Parisi i njëmijë bardëve…

Endrra ime e adoleshencës ishte të shikoja një ditë Parisin. Të shkelja mbi kalldrëmet e Parisit


Nga Luan Rama

Parisi është një histori. Një histori e madhe dhe një gjeografi humane. Ndoshta ai është kryeqyteti ku më shumë se kudo në botë pulson historia e një arti të madh, historia e shkrimtarëve dhe artistëve të Francës dhe të botës, ngjarje dhe jetë njerëzish, artistësh, që i kënduan njeriut dhe universit, vende dhe emra që hynë në historinë e botës përmes emrit dhe artit të tyre.

Endrra ime e adoleshencës ishte të shikoja një ditë Parisin. Të shkelja mbi kalldrëmet e Parisit për të piktakuar personazhet që kisha ndeshur tek Të mjerët apo romanet e Zhyl Vernit, (Jules Verne). Ashtu si Zhyl Verni me Dyzet mijë lega nën det dhe Rreth botës për 80 ditë, edhe ne fëmijët e Shqipërisë udhëtonim nëpër qiejt e botës. Atëherë, çdo javë, në shtëpinë time vinte një burrë i moshuar, i kërrusur, me një shkop në dorë dhe një mjekër të bardhë, me një hundë shqiponje dhe një kapele të vjetër në kokë. Ishte një nga ata që kishin mbaruar liceun francez të Korçës, por që regjimi i kishte larguar dhe mënjanuar si ish borgjezë, që adhuronin Perëndimin. Por ai e kishte qef rakinë dhe kur vinte, nëna ime i nxirrte një dopio raki dhe na linte në detyrat tona të frëngjishtes. Shpejt nga avujt e alkoolit, ai kënaqej dhe udhëtonte në një botë tjetër, të largët, harrohej në ditë dehëse dhe një botë të largët e të ëmbël, dhe pas nja dhjetë minutash fillonte të recitonte Nervalin dhe Bodlerin, (Baudelaire), duke më treguar histori të kaluara që lidheshin me Parisin. Më fliste me pasion për Shatobrianin, (Chateaubriand) dhe Lamartinin, (Lamartine), për Senën dhe Eiffelin, për urat e shumta dhe Luvrin, për sheshet me emër dhe shkrimtarët e mëdhenj, Bodlerin dhe Hygonë, (Hugo), mbi rrugën Rivoli apo sheshin e Bastijës, për një Bastijë, që siç thoshte ai, në kohën e Revolucionit ishte mbytur mes flakësh. Nostalgjik, ai më tregonte parreshtur gjersa një çast, shikoja që koka e tij varej dhe ai fillonte të dremiste. Ligjërata për shkrimtarët e mëdhenj të Francës kishte mbaruar…

Kur në vitin 1991 shkova në Paris dhe çdo mëngjes e pasdite kaloja nën këmbët e kullës Eiffel për të shkuar në ambasadën shqiptare në Rue de la Pompe, afër Trocadero-s, kjo ëndërr e realizuar më dukej si diçka e pamundur, ireale, përsëri si ëndërr.

Që atëherë, nën urat e Parisit ka rrjedhur shumë kohë. Nga ditë në ditë, nga muaji në muaj, dhe nga vitit në vit, ky qytet më zbulonte hiret dhe të fshehtat e tij. Dhe unë e dashurova këtë qytet. Nëpër vite do të përjetoja pikërisht atë që kishte shkruar dhe Heminguei për të: “Parisi, një festë e pambarimtë!” Nëpër vite, këmbët, por dhe rastësia më çuan nëpër vende ku zbulohej një histori e re, një ngjarje e madhe, vende ku kishin jetuar shkrimtarët, ku kishin krijuar veprat e kryeveprat e tyre, ku ishin dehur dhe bërë dashuri, ku kishin qarë apo ishin vetëvrarë, vende ku kishin shkuar të jetonin përjetësisht. Padyshim, ishte emocionante vizita ime e parë në shtëpinë muze të Balzakut, (Balzac), në rrugën Raynoud, në atë shtëpi ku Balzaku u fshihej huadhënësve dhe vazhdonte shkrimin e kryeveprave të tij të fundit. Në atë shtëpi ishin ruajtur shumë objekte të shkrimtarit, tavolina e punës dhe shandanët e tij, shishja e bojës së shkrimit, penda, dorëshkrime, piktura e fotografi, duke i ringjallur çdo vizitori figurën e shkrimtarit, i cili në netët e vona, në heshtjen e plotë, pranë tasit të madh të kafesë, vazhdonte të shkruante gjer në dritën e parë të agimit.

Në letërsinë e Balzakut ka një gjeografi të habitshme të këtij qyteti, aq sa studjuesit e sotëm flasin për një «arkeologji» balzakiane të Parisit, pasi shumë vende të përshkruara nga shkrimtari i madh nuk ekzsitojnë më. Në librin e tij Djalli në Paris, duke përshkruar këtë qytet ai shkruante: «Fizionomia e Parisit në vitet 1500 ishte ajo e rrugës Saint-Antoine; më 1600 ishte ajo e rrugës Royal; në vitet 1700 jeta përqëndrohej rreth Pont-Neuf dhe më 1800 rreth Palais Royal. Të gjitha këto vende, njëri pas tjetrit kanë qenë bulevarde. Toka në to ka qenë e pasionuar. Më së fundi dhe vetë bulevardi pati fatin e tij. Nga rruga Faubourg du Temple në Rue Charlot, ku lëvrinte Parisi, jeta e tij në vitin 1815 kaloi në Boulevard des Panoramas. Më 1820 ajo u përqëndrua në bulevardin Gand, ndërsa tani ajo tenton të ngjitet drejt Madelaine-s. Më 1860 zemra e Parisit do të jetë që nga rruga e Paqes e gjer në sheshin e Concorde-s.»

«Père Lachaise» në cep të Parisit ishte një qytet i vërtetë të vdekurish, një «qytet» me «banorët» e tij, «shtëpitë» dhe rrugët e tyre. Aty preheshin shumë nga të mëdhenjtë, nga Molieri, (Molière), Bomarsheja, (Beaumarché) e La Fonteni, (La Fontaine), duke vazhduar me Balzakun, Prustin, (Proust), Bodlerin, Zolan, Mopasanin, (Maupassant), e gjer tek Koletë, (Colette), Elyar, (Eluard), etj. Duke bredhur nëpër të, unë zbuloja historinë dhe gjymtyrët e tij, gjymtyra njerëzore dhe shpirtra që i kishin kënduar këtij qyteti, që kishin ngjizur jetët e tyre me historinë e këtij trualli. Udhë, «bulevarde», shkallë të çuditëshme, portale të mëdhenj e të habitshëm, varre gjigandë dhe monumente, siç është dhe ai i Balzakut, ku vizitorë jo të pakët kanë dëshirë të bëjnë një fotografi para bustit të tij. Kohë njerëzore, kohë revolucionesh, luftrash dhe çlirimi, vitesh të paqta dhe ngazëllimi. Piketa qytetërimi. Dhe vizitori pasi udhëton në këtë qytet-mortor, pyet vetveten: kush vallë është prehur brenda këtyre mureve? Cilët ishin ata? Kudo janë gjurmët e tyre. Në Hotel Ritz, në sheshin e famshëm Vendôme, atje ku ngrihet obelisku i Napoleonit, një suite e hotelit ka emrin «Marcel Proust». Aty ishte një nga prehjet e tij të përherëshme. Por po të futesh në brëndësi, të kalosh nëpër korridorin e gjatë, në fund do të gjëndesh në një bar të vogël që quhet «Bari Heminguei», vendi ku korrespondeti i luftës, Ernest Heminguei, shkruante dhe dërgonte njoftimet e tij për gazetat amerikane. Deri vonë, një nga kamarierët e Ritz tregonte se në betejën e sheshit Vendôme më 1944, ku Heminguei morri pjesë, ai ishte ndër të parët që hyri në hotel dhe zuri një suitë, duke porositur 50 shishe «Martini» për vete dhe miqtë e tij. Atje në Ritz, janë dhe gjurmët e Scott Fitzgerald dhe plot shkrimtarëve të tjerë. Amerikanët e «Brezit të Humbur» siç i quante Gertrude Stein i gjeje më shpesh në barin e madh amerikan të «La Coupole»-s, në bulevardin Montparnasse.

Në 19, Quai Voltaire, buzë Senës, për një kohë jetoi Bodleri, më pas Uald (Wilde) dhe pastaj në të njëjtën ndërtesë dhe Wagner, ku ai mbaroi partiturën e pjesës muzikore Mjeshtër këngëtarë. Në Rue de l’Université jetonte Xhejms Xhois (James Joice), autori i famshëm i Uliksit. Surrealistët jetonin më së shumti në Montparnasse, ku lindën disa shkolla letrare. Në kopshtet e Luksemburgut, janë statujat e Verlenit, Floberit, Sandit, etj, dhe kjo sepse jeta e tyre u lidh ngushtë me këtë kopësht, që na kujton gjithnjë dhe Zhan Valzhanin e famshëm të Hygoit, i cili shëtiste me Kozetën e vogël. Lagjia e «Marais»-së, e «Kënetës», siç e kishin quajtur prej shekujsh parizianët, meqë kur vinin shirat e vjeshtës, lagjia përmbytej nga ujrat gjer në pranverë, të kujtonte barrikadat e Të mjerëve dhe Gavroshin që vërtitej sa andej këndej. «Les Halles» të kujton gjithnjë librin e Zolasë për Parisin, Barku i Parisit, (Le Ventre de Paris), pasi aty ishin jo vetëm pazari, por dhe thertoret e qytetit. Në Rue des Beaux Arts, në fundin e shekullit XIX, vdiste i vetmuar Oskar Uald, i cili pak ditë më parë kishte pëshpëritur në ethe: «Unë jam njeriu që duhet ta mbyll këtë shekull». Në varrezat e Bagneux, në perfieri të Parisit, pronari i hotelit të tij, i kishte vendosur një kurorë mbi varr me mbishkrimin: «Për qeraxhiun tonë!»

Një natë dimri të vitit 1902, në Rue de Bruxelles, ishte gjetur i vdekur në apartamentin e tij shkrimtari Zola bashkë me të shoqen. Kishin vdekur në gjumë nga gazi i qymyrit. I gjetën duke fjetur në gjumin e përjetshëm. Në Rue Pigalle, në numrin 16, në epokën e dashurisë së tyre jetonin dikur Zhorzh Sandi dhe Frederik Shopen. Në numrin 55, Hygo, ndërsa në numrin 60, Bodleri. Pak më tutje është kabareja e famshme «Le Chat Noir», ku mblidheshin simbolistët me në krye themeluesin e simbolizmit francez, arvanitasin Zhan Moreas (Jean Moréas), apo ndryshe Jani nga Moreja, ndërsa lart në kodrën e Montmartre-s, rrëzë katedrales së Sacre-Cœur, në kabarenë e natës «Le lapin agile», në Rue des Saules, mblidheshin surrealistët me në krye Apoliner, Reverdi, apo Maks Zhakob. Jo larg tyre ishte «Le Bateau Lavoir», ku mblidheshin Pikaso, Modiliani, Apoliner… Numra, emra rrugësh, histori romanesh e poemash, fate njerëzore, si vetë fati i të madh Vijon, (François Villon), poetit të Parisit, të dënuar në të gjallë të tij që mos ta shkelte më Parisin, qytetin që ai i kishte kënduar aq shumë. Kur u dënua me litar, poeti shkroi balladën e tij të famëshme Ballada e të varurve. Ishte po ajo poemë që liceistët e Korçës, siç kujtonte poeti dhe shkrimtari shqiptar Dhimitër Shuteriqi, e dëgjonin në recitimin patetik të profesorit të tyre Georges Aguesse.

Para disa kohësh, një mbrëmje të vonët, nuk di pse u gjënda në rrugën «Rue Decartes», jo larg Panteonit. Ndoshta për ti rënë më shkurt drejt shtëpisë time. Kur ja, në anë të rrugës, në numurin 37, një pllakë më tërhoqi vëmendjen: «Këtu ka vdekur poeti i madh Pol Verlen në 9 janar të vitit 1896». Pas Rembosë, Verleni për mua ishte nga më të preferuarit e poezisë botërore. Dhe ja, poshtë pllakës, një tjetër shënim: «Pikërisht këtu në vitet 1921-1925 ka jetuar gjithashtu Ernest Heminguei». Ngrita sytë lart dhe në dritën e zbehtë të rrugës, në ato dritare, imagjinova ditët e fundit të Verlenit që kishte vdekur si një njeri i varfër edhe pse poet i madh. Ishte hoteli i dikurshëm, i cili dhe tani, shërbente si hotel. Një miku im francez, François Bilange, i apasionuar pas poezisë, më kishte thënë se kur ishte njohur me gruan e tij e kishte sjellë në “dhomën Verlen”. Atje donte të flinte një natë me të, në dhomën ku poeti i kishte kënduar aq shumë dashurisë. Por që ta rezervoje atë dhomë duhej ta bëje kërkesën me kohë, pasi nga e gjithë bota kishte të apasionuar që donin të vinin të kalonin një natë në dhomën e poetit dhe mikut më të madh të Rembosë.

Po, Parisi ndryshonte, lëvizte, pasionohej sa në njërin apo tjetrin breg të Senës. Nga kodra e Montmartre-s, ku rrinin më parë poetët dhe artistët, më pas në kohën e «parnasianëve», bota letrare u zhvendos në Quartier Latin, pastaj drejt Montparnasse-it në fundin e shekullit XIX. Ndërsa në mesin e shekullit XX, shpirti letrar e artistik u vendos në lagjen e vjetër të Saint-Germain-dès-Près. Në kafenetë «Le Flore» dhe «Les Deux Magots», mblidheshin shkrimtarët dhe botuesit. Aty niste aventura letrare e shkrimtarëve të mëdhenj të shekullit XX. Para tyre, kryqëzimi ballë kishës së vjetër Saint-Germain-dès-Près, e viteve 1100, tashmë quhet «Sheshi Sartre-Beauvoir» në kujtim të çiftit mitik të shekullit. Sot, ky Paris duket se e ka humbur qëndrën e vet, sikur diçka ka ndodhur dhe artistët e mëdhenj janë shpërndarë, si të duan të shkrihen me të tjerët, mes qytetarëve. Rrallë herë ata shfaqen diku, dhe kjo më shumë në ekranet e televizioneve dhe rrallë në sheshet publike. Ata nuk dehen më ashtu si kolegët e tyre të hershëm, nuk janë më bohemë…

Kështu e ka përjetuar Parisi metamorfozën e tij, si një bohem, pa i kapërcyer kufijtë e qytetit, edhe pse disa vende mitike nuk ekzistojnë më. Dikur, në Palais Royal, ishte një kafene që quhej «Kafeneja e të Verbërve», pasi në atë kafene kishte një orkestër me katër muzikantë, që të gjithë të verbër. Ç’spektakël! Aty shkonin shpesh shkrimtarët dhe dramaturgët e teatrit të Komedisë Franceze. Deviza që afishohej në këtë kafene ishte: «Këtu kemi nderin të jemi qytetarë, të pijmë cigare dhe ti drejtohemi tjetrit me «ti». Koha ka bërë të vetën. As «Shtëpia e Artë», (Maison d’Or), siç quhej ajo shtëpi, kur dikur mblidheshin shkrimtarët romantikë, nuk është më. As shëtitoret e dikurshme të Marsel Prustit ku shëtistin «personazhet» e tij, as shtëpia e André Bretonit në 43, Rue Fontaine, atelieri i prijësit të madh të surrealistëve, që më parë ruhej si një lloj muzeu privat plot piktura, maska afrikane, libra, manifeste, antikuare artistike, etj. Siç më thoshte një ditë në një kafene të Montparnasse, studjuesja e Bretonit dhe e Robert Desnos, profesoresha Marie-Claire Dumas, më së fundi ai apartament ishte kthyer në një afer imobiliar dhe ajo e vuante shumë këtë, revoltohej dhe shante qeverinë. Gjithçka që kishte mbledhur Bretoni në atë shtëpi ishte shitur në ankand. Një histori që humbiste drejt harresës. Tani, jo larg që andej, vetëm kolltuku i Molierit ka mbetur në katin e sipërm të teatrit të Komedisë Franceze. Ai kolltuk është mbresëlënës, sepse pikërisht aty, në shfaqjen e fundit të tij, Molieri i sëmurë ishte ulur dhe interpretonte në shfaqjen e komedisë së tij I sëmuri imagjinar. Atje dhe kishte vdekur më 17 shkurt të vitit 1673, në orën dhjetë të mbrëmjes…

Po, shumë vende historike nuk janë më, as «Café Voltaire», ku mblidhej Balzaku të takonte miqtë e tij letrarë, në Sheshin Odeon. Aty shkonte dhe personazhi i tij i Iluzioneve të humbura, Lucien Rubenpre.
Bodleri ishte parizian dhe ai i këndoi shumë Parisit, i këndoi hireve të tij por dhe të “keqes” në vëllimin poetik Lulet e së Keqes, i këndoi Parisit të ngazëllyer dhe Parisit, «me sytë e një plaku të çmendur». Megjithatë, duke iu drejtuar Parisit, ai këndonte:
«Në çdo gjë tënden, unë kam nxjerrë thelbësoren

Ti më dhe baltën dhe unë e ktheva atë në ar.»
Viktor Hygo lindi në Paris. Po në Paris dhe vdiq. Nga shtëpia e tij në avenynë «Victor Hugo», rruga zgjatet drejt pyllit të Bulonjës, dhe pa arritur ende atje, të shfaqen papritur statuja e punime skulpturale me figurën e Hygosë dhe muzat e tij. Hygo si një pan pagan dhe vajzat-muza, të dashurat e tij. Hygo ishte një dashnor i madh, i përjetshëm. Edhe plak ai përhumbej në hiret lakuriqe të një trupi të kolmë…Po, poetët dhe shkrimtarët janë të pranishëm në jetën e këtij qyteti. Dhe nuk habitesh që pllakat-piketa të njoftojnë për historinë e tyre. Natali Sarot, Alen-Rob Grije, Fransuazë Sagan me romanet e saj të «Valës së Re», Mirëmëngjes trishtim apo A e doni ju Bramsin? Ti ecën në Rue Richelieu dhe e di që atje, Stendali shkroi E kuqja dhe e Zeza, më tutje në 8, Rue Commartin, ai shkroi Kështjella e Parmës dhe më vonë, në Rue Cambon, shkroi kryeveprën tjetër të tij, Lucien Leuven. Atij i pëlqente të bridhte e të jetonte rreth Operas, Bursës, të prehej në kafenetë pranë «Teatrit Komik», duke përsëritur shpesh: «Parisi është një qytet hyjnor». Ai kishte rënë në dashuri me Parisin. E si mos ta dashuroje këtë qytet? Si?…

Personazhet letrare të këtij qyteti janë të panumurt, pasi në çdo rrugë që merr, në çdo kthesë, qoftë dhe një rrugicë e ngushtë, gjen gjurmët e një autori të shquar. Në Rue Mazarine, në një ndërtesë jo shumë të lartë, jetonte Robert Desnos, poeti surrealist me të dashurën e tij Juki, siç e kishte pagëzuar piktori Fujita, në japonisht, që do të thoshte «dëbora rozë». Në shkurtin e vitit 1944, një mëngjes, Robert Desnos u arrestua në shtëpinë e tij. Para se ta merrnin, ai i dha Jukit stilografin e tij «Parker», duke i thënë: «Ruaje. Do të kthehem ta marr.» Por më kot e priti Juki. Ai s’do të kthehej më në Rue Mazarine. Ai do të vdiste në një kamp nazist, ditët e para të çlirimit të kampit. Ai nuk e puthi lirinë. As të dashurën e tij. Pikërisht aty në Rue Buci, na shfaqet hija e Bodlerit me armë në dorë, në ditët e Revolucionit të shkurtit të vitit 1848. Shkrimtarët e mëdhenj ishin humanistë, kundër diktaturave dhe shtypjes së lirisë. Kështu shkonte drejt barrikadave të këtij revolucioni Hygo, Lamartin apo Dymas?
Një ditë, duke iu ngjitur Montmartre-s përmes një rruge të ngushtë e të kalldrëmtë, kisha parë një skulpturë të çuditëshme. Ishte Njeriu që kalon murin, (L’Homme passe-muraille), e krijuar nga Zhan Mare për mikun e tij Marsel Eme, sipas veprës kryesore të këtij shkrimtari. Figura ishte e çuditëshme sepse pikërisht ishte vetë shkrimtari që tentonte të përshkonte përmes murit si një qënie hyjnore. Dhe po të ngrije kokën lart, në një pllakë pranë një ndërtese lexon të shkruhet: «Këtu ka banuar deri sa vdiq shkrimtari Marcel Aymé».

Shkrimtarët janë ngado. Mjafton të ecësh dhe ti piktakohesh me ata. Mund t’i përshëndesësh. Një ditë, tek prisja një mikun tim përballë kishës së Invalidëve që strehon arkivolin e Napoleonit dhe të disa prej mareshallëve të tij, nuk kisha vënë re se pas shpinës time, në një pllakë mermeri, ishte shkruar se pikërisht atje, gjatë luftës, kishte banuar shkrimtari i famshëm Sent Ekzyperi, autori i romanit Fluturimi natën, piloti i luftës që ishte ngritur në qiell dhe nuk ishte kthyer më. Ajo pllakë më kujtoi menjëherë ato ditë të rinisë, kur kineast i ri, me atë frëngjishte të çalë, përpiqesha të përktheja me një mikun tim kineast, librin e tij Princi i vogël, duke hyrë në një botë të veçantë filozofike e humaniste.

Po, poetët dhe shkrimtarët janë kudo në këtë qytet. Që nga viti 1960, në 56, Rue de la Varenne jetonte poeti Lui Aragon. Aty dhe vdiq. Atë e vendosën pranë varrit të Elsës, të dashurës dhe gruas së tij, në «Parc du Moulin». Ai i kishte thënë asaj se do ta rrethonte me muzikë. Pas vdekjes së tij, në varrin e tyre u vendos një gramafon me muzikë të Bahut dhe me Këngën e Bilbilit, i cili gjatë gjithë kohës do të shpërndante muzikën e tyre preferuar. Andre Malro ka lindur në Rue Damremont. Para se të vdiste, autori i La Condition Humaine, kishte shkruar: «Detyra e shekullit të ardhmë do të jetë ri-integrimi brenda njerëzimit të hyjnive të tij». Thua se njeriu është larguar apo i ka harruar mitet e tij, mitologjinë dhe hyjnitë. Ja dhe Rue de la Vielle-Lanterne. Më 26 janar të vitit 1855, varur tek brava e portës së apartamentit të tij, u gjënd pa jetë trupi i poetit Nerval, veshur me kostumin e tij të zi dhe këpucët llustrafina. «Të paktën agonia kishte qenë e butë, sepse kapelja nuk i kishte rënë nga koka.» – shkruante Aleksandër Dyma, që ishte nga të parët që kishte shkuar pranë mikut të tij.

Si çdo qytet, dhe Parisi ka magjinë e tij. Njerëzit i duan kafenetë. Atje piktakohen, kuvendojnë, vëzhgojnë bashkëqytetarët e tyre, shkëmbejnë lajmet e botës dhe tresin vështrimin tutje, ku lumi njerëzor vërshon i pandërprerë. Kur ka diell, taracat e tyre janë të mbushura plot e përplot. Eshtë një tjetër atmosferë. “Selecte”, “Brasserie Lipp”, «La Rotonde», kafenetë ku bridhte Zhak Prever dhe poetët e tjerë, Elyar, Aragon, Superveij, Sent Xhon Pers, Rob-Grije, Misho, dhe më tutje, «Closerie des Lilas», ku mblidheshin simbolistët e më pas rrymat e tjera letrare, ku endeshin personazhet letrarë të shekullit të kaluar si André Gide, Simenon, Jonesko, Malro, (Malraux)…«Les Procopes», kafeneja më e vjetër e botës, e hapur që në vitin 1688 nga vëllezërit italianë «I Proccopi», mblidhte jo vetëm shkrimtarë si Bomarshe, Volter, Didero, por dhe udhëheqësit e Revolucionit francez Robespier, Marat, Danton, apo më pas Napoleoni…Aty ngjizej shpirti i bëmave të mëdha. Ajo i ruan ende gjurmët e kohës, me librat e shkrimtarëve të saj vendosur në rafte të vjetër, me letrat e vjetra që stolisin sallonet e stilit mbretëror. Ndërsa «Fouquet’s», në Champs Elysées ka më shumë fotot e artistëve sesa të shkrimtarëve, të cilat bëjnë ballë nëpër mure. Aktorët, yjet e teatrit dhe të kinematografisë. Megjithatë fotografia e Xhejms Xhois aty është e palëvizëshme: ai ishte klienti i preferuar dhe i përditshëm; ai dinte të linte veç bakshishe të majme. Ishte fisniku anglez, i ngjashëm në këtë anë me Oskar Uald.

Sot nuk është më moda e salloneve letrare që organizoheshin në kohën e Balzakut e të Marsel Prustit, sallonet e zonjës Recamier, apo Madame Strausse, Madelaine le Maire si dhe ai i zonjës de Cavaillet. Sot është koha e kafeneve letrare, e “café littéraire” ku mblidhen poetë e shkrimtarë dhe prezantojnë librat e rinj, diskutojnë, etj. Madje ka kafene të njohura që kanë dhe çmimet e tyre letrare. E tillë është “Les Deux Magots”, e cila çdo vit jep një çmim letrar për veprën më të pëlqyer “Prix Les Deux Magots”. Por ka dhe kafane letrare mjaft popullore, të vogla, siç është “Le Smoke” në afërsi të kryqëzimit Vavin, ku një mbrëmje, dhe ne ca shqiptarë, recituam poezitë tona. Poezia është kthyer kështu si kënga dhe kafeneja-letrare një skenë ku mund të këndojnë të gjithë.
Në Rue de Varenne, në Institutin e Kulturës Italiane, një ditë pata fatin të takoja Zhylien Grin, një amerikan i lindur në Paris dhe që mbeti gjithë jetën një shkrimtar parizian. Autori i njohur i romanit Dixie, banonte në katin e parë të një ndërtese në Rue Cortambert, ku në krah të djathtë ngrihej madhështore fasada e shapeles “Les Soeurs Blanches”, (“Motrat e Bardha”). Edhe ai e adhuronte Parisin. Në një libër mbi qytetin, ai kishte shkruar: “Në sytë e mij, Parisi do të mbetet dekori i një romani që askush nuk do të mundë ta shkruajë”. Po cili vallë mund ta shkruante portretin e një qyteti të tillë? A mund të bëhesh ky afresk gjigand. Cili gjeni mund ta riprodhonte atë. Vetëm jeta e Vijonit është një roman tronditës më vete. Saga të mëdha janë edhe jetët e Lamartinit, Rembosë, Malarmesë, Mopasanit, Fransua Moriak, Albert Kamy, Elyar…

Në mbrëmje, buzë Senës, bukinistët i mbyllin bankinat e tyre ku ka me mijra libra që ata ua shesin kalimtarëve e më shumë vizitorëve të huaj. Libra të vjetër, afishe, gazeta të fillimit të shekullit, harta të Parisit të vjetër dhe të botës, kartolina të vjetra dhe pamje nga «Belle Epoque» me balerinat e Pigalle, «Moulin Rouge» apo «Folies Bergères». Një herë, pa u bërë shkrimtar i njohur, Zhëné, (Genet) kishte vjedhur tek bukinistët një botim luksoz të Verlenit. Policët e kishin kapur, por ai menjëherë u ishte lutur ta çonin tek poeti Zhan Kokto. Dhe Kokto, (Cocteau) e mori në mbrojtje letrarin e ri. «Po ta besoj se Zhëné vjedh për të ushqyer trupin e shpirtin, – i kishte thënë ai mikut të tij avokat, – ai është një “Rembo” dhe Remboja nuk mund të dënohet». Madje Kokto doli dhe dëshmitar në gjyqin e tij. Kur gjykatësi e kishte pyetur Zhënénë se «Çdo të thonit ju po t’ju vidhte dikush librat», ai i ishte përgjigjur: «Do të isha krenar». – «A e njihni çmimin e këtij libri?» – «Jo, por njoh vlerat e tij»…Kokto u ngrit në gjyq duke kërkuar të dëmshpërblente dëmin e shkaktuar dhe deklaroi se një shkrimtar i madh nuk duhej dënuar.

Një ditë, tek vëzhgoja ndërtesën ku kishte banuar Rembo, në Rue Monsieur le Prince, m’u kujtua një bisedë e dikurshme me ish të burgosurin politik Hasan Jero, dikur student në Paris. Edhe ai e adhuronte Rembonë. Edhe ai kishte jetuar në vitet e shkollës në Rue Monsieur le Prince, në hotelin me të njëjtin emër. Kur ishte në burg, siç më tregonte ai, shpesh shpirti i tij bridhte në Parisin e munguar, në Place de la Sorbonne, Place Saint-Michel, në kafenenë «Luxembourg» apo «Cluny», në Rue Harpe, ku kishte jetuar Verleni…Parisi qëndronte i gjallë dhe në momentet më të vështira të një ekzistence në diktaturë, ku jeta mund të shuhej nga çasti në çast. Po kështu kishte ndodhur dhe me Jusuf Vrionin, i cili ishte një lexues i madh i letërsisë franceze por dhe përkthyes i jashtëzakonshëm. Edhe ai ishte student në Paris, edhe ai ishte një ish i burgosur politik. Parisin mundi ta shikonte përsëri pas pesëdhjetë vjetësh. Dhe një ditë, tek shëtisnim buzë Senës, duke më folur për mbresat e këtij udhëtimi të parë, ai më tha se si një ditë vjeshte, kur kishte lënë Parisin për herë të fundit, në stacionin e trenit në “Gare de Lyon”, ai ishte përkulur dhe kishte puthur kalldrëmin. Ai kalldrëm ishte gjithçka. Ishte shpirti i një qyteti, nga i cili ai nuk mundej dhe nuk donte të ndahej. Ja pse këto kalldrëme, gjithë histori, janë të dashura për ne.

Po, ky është Parisi, një “festë e pambarimtë”, një festë ngazëllimi, dhe më shumë… Parisi është atdheu i njëmijë poetëve dhe shkrimtarëve, trualli i njëmijë bardëve.

Lexo më shumë nga

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.