Stilistët e rinj të modës në “Maison de l’Albanie”

Instituti Ndërkombëtar i Modës – Izet Curri


Nga Luan Rama

Është një kënaqësi e veçantë të takojmë këto ditë stilistët e rinj të modës të dalë nga atelierët e Institutit Ndërkombëtar të Modës – Izet Curri. I krijuar që 9 vite më parë, themelimi dhe veprimtaria e këtij instituti, një nga aventurat më të bukura të artit të modës në Ballkan, nga gjiri i tij kanë dalë një sërë stilistësh që tashmë janë angazhuar në atelieret e kuturierëve të mëdhenj siç është dhe rasti i Jehona Kastrati në firmën « Azedin Alaja ».

Izet Curri ka qenë dhe është vizionar në këtë fushë, i mbështetur në eksperiencën e tij personale me përjetimet e tij në Paris e nëpër Ballkan dhe përvojën e përftuar me krijuesit më në zë në « Prêt-à-Porter », që nga Hermes tek Azedin Alaja, pastaj nga ky tek Jean-Paul Gauthier due vazhduar me Lacroix apo Channel, për të ardhur më së fundi në krijimin e e këtij instituti pa mbështetje të fuqishme financiare por duke u mbështetur në eksperiencën e tij, në inteligjencën e tij natyrore dhe principet e një menaxhimi perëndimor. Ky artist, që në fillim të viteve ’80 krijonte dizajnin e kostumeve të Sean Connery, Gerard Depardieu, Isabelle Adjani, Christoff Lambert, Cindy Crafford, Madona apo Naomi.

Në krijimin e këtij instituti ai tregoi njëkohësisht konceptet e tij moderne, shijen e veçantë artistike kërkimin e preferencave moderne në fushën e modës, me idenë e perspektivës për të qenë një pararendës. Puna e palodhur me gjilpërën që në fëmijërinë e tij (tradita e qepjes, një traditë familjare që është tashmë në ADN-në e tij), ku rrobaqepësia në këtë familje ishte jo vetëm traditë por dhe pasion dhe ekzistencë, krijoi tek ai atë këmbëngulje për të realizuar ëndrrat e tij në lagjet e dikurshme parisiane dhe atelieret e para të punës me modën. Dhe si gjithnjë ai ia ka dalë mbanë. Pas kaq vitesh, interesi për institutin e tij është shtuar, studentët e Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, nga Bosnja-Herzegovina etj gjejnë në këtë institut mishërimin e pasioneve të tyre për të bukurën dhe rrugët për një të ardhme në këtë lami të artit.

Veshja e njeriut ndër shekuj qytetërues ka qenë dhe është arti i të bukurës në forma dhe ngjyra, në atë që quhet « grâce », e hirëshme. Në botimin e revistës së institutit informohesh se studentët vijnë nga Gilani, Shkupi, Gjakova, Tetova, Kumanova, Gostivari e Kërçova e po ashtu nga kryeqytetet e vendeve fqinje. Është për tu çuditur interesi i vogël i stilistëve nga Shqipëria të cilët vështrojnë veç nga ana tjetër e Adriatikut, ndërkohë që ky institut është kryekëput perëndimor.

Këtë e tregojnë punimet e këtyre ish studentëve të cilët kanë krijuar vepra të admirueshme, dizajne që spikasin për një modernitet të skajshëm, dizajne që fare mirë do qëndronin me dinjitet në sfilatat e mëdha të modës në Paris, Romë, Londër, Berlin e gjetkë.

Në dizajnet e Arsime Bajramit nga Kumanova ka shumë finesë, por kështu dhe në dizajnet e Azra Nezirit nga Gostivari ku të tërheq menjëherë moderniteti i saj e po kështu dhe të stilistëve tashmë me emër dalë nga ky institut si profesori Nikola Eftimov apo Igor Markov, Angela Bikova etj. Të gjithë së bashku ata kanë krijuar « matricën artistike » të këtij Instituti.

Në këtë pikëpamje, kozmopolitizmi i Izet Currit ka gjetur shprehje në krijimin jo vetëm të një arti bashkëkohor por dhe të një koherence dhe atmosfere ndër-ballkanike. Arti i vërtetë arrin gjithnjë të thyejë çdo barriere, kufi dhe moskuptime historike mes fqinjëve mijëvjeçarë. Referencat e tyre janë të shumta siç u dëshmua dhe në homazhin e këtij instituti për gratë stiliste nga ato pararendëse gjer tek Coco Channel, Elsa Schiapareli, Sonia Rykel etj.

Një numër më vete i revistës i është kushtuar artit të pikturës në punën e stilistit të modës. Një nismë për tu përshëndetur pasi në fund të fundit veshja është një formë pikturale e krijuar me mjete të tjera, përmes cohës, modelimit, elegancës dhe ndjesisë artistike. Kështu, nga Dali, Albulena Baftiari ka arritur të krijojë një dizajn frymëzuar drejtpërdrejt nga ky gjeni, Antigona Kadriu është frymëzuar nga Klimt, Bledina Katona nga Miro, Herona Fejzullahu nga Degas, etj, duke vazhduar kështu me Mondrian, Manet, Picasso, Miro, Cocteau, Munch, Vassarely, Picasso apo Dado.

Vështroj këto krijime dhe ndjej një emocion të veçantë rreth këtyre stilizimeve që dhe ato janë vepra arti më vete. Mjafton të ekspozosh dhe vetëm këto dizajne që një publik botëror të gjejë në to fantazinë për krijimin e të bukurës, asaj që të tërheq në mënyrë manjetike dhe kjo për çdo lloj publiku.

Kështu e bukura është gjithëpërfshirëse, ajo rrok njerëz të moshave të ndryshme, popujve, kategorive dhe shtresave të ndryshme, ku e bukura është humane për gjithë njerëzimin. Ndoshta një ngasje tjetër do të ishin dhe epokat plot dritë të kohës bizantine apo të Renesansës ku artistët anonimë i kushtuan shumë art veshjes njerëzore, në veçanti gruas. Nje mpleksje mes bizantines dhe epokës së Renesansës me modernen, mund të na shfaqte ndoshta hire të tjera…

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.