“The Blast” – Shpërthimi i një skulptori transformist!

(Billy Mazreku në sfidat e skulpturës bashkëkohore europiane)


Nga Pol Milo

Skulptori është një poet i heshtur,
i cili shpreh thellësinë e tij
përmes formave dhe linjave
që lindin nga gurët e ftohtë.

Skulptori është një zanat që rrëfehet me linja dhe forma. Është një udhëtim shpirtëror që i dorëzohet ndjenjës së gdhendjes. Ai nuk është vetëm krijuesi i objekteve, por një krijues i një bote të re, e cila shpalos emocionin e fshehur në gurët e zakonshëm. Në çdo thërrime dhe zbukurim, ai përcjell një mesazh të pafundëm.

Kështu është edhe artisti Billy Mazreku, skulptori i cili futet në thërmijat më të ngjeshura të materies për të gjetur dhe për të zbuluar filozofine e tij artistike. Të flasësh për një artist ndërkombëtar që jeton dhe punon në mes të artit europian, është një sfidë e madhe.

Por kur ke patur fatin ta takosh artistin dhe të bisedosh me të nga afër duke shkëmbyer mendime si copëza skulpture, atëhere biseda bëhet më e thjeshtë, më tërheqëse dhe mendimet ndryshojnë format mbi dallgë transformiste duke u kthyer ne ide. Kështu na ndodh sa herë që bisedojmë bashkë me Billin. Për shumë që nuk e njohin, ai është një skulptor shqiptar që jeton dhe punon në Francë.

Ai ka një eksperiencë shumëvjeçare në artin e skulpturës duke punuar dhe ekspozuar në shtetet më të rëndësishme në europë, ku prej vitesh ka zhvilluar artin e tij original duke sfiduar format dhe duke krijuar stilin e tij vetiak tashmë të konfirmuar.

Dy nga punimet e tij mjaft të njohura janë fëmija mbi bririn e rinocerontit dhe Shpërthimi (the blast). Fëmija mbi bririn e rinocerontit simbolizon vijimësinë e brezave në zinxhirët gjenetikë të pasardhësve.

Kurse Shpërthimi sjell një transformim të ri, një vizion konfliktual mes luftës dhe paqes, mes ndërgjegjes dhe pavedijes, si gjëmimet e bombave të brendshme të shpirtit artistik që nuk fle kurrë. Një skulpturë e tillë si “The Blast – Shpërthimi”, nuk është thjesht një objekt, por një përcjellje tronditëse e jetës dhe e vdekjes, në një valë të ndjeshme filozofike. Ajo shpalos një dramë të fshehur, një histori që ngre shpirtin nga heshtja e gurëve dhe e vendos në skenën e shfaqjes të një shpërthimi të pashmangshëm. Ajo është simbol i jetës, pasi vetë jeta është e tillë, një shpërthim, një hapje mbyllje sysh.

Një artist që na çon ndërmend luftën me artin e tij është një pacifist i shpirtit, një krijues që përdor shpirtin e tij për të shprehur dëshirën për paqe dhe për të përhapur një mesazh që prek zemrën. Ai është një shkrimtar i heshtur, një diplomat i pamposhtur i ngjarjeve të jetës. Pasi vetë jeta është luftë. Që nga shpërthimi i parë i zanafillës deri tek apokalipsi i fundit i mbylljes së madhe. Në një këndvështrim të thellë, “The Blast – Shpërthimi” na kujton se jeta dhe vdekja janë pjesë të pandashme të një udhëtimi të pambarimtë, ku shpërthimi i ndjenjave është një mënyrë e fortë për t’i dhënë kuptim kësaj vije të paprekur midis dritës dhe errësirës.

Forma e saj rrethore dhe detajet e thella bien si rrymat e një shpërthimi, duke shfaqur tërmetin emocional të ekzistencës, në simbolin e kohës që kalon me shpejtësi. Një kohë që nuk pret dhe nuk ndalet për askënd. Shpërthimi përjetohet në çdo detaj, duke shfaqur tensionin midis jetës së çasteve të bekuara dhe vdekjes së pambarimtë.

Billy, skulptori i mendimeve të thella, na sjell përballë jetën dhe vdekjen, duke ngjallur luftën mes tyre si një tregim i rrëfyer në format e tij të artit. Ai është një krijues që e prek thellësinë e sfidës së ekzistencës dhe e ndjen tensionin e pazgjidhur mes trazirës së jetës dhe misterit.

Format e tij bëhen dëshmitarët e një beteje të vazhdueshme mes dritës dhe hijes, një reflektim i luftës së pashmangshme midis jetës dhe humbjes. Në çdo zbukurim dhe linjë, ai ndjell emocionet e një udhëtimi të pashuar, një kërkese për kuptim dhe sens në këtë vijë të paprekur.

“Personalitete artistësh si Mazreku ishin në gjendje të zgjidhnin lirisht materialet e tyre në këtë sfond gati kozmik, të punonin në modele të bazuara në natyrë, t’i transformonin ato dhe të çonin imagjinatën e tyre në një jetë të tyre.” – thotë Dr .Wilhelm Ziehr historian arti.

Filozofia e Billit është e përshkruar në çdo detaj, ku struktura e ashpër përplaset me butësinë e formave të krijimit. Billi nuk është vetëm skulptor, por një kërkues i fshehtë i shpirtit të formës, një magjistar i pamurshëm që lëviz mes botës së fshehtë. Nuk duhet fuqi për të lëvizur botën por fuqi e brendshme shprehëse që e rrotullon atë.

“Fragmentet Gregoriane shfaqen si lartësi katedrale në figurat e Mazrekut, forma që shpesh gjenden brenda vetë Krijuesit. Punimet e artistit për britmat e jetës vijnë si nota me tel me tinguj zgjimi, si lutja e një murgu në një abaci, një muzikal që publiku e ndjen nën lëkurën e mermerit. Punimet nga Billy Mazreku janë gjithmonë në kërkesë. Plastikësia dhe sforcimi shpirtëror janë plot lulëzim emocional. Ai i pëlqen format konceptuale dhe dridhjet njerëzore.” – thotë Artan Shabani, artist, ish drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Në çdo gdhendje dhe zbukurim, skulptori gjen ndjenjën për jetën në vargjet e thella të gurit, duke bërë çdo hap të tij një përqafim me misterin e egër dhe bukurinë e paprekur të ekzistencës.

Në vargjet e gdhendura, ai kthen një cast të shkurtër në një muzg të përjetshëm të imazhit. Skulptori i kujtesës është një krijues që kap hijen e çdo momenti dhe e transformon atë në një pasqyrë të pashtershme të shpirtit njerëzor.

“Shpërthimi i Billit është me lëndë kozmike.

Por kjo lëndë e ndërtuar me mjetet e skulpturës është puro krijim, as imitim as kopjim dhe as riprodhim i lëndës e cila është vetëm potencë. Këtë fuqi energjie e formalizon në volume me trajtat e relievit që pulsojnë duke evokuar butësinë e qenijeve humane, posaçërisht gjendjen plastike të portreteve fëminorë, postembrional, fillesë e jetës në zhvillim, të modeluar në fqinjëzim me forma lidhëse nga e njëjta lëndë harmonie. Më tepër se çdo formë kreative këtu në këtë vepër dominon “arkitektura” konceptuale.
Në skulpturat e Billit nuk ka “uri” dimensionale, ato nuk kërkojnë as hapësirë të privilegjuar as kufi të hapësirës, as mure, tavane e dysheme, ato sado që të jenë, të vogla apo të mëdha, janë njëlloj në fuqinë e shprehjes dhe në indiferencën ambientale.

Ato janë objekte indipendente, ashtu si shumë objekte të plota apo të cunguara të veprave antike që bëjnë “lojën” jo vetëm si dikur në jetën e gjallë të tyre, në tempuj apo vende posaçërisht të orientuara që në ngjizje, por edhe në muze, së bashku me shumë “individë popujsh” të ndryshëm.” – thotë skulptori dhe mjeshtri Ilmi Kasemi Beati

Skulpturat e tij janë portale magjike që na udhëheqin në një rrugëtim shpirtëror përgjatë hapesirës dhe kohës. Billy Mazreku, si një skulptor i dimensioneve të ndryshme, ka përfshirë në veprat e tij esencën e një universi që kërkon përtej horizontit, duke lënë një gjurmë emocionale përgjithmonë.

Ky art është i vërtetë, kur një ngulitje e përjetshme krijohet në pjesën simetrike të hapësirës së trurit artistik. Skulptura ka një bukuri të tmerrshme, një bukuri që buron nga shpërthimi i shpirtit njerëzor. Humanizmi shprehet përtej konceptit, bashkangjitet me vizionin dhe përpunohet në brendësi ku artistikja godet ndërgjegjen dhe shpërthen, pasi lufta është një përpjekje për të ecur përpara!

Kështu, skulptori vazhdon rrugën e tij, duke ndërtuar frymëzimin nga heshtja, duke nxjerrë fjalë nga forma e tij dhe duke i transformuar ato në emocione. Në çdo pikë dhe zbukurim, ai rrethon veten me një harmoni të pazakontë, duke u bërë pjesë e jetës së gdhendur dhe jetës shpirtërore. Për skulptorin, çdo formë është një shenjë e jetës, një kujtim i bukur që rëndon në thërrimet e kohës.
Ai kap momentet me një ndjenjë të thellë duke i lënë ato përjetësisht ashtu si gjendje që pas transformizmit artistik do të ngelen të tilla nga zanafilla e krijimit deri në apokalipsin e madh final.

Lexo më shumë nga

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.