Dashamir Gurabardhi, piktori shijakas me emër edhe në SHBA

Fragment nga libri i Nikolla Sudar: “Shijaku – ky oaz fisnikëre, atdhetarie dhe humanizmi”.


Nga Nikolla Sudar

Njerëzit e talentuar kanë aftësinë e lindur që të bëjnë për vete masën e njerëzve, duke fituar kështu dashurinë dhe respektin e tyre. Njëri prej tyre, tashmë tepër i njohur edhe jasht atdheut, është piktori i talentuar dhe i përkushtuar, Dashamir Gurabardhi.

Gjithmonë më del parasysh kreu i familjes Gurabardhi, babaxhani i paharruar, njëri nga shijakasit më të nderuar, orëndreqësi virtuoz, i njohur në të gjithë republikën Cen Gurabardhi. Në një bisedë të ngrohtë, me atë çiltërsinë e tij karakteristike, më tregonte:

“Që i vogël Dashi mbylljej në dhomë dhe vizatonte e vizatonte pa pushim. Unë me shaka i thoshja “mjaft u more me ato shkarravina”. Shumë gjona na mungonin atëherë, por asnjëherë nuk ja kurseva fletoret e vizatimit, lapsat me ngjyra në fillim dhe ma vonë të gjitha nevojat e tjera që kishte ai, kur pikturën e bani profesionin e vet”.

E ëma e Dashit, nënë Bali, kjo grua fisnike dhe shumë mikpritëse, bijë nga fisi i nderuar atdhetar Kokoli, si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes do ta mbështesnin me të
gjitha mënyrat talentin e ri, që ishte shfaqur në familjen e tyre.

Dashi u lind në Shijak më 1954, ku kreu shtatëvjeçaren. Gëzimi i familjes do të ishte i madh kur djali i tyre, fëmija i parë i familjes, do të ndiqte shkollën e preferuar nga të rinjtë, liceun artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Këtu tashmë do të afishohej talenti i tij me punimet e kryera e të ekzpozuara në ekspozitat e shkollës.

Dashamir Gurabardhi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë

Arritjet e tij bënë që të fitonte të drejtën për të ndjekur Institutin e lartë të Arteve në Tiranë. Tashmë si student ai do të angzhohej me vepra dinjitoze në ekspozita lokale dhe në ato kombëtare.


Dashamir Gurabardhi në Institutin e Lartë të Arteve

Me iniciativën e krijuesve shijakas u krijua grupi artistik për artet figurative, nën drejtimin e “Piktorit të merituar” Agim faja, që e bëri Shijakun të njohur në të gjithë vendin. Për më se dy dekada krijuesit shijakas u shquan në plan lokal e kombëtar ku u evidentuan piktorët e talentuar Dash Gurabardhi, Abaz Hado, Skender Dika, Aqif Keçi, Albert Dedja, Arben Shira, Albert Malltezi, Xhevahir Bërxulli si edhe skulptori virtuoz Luan Berhami.

Krijimtaria e gjërë dhe e suksesshme e Dashit përfshin një larmi zhanresh e gjinish si: grafikë, pikturë (kompozim, portret, pejsazh), grafikë aplikative etj. Në vitin 1996 ai hapi ekpozitën personale në Galerinë kombëtare, që pati sukses të dukshëm. Gjithashtu ai është autor i emblemës për Bashkinë e qytetit Shijak.


Autori i shkrimit, Nikolla Sudar

Ky autor mbante lidhje të ngushtë më Muzeun historik të qytetit dhe pallatin e kulturës, ku janë ekspozuar mjaft nga punimet e tij me vlera të veçanta artistike. Për një kohë të caktuar ai ka punuar si pedagog në shkollën artistike „Jan Kukuzeli“ të Durrësit. Në tematikën e punëve bien në sy sidomos pejzazhi i natyrës së mrekullueshme shqiptare, portretet e arrira si dhe grafikat dinjitoze, të një cilësie të lartë, të realizuara nga ky krijuesi i palodhur.

Në vitin 1998 u zhvendos ne Amerikë, ku jeton edhe sot si qytetar amerikan. Vite me rradhë ka punuar sia artist në kompaninë e njohur amerikane (e krijuar në Vitin 1900) “Stickley, Audi and company”. ky autor, tashmë i mirënjohur edhe në Amerikë, vazhdimisht e ka thelluar krijimtarinë e vet, tashmë plotësisht të arrirë. Ai rregullisht ka marrë pjesë në ekspozita të “Everson Museum” dhe së fundmi në “Nutley Historical Society” (në Maj 2023).

Veprat e tij me karakter të ndryshëm ndodhen në një numër galerish dhe koleksionesh private si në Florida, NeW York, North Carolina, New Jersey, Massachusetts etj. Tashmë Dashi është bërë i njohur dhe i dashur, jo vetëm për Komunitetin shqiptar të Njujorkut, por edhe për artdashësit amerikanë, që vlerësojnë lart talentin dhe fisnikërinë këtij krijuesi shqiptar.

Mjafton t’u referohesh vlerësimeve të bëra ndër vite, cilido bindet për aftësitë dhe punën e jashtëzakonshme të realizuar prej tij. Gjatë karierës së vet ai është fitues:

i çmimit në Konkursin kombëtar kushtuar 40-vjetorit të Çlirimit).
– i medaljes „Naim Frashëri“ (akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor);
– i çmimit “Premio di Merito”, në Barleta të Italisë;
– i çmimit në “New York State Fair”, Syracuse, NY;
– i çmimit “Honorable mention” Syracuse, New York State Fair.

Gjithashtu ka marrë një numër çmimesh dhe përgëzimesh speciale për krijimtari të suksesshme, si për shembull një letër-falenderimi personalisht nga presidenti Geoge W. Bush.

Ndonëse prej vitesh larg atdheut, ai vazhdimish kthehet në vendlindje dhe nga turnetë e organizuara brenda vendit dhe jasht tij, vazhdon të përfaqësohet denjësisht në mjaft ekspozita arti.

Dashi shquhet edhe si prind i përkushtuar. E shoqja, Rukija, prej kohësh punon si ekonomiste e suksesshme banke, ndërsa vajza dhe djali tashmë kanë kryer studimet e larta në Amerikë. Familjen Gurabardhi e kanë gjallëruar të vegjëlit, të cilët vazhdojnë ta frymëzojnë akoma më shumë gjyshin e tyre të shtrenjtë.

DISA NGA PUNËT

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.