Mumtas Dhrami sjell “Kujtime nga Kina 1967”: Vend i bukur dhe mik i Shqipërisë!

Në përurimin e ekspozitës mori pjesë edhe I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Kineze në Shqipëri, Wang Dexin


Nga Dash Frashëri

111 skica dhe dy skulptura me “Kujtime nga Kina 1967”!

Kjo është Ekspozita e “Skulptorit të Popullit”, Mumtas Dhrami e çelur dje në Galerinë FAB, pranë Akademisë së Arteve të Bukura dhe që do të qëndrojë e hapur, deri më 4 tetor.

Në përurimin e saj morën pjesë edhe I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Kineze në Shqipëri, Wang Dexin, si dhe Kryetari i Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi.

Mumtaz Dhrami, sot 87 vjeç, është një nga kolosët e skulpturës shqiptare.

***

E prita me shumë kuriozitet ekspozitën e njërit prej skulptorëve të të mirë shqiptarë, një emri të madh dhe të respektuar, si Mumtas Dhrami.

Kjo edhe për faktin, se Kina e vitit 1967 është krejt ndryshe nga ajo e vitit 2023.

Hapja e ekspozitës “Kujtime nga Kina 1967” përkoi edhe me Javën Kulturore Kineze, në Kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që zhvillohen nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, me moton “Shqipëria mikpret botën”. Java Kulturore Kineze zhvillohet nga 25 shtator deri më 1 tetor.

Menaxheri i Galerisë FAB, Ermir Hoxha, ishte kujdesur që të vendoste edhe një shirit me flamuj të vegjël kinezë te posteri gjigant i ekspozitës, duke i dhënë edhe një atmosferë më të bukur dhe miqësor aktivitetit.

Në fakt, ardhja e kryediplomatit kinez në përurimin e ekspozitës ishte një surprizë befasuese për artistët e tjerë të pranishëm, por jo për vetë skulptorin Dhrami.

Ata ishin takuar një ditë më parë, me rastin e Pritjes së Dhënë nga Ambasada e Kinës me rastin e 74-vjetorit të Themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe Wang Dexin ja dha këtë kënaqësi.

Në përurimin e ekspozitës morën pjesë shumë nga emrat më të rëndësishëm të arteve figurative shqiptare, midis tyre dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura në Akademisë së Arteve, Artan Peqini, skulptori Maksim Bushi, piktorët Gazmend Leka, Mikel Temo, Adrian Devolli, Vasil Diamanti, Myftar Cubi, dhe shumë artistë të tjerë; studiues arti, si Agim Janina, përfaqësues të medias së shkruar dhe televizive, apo miq të Mumtas Dhramit si inxhinieri Ibrahim Emiri, gazetarët Çerçiz Loloçi dhe Albert Zholi.

Edhe prania e Kryetarit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, ishte një suprizë e kendshme: “E kam vizituar Kinën. Më ka pëlqyer shumë”, i thotë ai diplomatit kinez.

Hapjen zyrtare të ekspozitës e bëri menaxheri i Galerisë FAB, Ermir Hoxha.

***

56 vjet më parë, Mumtas Dhrami, asokohe 31-vjeçar, ishte pjesëtar i delegacionit të Lidhjes së Artistëve, dhe së bashku me shkrimtarin Ismail Kadare dhe ushtarakun Resul Bedo (që ishte kryetar delegacioni) dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore vizitoi Kinën.

Ja si e kujton “Skulptori i Popullit”:

“Në shtëpinë tonë të vjetër, në lagjen Palorto të Gjirokastrës, vite të shkuara, në odën e madhe, mbi një raft, që ne e quanim sergjen, mbanim një servis të bukur çaji prej porcelani kinez. Prindërve të mi ia kishin prurë si dhuratë në ditën e martesës së tyre. E ruanim me shume kujdes mos thyhej…

Isha fëmijë atëherë, por atë admirim dhe dashuri që pata për bukurinë e atij objekti të vogël nuk mu shlye për vite të tëra. Nuk dija ku binte Kina, vendi nga kishte ardhur ajo bukuri, që unë si fëmijë e admiroja. Prindërit, sa herë i pyesja më thoshin se Kina është larg, shumë larg…

Unë kisha një ëndërr që të prekja nga afër mrekullinë kineze dhe artin e veçantë të saj. Në vitin 1967 kjo ëndërr mu realizua. Gjithçka ishte mjaft mbresëlënëse, dhe mbi çdo gjë më prekte dashuria e mikëpritja, kudo ku shkuam. Në Kinë pashë dhe punova me mjaft punëtorë, fshatarë, intelektualë, studentë, ushtarë e artistë të operas kineze. Pashë mjaft qytete, fabrika, uzina e kantjere pune”.

“Kina nuk është më ajo që unë pashë në vitin 1967. Tani Kina është krejt tjetër; një vend kolosal me një zhvillim mahnitës”, tha autori i ekspozitës në fjalën hapëse, duke falenderuar Ambasadën Kineze dhe i uruar kryediplomatit Wang Dexin edhe Festën e 1 Tetorit, Festën e Themelimit të Republikës Popullore të Kinës, që këtë vit feston 74-vjetorin.

I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Kineze, Wang Dexin, gjatë fjalës së tij të shkurtër, vlerësoi ekspozitën e skulptorit Dhrami dhe përcolli mesazhe respekti, duke uruar edhe thellimin e miqësie midis artistëve shqiptarë dhe kinezë dhe midis dy popujve, duke i ftuar ata edhe për një vizitë kortezie në selinë e ambasadës.

“Jam shumë i nderuar që të flas para jush, për mua është hera e parë që i drejtohem një grupi kaq të madh artistësh të shquar. Ambasada e Kinës e ka mbështetur në vazhfimësi kulturën shqiptare. Miqësia midis dy popujve tanë është e vjetër dhe unë shpresoj se ajo do të forcohet akoma edhe më shumë. Arti është një urë e bukur miqësie”, tha kryediplomati kinez.

Bisedat janë të hapura dhe tematikat sillet rreth artit kinez dhe atij shqiptar.

Skulptori Mumtas Dhrami i shpjegon me detaje diplomatit edhe për miqësinë me një artist kinez, me të cilin kishte studiuar së bashku në Leningrad.

“Dikur, në vitet e studimit 1957-1961 në Akademinë e Arteve (Instituti I.E Rjepin) të Leningradit, sot Shën Peterburg, isha në një klasë me studentin e talentuar kinez, që e quanin Dun Zu Ji. U miqësuam shumë, u bëmë gati si vëllezër, por fatkeqsisht na ndanë, si rezultat i zhvillimeve politike. Larg atyre zhvillimeve ne e kishim ruajtur miqësinë tonë të paprekur.

Gjatë vizitës sime në Kinë pata një nga gëzimet e mëdha që provova kur ne u takuam pas shtatë vitesh ndarje. Asgjë nuk e kish prekur miqësinë tonë. Ashtu si dikur, kur ishim bashkë në ateljetë e skulpturës Duni më qëndroi pranë dhe më dha një ndihmë të çmuar për realizimin e punimeve të mia”, i tha Dhrami, duke i treguar edhe vizatimin që i kishte bërë Duni.

Dhrami kujtoi edhe një fakt të bukur nga vizita në Kinë, të cilin e ka përjetësuar me këtë vizatim.

“Në një park të bukur të qytetit Hangzhou më thanë një frazë të vjetër kineze që e lartësonte bukurine e atij qyteti: “Në qiell është parajsa kurse në tokë është Hangzhou”.

Dhrami i tregon Wang Dexin përshtypjet e tij: “Unë admirova peizazhet e bukura të Kinës, admirova arkitekturën e pagodave me çatitë elegante, me unitetin stilistik të çdo orendie e zbukurim të interierëve”.

Kryediplomati kinez e komplimentin skulptorin Dhrami: “Me vetëm pak linja, ky dallohet që është portreti i një fshatari kinez. Të lumtë!”.

Vizita në tre sallat është e detajuar dhe me shpjegime thuajse për çdo skicë.

Në fund edhe një dhuratë për Të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës Kineze.

Një ekspozitë e bukur! Si miqësia e Shqipërisë me Kinën!

_____________________

Tiranë, 28 shtator 2023

“RINArt”, 400 punime ekspozohen te Galeria “2 Botë”

Kryebashkiaku i Belshit, Tafani: Faleminderit Universitetit të Arteve të Bukura, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Helidon Halitit

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.