Bariu me shall portokalli

(Me rastin e datëlindjes së Piktorit të Popullit Nexhmedin Zajmi)


Nga Agim Janina

Piktori Nexhmedin Zajmi, kishte ngritur kavaletin mbi një bregore të vogël, mbuluar me gurishte dhe po pikturonte peizazhin përpara. Ishte në Gur të Bardhë të Burrelit.
Veriu gjithnjë i kishte pëlqyer për karakterin e thyer alpin dhe thjesht se vetë ishte me origjinë malsore, nga Tribishti i Dibrës, fshati më i madh i zonës. Kishte mbaruar Akademinë e Romës për pikturë.
Ndërsa kishte disa kohë, duke pikturuar, dëgjon disa këmbora dhe pas një shkëmbi të madh, në një udhë të ngushtë, më shumë si dhiare u shfaqën delet e para. Pas tyre kërcyen dy qen, duke lehur dhe në fund, u shfaq silueta e një bariu më kërrabë në dorë. Si qetësoi qentë, iu afrua piktorit.
U përshëndoshën dhe bariu e ftoj të dridhte një duhan, duke i zgjatur kutinë metalike. Iu përgjegj se nuk e pinte. Bariu drodhi një për vete dhe zunë bisedë.

Piktori la punën dhe ndoqi bisedën e bariut, duke e vështruar me kujdes. Po e tërhiqte gjithnjë e më shumë fizionomia e tij. Në kokë mbante një shall ngjyrë portokalli, me të cilin mbështillte kokën dhe qeleshen. Vetullat e rëna i binin mbi sytë e zinj, hunda e drejtë dhe një palë mustaqe të gjata, mbi mjekrën katrore i jepnin një pamje burrërore me këmishën e hapur në gjoksin e rreshkur.
– Nga të kemi ? – e pyeti.
– Nga Tirana.
– Ç’punë bën ?
– Piktor.
– Ju pëlqen ky vend ?
– Ndaj po e pikturoj.
Ndërkohë bariu e mbaroi së dredhuri cigaren, e ndezi me eshkë dhe si e thithi duke futur futur brenda mushkrive, e nxorri tymin më forcë. Ia bëri:
– He… nga Tirana…. Dikur ky vend ka pasë burra !
– Edhe tani ka, nxitoi të shtonte piktori.
Tjetri tundi kokën, thithi edhe një herë cigaren e vijoi:
– Dëgjo të të tregoj një histori. Shumë vite më parë, në Tiranë dikujt i ishte sëmurë vajza dhe mjekët e atyshëm i kishin thënë ta dërgonte në Vienë për ta operuar.


Ndërkohë Zajmi hoqi nga kaveleti telajon me peizazhin dhe si vuri një telajo të re, zuri të pikturonte bariun. Tiparet një e nga një, silueta e kokës me shallin mbështjellë, balli i gjërë, sytë e thellë, mustaqet e holla e të gjata…
– Nga se vuante vajza ? – e pyeti sa për të ngarë bisedën.
– Nuk di më gjatë, por kështu i thanë mjekët në Tiranë. Ai nuk kishte lekë dhe u kujtua për mikun, që kishte në këto anë. I dërgon një lajms me një letër kërkesë. Lajmësi takon mikun dhe i jep letrën e shkruesit nga Tirana. Tjetri e merr dhe e lexon në heshtje, duke e mbajtur para syve disa çaste, pa i kthyer përgjigje.
Bariu tregonte dhe interpretonte. Shumë njerëz e kanë aftësinë e të treguarir bukur dhe i interpreruese me fytyrë e lëvizje të duarve. Bariu ishte një i tillë. Zajmi dëgjonte dhe pikturonte.
– Çfarë i shkruante në letër ? – pyeti.
– Hë… i shkruante, “mik i dashur, kam vajzën sëmurë dhe mjekët në Tiranë nuk i bëjnë derman. Më duhen treqind napolona ta dërgoj në Vienë ta shpëtoj”.
Ai e lexoi dhe zuri të mendohej.
Bariu i mbërtheu sytë, ktheu paksa kokën, u vrenjt sikur të ishte personazhi, që tregonte.
– Ç’ndodhi ? – e ngacmoi Zajmi.
Bariu thithi edhe një herë cigaren.
“A po të vjen keq për lekët, që po të kërkon miku prej Tirane a” ? – ia bëri lajmësi.
Malësori i hodhi një vështrim të ftohtë, ja kështu. Bariu ngriu me vështrimin e ngulur mbi Zajmin. pastaj vijoi, – dhe iu përgjegj:
“Po më vika keq për mikun nga Tirana, që paska një lajm si ty” !
“Pse kështu ?!
“Nuk po më vjen keq për lekët, që më kërkon, por po mendoj se sa ngushtë më ka rënë miku, që në gjithë atë Tiranë, nuk gjeti dikë për t’i kërkuar para borxh për të operuar vajzën e sëmurë, por të ka nisur ty për t’i kërkuar deri këtu. Ndaj po mendoj se sa t’i jap më shumë. Na merri pesëqind napolona dhe çoja mikut prej Tirane…”
Ndërkohë që malsori fliste Zajmi e kishte mbaruar portretin. Sot ai ndodhet në fondin e Galerisë Kombëtare në Tiranë…
Një koleg i tij shprehej, se kur Zajmi bënte portrete, peneli i tij kullonte mjaltë. Aq jetësor, real, të interpretuar i bënte…

Lexo më shumë nga

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.