Ylli Drishti: Restauratorët, “kirurgët” e trashëgimisë kulturore shqiptare
Në historinë e artit apo dhe të muzeve shqiptarë të botuar deri në ditët tona, asnjëherë nuk janë përmendur emrat e grupit të restauratorëve shqiptarë apo dhe të huaj
Nga Ylli Drishti
Në historinë e artit apo dhe të muzeve shqiptarë të botuar deri në ditët tona, asnjëherë nuk janë përmendur emrat e grupit të restauratorëve shqiptarë apo dhe të huaj, që kanë kontribuar në konservimin & restaurimin e pasurive të artit dhe kulturës shqiptare. Ata, “RESTAURATORET” deri në fundin e viteve 1990 arrinin në mbi 75 specialistë të fushave të ndryshme si në KONSERVIMIMIN & RESTAURIMIN e objekteve arkeologjike& etnografike, ikonave dhe pikturave murale, pikturave të kavaletit dhe skulpturave në teknika të ndryshme, dokumentacioneve në arkivat e shtetit në letër, pergamenë etj.
Këta specialistë restauratorë, duke filluar nga vitet 1955 e në vazhdim, ishin pjesë e laboratorëve modestë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë (1966, sot IKTK); Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë (1981); Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë (1980); Muzeut Arkeologjik, Durrës (1955); Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë (1985); Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, si dhe Qendrës së Studimeve Arkeologjike, Tiranë (2008, ASA; ish Muzeu Arkeologjik, 1948). Grupi më i madh i specialistëve restauratorë (si numër) kishin formim akademik në artet pamore (pikturë & skulpturë), por formimi i tyre profesional në kushtet e atyre viteve bëhej nëpërmjet transmetimit të eksperiencës së atyre më me përvojë, tek më të rinjtë.
Duke punuar konkretisht me shumë kujdes në objekte nën patronazhin e më të kualifikuarave dhe duke lexuar e shfletuar literaturën shkencore perëndimore, që vinte në ato vite në Bibliotekën Kombëtare dhe në bibliotekat e Institucioneve shkencore, këta specialistë fituan përvojë, duke ndjekur edhe kurse kualifikimi brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata u mbështetën nga ana shkencore, nga specialistët kimistë, të cilët kanë dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm si në analizat shkencore të problematikave të ndryshme, që ata kryenin para ndërhyrjeve restauruese, por edhe në punën konkrete në konservimin & restaurimin e objekteve të ndryshme kryesisht në materiale të forta.
Ndër to mund të përmendim: në Tiranë Prof. Asoc. Dr. Frederik Stamatin; Marita Beçin, Gilberta Demiraj dhe në Korçë – Kristaq Ballin etj.etj. Emri i Prof. Asoc. Dr. Frederik Stamatit zë vendin më të rëndësishëm në historinë e restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Ai mund të konsiderohet edhe si themeluesi serioz i kësaj fushe. Stamatit i takon vendi i nderit si specialisti më i kualifikuar e i përkushtuar, më seriozi dhe mund të themi me plot gojën si personi numër një, që e vuri restaurimin në baza shkencore të niveleve bashkëkohore veçanërisht në restaurimin e objekteve arkeologjike (mermer, gur, metale, qelq, monedha të ndryshme etj si dhe të objekteve etnografike si tekstile, veshje popullore, armë mesjetare, objekte druri etj). Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm, pasi nuk ka asnjë muze kombëtar apo dhe muze rajonal i qyteteve shqiptare ku kontributi i tij në restaurimin e objekteve të ekspozuara të mos jetë prezent. Historia e përkushtimit të tij shkencor duke i kushtuar jetën nuk është e zakonshme.
Nëse restauratorët e veprave (objekteve) të trashëgimisë kulturore do të emërtoheshin si “KIRURGË”, për ndërhyrjet e tyre në “operacionet e shpëtimin të jetës” së kësaj trashëgimie Prof. Asoc. Dr. FREDERIK STAMATIT me të drejtë i takon emërtimi “KIRURGU – RESTAURATOR ME DUAR TË ARTA”. Gjatë gjithë punës së tij në këtë fushë STAMATI ka restauruar mbi 20 000 objekte të ndryshëm (nga të cilat 15 000 monedha). Para se Frederik Stamati të fillonte punë në vitin 1970 në Muzeun Arkeologjik – Etnografik, Tiranë që ishte në varësi të Institutit të Historisë & Gjuhësisë, aty punonin si restauratorë tri punonjës që realizonin ndërhyrje modeste. Në fakt puna për restaurimin e objekteve arkeologjike në Shqipëri ka nisur nga Ugolini, ndërsa pas çlirimit, u vijua nga ekspeditat arkeologjike sovjetike deri në vitin 1959, për të vazhduar nga Namik Bodinaku dhe Spiro Koçi, që janë dhe restauratorët e parë në Shqipëri, si edhe nga punonjës të tjerë më vonë si Vangjel Toçi, Nelo Lukaçi, Violeta Llavda, Hatixhe Simo, Muharrem Turkeshi, Sotir Kosta, etj.
Në emërimin e Frederik Stamatit pranë këtij institucioni të rëndësishëm shkencor, sigurisht ndikuan rezultatet e shkëlqyera që ai kishte arritur në përfundim të Fakultetit e Shkencave të Natyrës në Tiranë. I emëruar si punonjës shkencor në fushën e Arkeometrisë (pra studimin e arkeologjisë me ndihmën e shkencave natyrore, kimi, fizikë etj), punonjësit të ri Frederik Stamatit, ju kërkua dhe ju ngarkua nga drejtuesit e këtij institucioni, të hynte në rrugën e konservim & restaurimit jo vetëm për objektet arkeologjike që kishin vite që ruheshin në fondet e Muzeut Arkeologjik, por dhe për objektet e kulturës popullore shqiptare, të cilat paraqisnin problematika të tjera. Në vitin 1972 ai ngriti laboratorin e tij modest në tri ambientet e katit të dytë të Muzeut Arkeologjik, ndërsa në vitin 1978 ky laborator u transferua tek ndërtesa e Toptanëve (në brendësi të kalasë së Tiranës), ku u plotësua dhe me personel ndihmës deri në 7 persona.
LABORATORI me mbështetjen e Akademisë së Shkencave u modernizua dhe u plotësua me aparatura të ndryshme bashkëkohore të prodhimit Zviceran, Gjerman (mikroskop për realizimin e 20 proceseve të ndryshëm), Anglez, Hungarez, Kinez, Çek. Si drejtues i një laboratori krejtësisht të ri, Stamati duke mbajtur mbi supe një peshë të madhe përgjegjësie arriti të kombinonte me shumë sukses shfrytëzimin e literaturës shkencore mbi restaurimin që hynte në Shqipëri në gjuhën angleze (revista periodike “Studime në konservim”, Londër), me punën konkrete në laborator, duke bashkëpunuar dhe me institucionet shkencore të kohës për realizimin e analizave të ndryshme në Institutin e Fizikës Bërthamore, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, por dhe me kontaktet që ai krijoi me institucionet analoge jashtë Shqipërisë. Duke punuar çdo ditë në laborator nga ora 07:00 e mëngjesit, deri në 21:00 të darkës, duke përkthyer materiale, me një përkushtim dhe pasionin e një specialisti të përkushtuar Stamati kapërceu vështirësi të karakterit shkencor por edhe burokratik. Ai me stafin e tij modest përballoi detyra të vështirësive të ndryshme në konservim & restaurimin në të gjitha fushat, duke realizuar ndërhyrje në të njëjtin nivel si në laboratorët e Evropës.
Në vitin 1988 Frederik Stamati mbrojti gradën shkencore DOKTOR I SHKENCAVE me temën: “Konservimi i ngjyrave në tekstilet popullore” dhe më 2004 iu akordua titulli “Profesor i Asociuar”. Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati ka qenë Kryetar i Shoqatës së Restauruesve Shqiptarë, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve pranë Ministrisë së Kulturës, Anëtar i Këshillit Shkencor të Restaurimeve pranë Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë etj. Ai ka botuar mbi 70 studime të ndryshme shkencore lidhur me konservimin muzeal dhe arkeometrinë. Ndër botimet e tij mund të përmendim: “Konservimi i ngjyrave në tekstilet popullore”; “Mjedisi në muzeumet e Shqipërisë”; “Lufta kundër biodegradimit në muzeumet e Shqipërisë”; “Për flamujt e Muzeut Kombëtar 1922-1940”.
Prof. Asoc. Dr. Frederik Stamati ka botuar rreth 50 artikuj shkencorë, si autor dhe si bashkautor në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu ka mbajtur rreth 18 kumtesa në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Para tri vitesh ai botoi një libër shumë të rëndësishëm për flamujt me titullin:”Për flamujt e Muzeut Kombëtar 1922-1940″ (Tiranë,2019,Sh.B. “Streha”).
Në listën e gjatë të objekteve që atij i janë dashur të kryejë qindra ndërhyrje konservuese &restauruese, por objekti më i vështirë për t’u restauruar në të gjithë Shqipërinë, ishte mburoja e zbuluar në Apoloni, e cila ishte e ndarë në 8123 copa. “…Nuk kuptohej asgjë – kujton Profesor Stamati – askush nuk mund të më thoshte se si kishte qenë…”. Puna vazhdoi përmes studimeve, konsultimeve, vizitave të shumta që ai kreu në Vjenë, Budapest, Selanik dhe arriti ta përfundojë duke ecur me shumë kujdes për 20 vjet (me një kosto prej 100 milionë lekësh të vjetra). Prof. Asoc. Dr. Stamati për rezultatin e kësaj pune të një vështirësie tepër të lartë kujton:”…Kënaqësia më e madhe nuk ishte vetëm restaurimi dhe ekspozimi i kësaj mburoje, por kur disa vjet më parë isha për një vizitë në Selanik, në Laboratorin e Muzeut Arkeologjik dhe u tregova për mburojën dhe ata pasi e panë (në foto) më thanë që…ne mendonim se kishte vetëm dy në botë, një në Luvër dhe një te ne, por kjo qenka e treta në botë…” Ishin 20 vite zgjidhje problemi. “… Kam eksperimentuar – kujton profesori – 760 rrugë se si do të realizohej.
Çdo gabim mund të ishte fatal…”. Profesor Stamati është tepër i vërtetë dhe modest kur kujton disa nga ndërhyrjet restauruese, në disa prej objekteve shumë të rëndësishëm siç ishin p.sh: Shpata e Sulltan Bajazitit II apo dhe Epitafi i Gllavenicës. Ai kujton: “…Shpatën e Sulltan Bajazitit II, ishte Frederik De Yong që e lexoi dhe e identifikoi. Ne nuk e dinim se çfarë kishim. Unë e kam restauruar, por ajo, si shpatë, nuk paraqiste ndonjë problematikë të madhe. Veç mburojës së Apolonisë, përgjegjësia më e madhe ishte te Epitafi i Gllavenicës, një objekt që është vlerësuar shumë, edhe gjatë ekspozimit në Paris në Muzeun “Petit Palais” (1974-1975), si një ndër katër objektet e rralla të këtij lloji dhe të kësaj epoke…”. Epitafi nga ana e Prof. Stamatit ka patur ndërhyrje konservuese & restauruese tri herë: në vitin 1974 ai u pastrua nga njollat e qirinjve para ekspozimit në Paris; në vitin 1981 u pastrua me larje të njomë dhe tharje para ekspozimit në MHK Tiranë dhe në vitin 1995 u krye studimi i plotë për përmbajtjen e materialeve tekstile, fillit metalik (me të cilin ishte kryer qëndisja) dhe ngjyrat e përdorura.
Gjatë viteve 1991-2000 Profesor Stamati tashmë i kishte vendosur komunikimet me laboratorët e institucioneve shkencore më në zë në Evropë, ku kreu vizita pune, kualifikime dhe kështu filli i Epitafit u analizua në Budapest nga Prof. MARTA JAROV; ngjyrat u analizuan nga Prof. INA VANDERBERNGEN në Institutin Mbretëror të Pasurive Kombëtare në Bruksel (që njihet si Laboratori më i avancuar në botë në këtë fushë). Edhe pse në vitin 2013 Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati doli në pension, ai nuk e ndërpreu asnjëherë punën, pasi kontributi i veçantë i tij si specialist ekselent, kërkohej nga institucionet e ndryshme. Kështu ai u angazhua në restaurimin e objekteve në mermer, gur, bronz, në Muzeun e ri arkeologjik në Durrës (së bashku me rest. Qazim Kërtusha); ai restauroi të gjitha monedhat dhe objektet e tjera në Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Punoi vazhdimisht edhe për disa objekte të Amfiteatrit në Durrës dhe në Muzeun e Apollonisë. Në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati restauroi të gjitha objektet e pavijonit të Etnografisë.
Prej dorës së tij u restauruan dhe aparatet e vjetër fotografikë të Muzeut Kombëtar “Marubi”, Shkodër. Vitet e fundit, në kuadër të 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, më 21 janar 2020, Prof. Stamati kreu ndërhyrje konservuese & restauruese në Flamurin e Kongresit të Lushnjës, duke e bërë atë të ekspozueshëm dhe duke e shpëtuar nga degradimi një shekullor. Flamuri i Kongresit të Lushnjës, pas ekspozimit në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës (më 21.01.2021), ruhet në fondin etnografik të Institutit të Antropologjisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike. Për të restauruar Flamurin e Kongresit të Lushnjës Stamati duhej të udhëtonte drejt Vjenës për të siguruar fillin e mëndafshit, që të ishte identik me atë të flamurit. Gjithashtu dërgoi kampionët për analiza në Laboratorin Shkencor të Brukselit. Pas një pune sistematike u mundësua restaurimi i flamurit me financimin e Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar. Prof. Stamati kujton se: “….Në vitet 1985-1990 u propozua në rrethet shkencore ngritja e një Laboratori Qendror Restaurimi në Tiranë, me parametra bashkëkohorë, që do të shërbente për ndërhyrje konservuese & restauruese në rang kombëtar…bile u tha – kujton ai –se do ngrihej ndërtesa e këtij laboratori anash Universitetit, aty ku sot është ngritur Hotel Sheraton….”.
Ky është dhe pengu i Prof. Asoc. Dr. Frederik Stamatit, pasi pas viteve 1990, pranë IMK, Tiranë u ngrit dhe funksionoi për disa vite me radhë dhe shkolla e Restaurimit me financimin e UNESKOS. Pra u përgatitën dhe specialistët e fushave përkatëse….Me përvojën e jashtëzakonshme Stamati qoftë si drejtues kompetent apo dhe si konsulent i jashtëm, do të mund të transmetonte elementët më bashkëkohorë të funksionimit të një Qendre Kombëtare Laboratorike Restaurimi moderne që i nevojitet Shqipërisë në ndihmë të konservimit dhe restaurimit të objekteve të trashëgimisë artistike & kulturore. Unë besoj se ëndrra e tij dhe e specialistëve të kësaj fushe mund të realizohet me mbështetjen e shtetit shqiptar, pasi asnjëherë nuk është vonë./Memorie.al
Tiranë 17. 04. 2022
*Studjues & Kurator Arti