“Kalendari Kombëtar Turistik”/ Rama prezanton aplikacionin TEA: Mund të gjeni të gjitha bukuritë e vendit

Për herë të parë në Shqipëri u prezantua Kalendari Kombëtar Turistik i ngjarjeve kulturore, sportive dhe të traditës


Sezonit turistik veror, i cili ka nisur vrullshëm, i shtohet nga sot inovacioni më i ri i qeverisë shqiptare, këtë herë përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Për herë të parë në Shqipëri u prezantua Kalendari Kombëtar Turistik i ngjarjeve kulturore, sportive dhe të traditës dhe aplikacionit të tij TEA (Tourism Events of Albania) që vjen si surprizë për këtë sezon veror në celularin e gjithësecilit, falas, dhe me plot oferta eventesh në Shqipërinë turistike.

Kryeministri Edi Rama përshëndeti eventin gjatë të cilit u prezantua inovacioni më i ri, ndërsa theksoi se “Bashkimi në ofertën turistike i trashëgimisë kulturore, i kulturës, i artit, i gatimit dhe i të gjitha llojeve të aktiviteteve tradicionale, folklorike apo i të gjitha aktiviteteve bashkëkohore janë një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur kapacitetin që Shqipëria ka në thithjen e turistëve nga gjithë bota.”

Fjala e kryeministrit Rama:

Përshëndetje të gjithëve! Faleminderit për praninë! Fatmirësisht sot koha na lejon ta bëjmë këtë aktivitet të parashikuar para pak ditësh, por që u ndal për shkak të shiut. Më vjen shumë mirë që sot kemi një produkt të ri të inovacionit, këtë herë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, falë Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe posaçërisht Zanës, e cila ka nisur një etapë të re në karrierën e saj, duke sjellë të gjitha aftësitë e saj dhe eksperiencën e saj organizative dhe menaxheriale për të çuar në një nivel tjetër punën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe sot mund të themi që kemi një kalendar kulturor dhe artistik të gjithë Shqipërisë turistike, i cili është i aksesueshëm nga kushdo përmes një aplikacioni të thjeshtë, informues dhe sipas meje, me shumë shije.

Kalendari kulturor dhe artistik i Shqipërisë turistike është në fakt një punë e filluar prej vitesh, bashkë me Mirelën kur ishte ne krye të Ministrisë së Kulturës dhe sot është në një fazë të re, por në zhvillim të vazhdueshëm sepse ne besojmë shumë që Shqipëria turistike është përtej ujërave të mrekullueshëm të detit, përtej majave magjike të maleve, përtej luginave dhe bukurive natyrore në tërësi dhe arsyet turistike për ta vizituar Shqipërinë janë shumë më tepër sesa kaq dhe prandaj bashkimi në ofertën tonë turistike i trashëgimisë kulturore, i kulturës, i artit, i gatimit dhe i të gjitha llojeve të aktiviteteve tradicionale folklorike apo edhe aktiviteteve më bashkëkohore janë një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur kapacitetin që Shqipëria ka në thithjen e turistëve nga e gjithë bota.

Faktikisht me këtë aplikacion ky kalendar bëhet tërësisht i aksesueshëm dhe nga ana tjetër i jep mundësi kujtdo që thjesht dhe vetëm përmes aplikacionit, të jetë i informuar në kohë reale sipas vendndodhjes për çdo mundësi që ka në një perimetër të caktuar për të aksesuar muzeume, site arkeologjike, teatër, performanca, festa të ndryshme e kështu me radhë.

Nga ana tjetër ne po punojmë edhe për prekjen fizike në territor të një Shqipërie turistike që shfaqet me të gjitha shqisat e saj duke zhvilluar për herë të parë një program për artin në hapësirën publike gjë që është ende në embrion, por kam shumë besim se hap pas hapi do të jetë një vlerë e shtuar në ofertën tonë.

Nga ana tjetër, ky aplikacion është pasqyrë e një pune që zhvillohet në të gjithë territorin e Shqipërisë nga institucione dhe ente të ndryshme, por që e gjitha tanimë mblidhet në një vend dhe jo vetëm mblidhet në një vend, por edhe publikohet dhe njëkohësisht vihet në dispozicion të kujtdo nëpërmjet ndërveprimit mes të gjitha institucioneve gjë që sapo ka nisur ta bëjë Agjencia Kombëtare e Turizmit, dhe pa harruar, Mirela e tha që Ministria e Kulturës është një komponent shumë i rëndësishëm sepse institucionet e kulturës, janë ato të cilat prodhojnë një pjesë të rëndësishme të asaj që pastaj konsumohet në funksion të këtij kalendari dhe për këtë arsye do të kemi përsëri operan, do të kemi përsëri teatrin e fëmijëve dhe të tjerë që nuk do të rreshtin përgjatë sezonit të verës së ofruari produktet e tyre për turistët, për vizitorët, për banorët e zonave turistike. Është një shifër mbresëlënëse shifra për mbi njëmijë aktivitete përgjatë gjithë vitit dhe mbi 600 aktivitete përgjatë sezonit veror për të kuptuar që kjo është një përpjekje shumë e strukturuar, shumë serioze e cila e përsëris, është në zhvillim. Nuk e konsiderojmë një produkt të përmbyllur, por është një produkt në zhvillim dhe besoj që jemi sot në kushtet kur kemi të gjitha arsyet e botës për të qenë super optimistë për Shqipërinë turistike. Mjafton të sjell në vëmendje aeroportin e Tiranës i cili jo shumë vite më parë numëronte më pak se 1 milionë pasagjerë ndërkohë që në vitin ku jemi, projeksionet janë nga 6.5 në 7 milionë pasagjerë dhe marrë parasysh përmasën, është vërtetë fantastike që aeroporti i Tiranës mund të arrijë të jetë aeroporti me numrin më të madh të pasagjerëve në të gjithë pjesën e Ballkanit Perëndimor përfshirë dhe atë të Beogradit që është aeroporti më i madh, por nuk është vetëm aeroporti i Tiranës, ne kemi edhe aeroportin e Kukësit, i cili pak nga pak, por sidoqoftë ka hyrë në rrugën e sjelljes së vizitorëve dhe do të ketë gjithmonë e më shumë turistë si pasojë e shpërfaqjes gjithmonë e më të plotë të magjive të Shqipërisë së veriut dhe të Shqipërisë verilindore, por është edhe aeroporti i Vlorës i cili tanimë është në një fazë të avancuar të punës dhe që parashikohet të jetë një aeroport konkurrues me aeroportin e Tiranës, ndërkohë që janë edhe portet turistike.

Porti Turistik i Vlorës është në ndërtim, Porti Turistik i Durrësit po përfundon, po përfundojnë dhe të gjitha proceset që kanë të bëjnë me shqyrtimin e lejeve të ndërtimit dhe do të fillojë së shpejti puna në kantier. Kemi Portin Turistik të Sarandës dhe kemi po ashtu edhe disa kërkesa të tjera që po i shohim me shumë kujdes për të rritur kapacitetet turistike portuale të Republikës së Shqipërisë, pa harruar edhe rindërtimin me shumë ambicie dhe shije të portit të vetëm turistik në fakt që ne kemi hë për hë, që është Porti Turistik në Orikum.

Shtuar këtu fakti që numri i madh i turistëve po sjell të ardhura të rëndësishme në ekonomi në tërësi, kemi praktikisht thuajse 18 % të prodhimit të përgjithshëm kombëtar sot që vjen nga turizmi, ndërkohë që një dekadë më parë ishte vetëm 4%. Dhe kjo e përkthyer në faktin që të ardhurat që iu vijnë familjeve shqiptare nga B&B, nga dhënia me qira e apartamenteve apo e dhomave në pasuritë e tyre të patundshme, e cila ka shkuar në përmasa të paimagjinueshme deri pak vite më parë, duke filluar nga Tirana sepse numri i turistëve në Tiranë është i jashtëzakonshëm dhe nuk ka hotele në Tiranë që mund të mbajnë këtë numër turistësh, por faktikisht ka një numër shumë të madh apartamentesh, të cilat janë në dispozicion të turistëve, ashtu sikundër dhe në gjithë Shqipërinë. Dhe patjetër edhe fakti që industria e mikpritjes, pra hoteleria, rritet në mënyrë eksponenciale.

Ne jemi dëshmitarë të kërkesave gjithmonë e më në rritje për leje ndërtimi për hotele, gjë që deri jo shumë vite më parë ishte diçka e rrallë në krahasim me kërkesat për vila vetjake. Ndërkohë që nga ana tjetër rritet dhe numri i atyre që e kanë kuptuar dhe tani kanë hyrë në një tjetër fazë të administrimit edhe të vilave vetjake të cilat në periudhën e kohës kur nuk përdoren nga ata që i blejnë, janë në funksion të turizmit, pra menaxhohen bashkërisht për të sjellë të ardhura dhe për pronarët, por për të sjellë të ardhura dhe për industrinë e mikpritjes.

Të gjitha këto janë pa diskutim të përkthyera edhe në vende të reja pune. Problemi sot në industrinë e turizmit nuk është a ka vende pune, madje vende pune të mirë paguara dhe të shumë mirë paguara, problemi është krahu i punës. Problemi është që ka shumë kërkesë nga industria për punonjës që nga ata më të pakualifikuarit deri tek ata më të kualifikuarit. Dhe ka gjithmonë e më shumë edhe nevojë për të zgjeruar hapësirën e kërkesës përtej kufijve të Shqipërisë sepse realisht ky është një problem. Është një problem gjithmonë e më serioz. Thënë kjo, pagat në këtë industri janë shumë konkurruese dhe do të bëhen gjithmonë e më konkurruese edhe me industrinë turistike në rajon. Ne jemi në një rajon ku janë ujqërit më të mëdhenj të turizmit europian dhe e them ujqërit në kuptimin e mirë të fjalës sepse realisht e dimë shumë mirë se ç’është Greqia apo ç’është Kroacia apo qoftë edhe Mali i Zi pa llogaritur fare pastaj Italinë që është përballë. Dhe një nga lajmet më të bukura që kemi parë, ku Shqipëria ka qenë prezentë dhe është prezentë sot e gjithë ditën në të gjitha mediat e rëndësishme ndërkombëtare për ofertën e vet turistike dhe pa paguar asnjë qindarkë për të bërë reklama siç bëjnë vende të tjera duke harxhuar shumë të mëdha nëpër ekranet e rëndësishme. Është lajmi që në 7 vendet më të preferuara të italianëve për të pushuar jashtë Italisë tre vende janë në Shqipëri, përsa i përket AirB&B dhe vendi i parë është Ksamili, vendi i dytë është Saranda, vendi i katërt është Vlora dhe kjo është një e dhënë zyrtare nga Italia e publikuar në një nga televizionet më të rëndësishme të vendit fqinjë. Ashtu sikundër ne po hasim edhe kërkesa specifike nga ajo pjesë e botës së turizmit që i përket nivelit të atyre që janë konsumatorë të rëndësishëm, pra shtresës më të lartë të konsumatorëve në turizëm që ende nuk jemi në gjendje ta akomodojmë sepse na duhen akoma shumë më tepër shtretër në nivelin e lartë të 4 apo 5 yjeve.

Me rëndësi është që tanimë ne nuk e kemi problem që t’i bindim investitorët apo që t’i bindim brendet e mëdha globale që të shohin nga Shqipëria. Janë në radhë, në ndërtim apo në aplikime për leje ndërtimi investime të cilat janë të lidhura me brendet e mëdha dhe jam i bindur që brenda kësaj dekade në Shqipëri ne do t’i kemi njësoj kudo tjetër brendet, por mbi të gjitha do mund të arrijmë pa asnjë diskutim objektivin e 10 milionë turistëve përpara afateve të parashikuara. Faktikisht ajo që ka ndodhur me shifrat, me parashikimet është e jashtëzakonshme sepse parashikimet për aeroportin Nënë Tereza janë komplet shumë më përpara kohës.

Dhe për ta mbyllur, kur ishim në çeljen e hotelit të ri “Melia” në Durrës investitorët spanjollë na thanë që me kërkesën për këtë sezon, sezoni i parë i hapjes së hotelit, ata faktikisht kanë përmbushur planin për tre vitet e para. Është një e dhënë shumë e rëndësishme. Ne na duhet të bëjmë akoma shumë punë në shumë aspekte sepse duhet me çdo kusht që t’i shmangemi rrezikut që të kemi “one time visitors”. Pra të bëjmë çmos që të kemi nga ata që vijnë dhe rikthehen dhe kjo bëhet jo thjeshtë përmes asaj që ofron vizita e parë, por përmes cilësisë së shërbimeve dhe patjetër përmes kësaj për të cilën jemi mbledhur sot, ofertës kulturore dhe artistike. Ne kemi mundësi që këtë ofertë ta bëjmë një ofertë unikale.

Aplikacioni TEA është një inovacion i cili ka bërë përshtypje edhe në konferencat rajonale apo më të mëdha ndërkombëtare si një mënyrë e re për të dhënë të gjithëve në kohë reale çfarë ndodh në territor për sa i përket nevojës për tu argëtuar në kohën e lirë të atyre që nuk janë në pushime, që janë qytetarët e vendit dhe çfarë ndodh në territor për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që janë me pushime që të marrin sa më shumë prej asaj që ndodh.

Një falënderim të posaçëm kam patjetër për Mirelën që si gjithmonë ia ka dalë ta përmbyllë me sukses për këtë fazë. Për Zanën që është një vlerë e shtuar në këtë punë edhe për Adelën që e shoh tani që është atje në fund fare e cila koordinon punën me Ministrinë e Kulturës dhe patjetër dhe për të gjithë të tjerët që kanë marrë pjesë, për dizajnerat, për realizuesit e aplikacionit duke e përsëritur edhe unë kërkesën nga larg, por besoj që kjo kërkese do të bëhet dhe nga afër për kompanitë celulare që atë mesazhin e mirëseardhjes në Shqipëri ta shoqërojnë me aplikacion. Këshilla ime modeste për ta është që ta bëjnë këtë punë pa pasur nevojë që Mirela me Zanën t’ju shfaqen në derë sepse ky është problem. Se pastaj jo vetëm do bëjnë këtë, por do jenë të detyruara të bëjnë edhe më shumë se kaq, donacione, sponsorizime e ku di unë që mbase nuk i kanë planifikuar për të shpëtuar nga presioni pozitiv i Ministrisë së Turizimit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Shumë faleminderit!

Lexo më shumë nga

Instalacioni “Foleza”, simbol i harmonisë mes natyrës dhe zhvillimit urban

Instalacioni artistik “Foleza” është realizuar nga artisti Vasil Dhiamandi, Krisiko Studio dhe Dhimandi Studio.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.