“Ukraina e Pathyeshme” – Një ditë në Ekspozitën Bamirëse të Artit në COD

27 piktura, të realizuara nga fëmijë ukrainas janë ekspozuar në COD / 15-29 qershor


Nga Dash Frashëri, botues i Bloger.al dhe DashArt.al

“Unbroken Ukraine” – “Ukraina e Pathyeshme”

Kështu titullohet ekspozita e bamirësisë me 27 piktura, të realizuara nga fëmijë ukrainas, e hapur në COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, në Selinë e Kryeministrisë, nga 15-29 qershor 2023.

Pikturat tregojnë luftën përmes syve të fëmijëve, dhimbjen dhe tmerrin e tyre, si dhe shpresën e pakufishme për një të ardhme të ndritshme dhe besimin e palëkundur në fitoren e dritës mbi errësirën.

Në punën e fëmijëve, vihet re se, pavarësisht sprovave të vështira të luftës, artistët e rinj ruajnë në zemrat e tyre ndjenjën e bukurisë së botës.

Pikturat e fëmijëve ukrainas, shumica dërrmuese e të cilave u krijuan nga artistë të rinj në strehimoret e bombave, bëjnë përshtypje me shkëlqimin dhe aftësinë e tyre, frymëzojnë luftën për liri, për një qiell paqësor mbi Ukrainë.

Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, Shefja e zyrës së BERZH-it në Tiranë Kateryna Solovova, bashkëthemeluesja e projektit të bamirësisë “Fëmijët dhe Arti për Ukrainën” Olga Paschuk Evans mbajtën një fjalë përshëndetëse në ceremoninë e hapjes, më 15 qershor.

Ambasadori Shkurov falënderoi themeluesit e projektit bamirës “Fëmijët dhe Arti për Ukrainën”, kreun e Komisionit të Prokurimit Publik Jonaid Myzyri, Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), si dhe të gjithë miqtë e Ukrainës për zbatimin e projektit në Shqipëri.

Vizitorët janë të shumtë. Pikturat e realizuara me sinqeritet nga “fëmijët e luftës” i emociojnë me mesazhet që ato përcjellin.

Deri më sot, sipas informacioneve të konfirmuara, kriminelët rusë kanë deportuar 19.505 fëmijë ukrainas dhe vetëm 371 prej tyre kanë arritur të kthehen në Atdhe.

Pikturat mund të blihen dhe paratë e fituara nga shitja dhurohen si mbështetje në ndihmë të fëmijëve të prekur. Kjo është pjesë e një projekti të quajtur Iniciativa Komunitare “Fëmijët dhe Arti për Ukrainën”.

Projekti bamirës “Fëmijët dhe Arti për Ukrainën” u lançua në verën e vitit 2022 në përgjigje të luftës në Ukrainë për të ndihmuar fëmijët që u gjendën në realitetin brutal të luftës, për t’u ofruar atyre ndihmë humanitare, arsimore dhe mbështetje psikologjike.

Fëmijë ukrainas që pikturojnë gjatë errësirës, në janar 2023

 

Projekti mbështetet nga programi i Iniciativave Publike të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e pikturave janë trefishuar nga banka.

Vizitorët fotografojnë veprat e krijuara nga fëmijët ukrainas, për t’i pasur në celularët e tyre.

“Për 478 ditë e net, populli ukrainas ka zhvilluar një luftë heroike në kushtet e një lufte të gjerë me pushtuesit rusë për hir të lirisë dhe të ardhmes së ndritur të fëmijëve tanë. Lavdi Ukrainës!”, shkruan Ambasada e Ukrainës në Shqipëri në faqen zyrtare të saj.

Femijët piktorë ukrainas kanë lënë gjurmët e tyre në Tiranë!

Lexo më shumë nga

“Viti Zero” i Gazmend Lekës

"Piktura e Lekës ngjan si një dekriptim i gjësendeve ku jeta dhe vdekja lëkunden në fill të perit në një…

Qazim Arifi, skulptori më i mirë i Bienales “Usa Tour 2023-2024”

Arifi ekspozoi punët e tij në "Bienalen Usa Tour" në Los Anxheles, Uashington, Miami dhe Nju Jork.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.