“Fuqia e parasë”

Reportazh në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve


Nga Dash Frashëri, botuesi i TiranaDiplomat.com

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve (18 maj), zgjodha të vizitoja Muzeun e Bankës së Shqipërisë.

Muzeun Historik Kombëtar e kam vizituar shpesh, ndërkohë që dy muze të tjerë të kryeqytetit, BunkArt 2 dhe Shtëpinë me Gjethe – Muzeun Kombëtar të Përgjimeve, i kisha vizituar kohët e fundit dhe madje kisha shkruar dy reportazhe të gjatë për ta: “Muzeu Bunk’Art 2, atraksioni i turistëve të huaj!” dhe “Shtëpia me gjethe”, shtëpia e krimeve të Sigurimit”.

Banka e Shqipërisë është angazhuar prej vitesh në zgjerimin dhe thellimin e kulturës financiare të publikut në vend, përmes aktiviteteve dhe botimeve edukative, si dhe Muzeut të saj.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë u inaugurua më 30 tetor 2015, si një ndërthurje midis muzeales dhe didaktikes. Ai ndodhet brenda ndërtesës së bankës qendrore në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe shtrihet në dy kate, ku secili është konceptuar si një hapësirë e pavarur nga tjetra.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë përfaqëson edhe një destinacion të ri turistik në zemër të Tiranës, si dhe një qendër të përhershme informacioni, ku publiku i gjerë mund të mësojë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojë më mirë funksionin e Bankës Qendrore.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Banka e Shqipërisë kishte organizuar disa ekspozita njëherësh, ato të përhershme dhe aktivitetet e veçanta dedikuar kësaj dite.

Botuesi i TiranaDiplomat.com, Dash Frasheri dhe Shpresa Lubonja, përgjegjësja e Zyrës e Muzeut të Bankës së Shqipërisë

 

Dy eksponate ku ishin ekspozuar dokumente, prova kartëmonedhe dhe objektesh të viteve 1957-1991; ekspozita “Banka e Napolit 85 vite më parë në dokumentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, në bashkëpunim me DPA.

Shpresa Lubonja, përgjegjësja e Zyrës e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, shpjegon në detajet dokumentet dhe artefaktet e ekspozuara.

“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, si me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, kanë organizuar përvec ekspozitës së përhershme dhe dy ekspozita të përkohëshme.

Njëra është organizuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe i dedikohet ‘Bankës së Napolit’, që ka ushtruar aktivitetin për herë të parë në Shqipëri.

Në vitin 1936 janë bërë përpjekjet, ndërkohë që miratimi është bërë në vitin 1937, ku edhe janë referuar dokumente nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Përgjithshme të Arkivave, deri në vitin 1945, kur mbyllet plotësisht aktiviteti e bankës. Janë dokumente që prezantohen për herë të parë për publikun në këtë ditë”, tha Lubonja për TiranaDiplomat.com.

“Po, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Banka e Shqipërisë ka hapur edhe një ekspozitë të përkohëshme me elementë të shtypjes së kartëmonedhave të periudhës të viteve 1957-1964. Janë dokumente të papublikuara më parë. Ekpsozita e përkohëshme sjell një begraund të bërë nga stafi i Bankës Qendrore në vite”, thekson Lubonja.

Në dy eksponatet janë ekspozuar marrëveshjet me qeverinë e Bashkimit Sovjetik dhe atë të Kinës për modelet, sasitë dhe shtypjen e kartëmonedhave të periudhës të viteve 1957-1964.

 

Banka kishte përgatitur edhe një kolazh me pjesë nga filma shqiptarë ndër vite, të titulluar “Fuqia e parasë”, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

***

PAK HISTORI

110 vjet më parë, më 4 tetor 1913, në emër të qeverisë shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora nënshkroi koncesionin e parë për krijimin e një banke qendrore shqiptare. Nënshkrues të tjerë ishin përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, përkatësisht Karol Pitner dhe Oskar Pollak të atij austro-hungarez, dhe Pietro Fenolio e Guido Ansbaher të grupit italian.

Ismail Qemali ishte i bindur se Banka Kombëtare e Shqipërisë do t’i shërbente zhvillimit të ekonomisë së vendit dhe konsolidimit të Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë. Por vështirësitë me të cilat u ndesh Shqipëria në atë kohë nuk i krijuan mundësi praktike Bankës Kombëtare për zhvillimin e veprimtarisë së saj.

Portreti i Ismail Qemalit (1844-1919), simboli i shqiponjës dhe pena me të cilën u firmos akti i pavarsisë dhe është emetuar në vitet 1996, 2001, 2007, 2015.

 

Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftës I Botërore, Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk mundi të zhvillojë aktivitet.

Banka Kombëtare e Shqipërisë u mbyll në qershor 1914, pa kryer ndonjë veprimtari të rëndësishme.

Kartëmonedhat e një vendi janë pjesë e identitetit kombëtar të tij. Në cilësinë e emetueses së vetme të monedhës dhe kartëmonedhës shqiptare, Banka e Shqipërisë ka përzgjedhur të ndjekë konceptin e pasqyrimit të epokave historike nëpërmjet paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre në serinë aktuale të kartëmonedhave.

Secili nga personalitetet që janë kthyer në imazhe të parasë shqiptare, ka simbolikën që shoqëron secilën prej kartëmonedhave aktualisht në qarkullim.

NJË HISTORI E SHKURTËR E MONEDHËS TONË KOMBËTARE

Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipnis, e konstituar më 2 shtator të vitit 1925.

Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian, të kryesuar nga Mario Alberti, dhe Qeverisë së Ahmet Zogut.

Konventa përcaktonte ndër funksionet e këtij institucioni, përveç kreditimit, emetimin e kartëmonedhave me kurs ligjor për pagesat në Shqipëri, si dhe emetimin e monedhave të arit dhe të metaleve të tjera, me të drejtë ekskluzive.

Ky mund të quhet institucioni i parë emetues kombëtar i parasë, por historia e popullit tonë dëshmon prerjen e monedhave të para që në shekullin IV p.e.s., nga Dyrrahu (Durrësi) dhe Apollonia (Pojan pranë Fierit), qytete të Ilirisë.

Për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913, si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të grupit bankar austro-hungarez të Wienner Bank Verein, si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher, përfaqësues të grupit bankar italian të Banca Commerciale Italiana.

Ky institucion nuk jetoi gjatë për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1925 kur u krijua banka, në Shqipëri qarkullonin një mori monedhash të vendeve të ndryshme, ndaj Banka Kombëtare e Shqipërisë mori masa për t’i zëvendësuar këto me monedhën e vetme shqiptare.

Si njësi monetare zyrtare u caktua Frangu ar, me nënfishat e tij (Leku dhe Qindarka, ku 1 frang ar ishte baras me 5 lekë dhe 100 qindarka) dhe shumëfishat e tij 5, 20 dhe 100 franga ari. Kartëmonedha e parë e emetuar ishte ajo me prerje 5 Lekë/1 Frang ar.

5 LEK / 1 FRANK ARI – Kartëmonedha e parë kombëtare shqiptare. ka qarkulluar vetëm 10 ditë dhe është shtypur në firmën “Richter” në Napoli, Itali..

 

Ajo rezultoi jetëshkurtër për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga qeveria shqiptare e kohës mbi shqiponjën e paraqitur në të, e cila në dallim nga shqiponja dykrenare, simbol i kombit tonë, paraqiste shqiponjën me një kokë sipas stilit romak.

5 Franka Ari / ”PESË FRANKA ARI” – Hedhur në qarkullim me njoftimin e datës 28.02.1926.

 

Përgjatë vitit 1926, Banka Kombëtare e Shqipërisë emetoi dhe hodhi në qarkullim:• kartëmonedhat me prerje 5 Franga ari, 20 Franga ari dhe 100 Franga ari; • monedhat ar 20 Franga ari dhe 100 Franga ari, monedhat argjend 2 Franga ari dhe 5 Franga ari, dhe monedhat e tjera 5 Qindar leku, 10 Qindar leku, ¼ Lek, ½ Lek dhe 1 Lek.

Me fundin e Luftës së Dytë Botërore, të gjitha funksionet dhe detyrimet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë pushuan së ekzistuari. Vetë banka u shtetëzua dhe në vitin 1945, u krijua Banka e Shtetit Shqiptar.

Viti 1947 shënon një moment të rëndësishëm për monedhën tonë kombëtare. Me dekretligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangun, ndërsa ky i fundit tërhiqet përfundimisht nga qarkullimi. Që nga ky moment, kartëmonedha Lek ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat.

Moment tjetër i rëndësishëm në historinë e monedhës tonë kombëtare është viti 1965, vit në të cilin ndryshoi raporti midis prerjes lek të përdorur që nga viti 1947 me atë të emetuar në këtë vit në raportin 10 lekë (vitet 1947,1957) = 1 lek (viti 1964 e në vazhdim). Gjithashtu, për herë të parë shtypen dhe hidhen në qarkullim nënfisha të lekut, qindarkat.

Ardhja e vitit 1991 do të sillte ndryshime edhe në elementet e sigurisë së kartëmonedhave, ku për herë të parë vendoset filli i sigurisë në kartëmonedhën 100 Lekë. Banka e Shqipërisë krijohet në vitin 1992 si banka qendrore e vendit dhe sistemi bankar ndahet në dy nivele.

Ndër funksionet e saj kryesore, theksohet edhe roli si emetuese e vetme e kartëmonedhës dhe monedhës kombëtare me kurs ligjor brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Që në vitin e parë të krijimit, Banka e Shqipërisë, nën ndikimin e ndryshimeve të mëdha socio-politike në vend, përballet me domosdoshmërinë e rritjes së sasisë së monedhës në qarkullim, si dhe ndryshimin e strukturës së prerjeve të saj.

Emetimet e këtij viti ndryshojnë në tematikë për shkak të mosdiktimit nga sistemi politik. Gjithashtu, për herë të parë në emetimet e pasluftës, vendosen në kartëmonedha firmat e Guvernatorit dhe të Drejtorit të Departamentit të Emisionit dhe Administrimit të Parasë.

Vitet në vijim, shënojnë një rritje të vazhdueshme të kërkesës së ekonomisë për para. E shtyrë nga përgjegjësia për t’iu përgjigjur më së miri kësaj kërkese me një strukturë të përshtatshme prerjesh, Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 1995, kreu studime për një emision të ri të monedhës dhe kartëmonedhës.

Ky emision u projektua tërësisht i ri në tematikë, me një seri monedhash metalike të përbërë nga 6 prerje: 1, 5, 10, 20, 50 dhe 100 Lekë; dhe seri kartëmonedhash të përbërë nga 5 prerje: 100, 200, 500, 1000, 5000 Lekë, të cilat u rishtypën duke përmirësuar elementet e sigurisë, për të rritur besueshmërinë ndaj parasë dhe për të shmangur falsifikimin.

Në rishtypjet e kartëmonedhave është ruajtur pamja (vizatimet e tyre), por janë përmirësuar elementet e sigurisë dhe kanë ndryshuar firmat e drejtuesve.

Në vitin 2019, Banka e Shqipërisë prezantoi për publikun dy kartëmonedhat e para të serisë së re prej 6 kartëmonedhash, prerjet 200 Lekë dhe 5000 Lekë, për të vijuar më pas, në qershor 2021, me hedhjen në qarkullim të prerjeve 1000 Lekë dhe 10000 Lekë, e në janar 2022, të prerjeve 500 Lekë dhe 2000 Lekë.

Pas më shumë se 20 vitesh, dizenjimi i kartëmonedhave të qarkullimit vjen i rifreskuar, me elemente sigurie të përmirësuara, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare një pamje më moderne, më rezistente me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë, të krahasueshme me ato të vendeve më të përparuara.

Gjithashtu, kartëmonedha me prerje 200 Lekë vjen me një përbërje të re, në polimer, një material plastik i tejdukshëm dhe i hollë, me ndjesi të veçantë në prekje.Tematika e zgjedhur nga Banka e Shqipërisë për kartëmonedhat që kemi sot në qarkullim ndjek konceptin e pasqyrimit të epokave historike nëpërmjet paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre.

SERIA AKTUALE E KARTËMONEDHAVE PËRFSHIN KËTO PERIUDHA:

Kartëmonedha 2000 Lekë përfaqëson periudhën ilire (portreti i Mbretit Ilir Gent)
Kartëmonedha 5000 Lekë përfaqëson periudhën e Skënderbeut (portreti i tij)
Kartëmonedha 1000 Lekë përfaqëson Mesjetën (portreti i Pjetër Bogdanit)
Kartëmonedha 200 Lekë përfaqëson Rilindjen (portreti i Naim Frashërit)
Kartëmonedha 500 Lekë përfaqëson Pavarësinë (portreti i Ismail Qemalit)
Kartëmonedha 10000 Lekë pasqyron simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit (portreti i Asdrenit)

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.