Identitet përmes grafikës!
Në një kohë kur grafika artistike gatise po zbehet, Prof. Fatmir Krypa dita ditës po na befason me eneregji kreative dhe me grafika të reja.
Nga Burhan Ahmati
Në një kohë kur grafika artistike gatise po zbehet, Prof. Fatmir Krypa dita ditës po na befason me eneregji kreative dhe me grafika të reja. Në këtë ekspozitë po prezantohen një pjesë e veprave të tij të realizuara kryesisht viteve të fundit dhe që kanë një vazhdimësi tematike me ato parapraket.
Nuk është e lehtë të gjesh fjalë dhe të shkruash për veprimtarinë e begatë të profesorit tonë të veçantë, të cilin ne e njohim edhe si “babai i grafikës”, pasiqë kontributi i tij në drejtimin e grafikës ka qenë i jashtëzakonshëm qoftë në Kosovë dhe Shqipëri gjithashtu edhe gjatë angazhimit të tij si professor i grafikës në Universitetin e Tetovës.
I jemi mirënjohës përgjithmonë…
Thelbi i krijimtarisë artistike të Fatmir Krypës nuk duhet të kërkohet vetëm në ekzistencën e qartë të simboleve të dukshme dhe të njohura të grafikës së tij sikur që është shkëmbi, por edhe në dramën e brendshme të Kosovës, në histori dhe legjenda, e dëgjuar që moti dhe më vonë e cila u shndërrua në një rrëfim unik të artit përmes kompozicioneve grafike të shpirtit e shprehjes unike të tij. Duke hedhur një vështrim në grafikat e tij, padyshim se para syve tanë kemi të bëjmë me një mjeshtër të rrallë. Fillet e erupsionit të tij artistik datojnë që në moshë të re në Gjakovë, në Pejë pasiqë u regjistrua në shkollën e artit, ku u formua me sugjerimet dhe impulset e para krijuese që për të ishin burime të vlefshme dhe autentike. Më pas diplomoi në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd dhe pastaj mbaroi edhe me studimet pasuniversitare për grafikë në Akademinë e Arteve Figurative në Zagreb.
Në fletëgrafikat e tijë me një formë bashkëkohore na i shpalos tregimet nga kohërat e lashta të popullit tonë, të gërshetuara midis legjendave dhe tmerreve, realitetit të situatave të ndyshme apo egzodit që ishin si një lloj ngjarje tërmeti psikik për të gjithë ne e në veçati për Krypën që përfaqësonin një tjetër intermezzo krijuese.
Te disa fletë grafika të realizuara në periudha të ndryshme kohore hasim një kthim të paraqitjes figurative, të njeriut dhe fatit i tij, përmbajtje narrative, veçori dhe shenja që i shohim të ndërlidhura mjaftë mirë. Ai u qëndroi stoik teknikave klasike të grafikës artistike manuale deri më sot, edhe atë: akuatintës, bakërshkrimit, gjilpërës së thatë etj. Për sa i përket përmbajtjes, detajeve, formava, vijave, elementeve si shkëmbinjtë dhe trungjet i ka përpunuar dhe materializuar me kujdes në harmoni apo kontrast duke i balancuar ato.
E parë në tërësi në grafikat e Krypës hasim një realitet objektiv, me shkrirjen dhe ngjizjen e formave të buta me ato të forta. Krypa në disa fletëgrafika thekson edhe më shumë antropomorfin, një shenjë në të cilën iluzioni hapësinor zhduket dhe marrëdhënia përcaktohet me vëllim dhe sipërfaqe.
Përmes modelimit mekanik apo kimik që e ka bërë në pllakat e grafikës, vëllimin e formave konkrete apo atyre abstrakte e materializon me lojën e dritëhijes së kordonëve të ndërthurura vend e vend me tekstura të detajuara, duke krijuar një lojë të mrekullueshme ekspresiviteti artistik dhe duke iu dhënë kuptim estetiko-filozofik, një sër krijesave groteske. Elementet e shpeshta, tani më të njohura si shkëmbi, zogjtë, trungu, nyjet, arkat… etj. marrin pjesë në atë botë të aludimeve dhe të dramës së brendshme të njeriut, ku dominojnë forcat kundërshtare dhe plotësuese të së shkuarës dhe së tashmes si elemente simbolike për rezistencën shekullore të kombit.
Krypa në grafikat e tij hyn në vetvete për ta bërë përvojën e vështirë aty ku duket, mishëruar në guaskën e saj si një unazë strukturore që zbulon vizionet tona përmes imazheve që depërtojnë në ëndrrat tonat të trazuara.
Te disa grafika ai shpalos faqe epike ëndrrash, detaje piktoreske dhe situata brutale “subjektive” të realitetit të hidhur, gjurmë historie të kombit tonë që emocionojnë zemrën sipër uniformave të lëmuara dhe situatave të përmbajtura koloristike që rezultojnë nga teknika e tij e përsosur. Realitetin e citon me kuptimin simbolik përmes elementeve si qershitë, dardhat, shegat, mollat, copëzat e thasëve, duke i bashkuar ato sikur simfonitë metaforike.
Qasja e tij serioze dhe unikate në çdo grafikë vërehet që në shikim të parë, qoftë si tanësi apo në detaje, të përpunuara me një mjeshtëri të veçantë të cilat janë sikur një dritare për të pare diçka të re, të pavarur dhe përmbajnë mesazhe të rëndësishme.
Ai çdo situatë, moment historik ose ngjarje të rëndësishme na e ka paraqitur me gjuhën e tij krijuese, ku përpos realizimit të përkryer estetik, mesazhin e grafikava të tijë ku në shumicën e rasteve më së miri na e zbërthejnë edhe vetë titujt e tyre. Janë thjeshtë vepra të mrekullueshme, artistikisht dhe teknikisht të sendërtuara me një shije dhe talent të pashoq. Janë të këndshme për syrin që na bëjnë të mendojmë e të zhytemi në pafundësinë e artit të tij. Grafikat e tij shquhen për gradimin e tyre delikat tonal, ku tonet e ndritshme duken sikur vijnë nga errësira dhe e kundërta. Jemi shumë me fat për ardhjen e kësaj ekspozite në Gostivar, të një grafisti të njohur si Fatmir Krypa, i cili është një aset kombëtar dhe ndërkombëtar, një artist jashtëzakonisht i vlerësuar në kontekste vendore dhe ndërkombëtare, ku veprat e tijë janë pjesë e koleksionistëve dhe muzeve të njohura nëpër botë.
Mburremi që kemi qenë studentë të tijë, mbetemi me shpresë se edhe gjeneratat e reja do e vazhdojnë këtë rrugëtim.