Mustafa Arapi, “shenjtori” i artit!
“Faja” është shndërruar në një legjendë në panteonin e arteve pamore shqiptare.
Nga Dash Frashëri
Tre vjet më parë, më 21 janar 2021, piktori Mustafa Arapi u bashku me engjëjt në parajsën e përjetshme.
Një ikje shumë e trishtuar. Në një periudhë kohore të mallkuar. Kovidiane.
Një largim në moshën 70-vjeçare që la në pikëllim e lot, familjarët, miqtë, artadashësit e tij. Një lamtumirë në kulmin e lavdisë.
Pas një kontributi shembullor për më shumë se 50 vjet në art.
Piktori Mustafa Arapi
Fragment i ikonës “Krishti i gjithpushtetshëm” i atribohet dorës së magjishme të Onufrit.
“Faja” është shndërruar në një legjendë në panteonin e arteve pamore shqiptare. Ka vendin e tij të merituar!
Shpirti i tij jeton midis shenjtorëve të afreskeve, të cilat i restauroi me një dashuri të pazakontë!
I përjetësuar në artikujt që piktori shkroi me profesionalizëm.
Si të jetë një “Shën” mes të pavdekshmëve!
I vlerësuar nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë, të cilët i kanë kushtuar edhe këto viztatime respekti.
Duket sikur “Faja” vizaton akoma! Një skicë që zgjat pafundësisht në kohë…
Me buzëqeshjen dhe mirësinë e përhershme!
***
Mustafa Arapi ka lindur më 23 korrik 1950 në Tiranë. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1979 për pikturë. Pas studimeve ai filloi të punonte si restaurues i veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.
Ka punuar si profesor në Akademinë e Arteve nga viti 1985 deri më 1991. Pastaj, gjatë viteve 1993-2006 ishte shef i Departamentit të Punëve të Artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës.
***
Mustafa Arapi mund të ishte edhe një violinist premtues, por zemra e tij zgjodhi penelin në vend të harkut të violinës.
Mustafai i vogël, në vitin 1958 kur studionte violinë me profesor Beniamin Guraziu ne Pallatin e pioniereve, Tiranë.
Edhe Tirana e mirëpriste si piktor Fajën.
Mustafa Arapi (në rreth) me studentët e Akademisë së Arteve (1977).
Niko Dhales (majtas) me piktorin e ndjerë, Mustafa Arapi, në Dardhë të Korçës, 1986
NJOHJA IME ME FAJËN Mustafa Arapin e kam njohur gati 43 vjet më parë, në 1981, kur ai erdhi në Përmet për të restaruar afresket e Kishës së Leusës, ndër më të bukurit në Shqipëri. Asokohe, unë 18-vjeçar, sapo isha shfaqur në një kronikë televizive arti në TVSH, rreth ekspozitës lokale, si një talent premtues në pikturë. Pikërisht, kjo ishte tema e bisedës së parë time me Arapin, në postën e vjetër të Përmetit, ku ai priste të telefonte me të tijtë në Tiranë. Kush e kujton atë kohë, të telefonoje nga Përmeti drejt Tiranës ishte një aventurë e vërtetë. “Alo, Mustafa Arapi me Tiranën… te kabina nr. 1!” Butësia tipike e një tiranasi, dhe për më tepër një piktori restaurues kombinohej në mënyrë perfekte me qetësinë e një përmetari. Dhe kur flitej për artin, ishte si të shijoje një verë të nxehtë dhe të mrekullueshme! Më pas bisedat tona ishin të shumta! Çdo herë që kam parë një punë të tij, më kujtohet ajo kohë. Fisniku Mustafa Arapi! |
BIZANTINIST I SHQUAR
I konsideruar si një nga ikonografët, bizantinistët dhe restauratorët më të mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Kolana e pambarimtë e kontributeve shkencore, didaktike e profesionale të Mustafa Arapit ngrihet gradualisht dhe kulmon bujshëm në harkun kohor të 4 dekadave (1980-2020).
Fashetat më të ndritshme të saj na kumtojnë se ky personalitet unikal i arteve tona pamore shpërfaqet gjithanshëm si bashkautor tekstesh akademike, si autor monografish shkencore dhe si ligjërues i dhjetëra studimeve shkencore e trajtesave profesionalo-publicistike në institucionet studimore, në aktivitetet shkencore dhe në mediat e shumta, brenda e jashtë vendit. Pa përfshirë këtu kontributet teoriko-akademike si pedagog-lektor në Institut-Akademinë e Arteve, si pedagog në shkollën e Restaurimit, si kontributor në zbulimin, evidentimin shkencor, restaurimin pasues, muzealizimin, ekspozimin, promovimin dhe publikimin teorik të mjaft kryeveprave të ikonografisë bizantiniste, apo në ndihmesat për hartimin e teksteve të katalogjeve dhe promovimin e ekspozitave dhe prurjeve të kolonive të piktorëve në mediat vizive dhe publicistikë.
Ndaj meritueshëm Mustafai emërohet: Shef i Departamentit të Artit Bizantin dhe anëtar i Këshillit Shkencor të Restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë; anëtar i Komisionit të Lartë Shtetëror të Pullës Postare Shqiptare; anëtar i Këshillit Kombëtar të Restaurimit.
Mustafa Arapi është autor dhe bashkautor në hartim projektesh dhe restaurimesh personale të ikonave të piktorëve gjenialë të ikonografisë shqiptare, si Onufri (babai), Nikolla Onufri (biri), Onufër Qiprioti, Kostandin Shpataraku, Joan Athanasi, Çetiri, Kostandini dhe Athanasi nga Korça.
Ai është autor dhe bashkautor në restaurimin e ikonostaseve, pikturave murale, afreskeve, tavaneve të kishave dhe të një pafundësie objektesh e ndërtesash të konsideruara si monumente të vyera të trashëgimisë kulturore në mbarë vendin.
Ai është: autor dhe zbatues projektesh ekspozimi të kryeveprave të ikonografisë shqiptare në muzeumet e Shqipërisë dhe ekspozitat ikonografike brenda e jashtë vendit; është fitues i çmimeve dhe dekoratave të larta për kontributet shkencore e profesionale; është autor dhe bashkautor ekspozitash të pambarimta pikture, vetjake e në grup, brenda e jashtë vendit, ku shquhet edhe për çmimet e shumta të fituara dhe vlerësimet e larta prej qarqeve profesionale e rrjeteve mediatike.
Por dhe një ilustrues i shkëqyer.
PREKJA MAGJIKE
Prekja hyjnore e telajos, i dhuronte magji peizazheve dhe kompozimeve plot dritë dhe kontrast, si rrallëkush.
Si një piktor i nivelit ndërkombëtar.
Mustafa Arapin e gjen në Venecian aristokrate…
… në Firencen e artit ku ekspozoi Mikelanxhelo dhe Da Vinçi…
… apo në Romën perandorake!
Në Stamboll…
… apo Athinë.
Mustafa Arapi është nderuar me çmime të ndryshme.
FAMILJA
Bashkëshort i shkelqyer dhe baba shembullor! Familje artistësh. Bashkëshortja Hatixhe (Xhixhi), skulptore dhe vajzat Dorina dhe Holta, të dyja piktore.
Gjithmonë i qeshur. Me rezatimin e një mirësie të përjetshme!
“MJESHTËR I MADH”
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekoroi piktorin Mustafa Arapi, me titullin “Mjeshtër i Madh” (pas vdekjes) me motivacionin: “Në vlerësim të krijimtarisë së shquar me vlera të larta artistike, si një nga piktorët origjinalë në gjininë e kompozimit, grafikës dhe peizazhit. Pedagog, studiues, evidentues dhe restaurues i shquar i monumenteve të kulturës, i të gjitha llojeve të veprave të artit, si: piktura murale, ikona, ikonostase, afreske dhe objekte liturgjike të autorëve të njohur mesjetarë (Onufri, Nikolla, Qiprioti, Zografët, Shpataraku, Çetirët, Anagnosti) dhe autorë të tjerë anonimë. Veprat e tij artistike të kulturës sonë kombëtare në Shqipëri e Kosovë, janë të vlerësuara si në vend, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.”
EKSPOZITA
“Mjeshtri i Madh”, Mustafa Arapi kujtohet dhe merr pjesë sërish në ekspozita të ndryshme.
ME PIKTORËT E MËDHENJ
“I madhi takohet me të madhin”. Kështu mund t’i konsideroj takimet e Fajës me Sali Shijakun e famshëm në Shqipëri; Ibrahim Kodrën e famshëm në Itali, apo Omer Kaleshin të famshëm në Francë.
***
Në studio e presin ende të vijë dhe të marrë penelin si dikur…
_____
Tiranë, më 13 shkurt 2024