Violeta Kongo, Zonja e “Shpirtit mbi mëndafsh”

Shajet e pikturuara me akrilik nga “Let” kanë ngjyra të ngrohta, me një kontrast të bukur dhe harmonik.


Nga Dash Frashëri

Zonja e “Shpirtit mbi mëndafsh”!

Kështu dëshiroj ta konsideroj artisten Violeta Kongo, e cila është gjithashtu edhe gazetare, eseiste, poete dhe libretiste.

Falë talentit e dhuntive natyrale te saj, sot është një nga piktoret më në zë të vendit tonë. Prej më shumë se 25 vjetësh ajo i është kushtuar tërësisht pikturës.

Violeta Kongo – korçarja që mbush 74 vjeç, më 1 mars – vjen me një profil të plot e të bukur në këtë zhanër piktorik.

Shajet e pikturuara me akrilik nga ish-spikerja e Radio Tiranës kanë ngjyra të ngrohta, me një kontrast të bukur dhe harmonik.

Violeta Kongon, shumëkush e njeh si gazetaren e radiotelevizionit, e cila me zërin e saj kumbues e të ngrohtë na përfshinte në botën e informacioneve të të gjitha fushave.

Në vitet ’60 e deri ’90 punoi në profesionin e folëses, redaktores dhe drejtueses së shumë emisioneve në Radio Televizionin Shqiptar.

Puna plot pasion dhe vullneti për të përqafuar profesionin e bëri një nga gazetaret me të njohura të mediave televizive dhe radiofonike në vendin tonë.

Në moshë të re punoi si redaktore dhe drejtuese e konkurseve të të rinjve gjimnazistë. Në fund të viteve ’80 u emërua Drejtore, dhe artistë të skenës së “Teatrit Kombëtar të Kukullave” e njohin Violetën si drejtuese, organizatore dhe administratore të zonjën, profesioniste dhe të respektuar në mesin e punonjësve që ajo drejtoi.

“Kur vizatoj zemrat mbi mëndafsh, qoftë në ngjyrë të kuqe, të gjelbërt, blu a të bardhë, më bëhet se prek shpirtin njerëzor. Peizazhi i këtyre casteve përbëhet nga një ngasje e fuqishme për të qëmtuar shpirtra të bukur. Dhe…kujtesa ime mban bajagi te afërm, miq dhe të njohur. Atëherë, them me vete, paska ende shpresë”, shkruan Violeta në rrjetet sociale, ku publikon vazhdimisht krijimet e saj.

“Pikturat e mëndafshta janë delikatesa dhe bukuria femërore, janë lundrimi i ngjyrave mbi valët e mëndafshit, që rrëshqet me paqe mbi trupin njerëzor e që shkakton kënaqësi dhe emocione të pafund”, shkruan studiuesja e artit, Suzana Varvarica, në një profil që ka shkruar për Violeta Kongon,

“Let” ka  teknikën e saj të mirënjohur si “pointiliste” (të piktururit me pika), që iu jep një bukuri të veçantë krijimeve të saj.

Ndjen kënaqësi të veçantë kur vizitorët fotografojnë punët e saj.

Violeta merr pjesë rregullisht në ekspozitat e Grupit Artistik “MURI”, e fundit është ajo e hapur para pak ditësh në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica”, në Fier, ku u prezantua me disa punë të bukura.

Violeta ka hapur edhe ekspozita personale në Shqipëri dhe në Europë

Ekspozita “Soul on Silk” në Pallatin e Europës, Strasbourg (2019)

Poetja ka tërhequr vëmendjen e medias së shkruar dhe televizive.

 

Edhe Violeta nuk mund të shmanget nga tradita e autoportretit.

Kompozimet e saj grafike janë të mirëmenduara dhe përcjellin mesazhe metaforike, të tilla si “sytë e shpirtit”, etj.

Kjo është Violeta. Piktorja e “Shpirtit në Mëndafsh”!

_________

Tiranë, 14 shkurt 2024

Lexo më shumë nga

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.