“Faksimile”, ekspozita provokuese e Helidon Halitit
Refleksione mbi ekspozitën e piktorit Helidon Haliti, të hapur në Galerinë FAB (6-18 nëntor 2023)
Nga Ormira Lulani, piktore
Një ekspozitë emocionesh, ndërthurje vlerash, brezash e historie që na shpie në një tjetër dimension
Një ekspozitë mjaft interesante dhe unike u prezantua në kryeqytet këto ditë në Galerinë FAB, në atë galeri ku janë prezantuar emra të rëndësishëm dhe me zë të pikturës shqiptare dhe jo vetëm. Këtë herë hapësira e saj u kthye në fakt në një muze të vërtetë Arti.
“FAKSIMILE”, një ekspozitë krejt ndryshe, një nderthurje vlerash, brezash e historie. Një ekspozitë ndjenjash, lirikash, emocionesh, një prezantim vargjesh si heroglifet e lashta që na mban të mbërthyer.
Një ekspozitë e prekshme e po aq intriguese, e rrallë në llojin e saj, babë dhe bir, krijuesi dhe krijesa e tij, poeti dhe piktori, kuratori dhe artisti, një gjak , një mbiemer, një bashkim shumë i fortë, HALITËT.
Një bashkëpunim që nisi shumë vite më parë, e që filloi në mënyrë të pakuptueshme që në fëmijëri, me leximet, vargjet, zërin e poetit që futej instiktivisht në mëndjen e djaloshit që i rrinte pranë, dhe e tillë vazhdoi për 55 vite.
“FAKSIMILE” , ekspozitë nga Helidon Haliti, me kurator të atin Faslli Haliti, përsëri bashkë, por këtë herë kuratori, bashkë-udhëtuesi nuk ështe i pranishëm fizikisht sic shprehet dhe vetë Helidoni, “Arti vazhdon dhe pa krijuesin e tij, rrugëtimi vazhdon”.
Një ekspozitë që përshkohet fund e krye nga lirizmi. Duke u bazuar në poezitë e të atit Faslliut , Helidoni i jep ngjyrë këtyre rrëfimeve, ai krijon një kontekst të ri të guximshëm për motivet që përzgjedh.
Ngjyrat e gjalla përshkruajnë skena lirike por dhe të tensionuara, ai fut erotiken për herë të parë në kompozimet e tij, figura e femrës nudo është kudo e pranishme, tashmë ajo është pjesë e personazheve të tij, ajo është sensuale, joshëse shpesh e fsheh shikim dhe shpesh qëndron e pashqetësur nga vështrimet dhe bëhet pjesë e lojës artistike duke krijuar një energji të furishme që të tërheq rreth pikturës.
Duhe u zhytur më tej në histori, në memorien e tij janë dhe elemente nga mitologjia greke që gjithashtu shoqërojnë punën e tij , si rrëmbimi i Europës, por që Helidoni është unik në kompozimin dhe paraqitjen e subjektit.
Pikturat e tij të fusin në një univers që të befason , kënaq dhe teston audincën.
Helidoni sfidon me këtë ekspozitë përmes vëmëndjes që jep në veshjen e subjektit dhe personazheve të tij, ai krijon pjesë artistike, abstrakte , si një nderthurje mes mozaikut, lëndë të cilën ai e jep dhe në shkollë, ai është i kujdesshëm në prekjen që bën, që asgjë të mos e dëmtojë veprën, ato janë të mbuluara , si me një pëlhure të stilizuar të tejdukshme prej mozaiku , si një ornament plotësues, duke e cuar veprën në një tjetër dimension.
Vepra e tij është shumë bashkohore, ai i referohet tematikës në lirikë pa lënë pa prekur dhe probleme dhe shqetesime të shumta sociale . Helidoni është shume i ndjeshëm dhe nga lufta në Ukrainë, e cila la gjurmë tek ai , bisedat me miqtë e tij artistë ukrainas , që jetojnë atje, çuan në realizimin e një cikli shumë të fuqishëm, disa prej të cilave janë dhe pjesë e ekspozitës.
Tablotë përshkruhen me nota mjaft dramatike , të pikturara mjeshtërish, kudo është një personazh interesant, një majmun indifernt që rri e vëzhgon, duke mbajtur boshllëkun e mbushur me dhimbje , ashtu sic thotë dhe vetë Helidoni , “kur dy gjigandë përleshen majmuni vëzhgon”, por nuk mund të ketë indiferentizëm , dhe diku dhe indifernca e tij mbaron, në një nga tablotë ai majmun shpërthen me një klithmë.
Një dhimbje që mbin nga brenda dhe përhapet në hapësirë, një ulërimë shurdhuese, si për të thënë stop indiferencës përpara një realiteti të tillë.
Çdo gjë pikturohet me ngjyra dramatike, ai luan me simbolika, një dash apo një dhi që merr formën e një anijeje luftëtare, nje qiell i vrejtur, si para një stuhie, dhe në plan të parë një figurë femërore , e cila e ka humbur joshjen, e tashmë mban tragjizmin e situatës, e strukur në lakuriqësinë e saj ajo vajton, e kërrusur, e trishtuar duke qënë pjesë e asaj cfarë po ndodh.
Mund të pohoj me bindje që është një ekspozitë mjaft estetike duke shtuar elemente vizuale të vogla, delikate por që tregojnë një histori më të madhe.
Helidonit i ka interesuar shumë fuqia imagjinare e detajeve që lidhet aq ngushtë me faksimilet, vargjet e të atit që shoqërojnë gjithë tablotë .
NDËSHKIMI
Tym
Të daltë tymi
Përrua
Të marrtë përroi
Lumë
Te marre lumi!
E shoh
Më mori lumi
Më doli tymi!
17 prill 1998
Si një mjeshtër i ngjyrës dhe teknikës ai luan bukur me mjetet shprehëse, fshirjet , futja e penelit në mes të portretit me një lëvizje mjeshtërore , me një ekspresivitet të theksuar , i jep një ndjeshmëri të mrekullueshme gjithë tablosë. Shpesh fokusi kryesor është marrëdhënia midis formës, ngjyrës, personazheve dhe linjës.
Helidoni luan shume në tablotë e tij, ai dëfrehet kur punon , shpesh gjen brenda sipërfaqes së telajos sugjerime të figurave-kafshë të nudove dhe personazheve të tij. Duke luajtuar me çdo formë, ngjyrë, figura merr trajtë dhe rrugëtimi vazhdon.
Futja e dy instalacioneve thellësisht interesante, e çojnë në një artist tredimensional dhe unik.
Këto dy instalacione mjaft të gjetura, plotësojnë më së miri ekspozitën, si për të mbyllur çdo gjë në perfeksion.
Helidoni gjithnjë mbetet një mjeshtër kërkues, që evoluon vazhdimisht veten dhe artin e tij.