Ndahet nga jeta piktori i njohur Ali Oseku
Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar u nda sot nga jeta në moshën 80-vjeçare.
Piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit, u nda sot nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 80-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga galeria FAB përmes një postimi në rrjete sociale.
Ali Oseku u lind në vitin 1944, në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova.
Liceun artistik e mbaroi në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti filloi punë si skenograf në TOB.
Piktori solli frymë të re në skenografitë e shfaqjeve që ai do të projektonte, si dhe një nerv artistik të veçantë në krijimet që solli nëpërmjet pikturës së tij.
Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979. Pas kësaj periudhe, Oseku punoi si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ’90, do ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.