“Pema e jetës” e Marjana Goxhabelliut

Trungu monumental, si këmbanorja e katedraleve, mban tinguj të shumtë vetrazhesh dhe në krye një palë brirë që hapen si krahë me majat e tyre tregues të mollëve.


Nga Kujtim Abdi

Marjana Goxhabelliu – Pema e jetës.

E mbjellur mbi truallin e blertë të Hesperideve, apo të Edenit, kjo pemë rritet e shëndetshme në formën e kryqit.

Trungu monumental, si këmbanorja e katedraleve, mban tinguj të shumtë vetrazhesh dhe në krye një palë brirë që hapen si krahë me majat e tyre tregues të mollëve.

E gjithë linja e brirëve të kujton gjarpërin, mësimdhënësin e kafshimit, sytë e zinj Satanain, mes ngjyrave më të bukura të jetës. Në sensin invers simbolizon dashin, ngadhënjyesin e jetës, sëbashku me ngjyrën dominuese, të blertën.
Ndërtimi i thjeshtë kompozicional mbahet nga zotësia koloristike, drita nënreflektuese me qetësi mistike dhe formacioni mozaikor i trungut. Me të gjitha elementët artistikë që përmban kjo pikturë është një lulëzim i frutshëm emocional, një evokacion filozofik i kujtesës të jetës njerëzore me pastërtinë e frutshme të riprodhimit, me misterin shpirtëror rigjenerik të gjetheve e të frutave, aq sa është e pamundur që në shikim të parë kjo pikturë mos të të tërheqë e të të mos godasë në shije. Krijimi kurajoz, i patrembur në mbështetjen simbolike, shkallëzimi emocional dhe me dashuri i ngjyrave, kërkimi i tyre pa ndrojtje e turp, por me ambicje profesionale, pa pengesa formaliste, me atë fill sinqeriteti që tërhiqet nga brenda shpirtit, krijon imazhin teologjik të shpjeguar thjesht me shenja piktorike. Ekzistenca e ritmeve të natyrës gërshetohet me mendimin dhe interpretimin artistik. Ritmet gjestuale të penelit, të vëna shpesh me vendosmëri profesionale, përkojnë në rezonancë me natyrën e artistes, me atë formë e poezi delikate të penelit, që të befason e të magjeps. Ndërtimi esencial i qetësisë me vëmendjen e duhur figurative, harmonizimi dekorativ, intuita e ngjyrës për të bashkuar natyrën me mendimin, e bëjnë kompleksitetin kompozicional një ikonë moderne dhe me frymë puriste. Petëzat e arta me vibrimet e tyre paraqesin dendësinë plastike në raport frekuent me thyesën figurative. Intimiteti plastik me jehonë të thellë, si rikumbim i koshiencës, me organizmin e vet emocional të ideve, arrin kufijtë e ëndrrës. Zotësia e veçantë e krijimit të efekteve transparente, përfton velatura delikate, që shkrijnë nuancat duke zhdukur kufijtë e tyre bashkues e në të njëjtën kohë pasuron tonalitetin esencial të bojrave, duke krijuar një lojë bashkuese e ndarëse të tyre.

E gjithë vepra mbetet një fllad poetik, një himn hyjnizues i dashurisë për jetën.

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.