Hiri i pashuar dhe dhimbja e skulptores së parë shqiptare

Në nderim të skulptores Kristina Koljaka


Nga Agim Janina

Shtëpia dhe studioja e skulptores Kristina Koljaka ka qenë në hyrje të “Rrugës së Durrësit”, menjëherë pas Ambasadës së Vatikanit. Apartamenti ishte në katin e dytë.
Një ditë dimri të largët morëm rrugën drejt studios së saj…
Derën e hapi një grua e moshuar, flokëthinjur, me sy të gjallë, të kaltër me një lëngëzim të lehtë të tyre. Tregonte e shkathët e shumë e gjallë. Megjithëse fytyra ishte mbuluar nga rrudha të imta, tiparet i kishte të rregullta e tërheqëse, gjë që tregonte se në rininë e saj do të kishte qenë grua e bukur. Flokët e prera shkurt, pak nën veshë, do t’i kishte patur të verdhë e tani që ishin thinjur, kishin marrë një ngjyrë të argjendë me një shkëlqim të butë, i cili pasqyrohej më shumë nën bardhësinë e lëkurës.

Kur buzëqeshte, buzët e holla i lëshonin një buzëqeshje të ëmbël e sytë shikonin me dashuri, ndonëse pak si të shuar e të brengosur nga një lodhje e thellë. Ishte veshur thjeshtë me rrobat e shtëpisë. Në mes kishte lidhur një përparëse me rripa në qafë. Duart i kishte të lagura nga uji kur trokita në derë.
– Më falni që nuk po ju jap dorën. – tha – Po laja…
U paraqita dhe i tregova shkakun e vizitës. Kërkoja të bëja një intervistë mbi krijimtarinë e saj. Më dëgjoi më këmbë pa më ftuar brenda, në heshtje, pa më ndërprerë e duke më hetuar me sy. Kur mbarova tha:
– Kam dy vjet që kam hequr dorë nga të gjitha… nga të gjitha…! Nuk merrem më me skulpturë… Më tha djali që më kishit kërkuar. Ju faleminderit, por nuk mundem… nuk mundem të flas për skulpturën e për vete…

Kanë ardhur edhe të tjerë si ju. Më kanë kërkuar të jap intervista. Asnjëherë nuk kam pranuar… S’kam ç’të them më… Pse me mua?! Shkoni gjetkë. Ka artistë të tjerë që kanë vepra të mira… Unë nuk kam vend as se ku t’ju pres… Në shtëpi nuk ju fus dot… Kam një nip të sëmurë…
Skulptorja më vështronte ngultas në sy. Fjalët i rrodhën shpejt e shpejt e pak me turbullim. Më ngjalli një ndjenjë të çuditshme dhe më erdhi keq, shumë keq. Dukej tej mase e lodhur nga jeta.
– Desha diçka më shumë të dija nga ju. Nesër për ju do të flitet e shkruhet. Vepra juaj…
– Eh… nesër, – më ndërpreu ajo e lëshoi një pshetërimë të thellë, buzëqeshi hidhur e rrudhi ballin e bardhë. – Nesër… Unë dua sot. Pa nesër kur të vdes, ç’më duhet?
– Edhe sot ka njerëz që ju kujtojnë e flasin për veprën tuaj. Ju jeni e vetmja grua skulptore e traditës… Për ju do të flitet e duhet të flitet.
Në sytë e skulptores u ndez një dritë e ngrohtë. Pashë që po lëkundej në mendime. Nuk vendoste të takohej apo të më përcillte. Në ballë i lexoheshin qartë mendimet që i kalonin me shpejtësi në medyshjen të pranoj, të mos pranoj? Në fund tha:

– Këtu në shtëpi nuk mund t’ju pres. – heshti një çast e shtoi si e pasigurtë – Veç në u takofshim jashtë… le që edhe… mos u merrni me mua… ka artistë të tjerë…
– Unë dëshiroj të takohem me ju. – ia ktheva e shtova me të shpejtë, kur pashë që ishte thyer. – Ja takohemi jashtë. Shkojmë këtu pranë te “Kafe Flora”, pimë edhe ndonjë kafe e biseojmë për artin.
Heshti. Vazhdonte të më hetonte ngultas me sytë e kaltër, pak si të përlotur.
– Nuk di si të them… Kam shumë punë…
– T’ju pres poshtë?
Pyetja u end një çast pezull. Ajo nuk po vendoste. Luftonte me veten, mblodhi buzët e balli iu rrudh përsëri:
– Epo… mirë… – tha e shtoi me shpejtësi, për gjysëm ore do të zbres poshtë, por po ju lajmëroj: nuk do të rrimë shumë… nuk kam kohë. Kam shumë punë për të bërë. Fëmija i sëmurë ka nevojë për mua… Ja erdha sa të bëhem gati.
Skulptorja humbi pas derës së apartamentit.

Zbrita shkallët e dola jashtë në rrugë. Koha është e bukur, ndonëse ka rënë një mjegull e lehtë si një tymnajë masive, që endet rrugëve, duke mbuluar deri majat e pishave të larta. Disa re të vogla gri e zënë herë pas here diellin që ngroh.
Iu afrova “Kafe Florës” dhe hodha një vështrim brenda. Salla e madhe ishte e mbushur plot. Kamarieret me bluzat e bardha, shkonin e vinin me tabakatë në duar sa në një tavolinë në tjetrën. Xhamat e mëdhenj të dritareve pas perdeve prej cohe të bardhë ishin veshur me avuj të ngrohtë. Në tavan endej një masë e madhe tymi. Asnjë tavolinë nuk ishte e lirë.
Nuk ishte vend i përshtatshëm. Dola jashtë e qëndrova pranë pallatit të skulptores në pritje të saj. Pas pak ajo zbriti. Kishte veshur një pallto të trashë e rreth qafës i mbështillej një shall i hollë mëndafshi. Buzët i kishte lyer shpejt e shpejt me të kuq. Flokët sapo i kishte krehur, sepse disa fije të argjenda i kishin rënë supeve. Në dorë mbante një çantë të vogël grash.
– Keni kohë që prisni? – pyeti me mirësjellje.
– Sapo erdha. “Kafe Flora” është e mbushur plot… Duhet të gjejmë ndonjë vend tjetër.
– A ulemi më mirë në ndonjë lulishte në ajër të pastër. – propozoi ajo. – Koha është e bukur. Nuk më pëlqen të rri lokaleve.

Morëm rrugën drejt “Sheshit Skënderbej”, lamë pas disa ndërtesa, kaluam Teatrin e Kukullave e dolëm në Bulevardin e Madh, për t’u ndalur e ulur në një nga stolat e “Parkut Rinia”. Rrugës ecëm shumë shpejt dhe në një çast e pyeta skulptoren:
– Mos po ecim shpejt e lodheni?
– Jo aspak! Eci shpejt. E kam në natyrë. Një shok sportist, i cili ka qënë edhe kampion në ecjen sportive thotë, “Kur ecën me Kristinën duhet të matesh mirë!” Sot është koha e lëvizjeve të mëdha, e dinamizmit në jetë dhe njeriu sikur është larguar disi nga arti. Rrallë gjen të rinj që të flasin me pasion për artin. Kanë kërkesa të tjera. Për mendimin tim vizatimi e muzika duhen futur edhe në shkollat e mesme. Jo për të përgatitur piktorë e muzikantë, por nxënësit të marrin disa njohuri më të plota për to. Të dinë të bëjnë një skicë të thjeshtë me laps, apo diçka tjetër, apo të modelojnë ndonjë figurë, si dhe t’i bien ndonjë vegle muzikore… Kështu do ta njohin më mirë artin e do ta vlerësojnë punën e artistit.
Kur u ulëm e zumë vend në një stol e pyeta Kristinën, se si i kishte lindur dëshira për t’u bërë skulptore. Ajo u mendua një hop e u përgjegj:
– Unë përpara se të mësoja të flisja, kam marrë në dorë qymyrin e vizatoja, zhgaravisja me të mureve, në dysheme. Që fëmijë e kam patur pasion vizatimin. Çdo fëmijë e ka pasion vizatimin. I keni parë ata në plazh? Rrinë bregut të detit duke ngritur kështjella me rërë, bëjnë ndonjë figurë, hapin gropa, ndërtojnë figura të ndryshme.
Ja aty në ato figura e ka fillesën, burimin arti. Çdo fëmijë ka talent, por problemi është se kush e vazhdon atë deri në fund. Unë pata mundësi ta vazhdoja e ta zhvilloja talentin deri në fund dhe kështu u bëra artiste, skulptore.

– Kur jeni bërë ju skulptore është një kohë e largët. Vendi ishte shumë i prapambetur, artistët numëroheshin me gishta, për të mos thënë që mungonin fare, pa le të bëhej fjalë për një grua artiste e aq më shumë skulptore. Keni pasur vështirësi e pengesa?
– E tillë ishte koha. Femra as që mendohej se mund të bëhej artiste. Ishte absurditet. Padituri e madhe. Në shtëpi gjeta një mjedis të ngrohtë. Babai ishte intelektual, inxhinjer i zoti, quhej Jani Koljaka, dinte 12 gjuhëve të huaja. Nëna quhej Angja Petro Bidoshi dhe patën 7 fëmijë. Unë kam qenë fëmija i dytë. Një dajë ishte po intelektual. Kështu që m’u krijuan mundësitë për të vazhduar shkollën.
Mbas mbarimit të shkollës fillore, shkova në Itali, ku u rregjistrova në Lice. Në Itali qëndrova e studiova nga viti 1930 e deri më 1934. Jam diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës, në ateljenë e profesor Angelo Zanelli. Mbas mbarimit të studimeve u emërova si mësuese vizatimi në Institutin Femëror në Tiranë. Isha shumë e re. Vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe.
Në Instututin Femëror kishte vajza shëmbullore që donin të mësonin e që vizatonin bukur. Kur shkova në aty, programi i shkollës nuk parashikonte lëndë vizatimi. Shkova në Ministrinë e Arsimit dhe u ankova. Me zor e rregullova të fillonte lënda e vizatimit.
Program nuk kishte e askush nuk mund të më ndihmonte. I bëra vetë programet. Përpiqesha shumë ta bëja mësimin sa më tërheqës për të afruar nxënëset me vizatimin.
Vajzat rrinin urtë e më respektonin, tregonin edhe interes dhe përpiqeshin t’i bënin sa më mirë ato ç’ka u jepja për të vizatuar. Çuditem sot me disa mësuese të reja, ish nxënëse të mia, të cilat më ankohen se nuk më dëgjojnë nxënësit në orën e mësimit. Me të vërtetë çuditem. Nxënësit gjithmonë më kanë dëgjuar e ndjekur me dëshirë në orën ë mësimit.
Në mjediset e Institutit Fëmëror mora edhe një dhomë, të cilën e rregullova si studio e punoja aty. Brezi i ri atëhere kishte dëshirë të madhe, kush e kush të vinte më parë në orën e mësimit. Vajzat shpesh më thonin:
“Profesoreshë, dua të qep një fustan. Si ti qendis lulet në jakë?”
U thoja:
“Ja dilni fushave e shikoni lulet se si i ka krijuar natyra. Ashtu me ngjyrat e format e tyre i qendisni edhe ju fustanet tuaja!”
Nga nxënëset Safo Marko ishte më e talentuara. Ajo u bë piktore.
Në ato vite kam bërë veprën time të parë. Shikoni këtë fotografi – skulptorja hapi çantën e nxori një zarf. Brenda tij ishin një tufë me fotografi. – Ja kjo. Është një shoqe e ngushtë. Nerina e quanin. – tregon një fotografi, ku kishin dalë disa vajza. – I bëra bustin. – Ja shiko këtu. E punova një herë në allçi, pastaj e gdhenda në mermer. Veprën e ka Nerina në Itali. E ekspozova në ekspozitën që bëmë atje dhe ka marrë çmim.
Më vonë në ekspozitën e vitit 1951 kam marrë çmim të parë me kompozimin “Pyllëzimi”. Në vitin 1952 vijnë e më thonë të bëj një monument për Leninin. Nuk pranova për shumë arsye. E para, nuk kisha bërë skulptura mbi dy metra. Vepra ishte me rëndësi e përgjegjësi të madhe. Lenini ishte udhëheqësi i proletariatit botëror e jo një figurë dosido. Pastaj kisha edhe probleme shtëpie. Nuk e bëj – u thashë. Por ata më thanë:
“Ne kemi shumë besim në aftësitë e talentin tënd, ndaj ta kemi besuar ty monumentin e Leninit!”
Mirëpo unë e dija që monumentin e Leninit ia kishin ngarkuar skulptorit Llazar Nikolla. Nuk ishte mirë që unë të merrja një punë që i ishte ngarkuar atij. Llazari ishte burrë shumë i mirë. Shkova dhe e takova.
“Më ka zënë një hall i madh!- i thashë. – Më thonë të bëj Monumentin e Leninit.”
“Merre!– ma ktheu ai menjëherë. – Kështu shpëtoj edhe unë. U përpoqa shumë, por nuk e bëra dot!”
Siç të thashë skulpturë mbi dy metra nuk kisha bërë. Më e madhja ishte skulptura “Ushtari rus”, i cili u pëlqye shumë dhe e mori Muzeu i Luftës më pas. Ndërsa Lenini do të ishte katër metra dhe koha e punimit vetëm për nëntë muaj. Duhej të përfundonte shpejt.
“Kërkoni sa para të doni!” – më thanë.
Duhej lidhur kontrata. Sa të kërkoja? As shumë nuk doja të merrja, por edha as pak. Vetëm hakun tim. Aq sa më takonte. Mbeta e nuk po vendosja dot. Me kë të këshillohesha? U nisa për tek një skulptor i njohur dhe kishte përvojë. Ai do të më thoshte se sa duhej të kërkoja…
Dale ç’bën kështu – u hodh skulptorja, kur pa që unë po mbaja disa shënime të shkurtra. – Këto mos i shkruaj. Nuk janë për t’u shkruajtur… Aman të keqen!
Lashë stilografin e u ktheva nga skulptorja.
– E pra shkova tek i njohuri im – vijoi ajo rrëfimin. I thashë se sa lekë të kërkoja. I njohuri më thotë:
“Unë për monumentin tim, mora njëqindmijë lekë. Ti kërko tetëdhjetë mijë lekë!”
Ai kishte marrë jo njëqind mijë, por shtatëqindmijë lekë për monumentin e tij. Ja kështu ma punoi…!
– Sa ore…fiu…! – më shpëtoi një thirrje e pavullnetshme nga shuma e madhe që përmendi skulptorja dhe ndryshimi i madhe me atë që kishte marrë ajo nga puna e saj.
Kristina buzëqeshi.
– Po… po… shtatëqind mijë lekë!Unë edhe tetëdhjetë mijë lekët nuk i mora. U katandisën në gjashtëdhjetë mijë… Atë kohë nuk dija gjë. Kur mora vesh, m’u kujtua një episod.
Në kohën kur Rafaeli punonte dhomat e Vatikanit me afreske, Mikelanxhelo merrej me dekorimin me afreske të Kapeles Sikstinës. Të dy nuk shkonin me njëri tjetrin.
Mikelanxhelo punonte i vetëm, i pashoqërueshëm, shumë kryelartë e krenar. Rafaeli i ëmbël, tip i afrueshëm, i shoqërueshëm. Ai shkonte herë pas herë të shikonte punët e Mikelanxhelos dhe u ndikua nga arti i këtij të fundit. Mori nga Mikelanxhelo forcën, por ruajti ëmbëlsinë e figurave. Kur Mikelanxhelo pa afresket e Rafaelit, dalloi forcën e tij në to. E quajti Rafaelin vjedhës dhe u zëmërua keq me të.
Kur Rafaeli lidhi kontratën parashikoi një punë të vogël, ndaj nuk kërkoi shumë para. Mirëpo kur afresket përfunduan, ato i tejkalonin parashikimet e tij, ndaj kërkoi të shpërblehej më shumë. Në komisionin që u fomua me këtë rast, antar ishte edhe Mikelanxhelo. Rafaeli mendoi se e kishte humbur davanë. Patjetër që Mikelanxhelo nga inati do të votonte kundër dhe fjala e tij peshonte shumë në vendimin që do të merrte komisioni. Mirëpo Mikelanxhelo jo vetëm që nuk doli kundër kërkesës së Rafaelit, por ishte nga të parët e më të zjarrtët që foli në dobi të punës dhe kërkoi të paguhej më shumë.
Nuk thonë kot, gjeniu mbetet kurdoherë gjeni!– fola.
– Eh… – psherëtiu Kristina. – Le të vazhdojmë. E kishim fjalën te Monumenti i Leninit. I hyra punës për realizimin e tij. Punoja me shpirt ndër dhëmbë, plot nëntë muaj rresht pa bërë asnjë ditë pushim. Këtej kisha hallet e shtëpisë me të larë e më të fshirë, me drekë e darkë, me pazar e me fëmijë të vogël. Të gjitha punët i bëja vetë. Burri as që donte t’ia dinte fare se ç’po bëja unë.
Gjatë gjithë kohës që punova monumentin, nuk erdhi një herë në studio të më shikonte, të më pyeste, të më jepte një mendim apo të më shtynte të punoja. Asnjë nga këto! Gjithë ditën merresha me punët e shtëpisë e nuk më dilte koha të pushoja e të punoja për monumentin. Si e pashë punën kështu fillova të punoj natën nga ora katër deri në tetë e njëmbëdhjetë të mëngjesit. Burri i donte të gjitha…. të gjitha!
Kur harrohesha ndonjëherë pas punës, vinte djali e më thërriste që poshtë në skelat e larta, ku kisha hypur:
“Mami më hahet bukë!”
Ishte fëmijë i vogël, e merrte urija e donte të hante. Kush t’i jepte për të ngrënë? Ç’të bëja? Lija punën, zbrisja poshtë, ushqeja djalin, e laja e përgatisja dhe e nisja për në shkollë.
Monumentin e mbarova me një mijë mundime. Pastaj nxora negativët në tasele allçije e po prisja të derdhej. Prisni!– më thonin dhe nuk po e derdhnin. Mirëpo taselet e allçisë, po qëndruan për kohë të gjatë deformohen e prishen.
Derdhini!– u thoja me ngulm – se po prishen format!
Shty sot e shty nesër e ditët kalonin. Isha shumë e shqetësuar. Kisha frikë se më ikte mundi kot. Gjithë ato muaj, netë pa gjumë, lodhje mundime. Më në fund u dha leja e filloi derdhja.
Me që nuk kisha derdhur një statujë kaq të madhe, shkova pyeta përsëri të njohurin i mësipërm, të më tregonte se si të veproja, nga t’ia nisja. Edhe këtë rradhë ma punoi. Derdhe në vend! – më tha. Të tijën e derdhi në studio, kurse mua më tha ta derdhja në vend. Mezi u gjet vendi, njëherë. Nuk po vendosej se ku do të rrinte monumenti. Kishte mendime të ndryshme, derisa përfundimisht u caktua aty ku është sot.
Si u caktua vendi ku do vendosej monumenti, e rrethova me hasra kallami dhe fillova nga derdhja në beton. Kështu ishte vendosur, që monumenti do të derdhej në beton. Filloje nga këmbët!– më tha i skulptori i mësipërm. Mirëpo kur vura format e dyta, ato mbi gjunjë, pashë e tmerruar që luanin me katër gishtrinj nga të parat. I barazoja në një anë, dilnin shumë nga ana tjetër. Ç’të bëja?!
Nga ti vendosim – më pyesnin muratorët – nga e djathta, apo nga e majta?
Lere ç’e pyet, ç’kam hequr!U shpërfytyrua figura. Merrja pastaj beton me dorë e shto e ngjesh që të niveloja format. Mu bënë duart gjak e plagë, më dhimbnin e më therrnin. Apo nuk ra edhe një shi gjatë gjithë kohës! Mirëpo do ti, jo vetëm që nuk u ftoha e u sëmura, që lagesha e bëhesha qull nga shiu, por as rrufë e as kollë nuk pata ndonjëherë.
E kisha nga dufi i punës, i cili më vlonte nga brenda. Kur nuk u sëmura këtë rradhë, – u thoja muratorëve, – nuk kam për t’u sëmurur kurrë!
Vendi i rrethuar përqark monumentit ishte i vogël. Nga jashtë nuk dukej asgjë se ç’bënim ne brenda rrethimit. Nuk shikoja dot, se si po dilnin format, si lidheshin ato me njëra tjetrën.
Edhe kur e punoja në studio, e cila ishte shumë e vogël, nuk kisha se ku të vërtitesha. Më erdhi njëherë aty për vizitë një piktor hungarez. E mora të më jepte ndonjë mendim për monumentin, ndërsa ai çuditej dhe vetëm ia bënte me habi, “Si ke punuar në këtë studio kaq të vogël?! Si ka mundësi?!”
“Lere studion, por më thuaj si të duket puna? – i thoja, por ai nuk fliste, vetëm habitej dhe mblidhte buzët.
Monumenti u inagurua në vitin 1954. Ka qenë një inaugurim madhështor, nga më të mëdhenjtë që ishte bërë deri në atë kohë.
U shoqërua më një meting shumë të madh. Enver Hoxha hoqi mbulesën që i kishim hedhur sipër dhe më mori pranë vetes. Unë isha gjithë frikë se si do të kishin dalë ngjitjet e formave, se mos ato kishin ndonjë deformim. Dang!– ma bënte zemra në kraharor dhe fillova të tërhiqem pas, për të parë më mirë, nga që ishin shumë pranë Monumentit dhe nuk shikoja mirë. Enveri në krah timin më pa me habi ç’po bëja, pse po ikja pas…
Kur të gjithë njerëzit u larguan qëndrova për të parë më mirë Monumentin. Rrotull tij kishin qëndruar disa grupe njerëzish që vazhdonin të shikonin. Më afrohet një burrë. Ishte rrobaqepës e më pyeti se sa më kishin paguar për Monumentin. I dhashë shifrën.
“Paske qënë fare!– ma ktheu. – Aq sa ke marrë ti, unë i marr për tre javë!”
Nuk më erdhi mirë dhe ia ktheva përgjigjen si duhej. Nejse…! Më tutje ishin një grup grash të mbuluara me perçe të zezë në fytyrë. Zbulonin me droje sytë dhe vështronin me kurreshtje Monumentin e pastaj hidhnin vështrime të çuditshme nga mua. Njëra prej tyre mori guximin, u shkëput nga grupi dhe u afrua pranë.
“Megjithë mend ti e ke ba këtë Monument?” – më pyeti me mosbesim me sytë e hapur tej mase.
“Po, unë e kam bërë!”
“Si moj ti e paske ba?! Kjo është punë burrash si ke mujt ta bash?”
“Pse ç’kanë burrat, brirë!”
Grave u vinte çudi e filluan të më shikonin me një admirim shumë të madh.
Më vonë Monumenti i Leninit u vendos të derdhej në bronz. E para skulpturë që u derdh në Shqipëri në bronz ishte vepra ime. Domosdo isha grua, prandaj! Të ishte ndonjë tjetër do ta kishte derdhur jashtë shtetit…
E shikon se sa i trashë e i shëndoshë ka dalë shtatorja e Leninit? Nuk e kam pasur kështu në baltë. Tani derdhjes ia kanë marrë dorën, por atëhere nuk dinin. I bënë mbi tridhjetë e pesë prerje. Pse e bënë këtë? Domosdo isha grua, prandaj!
Kështu Agim. Të ishe skulptore në atë kohë ishtë shumë, shumë e vështirë. Jo vetëm vajzat ishin të rralla si skulptore, por edhe djemtë në Lice Artistik nuk donin të bëheshin skulptorë. Edhe në Romë kur studioja për skulpturë, e vetme isha. Vajzat italiane i donin duart të pastra, të bukura, të pavrara. Unë duart i kam plot kallo. Italianet studionin për pikturë, art dekorativ, ndërsa skulpturës i largoheshin. Unë kisha forcën, pasionin e rinisë që më shtynte drejt skulpturës.
Më kujtohet Muntaz Dhrami kur erdhi në Lice Artistik për të vazhduar shkollën.
Ishte i vogël, ashtu pak i pabindur e kokëfortë e kapriçioz. Filloi Liceun në Degën e Pikturës. E pashë në vizatim. Kishte forcë, shumë forcë.
“Ti do të bëhesh skulptor!– i thashë. – Lere pikturën. Nuk është për ty ajo!”
Me zor të madh ia mbusha mendjen, se nuk donte që nuk donte të bëhej skulptor dhe të hiqte dorë nga piktura. Dhe ja tani është skulptor i mirë dhe ka ngritur plot monumente në Shqipëri.
Shaban Hadëri, kur më takon ndonjëherë dhe bie fjala, më thotë:
“Çuditem me ju se si morët skulpturën?! Nuk ia dalim dot ne që jemi burra e jo ju…!”
Me skulpturën e kam patur tepër të vështirë. Sa herë që laja pjatat më vinte t’i përplasja në tokë e t’i bëja copë e thërrime. Ç’humbas kohën me to?! – thërrisja me vete. Skulptura më kërkonte, doja të punoja, të krijoja vepra të reja, por telashet e shtëpisë, burri që nuk më ndihmonte fare…
– E njihni Liljana Çefën piktore në Shkodër? – e ndërpreva Kristinën. – Kam dëgjuar se asaj burri ia bën të gjitha punët, me larje, gatim, i mban e rrit fëmijët dhe ajo merret me pikturë. Dhe ka bërë punë të bukura.
– He… – psherëtiu Kristina. – Shumë mirë. Unë nuk kam pasur asnjë ndihmë sado të vogël nga burri. Ai as që donte t’ia dinte…
– Ju rron…?
– Jam ndarë prej tij…!
– Më falni që ju lëndova.
– S’ka gjë. – Skulptorja heshti një çast e pezmatuar, pastaj e mblodhi veten e vazhdoi. – Puna e skulptorit është e rëndë, shumë e rëndë. Kush punon, ia di! Do forcë, krahë. Megjithëse mua këto nuk më trembnin. Më mungonte ndihma. Isha krejt e vetme. Doja shumë të punoja, por telashet e shtëpisë nuk më lanë…
– Thonë që tek skulptori zhduket kufiri midis punës fizike e punës mendore.
– Ashtu është!Kristaq Rama thotë: “Ne skulptorët jemi punëtorë me diplomë!”
– Kujtoj portretin e Doktorit Shirokës…
– Doktor Shirokën e kam njohur personalisht. Kishim hyrje e dalje familjare. Ishte njeri shumë i mirë, humanitar i madh. Kur shkoi në Bashkimin Sovjetik e quajtën “Mjeku me duar të arta”. Më tërhoqi tek ai shpirti i madh. Kur i shkonin për vizitë njerëz të varfër, Shiroka nuk u merrte lekë, përkundrazi kishte raste që u jepte. “Shkoni bleni barnat që ju duhen”!– u thoshte.
Kur vdiq, më erdhi shumë keq. Nuk e dija që kishte vdekur. Atë ditë po punoja në studio. Në një çast bëra pushim e dola jashtë studios në rrugë. Pranë në një shtyllë elektriku ishin grumbulluar shumë njerëz e po lexonin një lajmërim vdekje. U afrova dhe hodha sytë. Lexoj emrin e Shirokës. Kam qarë e që aty vendosa t’i bëja portretin…
Kristina heshti e menduar e foli si me vete:
– Ishte njeri i madh, humanitar… Më thonin disa që pse nuk bëra portret tjetër, po bëra Doktor Shirokën? E unë Shirokën doja të bëja dhe e bëra! Vepër tjetër kam bustin e Ali Kelmendit, punuar më 1951 dhe vendosur në qytetin e Korçës. Kam bustin e dëshmorit Gjok Doçi, Hajdar Tafën, Tefta Tashkom Koçon…
Në portrete asnjëherë nuk kam synuar që të marr një fotografi e hajde ta nxjerr veprën, që t’i ngjajë sa më shumë personazhit që krijoj. Dua të jap edhe brendinë e figurës, sigurisht duke patur parasysh edhe formën e jashtme krahas asaj të brendshme.
Në vitin 1981 kur do të ngrihej Muzeu Historik në Tiranë, më thanë të bëja bustin e Ali Kelmendit. Nuk pranova. Nuk kam kushte – u thashë. Ata ngulnin këmbë. Ti e ke punuar edhe tjetër herë dhe të ka dalë bukur – më thonin. Erdhën edhe disa nxënëse të mia, mu lutën dhe ato. Pranova e nuk kisha se si t’ua prishja. Dhe e dini se ku e kam punuar? Në dhomën e gjumit!
Ali Kelmendin e kam punuar disa herë: më 1950, 1952 dhe më 1981. Kam pastaj edhe Bustin e Dora D’Istrias. Skulptorja heshti.
– Nga punimet që keni bërë, kush ju ka kënaqur më shumë? – e pyeta.
– Asnjë! – u përgjegj ajo shpejt dhe vijoi me një ton që shprehte keqardhje e revoltë për të kaluarën. -Të gjitha punët i kam bërë me shumë nxitim. Kështu që asnjëra nuk më ka kënaqur, sepse nuk i kam bërë ashtu siç desha t’i punoja…
Disa nga veprat e mia edhe kanë humbur, apo janë prishur. Kam patur një reliev në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Shkova para ca kohe për të marrë një model të një koke të njërës prej figurave të gdhendura. Nuk e gjeta.
“E kemi çuar në shkollën…” – më thanë, duke më dhanë emrin e një shkolle në kryeqytet.
Shkova ku më thanë. Ata e kishin hedhur në plehra…!
– Si thatë?
– Po… po, në plehra. Ishte thyer e gjymtuar vepra ime. Ç’keni bërë kështu?! U thashë. Kjo vepër i ka kushtuar shtetit dyzetë mijë lekë. Si e keni hedhur në plehra?! Me kë flet…! Ja kështu, e ti thua të punoj! Si të punoj?!
E pashë artisten me keqardhje. Çfarë ti thoja?!
– Në një bisedë televizive me rastin e vdekjes së skulptorit Llazar Nikolla, një koleg i tij kujtoi se dikush e kishte pyetur skulptorin:
“Ku do të të gjej mjeshtër, kur të mos jesh më?”
“Ja aty, në gur bir, aty do të më gjesh!
– Eh… – psherëtiu Kristina, – kështu tregojnë tani, por pa më thuaj mua ç’thoshin më parë? E di se ç’më thoshte Llazari vite më parë? “Po nuk fole, këta të varrosin të gjallë!” Po… po Agim të varrosin të gjallë!
Vepër tjetër kam “Tuneli i Selitës”. Aty kam dhënë edhe atë shkëlqimin e gurëve të tunelit. Tjetër kam “Dita e parë e shkollës”, ku kam paraqitur një nënë të re e cila po përgatit vajzën për në shkollë.
Në fund të bisedës Kristina më tregoi disa fotografi, ku kishte dalë me nipin e vogël.
– Është i paralizuar e nuk flet. – tha. – Kështu ka lindur, por është shumë i zgjuar dhe i pastër. Këtij ia kam kushtuar pjesën e jetës që më ka mbetur…
Skulptorja filloi të fliste për hallet familjare, për studion që ishte gjithë lagështirë e ku kalonin kanalet e ujrave të zeza…
Këtu biseda për artin u këput e filloi jeta e zakonshme…
Vonë u ngritëm. E përcolla artisten deri pranë shtëpisë dhe aty u ndamë si miq. Për shumë kohë u enda rrugëve duke bluar në mendje bisedën më të. Fati i artistit është luftë e vetëm luftë gjithë jetën!
Rekuem…
Bashkia e qytetit Tiranë, në vitin 2000 i jep Kristinës, titullin Mirënjohje e Qytetit të Tiranës, ndërsa qyteti i saj i lindjes e nderon një vit më vonë me titullin Qytetare Nderi”.
Kristina ka qenë një grua e hijshme, me një ecje të shpejtë sikur nxitonte për diku… nxitonte të kapte artin e saj… Një kohë jetoi e vetmuar në apartamentin e saj me studion plot ujë, e harruar…, por jo e vdekur.
Vite më vonë shtegtoi në SHBA, shkoi për nipin, e nuk u kthye më. Vdiq në Çikago në moshën 90 vjeçare e la pas vepra që përbëjnë një dhuratë të bukur për artet shqiptare…
Shoqëria shqiptare dhe arti shqiptar duhet të ulin kokën para kësaj gruaje të guximshme, pasionante, të talentuar dhe sfiduese të kohës, që edukoi breza të tëra artistësh, krijoi vepra të bukura arti dhe u bë shembull emancipimi i femrës shqiptare.

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.