Një vizitë te“Sotir Kolea”, qendra e librave të rrallë!
REPORTAZH – Qendra “Sotir Kolea”, biblioteka “ndërkombëtare” me emrin e një personaliteti të kulturës shqiptare
Nga Dash Frashëri, botues TiranaDiplomat.com
Një vizitë te“Sotir Kolea”, qendra shumëgjuhëshe e librave!
Qendra më e re e librit “Sotir Kolea”, dikur e njohur si biblioteka e vjetër e kryeqytetit, iu rikthehet lexuesve përmes shërbimit të librave të rrallë.
Kjo pasuri, e përuruar nga Kryeministri Edi Rama, në prani të Ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, vihet në dispozicion të publikut në një ndërtesë tërësisht të rikonstruktuar, falë investimit të qeverisë shqiptare dhe mbështetjes europiane nga Programi “EU4Culture”.
?Qendra “Sotir Kolea” ka shërbyer për vite me radhë si “Aneks” i Bibliotekës Kombëtare, në të cilin mbaheshin të mbyllura disa qindra mijëra libra, kryesisht prej atyre që pas Luftës së Dytë Botërore qenë konfiksuar nga individë apo institucione të ndryshme. Tashmë, e gjithë kjo pasuri po vihet më në fund në dispozicion të publikut në një ndërtesë tërësisht të rikonstruktuar.
? Kjo qendër i sjell publikut një pjesë të vyer të trashëgimisë sonë kulturore, por do të shërbejë dhe si një qendër #kulturore moderne multifunksionale, në shërbim të studiuesve dhe studentëve.EU4Culture Albania
European Union in Albania
UNOPS Albania
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë
#ministriaekulturës #kultura2023 #bibliotekakombëtareeshqipërisëPosted by Elva Margariti on Wednesday, July 26, 2023
Pak kohë më parë ajo kishte një pamje të tillë.
Sot pamja është është kjo!
Ndryshimi është thelbësor. Pamja nuk ka nevojë për koment.
Qendra “Sotir Kolea” ka shërbyer për vite me radhë si “Aneks” i Bibliotekës Kombëtare, në të cilin mbaheshin të mbyllura disa qindra mijëra libra, kryesisht prej atyre që pas Luftës së Dytë Botërore qenë konfiksuar nga individë apo institucione të ndryshme. Tashmë, e gjithë kjo pasuri po vihet më në fund në dispozicion të publikut në një ndërtesë tërësisht të rikonstruktuar.
Programi EU4Culture i Bashkimit Europian, ka ofruar pajisje moderne që do të ndihmojnë ndjeshëm në ruajtjen e librave dhe leximin e tyre online. Puna e personelit në Qendrën “Sotir Kolea” është lehtësuar dhe tashmë mund të përpunojnë më shumë libra.
Për mua si një dashamirës i hershëm i librit në gjuhë të huaj dhe për tepër si botues i gazëtës online “Tirana Diplomat”, hapja e kësaj qendre është një lajm shumë i gëzuar.
Dëshiroja të shkruaja një reportazh të detajuar, të shijoja aromën e librave të vjetër mbi 200-vjecarë!
Mikpritja dhe shërbimi për lexuesin nga drejtuesit e qendrës dhe punonjësve të sallave të ndryshme është i shkëlqyer.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, është tërësisht i angazhuar për këtë thesar të cmuar.
“Janë libra që nuk kanë qenë asnjëherë në akses nga publiku. Kanë qenë të ruajtur në kushte të tjera, ndërsa tani vihen në dispozicion të lexuesve. Eshtë një ngjarje e madhe, shumë e rëndësishme për të gjithë”, tha Drejtori Misha për TiranaDiplomat.com. Vetëm pak caste më parë, ai kishte dhënë një intervistë për një emision televiziv.
Salla “Herbert” mirëpret e para dashamirësit e librave, pasi ajo është pikërisht në hyrjen krysore të qendrës.
Salla Gjermane është edhe më e vjetra si kohë funksionimi pranë kësaj qendre. Evis Vasili është bibliografe e Sallës Gjermane të Leximit.
“Salla Gjermane e Leximit është hapur në vitin 2006. Aktualisht ka afërsisht ka mbi 6 mijë libra. Literatura është e të gjitha fushave: shkencore, arsimi, kultura, psikologjia, sociologjia, feja, arti, etj. Një nga iniciatorët e sallës gjermane të leximit ka qenë përkthyesi i ndjerë, Ardian Klosi dhe gjithasjtu, shoqata e miqësisë shqiptaro-gjermane “Robert Shvarc”, dhe sigurisht edhe Ambasada Gjermane” tha ajo për TiranaDiplomat.com.
Ky libër me poezi i poetit të madh gjerman Gëte daton në vitin 1827, pra gati 200 vjet më parë.
Salla Franceze është ndër më luksozet dhe me një listë elitare autorësh. Salla Franceze e Leximit u përurua, më 5 mars 2018 me mbështetjen e Ambasadës Franceze dhe Ministrisë së Kulturës.
“Kjo sallë, fillimisht është hapur me librat që ishin nëpër thasë dhe të vendosur këtu. Ka libra shumë të vjetër, më shumë se 300-vjecarë, të 1700-ës, 1800-ës. Kemi libra nga të gjitha fushat: letërsi, gjuhësi. Për momentin kemi rreth 7 mijë libra të regjistruar. Ka libra të dhuruar nga Ambasada Franceze, po vijnë disa libra të rëndësishëm nga fondi”, tha Teuta Misha, bibliografia e sallës franceze.
Midis tyre është dhe libri i famshëm “Fabulat e La Fontaine”.
Salla Italiane është më e madhja dhe më e pasura me libra dhe revista.
Sonika Strakosha është bibliografja e Sallës Italiane së Leximit. Në fakt, nisur edhe nga volumi i madh i librave, rreth 11 mijë, ata janë sistemuar në dy salla që komunikojnë me njëra-tjetrën.
“Një pjesë e librave është ende e pahapur, pasi jemi në proces përzgjedhje. Eshtë një fond i hapur dhe numri rritet në vazhdimësi. Risia është shumë e bukur, pasi vetë lexuesit mund ta shohin librin të hapur. Edhe pse ka pak ditë që qendra është rihapur pas rikonstruksionit, ka pas pasur interesim jo të pakët, dhe jo vetëm studiues apo gazetarë. Ka libra shumë të vjetër. Libra të viteve 1801 apo 1802, pra mbi 220-vjecarë”, tha Strakosha për TiranaDiplomat.com.
Salla Osmane drejtohet nga Dr. Shkencave Elsa Bitri, e cila ka studiuar në Turqi.
“Jam kthyer në Shqipëri para një viti dhe i jam bashkuar Bibliotekës Kombëtare. Kjo sallë kae 4300 libra, dhe janë kryesisht në gjuhët osmanisht, turqisht, persisht. Materiale që kanë të bëjnë me botën arabe. Salla është e ndarë sipas gjuhëve. Kemi libra për fenë islame, shkencat sociale, ku dua të vecoj legjislacionin për drejtësinë, letërsi dhe histori. Ka fjalorë enciklopedikë, etj.”, tha Dr. Bitri për TiranaDiplomat.com.
Në sallën osmane ka libra origjinalë të shkruar nga Sami Frashëri. Në këtë foto kam në duar enciklopedinë e tij: “Fjalori Universal i Historisë dhe Gjeografisë”
Dashamirësit e librave mund të shfrytëzojnë Sallën Angleze.
Lexues të tjerë mund të shfrytëzojnë koleksionet greko latine…
… apo koleksionet e letërsisë klasike ruse.
Largohem nga Qendra “Sotir Kolea”, për t’u rikthyer sërish. Mijëra libra më presin…