Hektor Dule, poeti i skulpturës

“Artist i Merituar” (1978). “Artist i Popullit” (1988). Dule është një ndër skulptorët kryesore të arteve pamore


Nga Dash Frashëri

Hektor Dule! “Artist i Merituar” (1978). “Artist i Popullit” (1988).

Një nga skulptorët më të mirë shqiptarë. Monumental. Epik. Lirik.

“Hektor Dule është një nga skulptorët kryesorë shqiptarë të Realizmit Socialist, i gjysmës së dytë të shekullit XX. Hektor Dule priret drejt një plastike të ngrohtë, lirizmi dhe sensualizmi veçanërisht në figurat e tij femërore (nudo). Kjo cilësi e tij i bën veprat e artistit mjaft të veçanta dhe i evidenton atë si mjeshtrin e skulpturës në historinë e artit shqiptar”, shkruan studiuesi i artit, Ylli Drishti, në një profil kushtuar skulptorit dhe të botuar në faqen zyrtare të Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë.

Hektor Dule i përket grupit të artistëve shqiptarë të pasluftës, të edukuar në akademitë e huaja, si në Bashkimin Sovjetik, Çekosllovaki (Dule) Kroaci, Rumani, Poloni apo Hungari.

“Grupet e para të të diplomuarve nisën të ktheheshin aty nga gjysma e dytë e viteve ’50. Emra si Sali Shijaku, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Kujtim Buza, Agim Zajmi, Llambi Blido, Rafael Dembo, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri, Thanas Papa, Vilson Kilica e Guri Madhi studiuan në Bashkimin Sovjetik, ndërsa Thoma Thomai, Hektor Dule, Ksenofon Dilo, Halim Beqiraj e Llazar Myzeqari në Pragë; Hysen Devolli, Perikli Çuli, Spiro Kristo e Isuf Sulovari në Bukuresht; Danish Jukniu e Shaban Hysa në Varshavë e Aristotel Papa në Zagreb”, shkruan Dr. Ermir Hoxha në librin e tij studimor, “Arti në Shqipëri në vitet 1945-2000”.


Hektor Dule, 20-vjeçar. Praga. Umprum. Shkolla elartë Industriale artistike. 1960.

Busti i akademikut Eqerem Çabej është një nga punët e fundit të “Skulptorit të Popullit”, Hektor Dule, i cili vazhdon të krijojë, edhe pse sot është 85 vjeç.

***

Hektor Dule u lind në qytetin e Përmetit, më 3 janar 1939, një vatër artistike, ku e kanë origjinën e tyre disa nga emrat më të mëdhenj të skulpturës shqiptare, si Odhise Paskali apo Janaq Paço.


Janaq Paço dhe Odhise Paskali, në studiot e tyre

Hektori ishte një nga djemtë e familjes së nëpunësit Qani Dule (1908 – 1968), i arsimuar në shkollën e themeluar nga amerikani Harry Fultz e më tej si ushtarak në ushtrinë mbretërore me gradën Nëntoger.

Qani Dule, foto e bërë në Novoselë të Vlorës, kur ai ishte kryetar komune në vitin 1935


Prindërit e Hektor Dules, 1938 – Përmet

Familja Dule pasi u transferua nga një rreth në tjetrin në administratën shtetërore herë si sekretar dhe here si Kryetar Komune (Jergucat-Gjirokastër; Novoselë-Vlorë; Këlcyrë-Përmet; Lurë–Pukë; Zadrimë–Lezhë dhe Lushnjë), u vendos me banim në Tiranë, në vitin 1945.

Pasioni për artin, sipas Dules, nisi nga kryerja e figurinave me baltë dhe më pas me vizatime, kryesisht nga deti.

Në periudhën 1946 – 1952, kreu arsimin në shkollën “Kosova”, Tiranë, ku ra në sy të mësuesit të vizatimit, Daniel Ndreka, ndërkohë që mori mësime pikture në shtëpinë e pionierit nga piktorët

Andrea Kushi dhe Safo Marko. Andrea Kushi (1884–1959) ishte një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të brezit të vjetër të piktorëve shqiptarë, ndërsa Safo Marko (1925-2012), bashkëshortja e shkrimtarit Petro Marko, një ndër piktoret femra më të talentuara.

Atje Dule, u njoh me artistët e ardhshëm, skulptorin Thoma Thomain dhe piktorët Zef Shoshi apo Edison Gjergo.

Dule kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” (1952 – 1956) nën drejtimin e pedagogëve Odhise Paskali dhe Janaq Paço, dy nga skulptorët më të mirë të historisë së arteve pamore shqiptare. Paskali i dha histori arti, ndërsa Paço lëndën e anatomisë.

“E kisha idhull Odhise Paskalin dhe ka mbetur i tillë për mua. Paço, gjithashtu një skulptor shumë i mirë”, tha Dule gjatë një interviste per “Report TV”, me gazetaren Dhurata Hamzai.

Mësim i dha skulptorja e parë femër në Shqipëri, Kristina Koljaka Hoshi:  “Një pedagoge e shkëlqyer, një mësimdhënëse jashtëzakonisht në nivel, e cila më dha elementet e para, sesi bëhet skulptura”


Në Liceun Artistik “Jordan Misja”, 1956


Kursi i ll i pikturës dhe skulptures. Liceu artistik “Jordan Misja” viti 1953. Në qëndër prof. Abdulla Cangonji. Foto e publikuar nga Hektor Dule


Reliev i realizuar nga Hektor Dule, në vitin e parë të liceut “Jordan Misja”


“Donika”. Punim i vitit të fundit në liceun artistik “Jordan Misja” , dhe e para në një ekspozitë Kombëtare e Hektor Dules. E ekspozuar edhe në Moskë, në një ekspozitë ndërkpmbëtare të vëndeve lindore socialiste.

Ai ekspozoi për herë të parë në ekspozitën kombëtare i quajtur “Salloni”, në vitin 1955 (portreti i aktores së Durrësit Donika Baçi), punim që u prit mirë dhe u ekspozua dhe në Moskë (1958).

Pas një eksperience pune si modelist në kooperativën e porcelanit, skulptori i ri Hektor Dule kreu pjesërisht studimet e larta në Pragë (Çekosllovaki, Shkolla e lartë industriale) për skulpturë në atelienë e pedagogët Otto Vinç, Jan Kavan dhe me asistent Jan Simota (autor i monumentit të ish Presidentit çek Antonin Zapotocki).

Gjatë studimeve punoi në studion e skulptorit Otto Vinc ,duke përfeksionuar qeramikën dhe teknikën e skulpturës.

Me kthimin në Shqipëri diplomën e mbrojti në Tiranë në Institutitn e Arteve me grupin skulpturor ”Pranvera e jetës” (1964), nën drejtimin e pedagogut Shaban Hadëri.

Pas studimeve artisti Hektor Dule, ishte modelist në Ndërmarrjen Shtetërore të Porcelanit, Tiranë dhe nga viti 1967, doli në krijimtari e lirë.

Artisti Hektor Dule ishte pedagog i skulpturës monumentale në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, duke filluar nga viti 1974.


Pedagogu Hektor Dule dhe studenti i tij, skulptori Besim Çaushi

“Në vazhdimësi të krijimeve të rëndësishme, skulptorë si Muntaz Dhrami, Kristaq Rama e Shaban Hadëri, mbajtën peshën kryesore të veprave më të rëndësishme që do tё realizoheshin edhe përgjatë gjithë viteve ‘80. Bashkë me ta, vazhduan krijimtarinë e tyre dhe skulptorë si Perikli Ҫuli, Hektor Dule, Fuat Dushku e më vonë edhe Thoma Thomai, ndërsa porosi më pak të rëndësishme iu besuan artistëve Halim Beqiraj, Stefan Papamihali, Ksenofon Papamihali, Kiço Krisiko, Sofokli Koci, etj.”, shkruan Dr. Ermir Hoxha.

Skulptori Dule, më tej, realizoi disa portrete, nga mund të kujtojmë: “Malësori me llullë” (terrakotë, 1956);”Portret vajze” (terrakotë, 1957; (ekspozita e 40 vjetorit të Revolucionit të Tetorit, vlerësohet me çmim të parë, GKA,Tiranë).

Dule krahas skulptorëve të tjerë të realizmit socialist ka realizuar mjaft portrete të ndryshëm, patriotësh dhe luftëtarëve të luftës Nac.- çl. ku ndjehet ngohtësia e plasticitetit të formës që ai modelon.

Ndër veprat e periudhës 1964 – 1994 mund të kujtojmë: “Në njërën dorë pushkën dhe në tjetrën kazmën” (1966, bronz). Kjo vepër pasi u ekspozua në Tiranë (1966), ekspozohet në RP të Kinës (1967) dhe në Bienalen e Aleksandrisë, Egjipt, (1971).

Vepra të tjera të kësaj periudhe janë: “Punëtorja e lartësive”, 1983 (GKA, Tiranë); ‘Portret ushtari”,1985, (GKA ,Tiranë); “Nëna me fëmijë”, 1984 (gips,GKA,Tiranë). “Pranverë”, 1979, (gips, GKA,Tiranë); “Partizani” , 1973, ( GKA, Tiranë); “Udhëve të luftës” 1974 (GKA,Tiranë dhe në bronz e vendosur në parkun e madh të Tiranës) etj.


Udhëve të luftës” 1974

Dule është autor i relievit në fasadën e Kryeministrisë, në bashkautorësi me skulptorët: Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Muntaz Dhrami (1974).

Artisti ka realizuar edhe figura, buste e monumente dedikuar heronjve dhe ngjarjeve nga historia e Shqipërisë dhe lufta Nac-Çl.; ku mund të kujtojmë monumentit kushtuar luftës së Mushqetasë pranë Tiranës (1968).

Kërkesat dhe parimet strikte të artit të realizmit socialist mishërohen në shumë nga punimet e skulptorit Dule, pasi duke marrë porosi shtetërore – partiake kontrolli mbi krijimtarinë e tij ishte më i rreptë.

Realizmi – monumental i skulptorit Hektor Dule, shpesh të krijon impresionin e imazheve skematike standarte, veçanërisht kur ai bashkëpunon me skulptorin Fuat Dushku apo dhe me grupin e tre skulptorëve të tjerë (Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami dhe  Shaban Hadëri).

Këto vepra të dimensioneve të mëdha, duke qënë kolektive e kanë humbur individualitetin e secilit krijues.

Skulptori Dule bashkëpunoi me skulptorin Fuat Dushku për realizimin e relievit “Naftëtarët”, Patos; “Monumenti i rezistencës”, 1988, bronx, Durrës, (“Shëtitorja Taulantia” ).

Foto nga momenti i vendosjes së “Monumentit të rezistencës”, në Durrës (1988). Autorë Hektor Dule dhe Fuat Dushku.

Së bashku me skulptorin Kristaq Rama realizoi shtatoren “Metalurgu”.

Së bashku me skulptorin Dhimo Gogollari realizuan dy relievet (në formë triptiku) në të dy anët e hyrjes kryesore në godinën kryesore të “Pallatit të Brigadave” (ish Pallati Mbretëror, Tiranë, bronx, 1972).

Në vitin 1981 bashkautor me Sofokli Kocin në realizimin e relievit në bronx me titull:”Figura e Shqipërisë”, vendosur në murin e hollit qëndror të Pallatit të Kongreseve, Tiranë.

Ai realizoi njërin nga tre monumentet kushtuar diktatorit Enver Hoxha pas vdekjes së tij, në qytetin e Korçës (1988, bronz, Korçë).

Edhe pse ishte pjesë e skulptorëve të Realizmit Socialist. Hektor Dule priret drejt një plastike të ngrohtë, lirizmi dhe sensualizmi veçanërisht në figurat e tij femërore (nudo).

Kjo cilësi e tij i bën veprat e artistit mjaft të veçanta dhe i evidenton atë si mjeshtrin e skulpturës në historinë e artit shqiptar.

Rreth tridhjetë vepra e artistit Hektor Dule ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, vepra të tjera të artistit, ndodhen në Francë, “Galeria Nettisi”, në Ambasadën Shqiptare në Pragë si dhe në koleksionistë privatë.

Veprat e krijuara nga Hektor Dule janë botuar në disa albume të publikuar para viteve 1990.

Biografia

(Përgatitur nga Ylli Drishti / Studjues arti)

03.01.1939 Lindi në Përmet dhe ishte një nga djemtë e familjes së nëpunësit Qani Dule (1908 – 1968), i arsimuar në shkollën Harri-Fullzi (Ekonomi bujqësore) e më tej si ushtarak në ushtrinë mbretërore me gradën N/Toger. Familja Dule pasi u transferua nga një rreth në tjetrinnë administratën shtetërore herë si sekretar dhe here si Kryetar Komune (Jergucat-Gjirokastër; Novoselë-Vlorë; Këlcyrë-Përmet; Lurë–Pukë; Zadrimë–Lezhë dhe Lushnjë), u vendos në Tiranë.
1945 Familja e Qani Dules vendoset me banim në Tiranë.
1946 – 1952 Kreu arsimin në shkollën “Kosova”, Tiranë. Mori mësime pikture në shtëpinë e pionierit nga piktori Andrea Kushi dhe Safo Marko.
1952 – 1956 Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë nën drejtimin e pedagogëve Odise Paskali dhe Janaq Paço.
1960-1964 1956 – 1957 Modelist në kooperativën e porcelanit, duke u marrë me realizimin e figurinave, për të plotësuar kërkesat e tregut.
1957 – 1961 kreu pjesërisht studimet e larta në Pragë (Çekosllovaki, Shkolla e lartë industriale) për skulpturë në ateljenë e pedagogët Otto Vinç, Jan Kavan dhe me asistent Jan Simota (autor i monumentit të ish Presidentit çek Antonin Zapotocki); Gjatë studimeve punoi në studion e skulptorit Otto Vinc duke përfeksionuar qeramikën dhe teknikën e skulpturës. Me kthimin në Shqipëri diplomën e mbrojti në Tiranë në Institutitn e Arteve me grupin skulpturor ”Pranvera e jetës” (1964), nën drejtimin e pedagogut Shaban Hadëri.
1964 Modelist në ndërmarrjen shtetërore të porcelanit, Tiranë, sëbashku me kolegët e tjerë si: Dhimo Gogollari,Thoma Thomai, Fuat Dushku,
1967 Skulptor në krijimtari të lirë për realizimin e monumentit të Myshqetas, Tiranë
1971 – 1974 Punon në Komitetin Ekzekutiv, Tiranë.
1974 – 2009 Pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (sot Universiteti i Arteve) në ateljenë e skulpturës së kavaletit dhe asaj monumentale.
1967 – 1991 Anëtar i Lidhjes së Shkrimtaëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Vepra të autorit në vite
1955. Portret vajze (Donika Baçi). Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative.
1955 -1956 “Malësori me llullë”, Terrakotë.


1956. “Portret vajze”, Terrakotë
1957. Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 40 vjetorit të Revolucionit të Tetorit.
1964 -1965 Realizoi punimin e diplomës
1965. Realizoi skulpturën me titull: ”Në njerën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”
1967. Realizoi grupin skulpturor “Brez pas brezi”
1968. Realizoi monumentin “Përmendorja e monumentit të Mushqetas”


1968. Realizoi relievin kushtuar Skënderbeut. (beton i bardhë, Lezhë)
1973. “Portret vajze”, allçi; “Portret fëmije”, allçi; “Partizani”, Allçi.
1974. Realizoi grupin skulpturor “Udhët e jetës”.
1976. Realizoi skulpturën me titull “Në brezin kufitar”, allçi.
1977. Realizoi skulpturën me titull ”Guri i rëndë në vend të vet”, allçi.
1978. Realizoi skulpturën me titull “Vigjilencë”, allçi; “Kushtrimi”, allçi;
1979. Realizoi skulpturën me titull “Pranverë”, allçë, kompozim.
1982. Realizoi skulpturën me titull “Në njerën kazmën dhe në tjetrën pushkën” (bronz, MHK, Tiranë)
Realizoi skulpturën me titull “Nora”,allçi.
1983. Realizoi skulpturën me titull “Punëtorja e lartësive”, allçi.
1984. Realizoi skulpturën me titull “Nëna me fëmijën”, allçi, kompozim.
1985. Realizoi skulpturën me titull ‘Portret ushtari”, allçi.
1986. Realizoi skulpturën me titull “Portret vajze”, dru
1989. Realizoi skulpturën me titull “Portret”, allçi.
Skulpturë monumentale
11 janar 1968 Relievi kushtuar Skënderbeut, Gjirokastër, beton
17 nëntor 1968 “Përmendorja e monumentit të Mushqetas”, beton
1970. Përmendorja e Luftës së 1920, reliev, Vlorë. (në bashkautorësi me skulptorët: Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Muntaz Dhrami), Qafa e Kociut, Kaninë.
1974. Relievi në fasadën e Kryeministrisë , beton. (në bashkautorësi me skulptorët: Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Muntaz Dhrami).
1988. “Monumenti i rezistencës”, Bronz, Durrës. (në bashkautorësi me skulptorin Fuat Dushku).
1981. Vepra skulpturore “Figura e Shqipërisë” (në bashkautorësi me skulptorin Sofokli Koci) , holli i Pallatit të Kongreseve, Tiranë
1976. Grupi skulpturor “Naftëtarët”, reliev, Patos, bronz, në bashkautorësi me skulptorin Fuat Dushku.
1988. Monumenti i Enver Hoxhës, bronz, Korçë. (Ky monument u shkatërrua nga protesta popullore ne vitin 1991)
Çmime dhe vlerësime për autorin
1957. Çmimi i parë në skulpturë
Vlerësuar me “Çmimin e Republikës së Klasit të I” (dy herë) dhe me “Çmimin e Republikës së Klasit të IIi”.
1965. Vlerësuar me “Çmimin e tretë”, për veprën: ”Në njerën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”.
1974. Vlerësuar me “Çmimin e parë”, për veprën:”Në udhët e luftës”.
Vlerësuar me “Çmimin e parë”, për veprën:”Komisari”.
1978. Vlerësohet me titullin “Artist i Merituar”
1988. Vlerësohet me titullin “Artist i Popullit”
1999. Vlerësohet me titullin Profesor.
2009. Del në Pension dhe vazhdon të punojë në studion e tij në Tiranë.

_____________________

Tiranë, më 12 korrik 2024

 

“Viti Zero” i Gazmend Lekës

"Piktura e Lekës ngjan si një dekriptim i gjësendeve ku jeta dhe vdekja lëkunden në fill të perit në një…

Qazim Arifi, skulptori më i mirë i Bienales “Usa Tour 2023-2024”

Arifi ekspozoi punët e tij në "Bienalen Usa Tour" në Los Anxheles, Uashington, Miami dhe Nju Jork.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.