Ardian Fezollari, “Lasgush Pogradeci” i fotografisë!
Fotografi i mirënjohur tregon pengjet dhe pasionet e tij në emisionin “Mes dy botëve” të piktorit Helidon Haliti
Nga Dash Frashëri
Fotografi i mirënjohur, Ardian Fezollari, njëherësh edhe një oficer policie me gradë të lartë, ishte i ftuari i radhës i piktorit Helidon Haliti, në emisionin e tij unik për televizionet shqiptare, “Mes dy botëve”.
Intervista me efektivin e lartë të Policisë së Shtetit u zhvillua në Galerinë e Artit “2 Botë”, në Belsh.
“Ardian Fezollari, një emblemë e fotografisë së Juglindjes dhe i përqendruar në Pogradecin e tij fantastik. Prej 30 vjetësh ka konsoliduar stilin e tij të fotografimit. Unë do të guxoja ta quaja “Lasgush Pogradeci i fotografisë”.
Kështu e prezantoi “Mjeshtri i Madh”, Helidon Haliti”, mjeshtrin e fotografisë se bukur, Ardian Fezollarin, i cili ka publikuar katër albume me fotografi, të parin në vitin 2005.
Ai ka fituar disa çmime kombëtare për fotografinë.
Fezollari, sot 191 cm, ka qenë në fëmijërinë e tij një basketbollist i talentuar në ekipet e moshave në Pogradec dhe më pas me ekipin e të rinjve në moshën 14 vjeç, tek ekipi i qytetit “Ylli i Kuq”, që i befasoi të gjithë kur u paraqit gjatë një ndeshje në Korçë, me një imitim modern të uniformës së ekipit të “Jugoplastikës” në Jugosllavinë e kohës.
“Kam qenë 184 cm. Isha një fenomen në atë kohë. Interesohej Dinamo dhe Partizani për mua, madje kam luajtur një vit më Partizanin në Tiranë. Madje u bëra problem në Ministrinë e Arsimit dhe më kthyen për gjashtë muaj sërish në Pogradec”, tregon Fezollari.
Po nga i lindi Fezollarit pasioni i madh për fotografinë?
“14 vjeç kam parë gjithë Shqipërinë. Nuk kishte besoj fëmijë në atë moshë. Dy qytete më ngelën pa vizituar në atë kohë: Kukësi dhe Gramshi. Kukësin e kam parë për herë të parë në 2015 dhe Gramshin në 2018. E pashë Shqipërinë me syrin e një fëmije, por mahniteshe. Peizazhe fantastike”.
Fezollari pranon se nëse nuk do të shkonte në shkollën e Ministrisë së Brendshme, do të shkonte në Institutin e Fiskulturës apo në Fakultetin e Historisë.
Ai tregon dhe pengun e rinisë së tij.
“Më vjen keq që nuk shkova të ndiqja part-time studimet për histori-gjeografi në Korçë”.
Fezollari njihet për kapelet e tij, madje disa të personalizuara dhe të vetmet dhurata që ai pranon të marrë nga shokët dhe miqtë, janë vetëm kapelet.
“E kam krijar si një lloj brendi. Mund të kem mbi 200 kapele”, tregon ai.
Ardian Fezollari e ka fotografuar Pogradecin e tij në çdo stinë, mot me diell dhe me borë.
Fezollari ka organizuar si kurator dhe hapjen e ekspozitave të artistëve të njohur në Pogradec, si Gazmend Leka, Helidon Haliti, Ali Oseku, Ziso Kamberi, etj.
Fezollari është dhe një koleksionues arti. Madje ka në fondin e tij rreth 40 piktura nga artistë të njohur, si Anastas Kostandini, Vangjo Vasili, Helidon Haliti, Agron Dine, etj.
“Më mirë Pogradecin e pikturon Vangjo Vasili”, thotë Fezollari.