë që e shndërroi Tiranën, në kryeqytetin evropian të “Retro”-s.
Blendi Gonxhja, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, në fjalën e mirëseardhjes për të gjithë pjesëmarrësit, theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe të zhvillimit të këtij misioni.
“Falënderoj qeverinë shqiptare për suportin e pakursyer si dhe presidentin e FIVA, i cili pati besimin që Shqipëria do t’ia dilte këtij procesi, duke e afirmuar ‘Retro Albania’, si një ndër anëtarët e saj me të drejta të plota”, u shpreh Gonxhja.
Presidenti i FIVA, Tiddo Brester theksoi rëndësinë e këtij komuniteti, sfidat që hasin përgjatë rrugëtimit dhe këshillat që duhet të ndjekin për të lobuar me qeverinë dhe institucionet e tjera në promovimin e mjeteve historike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksuan kënaqësinë e të paturit të një komuniteti të zyrtarizuar dhe njohur ndërkombëtarisht për Mjetet Historike Shqiptare, për rëndësinë e tyre në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë vendase.
“Kurrë mos pusho së ngari” nuk është vetëm një slogan, por një mënyrë jetese.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë në ambientet e Hotel Plaza, koleksione automotive në sallën hyrëse dhe në sallën ku do zhvillohet simpoziumi, në trajtë retrospektive e rikthimi në nostalgji.
Këtë vitrinë spektakolare të mjeteve “Retro”, e shoqëron ekspozimi edhe i shumë punimeve artizanale, artefakteve, punime artistike me metal, dru e qeramikë, orendive të vjetra, si dhe hapësirës dedikuar traditës folklorike shqiptare si pjesë e identitetit tonë kombëtar e si një aset kulturor.
“Retro Bazaar”
Eventi spektakolar “Retro Bazaar”, me koleksionin e mjeteve retro, që janë vendosur në sheshin “Skënderbej”, ka kthyer pas në kohë pamjen në qendrën e Tiranës, duke ngjallur interes të shtuar për t’u vizituar nga qytetarë të shumtë, por edhe turistë që kanë ardhur për të vizituar kryeqytetin.
Një targë e personalizuar është më shumë se kënaqësi personale, është një kujtim nga RETRO!
Mbrëmja gala ishte edhe përmbyllja e bukur e Simpoziumit duke ftuar të gjithë pjesëmarrësit e huaj dhe përfaqësuesit shqiptarë në një darkë festive në Hotel Tirana International.
Një event që meriton notën “10”!
Tiranë, 1 maj 2023