Bota, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për artistë!
Sot, në ditën e artit, le të harrojmë për pak caste politikën, le të ndihemi sadopak artist në shpirt e në veprim.
Nga Mimoza Prifti
Bota është zhytur në një errësirë të frikshme, njerëzimi po vetë-vritet. Teknologjia ka kapërcyer mendjen njerëzore, fuqia ekonomike e ka tretur humanizmin, politika e ka shkatërruar planetin, shpresa për jetën është në grahmat e fundit.
Njeriu po identifikohet me paranë, me fuqinë, me titujt, me lavdinë. Njeriu ka harruar të jetë njeri, ka harruar të mendojë, ka harruar të ndjejë dhimbje. ka harruar të ndihmojë, ka harruar të dojë, ka harruar të jetojë.
Njeriu bën luftë me këdo që mendon ndryshe, luftë ndaj kujtdo që ka dicka më shumë, lëndon me dëshirë,, vret me gjakftohtësi, shkatërron me vetëdije. Njeriu dita ditës po dëshmon se është i paaftë për të kontrolluar veten, i pamundur për të larguar errësirën që ka mbjellë, i pamundur për të shmangur shkatërrimin e pashmangshëm të globit.
Njeriu po llustrohet e zbukurohet me xhingla, me silikon e bisturi shtjetërson pamjen dhe gjininë, për para po shet nderin dhe trupin, për interesa zjarrin i vë familjes dhe shpirtit. Njeriu nuk po ngopet më, as me pare, as me makina lluksoze, as me prona, as me gjak. Njeriu është kthyer ne kanibal, është kthyer në gjenezë, në kafshën më të paskrupullt që toka ka njohur ndonjëherë.
Toka është kthyer në betejë lufte, ku gara për fuqi, lavdi e kontroll është timoni që drejton. Njeriu ne vend të luleve po mbjell varre, në vend të ujit po vadit me gjak, në vend të gëzimit po prodhon armë, në vend të dritës po shpërndan errësirë, në vend të jetës po pjell vdekje.
Toka ka harruar të këndojë ninullën e saj në djepin e jetës, ka harruar të lulëzojë me ngjyrat e kanavacës së piktorit, ka harruar të vallëzoje me vargjet e poetit, ka harruar të udhëtojë me rreshtat e një novele, ka harruar të qeshë a të qajë me lojën e aktorit. Ka harruar të ushqejë shpirtin, ka harruar të shpresojë.
Bota është e etur për art, për artistë. Janë qirinjtë e vetëm që mund të çajnë errësirën vrastare që ka pushtuar njerëzimin. Bota ka nevojë të qeshë e të qajë, të mendojë e të analizojë, të zgjojë vetëdijen e të veprojë. Ka nevojë të shpresojë e të besojë.
Kemi nevojë për të besuar në të pamundurën; për të njohur më mirë veten, për të njohur më mirë të vërtetat tona, për të bashkëpunuar e ndërlidhur me njëri tjetrin, për të larguar zymtësinë, për tu përpjekur për një botë më të mirë.
Kjo botë e e përçudnuar nga propoganda, përçarja, urrejtja, terrori, lufta ka nevojë për shkëlqim kolektiv. Cdo njëri nga ne duhet të jetë një qiri shprese, një artist që dhuron dritë, tinguj, ngjyra, jetë.
Dhe nëse nuk mund të jesh një i tillë dëgjo një melodi, shih një pikturë, lexo një libër, kërko ta shohësh jetën në optikën e artit.
Jeta është dhurata më e bukur dhënë nga Perëndia, dhe si e tillë ka nevojë të pikturohet me ngjyra, me tinguj, me fjalë.
Jeta është e bukur me syrin e artistit, çdo kush meriton të jetojë.
Sot, në ditën e artit, le të harrojmë për pak caste politikën, kaosin ku po jetojmë, le të ndihemi sadopak artist në shpirt e në veprim.