“Hapat” e Dea Tilit

Ekspozita “Hapat” e Dea Tilit hapet në Galerinë FAB, më 24 janar (ora 18.00)


Nga Ermir Hoxha

Habitat…

Gjithnjë kam pasur pyetje rreth imazhit të një krijuesi. Si mendon ai? Çfarë e motivon atë? Çfarë e frymëzon? Si lind procesi magjik i krijimit?

Edhe të qëndruarit pranë tyre për një kohë të gjatë, jo gjithmonë m’i përmbushi pritshmëritë e këtij pyetësori. Jo sepse krijuesi është një qenie mistike, apo e padepërtueshme, por ngaqë ne i kemi atribuuar procesit të krijimit një vel magjik, të prekshëm vetëm nga disa të përzgjedhur dhe të kuptueshëm thellësisht vetëm prej tyre.

Në ekspozitën “Hapat”, të artistes së re, Dea Tili, procesi i krijimit vjen dhe një herë përballë nesh në vetë të parë. Me thjeshtësinë lirike të një habitati modest, të vërtetë në përqasjen ndaj subjektit, aq sa dhe kërkimin e një metafore estetike, Dea i afrohet sipërfaqes piktorike me një mision personal, që të pikturojë aktin dhe hapësirën ku ai ngjizet, njëkohësisht, pa një vijë ndarëse mes tyre.
Si të tilla në pikturat e saj shfaqen subjektet.

Mes atelieve të shkollës, vendit të punës, studiove të artistëve, shfaqen të rrëmujshëm sa edhe të pistë cepat e kavaletave, kompensatat e tavalocave, podiumet, shishet dhe skulpturat e natyrave të qeta.

I gjithë ky kaos, i rregullt vetëm në optikën e atyre që e jetojnë përditë atë, për Dean, duket më shumë se një subjekt. Ai është një destinacion i panegociueshëm. Është vendi ku ajo u gatua dhe ku gjeti vetveten.

Si i tillë, është më shumë se habitati i përditshëm i procesit të krijimit. Është habitati i saj natyral. Është Jerusalemi i saj, si për të dhe për çdo krijues. Si një qenie e projektuar në një laborator mistik, ajo jeton aty edhe kur është larg tij. Merr me vete erën e bojërave, atë të vajit të linit, të leckave, spatulave e çdo aksesori tjetër të vërtetë, apo të improvizuar.

Megjithatë, për të tjerët, piktura ka të bëjë me metafora ndjellëse dhe impulse lirike. Në këto raste, trupi i artistes apo i modelit ofrohen si destinacioni tjetër. Aty subjekti është trupi, materia dhe përkohshmëria, ndërsa zhvillojnë një dialog të ri, të ndryshëm.

Edhe pse pjesë e të njëjtit aprendistat, imazhet e zhveshura të modeleve i tejkalojnë lehtë elementët e një sensualiteti klasik. Ato janë një histori tjetër njerëzore, një habitat tjetër fizik, ambivalenca e të cilit përthyhet nga nevoja e një metarrëfimi miklues. Më shumë se qenie sinkretike të epshit, ato janë jehonë e një sensualiteti të deformuar, ndarë midis të përditshmes në version intim familjar dhe shkollores në orën e nudos.

Piktura e ka ndërtuar reputacionin e saj jo vetëm mbi atë që thuhet, por edhe “si” e thotë diçka. Në “Hapat” e Deas, dominon habitati, vendi i krijimit mbipopulluar nga subjektet rrethanore. Ato janë personazhi i saj kryesor, objekti dhe subjekti me të cilin identifikohet më shumë se me çdo gjë tjetër.

Kjo zgjedhje e përcaktuar sa nga profesioni, aq dhe nga hapësira ku ekspozohet, është një mundësi e mirë për të kuptuar dhe gjestin e saj piktorik, ekspresiv e dinamik. Si e tillë ajo nënvizon, atë që dihej, se artistët bashkëkohorë qenë të shkathët në përqafimin e marrëdhënies midis aktit të të bërit art, gjestit, subjektit dhe materies.

Në veprën e saj të gjitha ato bashkëjetojnë, aty në qetësinë e rrëmujshme të studios, mes kavaletave, skulpturave, trupave të zhveshur, përkohshmërisë dhe sensualitetit… padyshim si përkufizim që Arti është thjesht krijim i vetvetes.

____

DEA TILI
“HAPAT”
Inagurimi: dt. 24 janar / ora 18.00
Kohëzgjatja: 24 janar – 2 shkurt 2024
Galeria FAB / Universiteti i Arteve
Kuruar nga: Ermir Hoxha

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.