“Vajza e valëve” dhe poeti Jorgo Papingji
Jorgo Papingji la pas mijëra vargje, që si gjerdan bukurie i shtohen kurmit të këngës së lehtë shqiptare.
Nga Agim Janina
Atë ditë në tryezë ishin mbledhur disa artistë dhe pas pak u afrua edhe Poeti Jorgo Papingji. Ish e qeshur dhe përshëndeti buzagaz.
E njihnin të gjithë dhe e ftuan të ulej.
Ai zuri vend dhe zuri të dëgjonte piktorin Skënder Kamberi. Po tregonte se si e kishte pikturuar tablonë “Vajza e valëve”.
“Më ka frymëzuar poezia për ta krijuar. Një vajzë ka dalë në një shkëmb buzë detit dhe pret t’i kthehet i dashuri nga emigracioni. Ka vargje të mahnitshme… gjithë bota venë e vinë dhe ai s’vjen… Kam gjetur vajzës më të bukur për të më pozuar. Ajo bën dialog me valët e detit…”
Jorgo dëgjonte me një buzëqeshje të lehtë e kur mbaroi Skënderi thithi fort cigaren e si lëshoi tymin foli si me vete:
– “Forca e poezisë… Kam qenë në studion e tij kur e pikturonte”.
Heshti dhe thithi edhe një herë cigaren. Ndoshta në mendje po thurrte vargjet e ndonjë kënge…
(Vizatimi nga Agim Janina)
Pastaj nisi të recitonte disa vargje dashurie të thurur kohët e fundit.
I këndonte shpirti. Të tjerët dëgjonin vargjet e thurura me një frymë magjie sa besoje se poezia ishte vetë poeti.
Ndërsa piktori kthente vargjet në shëmbëlltyra, poeti shëmbëlltyrat i kthente në vargje. Jorgo poezinë e kishte në shpirt e në mendje, i buronte vetvetiu.
Ndrroi jetë i mbushur, se la pas mijëra vargje, që si gjerdan bukurie i shtohen kurmit të këngës së lehtë shqiptare.