Shqipëri, ambasadori turk takon stafin e institucioneve arsimore të Fondacionit Turk Maarif
“Takimi në prag të fillimit të vitit shkollor me drejtues, mësues, prindër dhe nxënës është një aktivitet shumë me vend dhe në këtë mënyrë nisi dhe një traditë e re”, tha ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay
Nga Fatjon Cuka
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ka zhvilluar një takim me stafin e institucioneve arsimore të sistemit parauniversitar të Fonfacionit Turk Maarif në Shqipëri, raporton Anadolu.
Në takimin e organizuar në ambientet e “Maarif Elbasan Schools” ishin të pranishëm edhe drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, administratori i shkollave të Fondacionit Turk Maarif në Tiranë “New York Schools”, Hasan Dede, drejtor i kampusit të shkollës Maarif në Elbasan, Zeki Uysal, mësues, prindër dhe nxënës.
Duke folur për Anadolu, ambasadori Atay tha se takimi i sotëm është në kuadër të aktiviteteve sociale, para fillimit të vitit të ri shkollor.
“Si i ftuar në këtë aktivitet pata rastin të konsultohem dhe të merrja informacion mbi aktivitetet shkollore. Takimi në prag të fillimit të vitit shkollor, me drejtues, mësues, prindër dhe nxënës, është një aktivitet shumë me vend dhe në këtë mënyrë nisi dhe një traditë e re”, tha Atay.
Ambasadori turk u shpreh se iu uron një vit sa më të mbarë të gjithë nxënësve në të gjithë Shqipërinë.
“Veçanërisht uroj një vit shkollor sa më të mbarë edhe për nxënësit e shkollave të Fondacionit Maarif të cilat janë nga më të mirat në vend, në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër. Gjithashtu iu uroj një vit të mbarë edhe studentëve të universitetit të vetëm të Maarif, Universiteti i New Yorkut në Tiranë”, tha Atay.
Ambasadori Atay vizitoi edhe ambientet e kampusit të shkollës së Fondacionit Maarif në Elbasan.
Viti i ri shkollor 2023-2024 në institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri, përfshirë edhe në shkollat e Fondacionit Turk Maarif, fillon më 11 shtator. / AA