Kristaq Rama, “Skulptori i Popullit”
Dalta legjendare e Kristaq Ramës i ka dhuruar artit shqiptar vepra madhështore!
Nga Dash Frashëri
Kristaq Rama. “Skulptor i Popullit”!
“Qytetar Nderi” i Durrësit, qytetit dhe ku ai lindi.
Dalta legjendare e tij i ka dhuruar artit shqiptar vepra të mëdha!
Vepra personale ose bashkëkrijime ndodhen sot të shpërndara në të gjithë vendin, të vendosura në natyrë dhe në galeri arti, në muzeume dhe në ekspozita, nëpër institucione kulturore-artistike.
Heroi i Rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinaku, në Durrës. Autor Kristaq Rama
Monumenti “Nënë Shqipëri”, te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë. Autorë: Kristaq Rama, Mumtas Dhrami, Shaban Hadëri
Kristaq Rama, i vlerësuar si një nga skulptorët më të mëdhenj të arteve pamore, ndërroi jetë në kulmin e pjekurisë artistike, në moshën 66 vjeç, më 11 prill 1998, pas një ataku në zemër, pikërisht në studion e tij, përballë një relievi.
“Kristaqi iku për të mbetur i pavdekshëm. Ai shkoi shumë herët, por do të rrojë gjatë. Ai ka mbetur në gur, në bronx, në themele të palëkundura. Kristaq Rama do të mbetet si një ndër skulptorët më të shquar monumentalistë. Ai në fakt vetë ishte monument”, shkruajti piktori Kujtim Buza, djali i të madhit Abdurrahim Buza, në një shkrim homazh për Ramën, ditën e largimit nga jeta të tij.
Kristaq Rama, së bashku me Vilson Kilicën, Danish Jukniun, Sali Shijakun, Shaban Hadërin, Guri Madhin, Ksenofon Dilon, Mumtas Dhramin, ndikuan shumë në zhvillimin më tej të arteve pamore shqiptare.
“Siluetet elegante dhe përkujdesja e sensit të bukur të Kristaqit, kur bashkohej me vrullin e kompozimin dinamik të Muntazit, plastikën e modeluar të Shabanit, vepra e tyre monumentale bëhej e bukur dhe madhështore”, shkruan Buza.
Kristaq Rama, si pedagog përgatiti disa breza skulptorësh të ardhshëm në Akademinë e Arteve në Tiranë, atje ku studoi më pas për pikturë edhe djali i tij, Edi Rama, ish-ministër reformator i Kulturës dhe ish-kryebashkiaku modernizues i Tiranës.
“Çdo paradite feste kombëtare, kur qyshse për shkak të detyrës shkoj tanimë prej 20 vjetësh, tek Nëna Shqipëri a tek Heronjtë e Pavarësisë në Vlorë. Pasi vendos kurorën, përulem dhe pastaj ngre kokën drejt lartësisë së veprave që ai la dhe nga qielli më vjen buzëqeshja e tij”, shkruan djali i tij, piktori dhe njëherësh Kryeministri i vendit, Edi Rama.
Kristaq Rama është autor i bazorelieviz te Kryeministria, së bashku me skulptorin Hektor Dule
***
Arti ishte një “çështje familjare dhe trashëgimie” për Kristaq Ramën, e lindur në 31 korrik 1932, në Durrësin që po përjetonte një ndikim me aromë italiane, përfshirë edhe influencat artistike që vinin nga vendi fqinjë në kohën e Mbreterisë së Ahmet Zogut.
Nip i një prej piktorëve më të shquar shqiptarë të fillimshekullit të kaluar, Zef Kolombit, vëllai i të jëmës së tij, Veronika Kolombit, i nderuar me titujt më të lartë: “Mësues i Merituar”, “Piktor i Merituar” “Piktor i Popullit”.
Piktori Zef Kolombi (1907-1949)
Zef Kolombi, i cili studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, lindi në Sarajevë (sot Bosnjë-Hercegovinë), nga një baba nga Shkodra, Gjon Kolombi, dhe nënë sllovene, Francisca Hajdovnik.
Pikturat nga Zef Kolombi
***
Me siguri, gjenet artistike të Kolombit të madh kanë ndikuar të Rama i vogël.
Në vitin 1943 familja e tij shpërngulet për në Tiranë, ku 11-vjeçari Kristaq Rama aktivizohet me formacionin e të rinjve komuniste, i mirënjohuri “Debatik”.
Në vitin 1947, vendosi të studiojë në Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e arteve figurative, me disa nga mësuesit më të shquar të kohës, si skulptori i madh Odhise Paskali apo piktori i shquar Sadik Kaceli.
Prej vitit 1951 deri 1954, Kristaq Rama ndoqi studimet e larta në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) të ish-Bashkimit Sovjetik (sot Rusia), ku studion në atelienë e skulptorit Kergin.
Në Shën Petërsburg ndodhet një nga muzetë më të rëndësishëm të artit në botë, i ndërtuar 260 vjet më parë, në vitin 1764 nga Perandoresha ruse, Katerina e Madhe, dhe që sa për statistikë referuese u vizitua nga mbi 2.8 milionë vizitorë në vitin 2022.
Prej 1954 deri 1960 ka qenë student në Akademinë e Arteve të Bukura të qytetit rus.
Në atë Akademi kanë studiuar dhe studentët e tjerë që vite më vonë do të bëheshin mjeshtrit e mëdhej të pikturës e skulpturës shqiptare si Guri Madhi, Vilson Kilica, Sali Shijaku, Jakup Keraj, Agim Zajmi, Llambi Blido, Shaban Hadëri, Thanas Papa, Rafael Dembo etj.
Puna e Diplomës së skulptorit Kristaq Rama
“Kristaq Rama nga periudha e studimeve kujton se: “Në akademi, studentët shqiptarë kishin emër mjaft të mirë, sidomos piktorët… Vitin që erdhi Z. Shoshi, profesori e pyeti nga ç’vend ishte dhe kur Zefi iu përgjigj se ishte shqiptar, ai i thotë: “Oh, me siguri talent”! Dhe nuk ia pa punën fare. Kujtonte se nga Shqipëria do të dërgoheshin gjithmonë talente si Saliu e Guri”, shkruan studiuesja e njohur Suzana Varvarica Kuka, në monografinë e saj: “Kristaq Rama – Monografi”.
***
Pas diplomimit Kristaq Rama u kthye në Shqipëri (1960) ku punoi fillimisht si inspektor i arteve figurative në Ministrinë e Kulturës duke dhënë njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Më pas drejtor në Galerinë Kombëtare të Arteve, si dhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Kulturës. Pas vitit 1970 i dedikohet tërësisht skulpturës.
***
Kur Byroja Politike e dikurshme e Partisë së Punës vendosi ngritjen e Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, me rastin e 60-vjetorit të Pavarësisë, në vitin 1972, ai iu besua tre skulptorëve të shquar: Kristaq Ramës, Mumtas Dhramit dhe Shaban Hadërit. Një vepër shumë impenjative dhe që mori mijëra orë punë.
Kristaq Rama, duke punuar një nga figurat pjesë e Monumentit të Pavarësisë.
Monumenti ka një lartësi prej 17 metrash, është i derdhur i tëri në bronz dhe qendron te “Sheshi i Flamurit”.
Grupi skulpturor – ku në qendër është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar – është një nga më të bukurit e krijuar ndonjëherë. Është nderuar me Çmimin e Republikës, Klasi i Parë. Është një nga arritjet më të shquara të skulpturës monumentale, kushtuar luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare
Foto e vitit 1972, në rreth Kristaq Rama
Skulptorin Kristaq Rama e tërheqin figurat historike. Aktet e tyre patriotike. I punon me shumë dashuri veprat.
“Shote Galica” në Kukës, “Kushtrimtari” në varrezat e dëshmorëve në Bajram Curri, përmendorja e “Baba Faja Martaneshit” në Mat, monumenti i “Ndrecës” në Mirditë, në Durrës ajo e dëshmorit të parë të Luftës Nacional-Çlirimtare Mujo Ulqinakut, në Vlorë përmendorja e atentatorit të Esat Pashë Toptanit, Avni Rustemit, përmendorja “Bijtë e saj “në Korçë, monumenti i Kostandin Kristoforidhit në Elbasan, disa prej të cilave janë realizuar në bashkëautorësi.
“Monumenti im i parë ka qenë bashkëpunim me Kristaq Ramën. Ky monument i kushtohet Kostandin Kristoforidhit. Është një punë e madhe me shumë përgjegjësi. Monumenti është vendosur në Elbasan ku ndodhet edhe sot. Pra, është monumenti im i parë dhe bashkëpunimi im i parë me Kristaq Ramën. Më pas me të do të kisha shumë bashkëpunime. Kristaq Rama ishte i talentuar, por mbi të gjitha një intelektual i aftë dhe shok i mirë”, tha Skulptori i Popullit, Mumtas Dhrami, gjatë një interviste për gazetën “Telegraf” (11 nëntor 2023)
Kristaq Rama ka bashkëpunuar edhe me skulptorin tjetër të njohur, Hektor Dule.
Kristaq Rama ka qenë edhe pjesë e grupit të punës që punoi për ngritjen e Muzeut Historik Kombëtar
Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit.
Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij.
Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi e shumë të tjerë.
Komandanti ilir, Bato. Vepër e Kristaq Ramës.
***
Edhe Kristaq Rama, si çdo artist dhe skulptor në Shqipëri dhe në botë, nuk mund t’i shmangej “rregullit të pashkruar” të artit, krijimit të nudove artistike.
Një pjesë ë mirë e veprave të Kristaq Ramës i takojnë fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve Figurative. në Tiranë.
***
Kristaq Rama duket se ka bërë një pakt të përjetëshëm me artin. Pavdeksinë. Përmes veprave të tij!
___________________
Tiranë, 16 shkurt 2023