Llazar Taçi, piktori shumëdimensional!

Një autoritet i respektuar. Një kontributor i madh në artet pamore shqiptare.


Nga Dash Frashëri

Në fakt, të shkruaja një profil të piktorit Llazar Taçi, jam matur disa herë. Një sfidë e vërtetë. E kam nisur dhe rinisur, shkruar dhe rishkruar.

Një piktor shumëdimensional. Një autoritet i respektuar. Një kontributor i madh në artet pamore shqiptare.


Llazar Taçi, autoportret – 1961


Llazar Taçi, 2023 nga Meri File

***

Duhet të kesh “Fuqinë e Mujit” ta përshkruash, ashtu si edhe “Taçi i Madh” e meriton, për gjithë historinë e tij të bukur artistike.


“FUQIA E MUJIT” – 1995 – piktor LLazar Taçi

Piktori korçar 82-vjeçar e ka ngritur flamurin e tij në almanakun e më të mirëve të artit shqiptar.


“FLAMURTARËT E DEÇIQIT” – 1982

Taçi vlerësohet si një nga ilustratorët më të mirë në Shqipëri. Ilustrimet e tij janë të famshme, si vetë heronjtë që ai ka vizatuar.


“KALORËSIT DARDANË” nga Moikom Zeqo (1979) – Ilustrimi nga Llazar Taçi


Ismail Qemali dhe Isa Buletini – Grafika nga Llazar Taçi

Me një shpirt të lirë krijues, madje sfidues, Llazar Taçi, trajton tema ku jepen mesazhe të fuqishme.


“REVOLTË NË FERR, SPAÇ, 23 MAJ 1973” – Piktor Llazar Taçi, 2013


 “MARTIRËT E AMBASADËS SOVJETIKE – 1951” – Piktor Llazar Taçi (2018)


1992 – EKSOD

***

Në vitin 1877, gjyshi i Llazar Taçit, i quajtur po Llazar (Papasotiri), asokohe 14 vjeç, emigroi në Odesa, qyteti më i ri në Perandorinë Ruse, që iu kishte hapur dyert emigrantëve nga Ballkani dhe jo vetëm.

Pikërisht, në Odesa, Llazari i ri, njohu një vajzë ruse, Anna Basova, me të cilën pati dy vajza, njëra prej tyre ishte Anasatasia Papasotiri, apo Tasia, nëna e piktorit të ardhshëm, e cila u lind dhe u shkollua në Odesa (sot pjesë e Ukrainës).

Në Odesa jetonin shumë familje shqiptare, ndër to edhe familja e Ligor Taçit, i emigruar nga Voskopoja e Korçës, në vitin 1912.

Për të forcuar miqësinë midis dy familjeve, djali i Ligor Taçit, Teli, u martua me Tasia Papasotirin në vitin 1935.

Gjyshi i  tij, Llazar Papasotiri arrestua dhe u pushkatua pa gjyqm,  në mesnatën e 17 dhjetor 1937  gjatë gjenocidit stalinist në vitet 1937-1938, ndërkohë që familja e tij u deportua nga regjimi totalitar sovjetik në Shqipëri, në Korçë.

Motra e tij, Llora lindi në Odessa.

Llazar Taçi u lind në Korçë, më 27 janar 1942, dhe u pagëzua me emrin e gjyshit të tij.


Voskopoja, peizazh nga Llazar Taçi


Prindërit e Llazar Taçit – Korçë, 1945


Vogëlushi Llazar Taçi, me të atin, Telin – Korçë, 1945

Në 1946 familja e Taçit u transferua në Tiranë.

E ëma e Taçit u punësua pergjegjëse e librarisë së Librit Sovjetik, një librari e madhe me dy kate, ndërsa babai, Teli, si zotërues i rusishtes, i lindur në Odesa, u punësua si përkthyes dhe shofer i pedagogëve rusë të Politeknikumit “7 Nëntori”, të porsa krijuar në ambientet e Shkollës amerikane “Harri Fultz”.


Nëna e Llazar Taçit, Anastasia Taçi (Tasia)

Për 21 vjet, deri në vitin 1967, ajo shërbeu me ndershmëri e përkushtim në këtë detyrë, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e thellë të të gjithë klientelës intelektuale të asaj librarie.

Në 1967, Tasia u arrestua në moshën 53-vjeçe, dy vjet para se të dilte në pension, u mbajt për 11 muaj në hetuesi për ta detyruar të pranojë se ishte pjesë e një komploti prosovjetik dhe në fund në një gjyq me dyer të mbyllura dhe pa asnjë avokat, u dënua për “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burgim, nga të cilat kreu 4 vjet e gjysëm. Tre muaj pas lirimit, Tasia u nda nga jeta, më 21 qershor 1972, në moshën 57-vjeçare. Asokohe, Llazar Taçi ishte 30 vjeç.

Pikërisht, për arsye biografike për një kohë relativisht të gjatë, prej 12 vjetësh, pas arrestimit dhe dënimit të nënës së tij,  Llazar Taçit i është dashur të ndërpresë krijimtarinë dhe dhe të mos ekspozojë vepra.

***

Llazar Taçi është piktor i plejadës që u edukua nga mjeshtrit e parë shqiptarë të pikturës së shekullit të 20-të, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Abdulla Cangonji, Janaq Paço, etj. si dhe profesorët që erdhën nga shkolla e Bashkimit Sovjetik: Vilson Kilica, Sali Shijaku, Danish Juknkiu (nga shkolla polake), etj.

Pasionant i hershëm i pikturës qysh kur ndiqte kursin e vizatimit me Ndoc Kodhelin, liceist i dalluar, rrugëtimi i Llazar Taçit nis pandërprerë edhe sot e kësaj dite në rrugën e bukur të artit.


Viti 1956. Kursi i vizatimit në pallatin e kulturës Ali Kelmendi, i drejtuar nga Ndoc Kodheli. Në rreth, Llazar Taçi.


1958 – VITI I TRETË I PIKTURËS NË LICEUN ARTISTIK / Nga e majta: Alajdin Tabaku, Llazar Taçi (në rreth), Adriana Priftuli, Myrteza Fushekati, Guljelm Mosi, Kujtim Buza, Prof. Kel Kodheli, Isabet Petrela, Skënder Kamberi dhe Liljana Çefa. Të ulur: Ferdinand Paci dhe Bajram Mata.


Mars 1962. Disa nga studentët e kursit II të Insitutit të Arteve Figurative, në oborrin e Institutit në rrugën e Kavajës. Në këmbë: Alush Shima, Edison Gjergo, Llazar Taçi (në rreth), Remzi Kuçi, Jorgo Kokolani e Aristidh Loli. Të ulur: Sotiraq Sholla dhe Agim Shami.


1966 – STUDIM PËR PUNËN E DIPLOMËS


1966 – PARA PROVIMIT (punë diplome në Institutin e Lartë të Arteve)

1967 – Autoportret


1974- Autoportret


Viti 1974. Grupi i piktorëve të Ndërmarrjes së Mjeteve Mësimore në Tiranë

Ilustrues i njohur i autorëve më të shquar shqiptarë.

***

Organizator i shkëlqyer e ekspozitave “PranverArt”, që deri tani ka realizuar 14 edicione. Grupimi i artistëve të lirë “PranverArt ” u krijua në vitin 2009. Nga grupi iniciues i themelimit u përzgjodhën Sotir Kosta, Llazar Taçi e Maksim Bushi . Në qershor të vitit 2010, në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar u inaugurua e para ekspozitë “PranverArt”.


“Muzg vjeshte në Goricë”. 2015 . Ekspozuar në PranverArt 6


Pjesëmarrësit e edicionit të vitit 2021

Llazar Taçi merr pjesë edhe në ekspozitat e grupit “Nëntori”.

Llazar Taçi ka ilustruar seri të shumta të pullave të hedhura në qarkullim nga Posta Shqiptare, me disa prej të cilave ështe prezantuar edhe në ekspozita filatelie ndërkombltare në Europë

Media ka shkruar rregullisht për krijimtarinë ndër vite të Llazar Taçit.


“Maro Konda”, 1989

Shumë punime të Llazar Taçit janë ekspozuar jashtë shtetit dhe disa dhjetëra janë pjesë e koleksionistëve privatë të huaj.


1989 – “Besa e Kostandinit”, koleksion privat në Moskë, Rusi

***

Një familje piktorësh. Edhe vajza e tij, Klodiana Taçi, është një piktore e njohur.

Një baba piktor me një djalë arkitekt. Një kombinim perfekt.


Ervin Taçi

Gjysh Llazari ka një dobësi për nipin dhe mbesën.


Marina


Aroni

Krijimtaria e piktorit Llazar Taçi është një Galeri Arti!

_________

Tiranë, më 29 janar 2024

***

DISA NGA VEPRAT E LLAZAR TAÇIT NDËR VITE

Lexo më shumë nga

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.