“Lana Tirana Para-Pas Albania”, metamorfoza e kryeqytetit në aparatin e Roland Tashos

Ekspozita është kuruar nga Edit Pula. E hapur në Galerinë e Artit Tiranë, deri më 7 prill 2024.


Nga Dash Frashëri

“Lana Tirana Para-Pas Albania”

Kështu titullohet ekspozitat e fotoreporterit të njohur Roland Tasho, e hapur dje në Galerinë e Artit Tiranë (GAT), me kuratore Edit Pula, njëherësh edhe drejtore e Galerisë.

“Përgjatë gjithë historisë së fotografisë ka patur debate nëse ajo meriton një vend në fushën e artit apo mund të konsiderohet thjesht si dokumentim mekanik i realitertit. Ky debat vazhdon ende dhe sot. Mendoj se të gjitha llojet e fotografive janë pjesë e kulturës pamore.

Rolandi pati dilemë kur erdhi te GAT dhe i propozova një perspektivë më të gjerë për projektin e ekspozitës “Tirana dje dhe sot”, e fokusuar kryesisht në transformimin e tri vendndodhjeve kyçe të Tiranës – lumi Lana, Piramida dhe Pazari i Ri.

E binda Rolandin të hapte sundukun e arkivit të tij, për të na dhënë diçka përtej, diçka nga e shkuara historike, se të tashmen e kemi ndër sy për të parë. Të hapnim një dritare për publikun e ri, për të treguar një ditë nga ajo e përditshme e asaj kohe: punë, paradë, radhë vajguri, pazar për shtëpinë në ushqimore, apo njl kasatë në embëltore pas kryerjes së punëve.

Rolandi ka një arkiv thesar, por është dhe kolonjar që s’jepet kollaj, kështu që kjo ekspozitë paraqet pak fotografi, shpejt dhe shkurt nga ky thesar”, tha kuratorja Pula.

“Pata një debat me drejtoreshën, debat në kuptimin pozitiv. Ne fotografët jo të gjitha fotot i nxjerrim. Disa i ruajmë për qejfin tonë. Fati im i keq ishte që ja tregova drejtoreshës dhe ajo me mënyrën e vet arriti t’i mi nxirrte nga arkivi këto foto. Dhe unë jam i kënaqur, se dhe puna ime del me mirë, pasi solla edhe foto të Tiranës së asaj kohe. Ky ishte dhe konflikti pozitiv që përfundoi me fitoren e drejtoreshës, njëherësh edhe kuratorja e ekspozitës”, tha midis të tjerash fotoreporteri Tasho

Intervista për televizione të ndryshme, të pranishme në përurim.

EKSPOZITA 

Lana, Piramida, Pazari i Ri trasformimi i tyre në kohë, bashkë me një përzgjedhje nga arkivi i rrallë i Rolandit, me foto para dhe pas periudhës së tranzicionit, janë në fokus të kësaj ekspozite fotografike të organizuar nga Galeria e Arteve Tiranë.

PËRURIMI

Në përurimin e saj morën e saj morën pjesë artistë të njohur, dashamirës, familjarë të fotoreporterit.

Edhe unë si botues i DashArt.al dhe TiranaDiplomat.com, mora pjesë në këtë ekspozitë interesante.

Në përurimin e ekspozitës nuk mund të mungonte kurrsesi bashkëshortja e tij Rolandit, Brikena.

Por, si është të jetosh pranë një fotografi të famshëm?

“Sigurisht është një jetë disi e veçantë dhe një pozicion që jo çdokush e ka. Por, sa ndjehesh bukur tl kesh një fotograf apo një artist në krah, normalisht është edhe e vështirë.

Kjo pasi, muza e artistit, në këtë rast e bashkëshortit, Rolandit, për fotografinë është që ne duhet të jemi në momentin që atij mos i ndërpritet procesi i fotografimit, por të jemi në mbështetje të asaj ideje apo projekti që ai ka.

Rolandi ka bërë së fundi një cikël shumë të bukur në Gjirokastër me ambasadorin japonez dhe bashkëshorten e tij. Edhe me trajnerin Xhani De Biazin është shumë e bukur.”, tha Brikena për DashArt.al.

Edhe për Mirela Koçollarin nga Bashkia e Tiranës, ekspozita kishte një të veçantë dhe shume interesante. Ajo është lindur në vitin 1988, pikërisht në vitin që është publikuar edhe kjo revistë “Ylli”, ku ka qenë fotoreporter Roland Tasho.

“Kjo ekspozitë të krijon një emocion të veçantë, pasi ndonjëherë ne i harrojmë kollaj gjërat. Ndonjëherë kur njeriu kalon momente të vështira harresa të bën mirë, por në këtë rast të bën mirë, pasi na tregon vizualisht përmes fotografisë për të kuptuar historinë, vlerat e një vendi, momentet e rëndësishme, zhvillimin e një qyteti.

Tiranën unë e kam përjetuar në disa momente, në metamorfozën e saj, është një moment për të reflektuar për atë që kemi kaluar dhe ku jemi tani. Edhe gjeneza e kësaj ekspozite me foto të para viteve 1990 është interesante për ata që kanë lindur në ato vite dhe nuk e mbajnë mend atë Tiranë.

E diskutova edhe me fotografin Tasho që isha shumë kurioze ta shikoja atë Tiranë të para viteve ’90. Mendoj se e ka arritur objektivin kjo ekspozitë dhe i ftoj të gjithë ta shikojnë, tha Mirela Koçollari.

Artisti Heldi Pema kishte bërë një “shtojcë artistike” shumë interesante te një nga fotografitë e Tashos, duke vizatuar një zgjatim të një fotoje ku ndodhej Lana e dikurshme.

Në një ekspozitë fotografike kaq të bukur, kurrsesi nuk mund të mungonte edhe përshtypja ime!

Ekspozita do të qëndrojë e hapur, deri më 7 prill 2024.

 

Mbi 40 vjet që merret me fotografi 

Roland Tasho është  një ndër fotografët më të njohur në Shqipëri.

I njohur për fotografitë e tij në protestat e dhjetorit të viteve ’90.

Ai ka realizuar edhe këtë foto historike! Sali Berisha, Adrian Klosi dhe Edi Rama.

Por edhe për dhe një sërë albumesh që kanë në qendër komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë.

 

E filloi karrierën e tij si fotograf në vitin 1982 në laboratorin e Ndërmarrjes Komunale ku punoi për pesë vjet. Në periudhën 1987-1992 ai ishte fotoreporter i Revistës “Ylli”.

Roland Tasho ka një numër të madh ekspozitash të hapura brenda dhe jashtë vendit.

Ai mori medaljen “Naim Frashëri” në vitin 1988 dhe katër vjet më vonë fitoi çmimin e parë në Konkursin e Fotografisë Artistike “Click Sagra” në Ankona të Italisë. Në vitin 1996 u shpall “Fotografi i vitit” nga Drejtoria e Rinisë në Ministrinë e Kulturës dhe fitoi çmimin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar “Marubi”.

Roland Tasho është vlerësuar me medalje mirënjohjeje nga presidenti hungarez Ader Janos, në nëntor të vitit 2016. Motivi i këtij nderimi janë ekspozitat e fotografive më të cilat ka pasqyruar jetën dhe vlerat e Budapestit në Shqipëri.  Dekorata iu dorëzuar Tashos nga ambasadori hungarez i kohës, Antal Heizer.

Tasho është bërë i njohur për fotografitë e realizuara vitet e fundit me tematikë shqiptarët në botë dhe të huajt në Shqipëri.

Duke nisur nga viti 2001, Roland Tasho është botues i 14 albumeve fotografike, shumica e të cilëve kanë dokumentuar jetën e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut të tyre.

“Një karrige për shkrimtarët”, albumi i dhjetë fotografik i Tashos, iu kushtua 46 shkrimtarëve, një angazhim i jashtëzakonshëm gati 15-vjeçar në kohë dhe i botuar në vitin 2013, me emra të tillë si Ismail Kadare, Zija Çela, Lazër Stani, përfshirë disa që sot nuk jetojnë më si Kol Jakova, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Robert Shvarc, Qamil Buxheli, Dhimitër Xhuvani, Dhimitër Shuteriqi, Teodor Keko, Vath Koreshi, Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, etj.

Në vitin 2011 u botua albumi “Les Albanais de France” (Shqiptarët e Francës), në mars 2012,  u hap në Muzeun Historik Kombëtar ekspozita fotografike “Shqiptarë në Greqi përmes objektivit të Roland Tashos” me 90 fotografi, të cilat i shtohen ciklit të nisur qysh prej vitit 2003, në “gjurmim” të shqiptarëve të “famshëm” jashtë Shqipërisë.

Ky cikël vazhdoi me albumet ” Shqiptarë në Çeki (2018) – libri u promovua në një aktivitet në Pragë- dhe “Shqiptarë në Hungari” (2019).

Fotot e Tashos  paraqesin portrete shqiptarësh që u përkasin jetës së zakonshme e figura të shquara respektivisht në Itali, Zvicër, SHBA, Francë, Greqi, Çeki e Hungari.

Tasho konsiderohet fotografi që veshi të huajt “shqip”, me kostume tradicionale shqiptare, i frymëzuar nga veshjet e Lord Bajronit dhe Edit Durhamit.


Me Presidenti Kroatt,  Stipe Mesic

Pak kohë më parë, ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, zgjodhi Gjirokastrën për realizimin e një seti fotografik, ku në qendër kanë qene kostumet popullore dhe tradita. I veshur me kostumin e burrave të veriut, Ambasadori Takada përcolli mesazhin e ruajtjes dhe trashëgimisë etnografike Shqiptare.

Fotoreporteri Tasho është një personazh shumë i mediatizaur.

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.