Gonxhja: Politika gjithëpërfshirëse dhe mbështetje financiare për artin pamor
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja: Jemi në mbështetje të komunitetit të artistëve
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot në mbështetje të komunitetit të artistëve përmes politikave më gjithëpërfshirëse për artin pamor.
“Ndryshimet vijnë nga hulumtimet dhe analizat e guximshme”, u shpreh Gonxhja duke iu referuar studimit mbi mekanizmat e mbështetjes financiare për artin pamor në Shqipëri, hartuar nga Çelik Rruplli dhe Pavjo Gjini, mbështetur nga ArtNexus – United Nations Association Albania (UNAA).
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ishte e ftuar në këtë prezantim për t’u njohur më nga afër me problematikat dhe sfidat që ndeshin artistët pamor në vendin tonë.
Pjesë e takimit ishin artistë e përfaqësues organizatash, të cilët ngritën pyetje dhe adresuan çështje konkrete dhe me vend mbi temën.
Gonxhja theksoi se ndër idetë që u ngritën në diskutim ishin zbatimi i rekomandimeve të studimit për të nxitur e mbështetur komunitetin e artistëve përmes politikave më gjithëpërfshirëse.
“Skemat e financimit më transparent e më të qëndrueshëm në kohë, domosdoshmëria e ndërtimit të një dialogu të vazhdueshëm mes institucioneve publike dhe komunitetit artistik në Shqipëri ishin po ashtu në fokus të takimit”, tha Gonxhja.
Ministri theksoi se hapja e rrethit të diskutimeve, përfshirja e komunitetit dhe nxitja e propozimeve të unifikuara nga ekspertë të fushës, është shembull i fuqishëm i bashkëpunimit që mund të sjellë ndryshime pozitive e të prekshme në vazhdim.
“MEKI do t’i konsiderojë me shumë vëmendje studimin dhe rekomandimet në fjalë”, garantoi ministri.
Ndryshimet vijnë nga hulumtimet dhe analizat e guximshme! Në kuadër të një studimi të hartuar mbi mekanizmat e…
Posted by Blendi Gonxhja on Saturday, March 30, 2024