Pengu i madh i Fatmir Haxhiut!

Në 28 dhjetor 1927 u lind Fatmir Haxhiu, “Piktor i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”


Nga Albert Vataj

Fatmir Haxhiu, ishte ai identitet artkrijues, i cili sendërgjoi një panoramë realiteti artistik sfidues. “Piktor i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” në këto vite të ikjes ka lënë pas një emër që renditet në fondin e artë të traditës së pikturës shqiptare. Ai ka lënë gjithashtu një testament të çmuar të kumtit estetik që parakalon përmes tablove të shumta. Megjithëse karriera e tij artistike vëllimin më të madh të punës e ka të kohështrir në periudhën e realizmit socialist dhe tematikat në një pjesë të konsiderueshme ishin të imponuara, ai diti të ishte një artit i dimensioneve të mëdha. Fatmir Haxhiu dhe emra të tjerë të kësaj periudhë, me artin dhe aktin krijues ditën të përcjellin një shije estetike të konsoliduar, të denja për t’u ndeshur me artin e kohës.

Duket sikur gjithçka po merr flakë, ngjyra të ndezura, ngjyra të zhurmshme, ngjyra që flasin. Shkëmbinj të thepisur, në një tokë të zhuritur… Malësorë dhe trima shqiptarë që luftojnë e vriten për paqe kundër serbëve. Një tokë që dridhet, shpata që ngrihen e godasin fort, kuaj që ulërijnë, pemë që bien nën qiellin e kuq e që shkallmon ndoshta më shumë se çdo lëvizje, rebelim, agresivitet, apo kërcënim kokfortë.

Një luftë e ashpër, një thirrje çjerrëse, një sfilitje sa shkatërruese aq edhe e ëmbël që lind, merr jetë, zhvillohet në dimensione, por që nuk vdes në “Tokën e zhuritur”. Asgjë nuk mund të vdesë në tokën e zhuritur. Është kaq e gjallë dhe shprehëse kjo luftë e përshkruar plot ngjyra midis shqiptarëve dhe serbëve agresivë. Aty ku gjithçka duket sikur po merr fund, aty vendosmërisht rilind një frymëmarrje, një forcë e re, një zhurmë e paqtë një fitore e sigurt për ata që janë veçse shqiptarët.

Në malet më të thepisura, në shkëmbinjtë më të akullt, ata janë të vendosur, që në këtë “performancë” spektakolare të luajnë më mirë se kurrë, të bërtasin më shumë se kurrë fitoren e paqes të varrosin përjetësisht shpirtin dyshues të triumfit. Sepse vetëm ata mund të jenë triumfatorë, ashtu sikurse e tregojnë edhe vetë ngjyrat, dinamizmi që zhvillohet, apo më mirë se të gjitha këto vetë autori i kësaj pikture mbresëlënëse, që të lë pa fjalë Fatmir Haxhiu.

Kështu vjen dhe prezantohet një ndër perlat e pikturës dhe të artit të Fatmir Haxhiut me plot ekspresivitet, dinamizëm, pasion për jetën dhe shumë vendosmëri për një performancë të pathyeshme. Ai me të drejtë mund të cilësohet si një sfidues i kohës sepse në çdo pikturë ai është përcjellësi i një kohe të caktuar, e cila në vazhdimësi, me kalimin e një hapësirë të pafund kohore, bën që vepra e tij të mbetet një kohë në vetvete. Është një ndër piktorët më të suksesshëm të gjithë brezave të tij, duke realizuar kështu një arsenal të pafund me piktura të mrekullueshme apo peizazhe, portrete, tablo kompozicionale, afreske e shumë të tjera.

Fatmir Haxhiu lindi në 28 dhjetor 1927 në qytetin e Gjirokastrës. I prejardhur nga një familje e mesme qytetare nga qyteti i Përmetit. Studimet e mesme i kryen në liceun e Tiranës, ndërsa në Zagreb studimet e Larta. Në vitin 1930 familja e tij u vendos me banim në qytetin e Tiranës ku kaloi gjithë jetën deri në ditët e fundit më 10 mars 2001. Që i ri ai ishte i etur për të shprehur çdo lëvizje, ndjenjë apo përshtypje në pikturë. Me një energji pozitive me shumë ëndrra dhe pasione ai kthehet në atdhe për ta vazhduar më tej rrugën e tij të artit. Dhe pikërisht në vitet 50 ai bëhet promotori dhe krijuesi i studios së pare ushtarake në Shqipëri, ku u pasua nga piktorë e skulptorë të rinj të sapo diplomuar në Liceun Artistik.

Dëshira e tij e zjarrtë për pikturë e bëri që të përfundojë studimet e pikturës me rezultate të shkëlqyera. Por edhe pas diplomimit ai vazhdoi të punojë si kuadër ushtrie, duke kryer kështu detyra me përgjegjësi të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe anëtar i këshillit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Aktiviteti artistik i Fatmir Haxhiut është i ndërthurur edhe me atë pedagogjik, ku për vite me radhë ka investuar për diplomimin e brezave të rinj të piktorëve me emër. Biografia e Fatmir Haxhiut është e pasur me shumë aktivitete të ndryshme, ku statuset e tij përmbushen falë talentit dhe profesionalizmit artistik të cilin e shohim të reflektuar në të gjitha veprat e tij.

Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, krijuesit e fushave të ndryshme të artit apo shkencës, kanë një fat tjetër: atë të pavdekësisë dhe ringjalljes pas vdekjes. Jo vetëm pllaka me emrin “Rr. Fatmir Haxhiu” dhe tjetra, vendosur në hyrje të shkallës së pallatit, ku ai jetoi dhe punoi për një kohë të gjatë, por në radhë të parë mbi 100 tablotë kompozicionale e shumë të tjera të gjinisë së portretit, peizazhit e punimeve grafike, e bëjnë të pavdekshëm Fatmir Haxhiun.

Ai i përket atij brezi piktorësh, që bënë epokë në gjysmën e dytë të shek. 20. Fatmir Haxhiu i qëndroi besnik deri në fund parimeve të tij krijuese: realizmit dhe pasqyrimit me vërtetësi të momenteve kyçe të historisë sonë kombëtare. Nuk është i rastit fakti, që ai ju përkushtua me aq pathos tablosë kompozicionale, duke na lënë vepra të nivelit europian. Në këto tablo historia e shqiptarëve erdhi epike, dramatike, duke na kujtuar eposin tonë dhe tragjizmin, që e përshkon atë. Nuk e teproj, po të them se tabloja “Me shpatë në dorë”, një nga më të mirat e Haxhiut, mund të vendoset denjësisht në çdo galeri botërore. Përpara pikturave të Fatmir Haxhiut ndjen jo vetëm emocione, por edhe dinamizëm të brendshëm, lëvizje, nerv, “zhurmë”, hingëllima kuajsh, zëra njerëzorë, thirrje luftarake, grahmat e fundit të atyre që bien në fushëbeteja. Atje është bota e trazuar shqiptare e ballkanase, por dhe bota e trazuar e vetë piktorit.

Mbaj mend që miku im, shkruan Enver Kushi në një shkrim për oiktorin, kur poeti brilant Frederik Rrepshja, njeri me shije aristokratike për artin, kur binte fjala për pikturën shqiptare, më thonte se ashtu si në letërsinë shqipe kemi një kryevepër realiste, siç është “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, në pikturë kemi Fatmir Haxhiun, që të trondit me tablotë realiste dhe gjallërinë e figurave. Kam qenë me fat, që nga mesi i viteve ’80 dhe vitet ’90, kam ndjekur nga afër, gjatë procesit krijues, shumë nga punët e Fatmirit. Edhe në dy shkrime të tjera, “Hingëllima e ngrirë e kuajve”, botuar pasi piktori shkoi dhe “Këmbanat duhet të bien”, botuar në mars 2005, kam shprehur mendimet e mia modeste për artistin e papërsëritshëm, mikun tim, që më mungon nga 10 marsi i vitit 2001. Shënimet e mëposhtme në formë kujtimesh, janë një homazh për njeriun dhe piktorin Fatmir Haxhiu. Të ishe mik i Fatmir Haxhiut ishte privilegj, të cilin si shumë të tjerë, e kam patur edhe unë. Tek ai dhe familja e tij, kam ndjerë ngrohtësi njerëzore, veçanërisht në disa momente dhimbjesh, apo fatgoditje gri, që kanë qenë jo të pakta dhe bashkëshoqëruese prej vitesh e jetës time …

Pengu i piktorit

Fatmir Haxhiu shkoi në prag të Ditës së Verës, më 10 mars të vitit 2001. Them “shkoi”, sepse fjala vdekje ose ndërroi jetë, tingëllon keq para emrit të çdo krijuesi të fushës së artit, kulturës apo shkencës. Ai pati një goditje të beftë në zemër, jo në ndonjë fushëbetejë lufte, por në një fushëbetejë tjetër: atë të shahut. Vetëm kështu mund të shkonte ai si qindra luftëtarë të tablove, që kishte pikturuar gjatë gjithë jetës. Fatmir Haxhiu shkoi me një peng të madh, sepse nuk arriti të realizojë, ndoshta ëndrrën e tij të fundit, pikturën murale “Beteja e Fushë Kosovës”.

Gjatë vitit 2000 dhe pak kohë para se të shkonte, piktori kishte rrugëtuar për në Kosovë, ku ishte njohur me vendin, ku më 1389 ishte zhvilluar beteja e ballkanasve të bashkuar me ushtrinë otomane. Në Tiranë ai punoi intensivisht dhe bëri gati bocetin, që do ta realizonte gjatë muajve prill ose maj në Muzeun e Prishtinës. Pikturën murale do t’ia dhuronte Kosovës. Boceti mbeti i parealizuar dhe është në dhomën studio të shtëpisë së piktorit ku ruhet me kujdes nga familja e tij.

“RINArt”, 400 punime ekspozohen te Galeria “2 Botë”

Kryebashkiaku i Belshit, Tafani: Faleminderit Universitetit të Arteve të Bukura, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Helidon Halitit

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.