Ndre Mjeda, “Vaji i Bilbilit” që i këndoi shqiptarisë!
Ndre Mjeda ishte një nga patriotët, studiuesit dhe deputetët ndër më të njohur shqiptarë. Vvdiq më 1 gusht 1937
Ndre Mjeda ishte një nga patriotët, studiuesit dhe deputetët ndër më të njohur shqiptarë.
Ai lindi në Shkodër më 20 Nëntor 1866. Mësimet e para i ndoqi po në vendlindje dhe edukimi i tij u influencua nga Urdhri i Jezuitëve.
Nën Urdhrin e Jezuitëve në pranverë të 1880, Mjeda studioi për tre muaj në fshatin Cossé-le-Vivien, Laval, një qytet në veriperëndim të Francës. Në vitet e mëvonshme ai ndoqi studimet për letërsi në manastirin Kartakuzian të Porta Coeli në veri të Valencias.
Më pas Mjeda studioi teologji në Kolegjin e Jezuitëve në Krakov, Poloni, ku gjithashtu shërbeu edhe si biblotekar në kolegjin Gregorian të Kraljevicës. Gjatë studimeve në Poloni, Mjeda u caktua edhe si profesor i logjikës dhe metafizikës në këtë universitet.
Gjatë kësaj periudhe Mjeda filloi të shkruantë në vargje për Çështjen Kombëtare Shqiptare, duke përfshirë edhe poemën e tij të njohur dhe melankolike “Vaji i Bilbilit” publikuar më 1887, ku në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martini, N. Bytyçi, etj. Vepra përmbyllet me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Gjithashtu botim i kësaj periudhë është edhe poema “Vorri i Skëndërbeut”,e cila si temë qëndrore ka emigrimin e Shqiptarëve pas vdekjes së Skëndërbeut. Mjeda do njihet me kryeveprën “Juvenilja”.
Më 1911 ai shkroi poemën “Liria”. Gjithashtu për letërsinë Shqiptare janë të njohura edhe disa nga poemat e tij si “Scodra”, “Lissus”, “Malli për Atdhe”. Kontributit i Mjedës, përveç në fushën e poezisë do jetë mjaft i vlefshëm dhe i vyer në fushën e Albanologjisë ku përmendim vepra të tilla si: “Mbi Shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës Shqipe”.
Më 1901 së bashku me vëllain e tij, Lazër Mjeda, themeloi shoqërinë kulturore “Agimi”. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ku u dallua si përkrahës i Alfabetit Shqiptar, krahas patriotëve të tjerë të shquar. Gjatë viteve 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare.
Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924), Ndre Mjeda mori pjesë aktive në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Në vitet 1930-1932 transkiptoi pjesërisht veprën e Bogdanit dhe të Budit, gjithashtu shkroi edhe për dialektin Shqiptar të Istrias.
Deri në fund të jetës Mjeda shërbeu si mësues në Kolegjin Jezuit të Shkodrës. Ai vdiq më 1 Gusht 1937. Mjeda do të kujtohet si një nga patriotët dhe shkrimtarët më të shquar Shqiptar, ku kontributi i tij do jetë i paharruar.
Burimi: MUzeu Historik Kombëtar