Jakup Keraj, fisniku i pikturës shkodrane!
“Piktor i Merituar”. “Mjeshtër i Madh”. “Qytetar Nderi i Shkodrës”. Ky është portreti me tre “penelata” i Jakup Kerajt.
Nga Dash Frashëri
“Piktor i Merituar”. “Mjeshtër i Madh”. “Qytetar Nderi i Shkodrës”.
Ky është portreti me tre “penelata të shpejta” i Jakup Kerajt, një prej piktorëve më të mëdhenj që ka nxjerrë panteoni artistik shkodran, me kolosë të tillë si Zef Kolombi, Ndoc Martini, Kol Idromeno, Kel Kodheli, Simon Rrota etj.
***
Jakup Keraj u lind në Shkodër, më 15 shtator 1933 dhe ndërroi jetë, po aty, më 7 dhjetor 1987, në moshën 54-vjeçare, në kulmin e karrierës së tij si piktor.
Në 1960, vlerësohet me “Çmim të Parë” në gjininë e portretit; në 1963 vlerësohet me medalje bronzi në Bienalen e Aleksandrisë, Egjipt. Në 1986 merr titullin “Piktor i Merituar” .
Keraj vlerësohet nga kritika, si një nga piktorët e rëndësishëm shqiptar të portretit në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Ai arriti të shquhet si një individualitet, që pati ndikim në pikturën realiste shqiptare.
Skulptorja dhe studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka, autore e një sërë botimesh kushtuar artit, ka shkruar një monografi e plotë për piktorin Jakup Keraj. Pas një pune të gjatë studimore rreth 5-vjeçare autorja ka sjellë të plotë jetën dhe veprën e piktorit (1933-1987) të ilustruar me imazhe të pikturave, vizatimeve dhe fotografi vetjake, të cilët zënë vend në 40-të tituj artikujsh studimor, të tipologjisë krijuese dhe biografike.
Përmbajtja e tyre është shkruar me një gjuhë realiste dhe ilustruar me veprat në pikturë dhe në vizatim, që lidhen me kohën e krijimit, me personazhet, temat dhe subjektet përkatës të periudhës 1950-1987. Botimi nis me një përshkrim të situatës gjeopolitike dhe kulturore të qytetit të Shkodrës, qyteti ku lindi artisti Jakup Keraj dhe nisi të formojë botëkuptimin artistik e psikologjiko-njerëzor.
Më pas vijon me edukimin e tij dhe mbështetjen familjare, arsimimin në Shkodër, në Tiranë dhe studimet e larta në shkollën prestigjioze të Lenigradit (shek. XIX dhe atij XX), deri në ditët e sotme.
Jakup Keraj mësimet e para mbi vizatimin dhe pikturën i mori nga piktori i famshëm, shkodran Simon Rrota (“Piktor i Popullit”) dhe piktorja ruse, restauratorja e studjuesja e artit bizantin Viktori Puzanova, e cila jepte mësim në Shkodër.
“Hapat e parë”, piktor Jakup Keraj
Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1947-1951) nën drejtimin e piktorëve, Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, të cil[t kujdeseshin edhe për dy shkodranët e tjerë: Danish Jukniun e Angjelin Dodmasejin.
Jakup Keraj, autoportret (1951)
Piktori Danish Jukniu, i pikturuar nga Jakup Keraj
Keraj ishte student i grupit të parë të artistëve që studjuan në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) të ish-Bashkimit Sovjetik dhe u kthye në Shqipëri në fundin e viteve ’50 (1951-1957).
“Ishte shumë i dashuruar me punën, shumë i dashuruar me pikturën. Ishte një portretist i shkëlqyer, ishte një piktor me dhunti shumë të mira kolorostike”, thotë Skulptori i Popullit, Mumtas Dhrami, gjatë një interviste për emisionin “Ekskluzive” të gazetares Monika Stafa, në Top Channel.
Në atë Akademi asokohe studjonin dhe studentët e tjerë që vite më vonë do të bëheshin mjeshtrit e mëdhej të pikturës e skulpturës shqiptare si Guri Madhi, Vilson Kilica, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Rafael Dembo etj.
***
Ekspozita e tij e parë personale, u hap në Shkodër në vitin 1964, me 88 punime në teknika të ndryshme.
Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen 25 punime të artistit, ndër to dhe diploma e tij, ndërsa 22 punime ndodhen në Galerinë e Arteve në Shkodër.
Portret punëtoreje, Jakup Keraj
Vepra artistike e piktorit arrin në mbi 260 punime në vaj, akuarel, pastel dhe vizatime me laps.
“Piktori i Merituar” Jakup Keraj, i vizituar nga një tjetër legjendë, Ismail Lulani.
Veprat e tjera të piktorit Jakup Keraj ndodhen në koleksionin e familjes Keraj, si dhe në koleksione private brenda dhe jashtë Shqipërisë.
“Unë do ta mbaj mend si virtuoz i penelatës. Një ndër kolosët. fatlum për Shkodrën”, thotë skulptori Ferid Kola gjatë intervistës për televizionin “Top Channel”.
Për disa vite si mësues, dha me plot pasion lëndën e vizatimit teknik në shkollën e mesme‘’29 Nëntori’’
dhe në shkollën pedagogjike ‘’Shejnaze Juka’’. Më pas u caktua në shkollën e mesme artistike
‘’Prenkë Jakova’’ po në Shkodër, si mësues i pikturës dhe vizatimit, njëkohësisht dhe në lëndët e
prespektivës dhe anatomisë, ku vazhdoi të punojë me përkushtim në pregatitjen e piktorëve të rinj,
disa nga të cilët sot janë bërë të njohur si Merita Selimi apo Adnan Kastrati.
Jakup Keraj ka frymëzuar edhe shkrimtarin e madh, Ismail Kadare.
“Shkrimtari Ismail Kadare, sapo ishte kthyer nga një udhëtim pune në Shkodrën e Idromenos, Marubit dhe artistëve më në zë të vendit.. Kësaj here kurrioz, do të takonte në studion e tij, studentin e shkëlqyer të Akademisë së famshme Mbretërore të San Petërburgut, piktorin Jakup Keraj, të sapo kthyer në Shqipëri . Një ndër piktorët e parë të diplomuar jashtë vendit, i cili erdhi me një aureolë lavdesh dhe rezultatesh të larta. Talenti i tij përflitej ngado me një admirim nga dashamirësit. Ishte viti 1961”, thuhet në artikullin e mëposhtëm, të botuar në “Gazeta Shqiptare”, shkruar nga Nadire Buzo.
***
Tre nga gjashtë djemtë e familjes Keraj, u bënë artistë.
Edhe vëllai i Jakupit, Ruzhdi Keraj, është një artist, kompozitor, shkrimtar dhe piktor i talentuar.
Ruzhdi Keraj, pikturuar nga Jakup Keraj
Kompozim nga Ruzhdi Keraj
Artisti Ruzhdi Keraj, gjatë një interviste për emisionin “Arnautistan” në MCN TV e cilësuar si emblemë të familjes, Jakup Kerajn, duke theksuar se piktori nuk është vlerësuar për atë që ka merituar vërtetë.
Sipas tij Jakup Keraj është luftuar nga pushteti i asaj kohe pasi kishte potenciale të tjera dhe ishte ekzemplar i pikturës shqiptare.
“Unë jam rritur me Jakupin, e kam pasur emblemë të familjes. Ai ka qenë disa vite më i madh se unë. Shkruajta për Jakupin një monografi artistike. Ai ishte artist që kishte penelin jo fjalën, aty fliste. Të gjitha pikturat e tij flasin sytë.
Jakupi asnjëherë nuk është respektuar aq sa e ka merituar. Ai është luftuar nga pushteti, nga partia, nuk i lanë liri potenciale për tu shpreh.
Jakupit ajo parti dhe ai pushtet i futi frikën, kishte tjetër mundësi shpërthimi, ai ishte ekzemplar i pikturës shqiptare. Një potencial të tillë të madh rrallë ka për ti ardhur këtij vendi. Ai ekspozonte vetë atë që duhej të ekspozonte. Familja e tij ka një numër të madh pikturash”, tha Keraj.
Përkushtimi dhe respekti ndaj familjes, gruas së tij Nezit dhe fëmijëve, Linditës, Albanës dhe
Petritit, do të ishte një tjetër tipar i piktorit.
Trashëgiminë artistike të Jakupit e vazhdon edhe sot e kësaj dite, vajza, Albana (piktore) dhe djali, Petriti (skulptor).
Petrit Keraj
***
Ekspozita personale
· 1964 – Ekspozoi në Shkodër me 88 punime në gjini të ndryshme (vaj, laps, akuarel, pastel)
· 1976 – Ekspozoi në Shkodër me 100 punime në gjini të ndryshme
· 1984 – Ekspozoi në Shkodër me 110 punime në gjini të ndryshme
· 1984 – Ekspozoi në Pallatin e Madh të Kulturës, Tiranë ku paraqiti 96 punime të ndryshme (kompozime, portrete, peizazhe, natyra të qeta) nga të cilat 20 ishin vizatime (portrete dhe peizazhe)
· 1996 – Ekspozitë me 30 punime të artistit në galerinë private “Dajti” (organizuar me punime të ndryshme nga familja Keraj)
· 2002 – Ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë me 40 punime nga Koleksioni i GKA, Tiranë, GA, Shkodër, Koleksioni i familjes Keraj dhe e koleksionistëve private në Shqipëri.
· 2008 – Ekspozita “Retrospektivë” në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë me 54 punime nga Koleksioni i familjes Keraj.
Ekspozita kolektive
· 1959 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 15 vjetorit të çlirimit (gjashtë punime)
· 1960 – Ekspozita Kombëtare e portretit (dy punime)
· 1961 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 20 vjetorit të themelimit të PPSH (dy punime)
· 1963 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore (tre punime)
· 1966 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 25 vjetorit të themelimit të PPSH (një punim)
· 1976 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të themelimit të PPSH (një punim)
· 1978 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (një punim)
· Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore
Vlerësime
1960 – Vlerësohet me “Çmim të Parë” në gjininë e portretit.
1963 – Vlerësohet me medalje bronzi në Bienalen e Aleksandrisë, Egjipt.
1970 – Dekorohet me Urdhërin “Naim Frashëri I klasit III” (Nr Dekretit 4631)
1986 – Merr titullin “Piktor i Merituar” (Nr. Dekretit 7068)
2002 I jepet Urdhëri “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu (Nr.Dekretit 3555)
2008 – Vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës
***
Jakup Keraj, mes paranojës dhe artit
Nga Vladimir Myrtezaj
Ata ishin shumë vëllezër në familje. Të dukej se një krehër i madh që i duhej të shkrehte shumën e kaçurrelëve derdhur në sojin e tyre, me përjashtim vëllait të vogël, Remit, që më kujtohet si flokëdrejtë dhe me një qeshje të papushuar në portretin e tij. Lagjja që ne ndanim i përjashtonte si një familje tejet e realizuar, pasi secili syresh ishte i shkolluar, me ambicie të dukshme e në një respekt të veçantë për çfarë përfaqsonin në një komunitet disi të çuditshëm. Shtëpia e tyre gjendej buzë rrugës, diku mbas teatrit “Migjeni”, si një nyjë lidhëse midis lagjeve muslimane ku shtrihej një arkitekturë e butë e traditës orientale me tingëllima të shtruara bashkëjetese mes njerëzish disi përzier për shkak zhvendosjesh nga më të çuditshmet. Pikërisht për këtë shkak tingëllimet ekstra, si të shkolluar, në atë kohë ishin si një frymëmarrje për të tjerët, duke sjellë rrezatime të veçanta dukshmërie dhe kurioziteti për të gjithë shtresën e ndenjur e të vijuar në zakone tipike.
Midis ajkës së tregëtarëve të mëdhenj dhe të vegjël në lagje, të shkolluarit shquheshin veçmas e nderoheshin, sepse për disa ndërgjegje të reja dukeshin si ndryshim atmosfere dhe një thellim edhe më i palexuar i llojit të misterit që mblidhnin. Gjithçka tjetër ishtë një vrundull i vjetër, ku përmblidheshin të gjitha përsëritjet e vazhdueshme të të njëjtës trajtë, mes besimit, familjes, pjellorisë, vdekjeve dhe martesave.
Gjithsesi, në një shumë shtresash të përsëritura prej tjegullash e dritaresh të stilit oriental kishte mjaftueshëm jetë. Një stil ku herë ndiehej e hapur e miqësore e herë e mbyllur e në mister të plotë, tej portave të larta e hijerënda, me mbiemra të njohur për nga fuqia e mbijetesës dhe për nga imponimi psikofizik si dyer me emër.
Për fat, kishim një teatër që e çdisiplinonte karakterin e shtruar e të pazhurmë të një lagjeje ku sundonte zakoni dhe një jetë e shtruar nën një patinë njohëse të shumës stampuar e përsëritur në shumë anë të qytetit. Të dallueshme ishin vakitë, vdekjet, si një ritual kult e i pandryshuar për nga serioziteti dhe besnikëria e palëkundër në respekt të fundit të gjithsecilit që i mbushej mendja të ndërronte jetë e të largohej përgjithmonë. Është një ritual që më ngjante me një ditar, ku së shumti, rrafsh me tokën e në qefin, rreshtoheshin ikjet nga kjo lagje me një ritëm të gjithëpushtetshëm, si një nënshtrim fundor e melodioz.
Të dukej se detyrimi i përcjelljes ishte tashmë një tabu e paprekshme e ngurrtë dhe e përsëritur, si frymëmarrja e komunitetit nën hijen e grupit, që zhvillohej pa pra. Lagjet ishin si grupime fortesash, kjo për shkak të rrethimit të tyre me mure të gurtë lumi, të lëmuar, si dhe me një duf të shkrehur shermashekësh e jargavanësh që kacavirreshin melankolikisht mbi shpinën e tyre.
Të dielat ishin si shtëllunga të lartësuara tymi, ku në secilin oborr shtohej edhe më shumë jeta dhe ndërsyerja e përbashkët në vaktet e ngrënies, si dhe davetet e ambalazhuara nga një shumëllojshmëri gjellësh e gatimesh (si në mesjetë) në një sofër të përbashkët, herë burrash e herë grash; në bashkime të shkartisura e të çuditshme.
Ideja e të jetuarit në grup, që i shërbente familjes, ishte mjaft evidente dhe shkumëzonte në përgjithësi një mbyllje brenda llojit, që të linte gjithnjë si të përjashtuar. E vetmja dritë që mund të shquante e përçante unitetin e grupit ishin lajmet e mbërritjes së ndonjërit nga ndonjë shkollë, që kish patur fatin t’i shkëputej këtij grupimi unitar e të përsëritur.
Dalldia e komunitetit ndaj formës mbyllëse të arkitekturës dhe karaktereve të ndjeshëm krijonte një atmosferë mjaft të shkolloqitur për nga mundësia për t’u ndjerë i mbijetuar, si i lirë nga kjo lëkurë përfshirëse kolektive. Një teksturë rrokëse me aromë mishi e rrobash të lara, pa harruar dyzenin e shpendëve, e bënin këtë skenë mjaft të vegjetuar e në një liri të shkujdesur natyrore, si në gjendje të parë.
Familjet me emër i kornizonin të gjitha ndarjet si një ajër i pjesëtuar e ndikues. Ato rrethonin në nxitje të plotë një lloj pushteti të ndikuar drejtpërdrejt nga këto bërthama tradicionale, që edhe e kushtëzonin disi në përshtypje fuqinë e të qenurit derë e madhe.
Në këtë rrjedhë cytjesh të tingëllonin në gjendjen e tyre materiale, si një fuqi pushtuese, si të pakorrigjueshëm nga forcat kalimtare e të lehta të pushteteve që qarkonin tash e parë në një propogandë të pashembullt ndryshimi strukturor. Tafilict, Bërdicajt, Ademt, Jukniqt, Krajajt, Likajt, Bakallt e shumë mbiemra të rrahur kishin lëshuar rrënjët e tyre në një hapësirë të ngushtuar, ku veç tymrave të oxhaqeve ndieheshin të lidhur ndërvedi me mijëra fije krushqish e miqësish në lloj.
Të vetmit që shkartisnin hierarkitë e venduara ishin dashuritë e reja dhe fëmijët, sepse, në thelb, ata nuk njihnin kufij, dhe ndërtonin lumnisht një ecejake rritjeje në një kurbë krejt më vete.
Lagjja kishte disa pika shkëmbimi. Vatra e parë ishte bukëpjekësi, Samia, ku piqeshin tavat e ditës dhe buka e kallamoqit; një kopsht i sajuar në një dhomë për fëmijë. Pak më tej një këpucar dhe një dugajë ku shërbehej bulmet e psonisje të tjera.
Diku më tej shkolla dhe një oborr i madh, te familja Lopçi. Aty luanim me top. Rruga veriore të çonte te xhamia, ose diku më tej te tregu i kafshëve, pranë një pallati me familje ushtarakësh, ardhur e deri tek i fundit stacion linear në rus “magjar”.
Kerajt ishin në brinjë, diku përballë Tafilicëve. Këta të fundit u kishin dhënë me qira disa hapësira Çypçinjëve, ardhur nga një shumëllojshmëri vendesh, një komunitet me profesione shërbimi nga më të ndryshmet. Për shkak të shumllojshmërisë ishte edhe shtëpia më e zhurmëshme në lagje, qoftë në aspektin e dukurive të shpejta, në shëndrrim, siç dhe është natyra e shitësve, qoftë dhe për një loj infrastrukture kolektive ku mbahej radhë, si për banjot, si për përdorimin e oborrit e po aq për pusin.
I vetmi skaj i ndriçuar ku anarkia e lehtë e gazmore thyej ishte rregulli dhe simetria në familjen Keraj. Një pemë familjare ku njëshi ishte kryetari i familjes, një burrë babaxhan e i thinjur, lëkurëbardhë dhe në qendër të të gjithë vëmendjes familjare. Dukej si në pikturat e Monesë, mes hijeshisë dhe gjelbërimit. Më pas vinte e ëma, një grua e sojme, me një degërmi të bardhë kokës në gjendje kujdesi, pa dalë nga pragu i shtëpisë. Pasataj vinin rioshët në një simetri të padepërtueshme, secili në mision e vet. Si për çudi, shtëpia e Kerajve ndiehej mes jeshilllëkut, gjithnjë në dritë; dukej sikur buronte nga brenda dhe ndiehej një gaz i përmbajtur, si i shëputur nga tisi i zhgualltë e oriental i shtëpive rrethuese. Shkaku i mistertë ishte se aty banonte edhe një piktor. Të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje kishin kryer shkolla të ndryshme, si: për mjekësi, muzikë, fizikë etj. Djali i madh i Kerajve ishte Jakupi, piktori.
Dritaret e mia ishin prirët me ballinën e shtëpisë së tyre, dhe deshe s’deshe, në pjesën më të madhe ishte i vetmi peizazh meditimi që kundroja në imtësi.
Rrugën për te tregu i gjës’ e sundonte një zhurmnajë që ushqehej nga të fortë si Ali Guri, ndërsa në pjesën jugore ndihej Zija Qafoku, si e vetmja frymë e dalë jashtë korit të kadifenjtë të lagjes ku jetonim. I pari ndiehej si agresor në gjendje të lirë në gjuetinë e mishit të bardhë; kurse i dyti orvatej në një lloj vetëgrindjeje prej mstreci të parehatshëm që zbythte çdo qëndrim të drejtvizuar të ekuilibrit njerëzor.
Përveç zhurmës gërgasëse të tyre ndihej edhe një shumatore zhurmash shpezësh shtëpiakë, që me korin e tyre dukej se mbytnnin çdo muzg mbrëmësor. E vetmja arrati e jona në zona lirie ishin oborret e brendshme të shtëpive me fiq të butë, hurma e pjergulla të dendura rrushi çylek.
Te Kerajt ndiehej gjithnjë dritë dhe një kuriozitet se çfarë bluhej brenda atij oborri. Flitej se Jakupi kishte mbaruar një akademi arti diku në lindje. Sa herë kaloja rrëshqitazi shikoja në oborr një kavalet pikture dhe piktorin në pozicionin e tij të hapur e të ndërlidhur me kavaletin, në një stil të shumëpërsëritur pozimi, gjë që më zilepste fort. E gjithë qendra e intelektit tim ishte zhvendosur në kuriozitetin e lartë se si riprodhohej një imazh.
Një ditë erdhi në shtëpi motra e dytë, shend e verë, dhe i tha mamasë se si ai, piktori, e kishte zgjedhur që t’i bënte një portret në oborr. Kish një lidhje nostalgjie, pasi motra ime kishte një emër të ngjashëm me vendet nga kishte studiuar ai: quhej Vasilika. Motra ishte një trajtë harqesh gati në barok, që i shëmbëllente edhe prej shëndetit me sifemrat ruse.
Kurioziteti më shtohej edhe më shumë pasiqë një njeri si ai kishte luksin e zgjedhjes dhe bënte gjëra të pazakonta për një grup njerëzish që ndoshta ndienin për herë të parë një riprodhim të jetës përmes dorës së tij.
Kështu nisa të njoh Jakup Kerajn, përmes një tisi të gjelbërt në mes të oborrit të tij të gjelbëruar, duke u pozicionuar në një hepim të butë mbi telajot që ishin një mister për të gjithë lagjen. Të gjithë flisnin për të si për një njeri jo të zakontë, sikur kish mbirë nga kushedi se ku dhe ushtronte mjeshtrinë e tij mbi çfarë haste e prekte në realitete intime, nga një dritë misterioze kujtimesh që ai kish lënë pas.
Asnjëherë nuk pata fatin të isha pjesë e kuriozitetit të tij, dhe kjo distancë më ndoqi vite me radhë si një kompleks mes tij dhe meje. Një lloj ftohtësie në heshtje që nuk e di se pse nuk arriti të shkalafitej mes nesh e të bëhej në kohë të mëvonshme një bashkudhëtim i ndarë pozitivisht. Jo, gjithnjë na ndiqte një ndarje pa një domethënie bindëse, ama e shoqëruar me një kuriozitet të fshehtë. E vëzhgoja në të gjitha etapat e tij, që nga ato të ndritshmet e kulmoret, deri në një udhëtim të strapacuar piktorësh që për shkak të atmosferës së pafavorshme erdhi e u rrudh në një disfatë njerëzore që nuk hyri në ataç me kohën dhe nuk iu nënshtrua një shndërrimi dyst me kohën.
Për mua ai ishte një prerje klasike shkollimi. Jetoi gjatë, me ndjesinë e njeriut që ha nga barra e lavdisë të gjithë ushqimin e mundshëm, duke mos lëvizur nga formimi, që, në fakt, qe i shkëlqyer për nga shprehitë dhe tendencat e shkollës që përfaqësonte.
Por, sa vinte dhe më zhytej në një vetmbyllje të korracuar, për të mos kuptuar përfundimisht se era e ndryshimit ishte përkundër tij.
Jakup Keraj ishte një piktor vetmitar. Ndihej i vetëmjaftueshëm, duke mos pranuar të zhyhej në çdo lloj gatimi, ngaqqë ishte i bindur për aftësitë e tij të lindura.
Do më mbeten në memorie të gjitha piktuart e tij të realizuara fill mbas mbarimit të studimeve, si një krijimtari në inerci, në një ajër të importuar, si prekje e kohëve të dikurshme.
Portreti i Danish Juknit apo Vajza në kopsht janë disa nga veprat e tij që tregojnë klasin e një piktori të plein air-rit, por edhe prirjen për një pikturë përtej zyrtares.
Po ashtu, pikturat me karakter historik, nga legjendat mbi heronjtë janë sërish një dëshmi e një mashtabi pikturor që e njihte shumë mirë planimetrinë kromatike dhe teksturën e atmosferës historike. Nuk duhet shumë për të treguar se ai erdhi në një realitet të nakatosur zhvillimesh, nga ku u ruajt në mëvetësinë e tij si një arketip i shkëputur në trevat e veriut, si një realitet i margjinalizuar nga kohë të importuara.
Dallon së shumti në kohët më të mira të passhkollimit, si një ardhje e pastër e një kulture lëvizëse, që, në fakt, infektoi gjysmën e rruzullit në një impakt kontradiktor mes shkollave të perëndimit dhe atyre të lindjes.
Në vitet e fundit të jetës së tij, më kujtohet se te studiot e reja, ku ndodhte që edhe shkoja, me kuriozitetin e mjaftë për të parë ecurinë e tij. Ishte një luftë e brendshme e në paranojë me gjithçka që i afrohej, si një sugjerim miqësor mbi rolin e pikturës. E gjithë vetëdija e tij artistike ishte e arratisur përlarg ndodhive dhe realitetit, në një emulsion të kujtesës së konservuar, nga ku ai përditazi shtrydhte emocionet, për t’i bërë ato të pranishme si fuqi e lavdisë dhe e narcizës së tij të pashtershme.
Vija re se gjithnjë e më shumë, i gjithë realiteti i kthehej në një versus mosbesimi e pangopshmërie për të mos e pranuar.
Në ndjesi të holla e lëshime fragmentare, ende ndiehej kjo postkulturë e tij për të qenë në endjet e mëndafshta të penelatës, duke të risjellë ndërmend atë dritë që ndillej në shtëpinë e vjetër të Kerajve, plot nostalgji dhe intimitet.
Nga fundi më shumë kishte paqartësi qëndrimesh mospërputhje temash, dhe në përgjithësi një keqkuptim me kohën. Formimi tij e pengonte për të qenë në rresht.
Kështu, paranoja e tij rritej në një mosbesim të pakthyeshëm.
Jakup Keraj është tipiku i dashurisë që ecën përkundër, si i dyshuar që në lindje, sepse ishte një zë lirik i pikturës intime dhe ndjesive të brendshme. Piktura e tij është një lloj drite e patinuar dhe e mbështjellë nga ky tis elegant e shumë i kultivuar, që i buronte nga sensi qytetar dhe parimet e elitave të zgjedhura.
Krejt i vetmuar në oborrin e njerëzve që e deshën, veçmas familjarët, ruante oazin e djalit të vetëm, që buronte dritë dhe linte zgjuar një mëhallë të tërë.
Përballë Kerajve, pas shtëpive në ballë të rrugës ishin oborret e mbyllura, si një planimetri parajse për nga llojshmëria e pemëve frutore. Ne ende ishim në fëmijërinë tonë dhe endërronim gjithçka; kishim një cytjet për t’i paraprirë profilit të gjithsecilit. Në atë kohë ishte në modë filmi “Tre musketierët”, një film që do ishte pjesë e jona në ëndërrim të pandarë. Roshfori ishte Remi, vëllai i vogël i Kerajve, që edhe organizonte lojërat dhe prodhimin e shpatave. Sapo kish filluar të merrte formim në shkencat ekzakte, më duket se për fizikë
Muskëtierët lëviznin në vrull e afsh të lojës së tyre, e ndërkaq lagjia ishte e pushtuar nga ngjyrimet e egos sonë, në një luftë shpatash që nuk mbaronte për nga befasitë, lëvizja e shpejtë, komploti në grup dhe veç e veç në një lumturi të pafund ëndërrimi me princër e princesha, me luftë e hierarki gradash të pastra në energji. Ky trans ëndërrimi do i mungonte gjithkujt, edhe vetë magjisë së piktorit të mbyllur, që ripërjetonte vetveten në të shkuarën e lavdisë së tij, në një hap imagjinar e në transkujtesë, si një motorizim i brendshëm i të gjitha nënshtresave që e thërrisnin drejt kuadrateve të bardhë që mbusheshin me jetë.
Të gjitha mbetjet kujtimore do ndieheshin në shkarkesat e rrjedhës së rrugës veriore, të pleksura në një ndërgjegje reflektive të një piktori që nuk la shkas pa e hedhur në telajo. Zadrimore e çipçinj, heronj e vajza lirike, portrete malësorësh, përjetime tisesh të afërta e të largëta si një mall i paharxhuar energjie.
Një udhëtim i ndjeshëm, i paprekur e i besuar nga vetë ai, si një skutë e fshehtë e një monologu pa kufi. /Gazeta Liberale