Artur Muharremi, piktori i sensualitetit
Vepra e tij “Para krijimit” (1989) theu tabunë e realizmit socialist dhe konsiderohet si pararendëse e artit modern shqiptar
Nga Dash Frashëri
Art modern! Provokues! Joshës!
Piktori Artur Muharremi bëri një bujë të jashtëzakonshme me veprën e tij “Para krijimit”, duke fituar edhe Çmimin e Parë në Ekspozitën Kombëtare të hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në kryeqytet në vitin 1989, dhe thyer kufizimet standarde e të ashtuquajturit “realizëm socialist” në artet pamore.
Një pararendëse e artit modern shqiptar. Një vepër e shumëdisktuar në ambientet artistike! Epokale!
“PARA KRIJIMIT”… Telajo e bardhë… E para ishte fjala. Ai, pas qelqeve të syzeve, mundohet të thërrasë në heshtje perëndinë e pjellorisë, i cili e dëgjon qetësinë dhe shfaqet nga një Gri që dominon çdo gjë përreth. Vetëm një kuadrat blu e shpon atë si një dritare”.
Ky tekst i piktorit Gazmend Leka është vendosur në ftesën e ekspozites së piktorit Artur Muharremi, çelur në “Galerinë e Arteve Figurative”. E hënë, 15.7.1991, ku u riekspozua edhe vepra në fjalë.
Sot, 66-vjeçari Muharremi vlerësohet si një nga piktorët më të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë.
“Arturi është një punëtor i jashtëzakonshëm dhe shumë mëndjehapur, por e la Shqipërinë atëherë kur nuk duhej”, thotë për DashArt.al, “Mjeshtri i Madh”, piktori i mirënjohur Helidon Haliti.
Pikturat e Artur Muharremit kanë brenda tyre magjinë, misterin dhe bukurinë e pafund. Çdo detaj lëmohet dhe përkëdhelet nga peneli dhe shpirti i tij.
“Artur Muharremi është një mjeshtër i vizatimit. Duket se është ai që e ka çuar dhe e çon atë gjithnjë drejt kavaletit, ngjyrës, portretit, kompozimit, çka e bën atë të përjetojë një lloj dehje”, thotë diplomati dhe shkrimtari Luan Rama, me banim në Paris.
Peneli i Artur Muharremit është shumë shprehës dhe transmeton ngrohtësi shpirtërore. “Turi” duket si një “Da Vinçi” modern!
Mona Lisa nga Leonardo Da Vinçi (1503) dhe një version i Artur Muharremit (1990)
Vitruvian Man nga Leonardo Da Vinçi (1490) dhe nga Artur Muharremi (2015)
Gjithsesi, Artur Muharremi duhet parë si piktori shqiptar i nudove të bukura!
Por, edhe piktori i detajeve kuptimplote!
***
Në fakt, për mua si botues i DashArt.al, të “pikturoj” portretin një artisti si Artur Muharremi, është një sipërmarrje e vështirë. Vetëm ai mund ta rikrijojë besnikërisht veten përmes ngjyrave të botës së tij shpirtërore.
Autoportret, Artur Muharremi (Janar 2024)
Liceist i dalluar në Liceun Artistik “Jordan Misja”, pogradecari Artur Muharremi është diplomuar në Universitetin e Arteve për skenografi (1983), për pikturë në degën e skenografisë në Akademinë e Arteve në Tiranë me profesor Agim Zajmin, Zef Shoshin, Guri Madhin.
Nga 1983, më pas ka punuar si regjisor-piktor, duke pasur një ndikim të konsiderueshëm si piktor dhe producent përmirësimin cilësor të filmit të animuar në Sektorin e Filmit Vizatimor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke realizuar një numër të konsiderueshëm filmash të animuar si autor, si dhe disa në bashkepunim me emrat më të njohur të kësaj kinemaje, si Vlash Droboniku, Bujar Kapexhiu.
Në vitin 1991, Artur Muharremi hapi ekspozitën e tij të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Veprat e artit që ai prezantoi aty karakterizoheshin nga një mjedis metafizik dhe një zbrazëti që pasqyronte situatën politike dhe sociale të Shqipërisë së asaj kohe.
Më pas, Artur Muharremi emigroi në Greqi, ku pikturoi dhe krijoi spote publicitare për një studio private televizive, “ARTOON STUDIO”, të regjisorit dhe producentit Niko Vergjitsi.
Artur Muharremi realizoi në Athinë, vepra arti të zhanreve të ndryshme, si peizazhe, nudo dhe kompozime.
“Mezuraj Muze” nënshkroi një kontratë ndërmjet piktorit dhe këtij institucioni, për të bërë të vetat të gjitha punet e periudhës 2005-2008, madje duke botuar edhe një katalog arti enkas (2007), me 243 faqe, i shoqëruar me një parathënies studimore nga Prof. Dr. Moikom Zeqo.
Muharremi është shumë i saktë në realizimin e çdo detaji të një vepre arti.
Artur Muharremi ka krijuar një individualitet artistik i veçantë, duke aplikuar teknika bashkëkohore të pikturës dhe mjete figurative komunikuese.
Ndër ciklet kryesore të Artur Muharremit mund të përmenden ‘Muzikantët’, ‘Nudet’, ‘Natyrat e Qetë’, ‘Mitet dhe Legjendat’ dhe ‘Jeta e Rrugës’.
***
Ekspozita të shumta të hapura në Shqipëri, Greqi, Francë, Itali, etj.
Nudot e tij janë guximshme, provokuese dhe të mrekullueshme!
Madje ka dhe “nudo piktore”!
Muharremi është gjithnjë në kërkim. Jo vetëm në tematikë por dhe në mënyrën e shprehjes, stilit, gjuhës simbolike, duke ruajtur gjithnjë elokuencën dhe fuqinë e xhestit të parë në letër apo në pëlhurë.
Violinistin Muharremi e interpreton kështu.
Dhe violençelistin kështu!
Muharremi është tepër modern në interpretimet e tij.
Kompozimet dhe peizazhet i ka të fuqishme!
Plot detaje si të ishte një Salvador Dali!
Natyrat e qeta i ka relaksuese!
Piktori Muharremi është shumë i mediatizuar në televizionet më të rëndësishme në vend, si Top Channeë, TV Klan, etj..
Piktori Genc Përmeti duke shpjeguar një nudo të Muharremit, në emisionin e njohur “ArtKand” në Top Channel
Kronika e TV Klan, për ekspozitën “Akuarium” (2003)
Artur Muharremi është fitues çmimesh kombëtare të rëndësishme dhe prestigjioze ndërkombëtare, SHBA, Francë, Itali, Japoni, Greqi, Kroaci apo Kanë.
Piktori dhe regjisori i filmit të animuar “Exit”, Artur Muharremi, ka rrëmbyer çmimin “Excellence Special Mention” në konkursin “The Best Short Competition” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmim i cili ishte një ndër dhjetë çmimet e këtij konkursi të organizuar në qershor 2021, sukses që e përsëriti edh në “Tokio Film Awards”.
Punët e tij ndodhen në disa portale të rëndësishme ku shitet arti.
Artur Muharremi!
Një piktor për t’i hequr kapelen!
_____________________
Tiranë, më 29 maj 2024