Sofia Zengo Papadhimitri, piktorja që shkruajti historinë!

Sofia Zengo Papadhimitri dhe motra e saj, Androniqi Zengo Antoniu, përbëjnë një rast unikal në artet pamore shqiptare


Nga Dash Frashëri

Sofia Zengo Papadhimitri dhe motra e saj, Androniqi Zengo Antoniu, janë piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar dhe përbëjnë një rast unikal.


Androniqi dhe Sofia

Sofia Zengo Papadhimitri (Korçë, 19.03.1915 – Tiranë, 13.06.1976) konsiderohet si një nga ikonografet dhe piktoret më të mira shqiptare.


Ikona e Shën Gjergjit, pikturuar nga Sofia

Vajza e një piktori ikonografist (Vangjel Zengos), bashkëshortja e një skulptori (Akil Papadhimitrit) dhe nëna e dy violinistëve të shquar (Jani dhe Evangjel/ Vangjush Papadhimitri).


Familja Papadhimtri, Sofia me bashkëshortin dhe dy djemtë

Ajo ishte një piktore realiste dhe portretiste e rëndësishme në historinë e arteve pamore shqiptare të shekullit XX.

Ajo dhe motra e saj, Androniqi, bëjnë pjesë në plejadën më të shquar që shkruan historinë e artit shqiptar të viteve 1930-1945, si Kolë Idromeno, Andrea Kushi, Zef Kolombi, Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Llazar Nikolla, Janaq Paço, Kristiana Koljaka, Sadik Kaceli, të cilët studiuan në akademitë e njohura në Itali, Greqi, Francë, Rumani, duke sjellë një art mjeshtëror dhe lënë gjurmë historike me krijimet e tyre.

Prej Sofisë ruhen vepra të shumta në Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë, në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë, në Galerinë “Guri Madhi” Korçë dhe në koleksione private, përfshirë atë të familjes Papadhimitri.

I shoqi, skulptori Akile Papadhimitri, ka shërbyer si krahu i saj i djathtë, në vijim të ushtrimit të profesionit të ikonografes.

Në muajin prill 2015, Këshilli Bashkiak i qytetit të Korçës, vlerësoi kontributin e piktores Sofia Zengo Papadhimitri duke e shpallur “Qytetar Nderi” të qytetit.

Sofia Zengo Papadhimitri ndërroi jetë më 13 Qershor 1976, në Tiranë, në moshën 61-vjeçare. Në vitin 1975, ajo rRealizoi peizazhin e fundit nga bregdeti i Sarandës.

***

Sofia lindi, më 19 mars 1915, në Korçë, dhe ishte e bija e Vangjel dhe Vasiliqi (Korçari) Zengos, njëra prej shtatë vajzave të tyre.

Familja e madhe Zengo ishte një familje me tradita të hershme në art, ku piktori i parë i brezave të kësaj familje ishte Nikolla Zengo (I vjetri), në mesin e shekullit të 18-të, i cili kishte studiuar në Shën Petërsburg, në Rusi, për të vazhduar me Andon Zengon, Papajani Zengon, Vangjel Zengon.

Mësimet e para për pikturë i mori në Korçë nga i ati, Vangjeli, dhe nga piktori i mirënjohur, Vangjush Mio, i cili kishte studiuar në Rumani dhe Itali.


Babai i Sofisë, Vangjel Zengo Papajani


Kompozim nga Vangjel Zengo Papajani


Piktori i njohur korçar, Vangjush Mio

Në Korçë ajo kreu arsimin e ulët dhe të mesëm.

Ajo mësoi fillimisht të pikturojë me të atin dhe motrat e saj pranë kishave të zonës së Korçës. Pikturimi i kishave me afreske nga motrat Androniqi dhe Sofia Zengo është rasti i vetëm në Shqipëri, madje është rast unikal në trevat e vendeve ortodokse ballkanike.


Androniqi dhe Sofia

Sofia Zengo kreu studimet (1934-1939) në Akademinë e Arteve në Athinë me rezultate të larta, mën drejtimin e pedagogëve Spiros Vikatos (1878 -1960, piktor portetist i njohur grek) dhe Unvertos Argjiros (pedagogu i saj në vitin e fundit të studimeve), të cilët patën ndikim të dukshëm tek ajo.


Portret gruaje dhe piktori grek Spiros Vikatos, mësuesi i Sofie Zengos në Athinë

Në punimet e saj shkollore në vaj por edhe në vizatim ndjehen qartë kërkesat akademike për realizimin me vërtetësi të modeleve së figurës së njeriut.


Sofia Zengo, autoportret – 1939

Portret të riu- 1937


Portret burri – 1938

Portret plaku –  1938

Por edhe piktura nudo arstistike, shumë të realizuara në vaj dhe vizatime me karbon.

Gjatë pushimeve verore, kur ishte studente, Sofia së bashku me të atin Vangjelin punuan për dekorimin e kishës së Shën Triadhës, Korçë.

Korça asokohe ishte një nga qytetet më të zhvilluara dhe më artdashëse në Shqipëri, madje interesant si fakt, në vitin 1937, në Shqipëri operonte një kompani italiane fluturimi që quhej “Ala Littoria S.A.” Kompania kryente fluturimet Korçë-Tiranë dhe anasjelltas.

Me përfundimin e studimeve e pas kthimit në Korçë më 1940,  Sofia realizoi kryesisht disa ikona në vitin 1941 për kishat e qytetit të lindjes, dy prej të cilave ruhen në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë,

Sipas studiuesit Ylli Drishti, Sofia realizoi dy ikona që ndodhen në fondin e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë me temë “Nënë Perëndie”, (Dhuratë prej Donika J.Vangjeli) dhe “Kryeëngjëlli Mihal” (Dhuratë prej Rafail Martini)

 

Në vitin 1941 i kërkon qeverisë së atëhershme të punonte në detyrën e mësueses së vizatimit në Shkollën Femërore të Korçës.

Së bashku me të motrën, ikonografen dhe piktoren po aq të njohur, Androiniqin, në vitin 1942, çelën në Tiranë një ekspozitë të përbashkët pikture, ku u ekspozuan 56 punime nga të  cilat 21 punime ishin të Sofia Zengos.

Në vitin 1942,  ajo mori pjesë në Konkursin Kombëtar  “Premio Albania”,  në Tiranë , e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës Popullore. Në ekspozitën e çelur me këtë rast, morën pjesë 23 artistë  të arteve figurative. Sofia u paraqit me  punimin: “Portret” në vaj.


Portret gruaje – 1939

Në vitin 1944, Sofia mori pjesë sëbashku me dy motrat e saj Androniqi dhe Sotiria, në pikturimin e kupolës së Mitropolisë së qytetit të Korçës (filloi në pranverën e vitit 1944 dhe mbaroi në verën e vitit 1945).

Në vitin 1945 mori pjesë në ekspozitën e parë kolektive pas çlirimit të vëndit.

Në vitet 1945 dhe 1947, Sofia rivjen me ekspozita të reja për dashamirësit e arteve figurative.

Në vitin 1947, hapi ekspozitë në qytetin e Durrësit, me punime nga aksioni i rinisë në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Punimet ju dhuruan Komitetit të Rinisë së Durrësit.

Më pas pjesëmarrje në ekspozita të tjera në vitet 1950, 1952, 1957, 1959, 1961, etj.

Më 27 dhjetor.1965, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë organizon ekspozitën e saj vetjake me rastin e 50-vjetorit të lindjes. Ekspozita përmbante 58 punime si 23 peizazhe, 6 natyra të qeta, 2 autopotrete.

Sofia punoi në Tiranë si mësuese vizatimi në shkollat 7=vjeçare “Hasan Vogli” dhe “Hoxha Tahsim” deri sa doli në pension.

Në përgjithësi tek piktorja Sofia Papadhimitri dallohet një prirje drejt pasqyrimit me vërtetësi të portreteve të njerëzve të thjeshtë dhe peizazheve të bregdetit Jon (Saranda, Himara dhe Dhërmiu) dhe qyteteve muze si; Gjirokastra, Berati, Kruja, por edhe nga Pogradeci.

Portreti, si gjini, tek Sofia Papadhimitri zë vendin kryesor në krijimtarinë e saj. Krijimtaria e saj mbi 35-vjeçare ka një vijimësi konstante në realizmin e portreteve, peizazheve dhe natyrave të qeta me lule.


BIOGRAFIA E SOFIA ZENGO PAPADHIMITRI
(Përgatitur nga studiuesi i artit, Ylli Drishti)

Biografia

19 mars 1915: Lindi në Korçë dhe ishte e bija e Vangjel dhe Vasiliqi (Korçari) Zengos.
Mësimet e para për pikturë i mori në Korçë nga i jati Vangjeli dhe nga piktori Vangjush Mio. Në Korçë ajo kreu arsimin e ulët dhe të mesëm.
1934-1939: Kreu studimet në 5 vjet në Akademinë e Arteve në Athinë me rezultate të  larta. Nën drejtimin e pedagogëve si Spiros Vikatos (1878 -1960, piktor portetist i njohur grek) dhe Unvertos Argjiros (pedagogu i saj në vitin e fundit të studimeve).
1937: Gjatë pushimeve verore, kur ishte studente, Sofia sëbashku me të atin Vangjelin punuan për dekorimin e kishës së Shën Triadhës, Korçë.
1939: U vlerësua me çmimin e parë në portret.

Prill 1940: Pas studimeve kthehet në qytetin e lindjes në Korçë.
1941: Realizoi dy ikona që ndodhen në fondin e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë me temë “Nënë Perëndie”, (Dhuratë prej Donika J.Vangjeli) dhe “Kryeëngjëlli Mihal” (Dhuratë prej Rafail Martini).
1942 – 1947: Zuri vëndin e të motrës, si mësuese vizatimi në Shkollën Femërore në Korçë.
1946: Anëtarësohet në Lidhjen e Shrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
1947: Martohet me skulptorin Akile Papadhimitri në Tiranë, me të cilin pati
dy djem (Jani dhe Evangjel) që u bënë artistë – violinistë të njohur në Shqipëri.
Filloi punë në  Tiranë si mësuese vizatimi në shkollat 7 vjeçare “Hasan Vogli” dhe  “Hoxha Tahsim” deri sa doli në pension.
13 qershor 1976: Sofia Zengo Papadhimitri ndahet nga jeta në Tiranë, pas një sëmundje të rëndë në moshën 61 vjeçare.
EKSPOZITA
1942: Ekspozitë pikture me të motrën Androniqi Zengo Antoniu në Tiranë, u ekspozuan 56 punime nga të  cilat 21 punime ishin të Sofia Zengos.
1942: Mori pjesë në Konkursin Kombëtar  “Premio Albania”,  në Tiranë , e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës Popullore. Në ekspozitën e çelur me këtë rast, morën pjesë 23 artistë   të arteve figurative. Sofia u paraqit me  punimin: “Portret” në vaj.
1944: Mori pjesë sëbashku me dy motrat e saj Androniqi dhe Sotiria, në pikturimin e kupolës së Mitropolisë së qytetit të Korçës (filloi në pranverën e vitit 1944  dhe mbaroi në verën e vitit 1945)
1945: Mori pjesë në ekspozitën e parë kolektive pas çlirimit të vëndit.
1947: Hapi ekspozitë në qytetin e Durrësit, me punime nga aksioni i rinisë në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Punimet ju dhuruan Komitetit të Rinisë së Durrësit.
1948: Sëbashku me të motrën piktoren Androniqi (Zengo) Antoniu morën pjesë për dy javë në fazën e dytë , të ndërtimit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë
1950: Ka realizuar “Portretin e kufitarit”, në fshatin Sopik, Gjirokastër. Punimi ju dhurua klubit të fshatit Sopik, Gjirokastër e cila ishte dhe vendlindja e bashkëshortit Akile Papadhimitri.
1950: Ekspozita e Arteve Figurative. Tiranë. Mori pjesë me punimet: “Punëtori” dhe “Kostum Pogoni”.
1952: Ekspozita e Arteve Figurative. Tiranë . Mori pjesë me punimet ”Kostum Gjirokastre”, “Nëna e dëshmorit Thanas Ziko”.
1957: Ekspozita Kombëtare vjetore e Arteve Figurative, Tiranë, organizuar në kuadrin e 40 vjetorit të Revolucionit  Socialist të Tetorit. Mori pjesë me punimet ”Gjirokastra”, ”Pamje e kalasë”, “Rrugë në Gjirokastër”, ”Pionieri.
1959: Ekspozita Kombëtare vjetore e Arteve Figurative, Tiranë organizuar në kuadrin e 15 vjetorit të çlirimit. Mori pjesë me punimet “Portret gruaje”, ” Natyrë e qetë”.
1961: Ekspozita Kombëtare vjetore e Arteve Figurative, Tiranë, organizuar në kuadrin e 20 vjetorit  të themelimit të PPSH. Mori pjesë me një punim në vaj.
1948 – 1960: Pikturoi në zona si Korça, Dardha, Gjirokastra, Himara, Dhërmiu, Saranda, Kruja etj, ku dhe hapte  hera herës ekspozita të momentit.
1960: Sëbashku me motrën e saj piktore Androniqi dhe skulptorin Akile Papadhimitri, pikturuan kishën e Palasës (Korçë).
8 mars 1960: Mori pjesë në ekspozitën e parë të arteve figurative të organizuar  për Gratë artiste, Tiranë, me rastin e 50-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Grave.
1963: Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, organizuar në kuadrin e 20 vjetorit të Ushtrisë Popullore.
1964: Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare e Arteve Figurative, organizuar në kuadrin e 20 vjetorit të  Çlirimit të Shqipërisë. Mori pjesë me  punimin “Kasollja”.
1960 – 1970: Pikturoi në zonën e Shqipërisë së Mesme, kyesisht realizoi peizazhe dhe portrete të njerëzve të punës.
1964 – 1966: Sëbashku me motrën e saj piktore Androniqi dhe skulptorin Akile Papadhimitri, realizuan pikturimin , dekorimin dhe kapitelet e kishës së Evangjelismoit në Tiranë.
27.12.1965: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë organizon ekspozitën e saj vetjake me rastin e 50-vjetorit të lindjes.  Ekspozita përmbante 58 punime si 23 peizazhe, 6 natyra të qeta, 2 autopotrete.
20. 02. 1966: Ekspozita vetjake me rastin e 50 vjetorit te Lindjes u hap edhe në qytetin e saj, në Korçë, në  Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” si dhe mori pjesë në 2 ekspozita në Bienalen e Aleksandrisë, Egjypt.
1968: Vepra me titull ”Shitësi i limonave”  (“Portret Plaku”) ishte pjesë e një emisioni filatelik të përgatitur dhe realizuar nga Posta Shqiptare sëbashku me 7 vepra të tjera të Galerisë së Arteve, Tiranë.
10.02.1971: Ekspozita  “Portreti I klasës punëtore” në  Arteve Figurative. Mori pjesë me punimin  “Portret minatori”.
1974: Mori pjesë në Ekspozitën fotografike “Diga për vaditje”, Berat.
1975: Realizoi peizazhin e fundit nga bregdeti i Sarandës.
18 mars 1985: Përurohet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë,   Ekspozita Retrospektive me punimet e zgjedhura të Sofisë. me rastin e 90 vjetorit të lindjes të saj. Ekspozita përmbante 167 vepra, në teknikën e vajit dhe vizatime në karbon.
29 korrik  2005: Ekspozita Retrospektive e piktores Sofia Zengo Papadhimitri në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë me rastin e 90 vjetorit të lindjes të saj me 80 punime të zgjedhura nga fondi I GKA dhe koleksioni i djalit Evangjel Papadhimitri
30.04. 2015: shpallet “Qytetare Nderi” e qytetit të Korçës . (Vendimi nr.29 i Këshillit Bashkiak)
6 – 19 korrik  2015: Ekspozitë vetjakee piktores Sofia Zengo Papadhimitri  me vepra të zgjedhura nga fondi GKA dhe koleksioni i familjes Papadhimitri.
_____________
Tiranë, më 2 korrik 2024

“RINArt”, 400 punime ekspozohen te Galeria “2 Botë”

Kryebashkiaku i Belshit, Tafani: Faleminderit Universitetit të Arteve të Bukura, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Helidon Halitit

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.