“Faksimile” , kur arti shkrihet me lirikën poetike
“Faksimile” është një koncept që ka zënë fill nga bisedat e mia me Poetin Faslli Haliti
Nga Helidon Haliti, “Mjeshtër i Madh”
“Faksimile” është një koncept që ka zënë fill nga bisedat e mia me Poetin Faslli Haliti, i cili është edhe babai im, njeriu që më ka krijuar fizikisht, por edhe më ka mbrujtur shpirtërisht dhe artistikisht. Ne kemi pasur një ëndërr të përbashkët: Që babai të kuronte një ekspozitë timen, me një koncept fare të thjeshtë, për të vënë në dukje faktin se në të gjitha pikturat e mia gjen pjesë nga lirikat e poezisë së tij, nga shqetësimet e tij sociale dhe altruizmi i padiskutueshëm i tij si njeri.
Por, Faslli Haliti u nda nga jeta tre vjet më parë dhe ky koncept po bëhet realitet vetëm tani. Ekspozita është e përbërë prej copëzash kujtimesh, të cilat unë i quaj “Faksimile”. Janë copëza poezish, figurash – edhe figura të plota, pse jo – copëza shqetësimesh sociale dhe zhvillimesh që kanë ndodhur pas ndarjes nga jeta të babait tim për shkak të Covid19.
Kjo ekspozitë vjen si një plotësim i filozofisë se arti shtegton edhe pa krijuesin, për të thënë se shpirti nuk humbet asnjëherë dhe se komunikimi ynë vijon ende përmes ëndërrash e vargjesh poetike, në një bisedë, e cila zhvillohet prej më shumë se 55 vitesh, edhe pas vdekjes së tij. Poezitë e tij janë si tituj të pikturave të mia, kurse ekspozita është e thurur me përrallat që më ka treguar kur isha fëmijë.
Ekspozita ka marrë formën e saj dhe do të hapet për publikun në 6 Nëntor, ora 18:00. Ajo përmban rreth 40 punime në pikturë, kryesisht kompozim, por të shoqëruara me një peizazh onirik, ku janë të pranishme edhe vitet e fëmijërisë, tingujt e së kaluarës, të ndërthurura fort edhe nga e tashmja. Ekspozita ka shqetësime të botës, si për të thënë se historitë përsëriten, por gabimet dhe fajet nuk duhet në asnjë mënyrë të bien në prehrin e përsëritjes.
Pikturat rrëfejnë për shqetësimin e një armiku, dikur të padukshëm, si Covid19, dhe të një konflikti të tanishëm me dilemat e artistit, por edhe me pështjellimet e një qytetari, dikur fëmijë, sot piktor, për të thënë se shqetësimet e prindit kuptohen vetëm në momentin kur bëhesh prind vetë, ndërsa burri plotësohet në çastin kur humbet krijuesin e tij.
Punimet nuk largohen nga ngjyrimet personale të miat dhe shpeshherë shoqërohen nga lirizmi dhe klithmat e poezive të Poetit Faslli Haliti.
Në tre sallat e ekspozitës publiku do të shohë një mini muze, ku dimensioni do të jetë i larmishëm, shqetësimet do të shfaqen lakuriq, siç janë, përpara tij, por pa u konkretizuar në një portret të caktuar. Ekspozita është konceptuar si një lloj instalacioni, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij para 4 vitesh, dhe sot është i gatshëm për t’u përballur dhe bashkëbiseduar me publikun, për të kuptuar se shpirti vijon.
Faksimile 2019-2023