Revista “VSD” promovon Shqipërinë turistike, Rama: Çdo vit e më shumë vizitorë francezë
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e revistës “VSD”
Plazhet dhe peizazhet fantastike të Shqipërisë, por edhe kultura dhe traditat vendase janë në fokus të artikullit të publikuar këtë javë në revistën e mirënjohur franceze “VSD”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e revistës “VSD”, që vjen si “një arratisje për t’u zhytur në natyrën dhe kulturën autentike shqiptare”.
“Këtë sugjeron revista e mirënjohur VSD për të gjithë lexuesit e saj francezë, duke promovuar këtë javë plazhet dhe peizazhet fantastike, por edhe kulturën dhe traditat tona që po tërheqin çdo vit e më shumë vizitorë francezë si asnjëherë më parë”, u shpreh Rama.
“Arratisje në Shqipëri: Në zemër të së panjohurës së bukur”. Kështu titullohet shkrimi i publikuar këtë javë në “VSD”, i cili eksploron “bukuritë e padyshimta të Shqipërisë, ku historia takohet me bukurinë natyrore”.
“Mirë se vini në Shqipëri, ky xhevahir mesdhetar i panjohur prej kohësh, i cili tani zbulon thesaret e tij për udhëtarët kureshtarë. Me plazhet e saj të pacënuara, malet madhështore dhe historinë e pasur, Shqipëria është një destinacion që me siguri do t’ju befasojë. Larg turmave turistike, ky vend magjepsës ofron një zhytje autentike në kulturën dhe traditat e tij”, shkruan revista franceze.
“VSD” shkruan për plazhet e Rivierës shqiptare, Thethin dhe liqenin e Komanit, por edhe traditat dhe kulturën e vendit.
“Shqipëria është një muze i gjallë ku çdo rrugë, çdo zakon tregon një histori. Traditat e saj stërgjyshore jetojnë përmes festivaleve shumëngjyrëshe dhe vallëzimeve magjepsëse. Shqiptarët janë krenarë për trashëgiminë e tyre, e reflektuar kjo në kuzhinën e tyre të shijshme”, shkruan “VSD”.