Petro Nini Luarasi, dëshmori i gjuhës shqipe!
Si sot, më 17 gusht 1911, Petro Nini Luarasi vdiq i helmuar nga Xhonturqit dhe Patriarkana e Stambollit.
Si sot, më 17 gusht 1911, ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Petro Nini Luarasi.
Petro Nini Luarasi lindi në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Ai ishte nxënës në shkollën e Qestoratit drejtuar nga Koto Hoxhi.
Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues.
Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve.
Petro Nini Luarasi punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).
Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”.
Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë.
Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908).
Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit.
Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911.