S’e di!
S’e di pse po kërkoj ngrohtësi në këtë nxehtësi/ dhe kthehem në filozofi si të parët në lashtësi…
Nga Dr. Isidor Koti
S’e di!
S’e di pse po kërkoj ngrohtësi në këtë nxehtësi,
dhe kthehem në filozofi si të parët në lashtësi,
endem për të gjetur ndonjë njeri të jetë vërtetë njeri,
e të dëgjoj si dikur fjalët: “sot do merrem me ty”!
S’e di çfarë ka ndodhur me shpirtin e ri,
trazuar keqas me materien që në rini,
andaj ka përherë s’e di, edhe pse e di,
ferr ka vetëm aty ku s’ka dashuri për njeri!
S’e di, ah sa mirë që s’e di kohën e fundit,
ndonëse fundi i kohës na ndjek nga pas si hije,
mes gjithë kësaj turme mendimesh e gjullurdie,
me frymë ngrohtësie nga Zoti i kam kryet!
IS.KO.