Mbretëresha Geraldinë, promovuesja e emancipimit të grave shqiptare
Si sot, 108 vjet më parë më 6 gusht 1915, u lind në Budapest Mbretëresha e ardhshme e Shqiptarëve
Sot, kujtojmë lindjen e Mbretëreshë Geraldinë (1915-2002) në Budapest.
Mbretëresha Geraldinë rrjedh nga një familje shumë e njohur Hungareze. Origjina e Familjes së Saj daton e dokumentuar qysh nga periudha e Mesjetës, kur Hungaria u pushtua nga Arpadët në vitin 894, dhe kjo familje ishte pjesëmarrëse në krijimin e monarkisë hungareze, nën dinastinë Arpadiane.
E mbetur jetime qysh në moshë të vogël, nën përkujdesjen e gjyshërve Aponny, Kontesha Geraldinë u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës.
Më pas gjyshërit e Saj Aponny, e dërguan në kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum, afër Vjenës në Austri, ku mbaroi fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare.
Kontesha Geraldinë iu përkushtua me gjithë shpirt skenografisë, sociologjisë, historisë, letërsisë, etj.
Mbretëresha Geraldinë, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë.
Kontribuoi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret.
Ajo u impenjua totalisht edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre.