Andon Lakuriqi, “Onufri” modern!

“Piktor i Merituar” (1979) dhe themeluesi i Degës së Pikturës në Shkollën Artistike “Onufri”, Elbasan (1974)


Nga Dash Frashëri

Kur ishte 14 vjeç, në vitin 1948, një djalosh bëri 50 km rrugë më këmbë nga Elbasani në Tiranë, për të konkuruar në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe përmbushur ëndrrën e jetës: të bëhej piktor!

Ky ishte Andon Lakuriqi, i cilësuar vite më pas si “Piktori i Karaktereve”.

“Piktor i Merituar” (1979). I nderuar me Urdhërin Naim Frashëri i Klasit të Parë (1970). Themelues i Degës së Pikturës në Shkollën Artistike “Onufri”, Elbasan (1974)


Andon Lakuriqi, vizatimi nga Ylli Haruni

Një “Onufri” modern!


“Onufri”, piktor Andon Lakuriqi

Edhe pse ka disa vite që është ndarë nga jeta, duket se Andon Lakuriqi do të marr sërish penelat dhe tavolocën e ngjyrave për të pikturuar pafundësisht.

Pranë muzës së tij të përjetshme, Mirës, bashkëshortes së tij të shtrenjtë.


Mira dhe Andon Lakuriqi

Të cilën e pati si modele në dhjetëra portrete dhe kompozime.

***

Talenti i Lakuriqit u shfaq qysh në moshë të vogël. Me transferimin e familjes në Elbasan, me insistimin e Andonit pavarësisht dëshirës së prindërve për të vazhduar shkollën pedagogjike, ai konkuroi në liceun artistik “Jordan Misja” Tiranë, nën drejtimin e “Piktorit të Popullit” Sadik Kaceli.


Piktori dhe pedagogu Sadik Kaceli

Në vitin 1959, Lakuriqi fiton bursën për të vazhduar studimet e larta në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) të ish-Bashkimit Sovjetik (sot Rusia), deri në vitin 1961, ku po aty kishin studiuar Sali Shijaku, Vilson Kilica, Mumtas Dhrami, Kristaq Rama, Zef Shoshi, Agim Zajmi, etj.

Një shkollë ku pranoheshin me konkurs dhe që ishte e pikturës realiste, sipas traditës ruse.

Andoni spikat për rezultatet e shkëlqyera dhe angazhimin aktiv në jetën artistike të Akademisë duke fituar disa cmime studentore.

Ai u kthye në atdhe, pa i përfunduar plotësisht studimet në Bashkimin Sovjetik, për shkak të rrethanave politike që u krijuan në marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Sovjetik.

Ai mbrojti diplomën në vitin 1965, në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, me kompozimin “Pas fitores”.

Pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve, Andon Lakuriqi punon disa vite në Tiranë si mësues i pikturës në Liceun “Jordan Misja” dhe më pas kthehet në Elbasan, qytetin që do të kthehej në frymëzimin e përhershëm të tij artistik, deri në fund të jetës.


Poshtë nga e majta në të djathtë: Nermin Asllani, Isuf Sulovari, Andon Lakuriqi, Vjollca Tirana. Lart nga e majta në të djathtë: Kujtim Ngjelina, Astrit Lopari ,Fatmir Selita, Bashkim Rudi,Tomorr Domi dhe Vladimir Caridha


Nga e majta ne te djathte Dhimiter Telezi, Xhemal Lufta, Isuf Sulovari, Andon Lakuriqi, Thanas Meksi dhe Bukurosh Sejdini (Artist i Merituar)

Elbasani ishte shndërruar në një vatër të re të fuqishme të arteve pamore, pas Shkodrës, Korçës dhe Tiranës. Andon Lakuriqi, Xhemal Lufta, Sefedin Agolli, Isuf Sulovari, Fatbardh Marku, Sadik Kasa, Ylli Haruni, Sigfrid Mullisi, Kujtim Koprencka, Vladimir Caridha, Gëzim Llalla, Nasuf Myftari, Gëzim Hysa, Hajdar Zhobe, Gaz Xhaferri, janë vetëm disa nga emrat e shquar që ka nxjerrë shkolla elbasanase.


Piktorët Sadik Kasa, Isuf Sulovari dhe Andon Lakuriqi

Veprimtaria artistike e Andon Lakuriqit është e pasur dhe multidimensionale si piktor, intelektual, autor punimesh shkencore ne konferenca kombëtare, publicist në shtypin e kohës për cështjet e arteve figurative dhe figurat historike te Onufrit dhe Konstandin Shpatarakut, bashkëautor i librit të ABETARES 1969, Aktiv i Komitetit për cështjet kulturore dhe arsimore në Ministrinë e Kulturës& Arsimit, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve prej 1968-1980.

Andoni është themeluesi i Degës së Pikturës në Shkollën Artistike Onufri, Elbasan (1974) së cilës i vuri emrin dhe ishte pedagog prej 15 vjetësh, është themelues i Deges së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (1967) dhe Kryetari i saj për një periudhë 13-vjecare, gjatë së cilës u ngrit dhe zhvillua një komunitet i shkëlqyer artistësh elbasanas duke e renditur Elbasanin në qytetet me veprimtari të spikatur artistike në rang kombëtar.


Isuf Sulovari dhe Andon Lakuriqi

Kompozimet e tij janë botuar në pesë albume kombëtare të Artit Figurativ Shqiptar, në mbi 50 numra revistash kombëtare dhe ndërkombëtare.


Album i Arteve Figurative, 1969. Dy kompozime të Andon Lakuriqit në këtë album.

Veprat më të spikatura të Andon Lakuriqit si “Mbas Fitores”, “Ata që i kënduan Luftës”, ” Fundi i Fashizmit”, “Vallja e Shpatave”, “Prova e Parë, “Nusja e nënës”, “Kthim nga Puna”,  “Onufri”, janë vlerësuar maksimalisht me cmime të para në konkurset Kombëtare të Arteve Figurative.


“Ata që i kënduan Luftës”


“Kthim nga puna”, 1976

Me pjesëmarrje të suksesshme në ekspozita ndërkombëtare në Francë, Itali, Spanjë, Gjermani, Suedi, Angli. etj.

Andon Lakuriqi u dallua për një penelatë të pasur, midis fauvizmit dhe ekspresionizmit, tepër bashkëkohor dhe në kontrast me frymën skematiste të paraqitjes së artit të realizmit socialist të kohës.

Ai trajtoi të gjitha teknikat dhe gjinitë, nga grafikat…

… akuareli…

… peizazhet dhe natyrat e qeta…

… portretet dhe kompozimet…

… por si çdo piktor edhe nudot e bukura!

Disa vepra të Andon Lakuriqit janë riprodhuar, filmuar dhe emëtuar në emisione numizmatike te Bankes se Shqiperise dhe emisone postare të Postës Shqiptare, dhe janë përfshirë në albume të ndryshme.

Për nder të tij një rrugë në qytetin e Elbasanit mban emrin “Andon Lakuriqi”.

_____________

Tiranë, më 27 qershor 2024

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.