Shqipëria në jetën dhe krijimtarinë e një kineasti francez
Kineasti Jean-Louis Berdot përbën në vetvete një histori dashurie shqiptare
Nga Luan Rama
Kineasti Jean-Louis Berdot përbën në vetvete një histori dashurie shqiptare. Nuk di nëse është ai që ra së pari në dashuri me Shqipërinë apo ishin shqiptarët që e bënë atë të tyre. Kjo histori nis në fillimin e viteve ’70 të shekullit XX, kohë kur Shqipëria ishte një “tokë e panjohur” edhe pse në qendër të një qytetërimi të madh të vetë Europës, atij të Mesdheut. Padyshim një “planet” intrigues për botën e Perëndimit. Por kineasti i ri, që kishte përjetuar vrullet e një rinie moderne, të fjalës së lirë e të feminizmit të fundit të viteve ’60, ishte i etur për të parë dhe botën tjetër, atë të ndaluar. Ç’bëhej atëherë në Shqipëri? Cilët ishin këta njerëz që maoistët dhe marksistë-leninistët e Francës por dhe të disa vendeve të tjera perëndimore mburreshin me të dhe dëgjonin të etur lajmet dhe reportazhet e Radio Tiranës plot lavde për liderin dhe “mrekullinë” shqiptare?
Kështu, në vitin 1973, duke përfituar nga një Grup i Miqësisë me Shqipërinë nga Luksemburgu, ai u bashkua me ta për të mundur të shkonte në Shqipëri bashkë me të dashurën e tij. Jean-Louis atëherë i ngjante një aktori hollivudian, një Humphrey Bogart, por që mbante flokë të gjata, dhe ai nuk e dinte se në kufirin shqiptar të Honit të Hotit ku nuk dukej këmbë njeriu dhe ku i zbarkoi një autobuz jugosllav, pamja e tij do të ishte e papranueshme. Në kthinën e postës kufitare e dashura e tij u detyrua ti priste flokët ndërsa ajo vetë të hiqte pantallonat e saj dhe të vishej me fustan.
“Atë kohë sapo kisha lexuar Kadarenë dhe Shqipëria më intrigonte shumë fantazinë dhe imagjinatën. Papritur në muret e postës ushtarake pashë një portret të Karl Marksit, ashtu me mjekër dhe flokë të gjata dhe u thashë se edhe Marksi kishte flokë të gjata dhe se askush nuk ia ka prerë flokët”. Sigurisht kaporali i postës e kishte parë me inat dhe i kërkoi ti linte të gjitha librat që kishte me vete dhe në kohë ti lirë të lexonte. Po kështu duhej të linte dhe dosjet e provimit të studentëve të tij të cilat i kishte marrë për të korigjuar. Por librat dhe gjithçka tjetër ishin literature e ndaluar dhe dekadente e botës borgjeze-revizioniste. “Po ç’të lexojmë? – i thashë kaporalit përmes interpretit shqiptar që do të na shoqëronte gjatë gjithë vizitës sonë në Shqipëri. Dhe ai më tregoi librat e Enver Hoxhës që ishin aty në gjuhë të huaja. Ky ishte takimi ynë parë me Shqipërinë. Sigurisht librat dhe dosjet e studentëve i lamë aty dhe vizita jonë filloi. Programi ishte përcaktuar më parë: uzina, kooperativa, takim me klasën puntore, muzeume me portretet ngado të Enver Hoxhës etj. Sigurisht, në kthim librat i gjeta përsëri dhe kjo më lehtësoi. Mbaj mend që kur shkuam në Durrës, në “Hotel Adriatik”, nuk kishte të tjerë, asnjë këmbë turisti. Ndërtesa dukej gjigande për aq pak njerëz që ishim ne. Hapat e kamarierit kumbonin gjatë kalimit të tij… “
Sigurisht atëherë, askush nga ata nuk kishte të drejtë të shkonte ku të donte. Gjithçka ishte e kontrolluar, e survejuar. Dy vjet më parë kishte qenë nobelistja franceze Annie Ernaux me një grup tjetër dhe në imazhet e filmuara nga burri i saj dhe të njohura nga publiku vetëm dy vite më parë duket atmosfera që mbizotëronte në Shqipëri. E megjithatë ky popull e tërhoqi kineastin Berdot jo vetëm me përzemërsinë e tij por dhe me jetën e varfër dhe fatet e rënda e tragjike njerëzore.
Një vit më vonë, më 1974, ishte miku i tij Michel Faure, inxhinjer zëri, që zbarkonte në Shqipëri për realizimin e një filmi. Filmi i Jean Bertolinos është padyshim një histori më vete për tu treguar por me siguri, një herë tjetër. Duke qenë kineast, dëshira e Berdot për të shkuar përsëri në Shqipëri ishte e madhe. Kështu, bashkë me Michel Faure ata u nisën në Shqipëri në ditët e para të vitit 1993, kohë kur sapo ndodhnin ndryshimet politike në Shqipëri dhe vendosja e demokracisë.
Historia Shqiptare në film
Jean-Louis Berdot dhe Michel Faure, këta miq të përhershëm, unë i kam njohur në vitin 1993, në kohën kur ata përgatiteshin të shkonin në Shqipëri. Me një buxhet fare të vogël ata u nisën për të deshifruar natyrën e regjimit të kaluar shqiptar çka e treguan në filmin e tyre të parë « Autopsia e një regjimi » dhe këtë përmes një sërë intervistash me personazhe që përjetuan ndëshkime nga regjimi si intelektualë e artistë të ndryshëm, jeta e të cilëve ndryshoi pasi ata përjetuan internimet, burgimet, etj. Edi Luarasi, Mihallaq Luarasi, Maks Velo, Dhora Leka, Liri Belishova, Hasan Jero, Ymer Dishnica etj, përmes dëshmive të tyre zbërthejnë realisht se çfarë kishte ndodhur në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Këto dëshmi alternoheshin me kronika arkivale dokumentare ku tregohej qartë absurditeti dhe perandoria e frikës që kishte ekzistuar në Shqipëri.
Nuk ka shumë kohë që filmat mbi Shqipërinë Berdot i mblodhi në një album më vete kinematografik, (coffret) prodhuar në Paris nga EVT Production. Bëhet fjalë për katër filma të realizuar nga Berdot dhe Faure. Ja çfarë shkruhet në kopertinën e këtij produksioni :
« Shqipëria, autopsia e një diktature », 1993 : Ishin 45 vjet sundim, izolim ku gënjeshtra dhe paranoja që e karakterizuan regjimin komunist shqiptar. Janë viktimat dhe dëshmitarët që flasin. Përmes arkivave kinematografike, filmi pohon se cila ishte tragjedia dhe izolimi i madh i këtij vendi. »
« Enver Hoxha dhe mashtrimi shqiptar », 1995 : « Midis adhurimit ndaj tij dhe terrorit Enver Hoxha sundoi si një Zot absolut në Shqipëri. Veç portretizimit të dokumentuar të këtij personazhi, filmi analizon dhe gjendjen sociale, ekonomike dhe ideologjike të regjimit të njeriut që ishte stalinisti i fundit në pushtet. »
« Ku shkon Shqipëri ?, 1997. « A mund të shpëtosh nga tirania i pacënuar? Ç’ndodh në Shqipëri disa vjet më pas rënies së diktaturës? Traumatizëm, frustracione, shpresa për një rilindje por dhe zhgënjime të mëdha siç ishte kriza e piramidave që e çoi këtë vend drejt luftës e shkatërrimit në vitin 1997.”
“Letërsia shqiptare – Les Belles Etrangères, Shqipëri, » 1998. – « Në vitin 1998 13 shkrimtarë u ftuan në Paris nga Ministria e Kulturës së Francës.
Çdonjeri prej shkrimtarëve të ftuar filmohet në jetën e tij të momentit duke shprehur njëkohësisht mendimet e tyre për diktaturën e shkuar, mbi konceptin e tyre për letërsinë, duke lexuar njëkohësisht para kameras pjesë nga krijimtaria e tyre. »
Në fund të këtij albumi filmash të mbledhur në një “coffret” gjatë 20 minutave autorët na japin dhe një analizë nga kritiku i njohur francez Jean Paul Champseix në Shqipëri si dhe një dialog mes dy kineastëve rreth përvojës së tyre kinematografike në vendin tonë në harkun e një dhjetvjeçari. E padyshim, dëshira ekziston ende për një udhëtim tjetër në Shqipëri për të dëshmuar evolucionin politik, ekonomik, kulturor e social të një Shqipërie në udhën e saj të integrimit me Europën e Bashkuar.
Filmat e Berdot dhe Faure janë padyshim një pjesë e historisë shqiptare, të cilat duhen parë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në Shqipëri në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Interesante është se ata vinin para kameras jo vetëm viktimat e regjimit Stalinist por dhe inkuizitorët e tyre, çka padyshim ishte tepër e vështirë për tu realizuar Sigurisht që inkuizitorët donin në një farë mënyre të justifikoheshin dhe të gjenin ende tek viktimat dhe opozitarët politikë dorën e armiut, çka ishte shumë qesharake dhe tragjike njëkohësisht. Interesant janë xhirimet e personazheve që kanë njohur Enver Hoxhën në filmin “Enver Hoxha dhe mashtrimi shqiptar”, xhirime këto në Paris, siç ishte me Hasan Jeron që edhe pse kishte banuar me Enverin në të njëjtën dhomë në vitet ’30 kur të dy ishin me studime, pas çlirimit të vendit ai kishte përjetuar burgjet dhe internimin.
Një njeri që kam patur fatin ta njoh në Paris dhe të shkruaj për të, një frankofon me shumë humor dhe që gjatë takimit me të më tregonte fotografitë e kohës studentore, hëtitjet në “Kopshtet e Luksemburgut”, në Harkun e Triumfit, Rue Monsieur le Prince ku ¨në një hotel jetonin student shqiptarë, në Panteon, apo në Fontenbleau; ai më tregonte për idealin e atyre studentëve për të ndërtuar një Shqipëri demokratike dhe perëndimore. “Hasani ishte një tifoz i jashtëzakonshëm i ekipit të futbollit të Francës, – shton Berdot tek pinim një kafe në zonën e Montparnasse. – Me erdhi keq që ai vdiq para se ekipi francez të shpallej kampion bote ».
Nuk besoj se ka artistë të tjerë të huaj që ta njohin Shqipërinë nga veriu në jug si Berdot dhe Faure, të cilët kanë depërtuar aq thellë në jetën e përditëshme shqiptare gjer në fshatrat e largëta, çka e shohim në filmat e tyre të shfaqur në televizionet franceze dhe që janë ndjekur me shumë interes. Mjaft emocionante dhe të dhimbshme janë pamjet e atij proçesi gjyqësor në Berat ndaj dy të rinjve, të cilët gjykata, pa asnjë fakt i dënoi me vdekje. Imazhe të tilla janë të shumta : Maks Velo, Fatos Lubonja, Liri Belishova e të tjerë që dëshmojnë kohën e tyre të burgut dhe mungesën e lirisë « Përmes Ilirit, birit të Enver Hoxhës, – më tregon Berdot, – ne arritëm të intervistojmë dhe Nexhmije Hoxhën. Madje në shtëpi kam 20 faqe të shkruara nga dora e saj. Ishte një grua inteligjente që mundohej të mbrohej nga akuzat që i bëheshin, duke harruar se ku e çoi Shqipërinë politika e Enver Hoxhës ».
Po kështu një nga miqtë e tyre ishte Jusuf Vrioni. Më kujtohet kur në hollin e ambasadës shqiptare në Rue de la Pompe, në fillim të vitit 1998 ata erdhën të takonin Jusufin, me të cilin po pinim kafen. Kishin marrë me vete manjetofonin. Disa herë i kishin kërkuar që ta filmonin për të realizuar më pas një film dokumentar për jetën e tij, por Jusufi, modest dhe fisnik siç ishte, u thoshte se « kujt i shërben jeta ime ». Megjithatë, atë ditë, pas shumë hezitimesh, më shumë për mos tu prishur qefin, ai nisi te tregojë diçka për jetën e tij. Por megjithatë deri në fund ai refuzoi të filmohej dhe të flitej për të. Mjerisht, këto regjistrime humbën para një viti në shtëpinë e Michel Faure, e cila u dogj.
Berdot i ka rrahur shumë rrugët e botës. Ai ka njohur nga afër disa prej diktatorëve të Amerikës Latine. Madje tre ditë para vrasjes së Salvatore Alendes, presidentit te Kilit, ai ishte në Santiago dhe e pikasi gjendjen e ndezur të gjeneralëve me në krye Pinoçetin, të gatshëm për të vrarë presidentin demokrat, mikun e Pablo Nerudës. Dhe ashtu do të ndodhte. Ai ka qenë gjithashtu në Bali, Komboxhia, ka ndjekur zhvillimet politike e sociale në disa vende të botës dhe si gjithnjë në punën e tij, prioritare ishte të dëshmonte faktet, realitetin ashtu siç ishte. Ja pse filmat e tij janë sa të thjeshtë, aq dhe realist e goditës nga ana emocionale. Në ata filma dominon gjithnjë e vërteta.
Berdot më dhuron librin e tij të parë të botuar tek i njëjti botues ku dhe unë kam botuar tre libra : Le Petit Vehicule. Janë tregime dhe unë i them se kur do ti lexojmë kujtimet e tij shqiptare. Ai buzëqesh me mirësinë e tij karakteristike. Është e vërtetë që bota shqiptare është ngjizur thellë në shpirtin e tij dhe me siguri, një ditë jo të largët, ne do të lexojmë mbresat dhe përjetimet e tij në takimet me shqiptarët në një kohë të trazuar e kaotike por që lumturisht shikonin drejt Europës.