Ti dëgjoje Bah…!

Paul Celan ishte fëmija i vetëm i një familje hebreje, prindërit e të cilit u vranë në një kamp nazist


Nga Luan Rama

Paul Celan ishte fëmija i vetëm i një familje hebre, prindërit e të cilit në vitin 1942 u çuan në një kamp nazist të shfarosjes nga ku nuk u kthyen më. Në trallisjen e madhe të kujtimeve, në vitin 1970 ai u hodh në ujërat e Senës.

Ti dëgjoje Bah…

In mémoriam për poetin Paul Celan

Ti dëgjoje Bah
Fug në sol minor
dhe pastaj shkruajte himnin tënd,
Fuga e Vdekjes për kampin e zi të shfarosjes
ku një orkestër hebrenjsh
detyrohej të luante tango
një tango për vekjen
kur njerëzit i shtynin ndërkohë drejt dhomave të gazit
një fugë me fugën që klithte për dhomat funebre
ku vetë vdekja kishte kohë që përgjonte.
Prindërit e tu shkonin duke kërkuar sytë e tu
buzët që donin t’i puthnin dhe njëherë të fundit
pa mundur t’u prekje duart tej telave me gjemba,
më kot luteshe ti fëmijë në tokën e gjelbër të Margaritës
Margaritës-Gjermani me sytë blu
nën hijen kryqit të hekurt nazist,
tymi i zi i krematorit villte kristale të hirta
etër nëpër tym
dhe nëna të mjera që ngjiteshin në qiell
Fuga jote shkruar vite më vonë
ishte një psalm i vjetër që të rëndonte plumb
brenda tij këndonin gjithë hebrejtë e botës,
askush nuk mund t’i kthente prindërit e tu,
në natën e gjatë
fuga e vdekjes të çante shpirtin
zemra jote çahej si shegë me kristale hiri,
ti luteshe natën për ta
dhe varret e hapura në qiellin e Gjermanisë,
në “in der Luft” jehonin veç këngë të vjetra jidish
nga violina të thyera që frymonin ende.
Vitet kalonin
dhe në skenat e botës ti vazhdoje të dëgjoje një toccata të Bah,
shkruaje përsëri për Fugën e Vdekjes që s’mund ta harroje,
që gjithnjë e më shumë të grishte për në botën tjetër,
të syve dhe njerëzve që s’u kthyen më
dhe kështu, një natë plot yje
më së fundi ti fluturove mbi Senë nga Ura Mirabeau
për të gjetur atë qiell të yllëzuar
ku oxhakët e vdekjes kishin heshtur tashmë
dhe nuk villnin më tymin e zi të shfarrosjes së madhe.

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.