Alush Shima, “Van Goghu” shqiptar!
Alush Shima konsiderohet si një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern viziv shqiptar.
Nga Dash Frashëri
Një “Vang Gogh” shqiptar!
Alush Shima konsiderohet si një nga piktorët e rëndësishëm bashkëkohor të artit modern viziv shqiptar të shekullit XX – XXI, me vepra të ekspozuara në Shqipëri dhe Kosovë, por dhe në SHBA, Angli, Greqi, Singapor, etj.
Me një histori personale të bujshme artistike, por edhe i censuruar ashpër si një “kundërshtar” i stilit propagandistik të realizmit socialist, për shkak të konceptit të tij mbi artin dhe të bukurën, modernizmit në koncept dhe telajo.
Sot, Shima është një nga referencat më të mira të artit shqiptar, me një prezencë të fuqishme në arenën ndërkombëtare dhe një numër të madh punësh në koleksionistë privatë prestigjiozë.
Botuesi i DashArt.al, Dash Frashëri dhe piktori Alush Shima (Foto: 4 korrik 2024)
Sipas studiuesit Ylli Drishti, kritika e vendit fqinj – Greqisë në fillimin e viteve 1990 e më vonë ajo e vendeve europiane por edhe ajo përtej oqeanit (Anglisë, Zvicrës, SHBA dhe Singaporit) e vlerësoi Shimën me veprën e tij piktorike si fovist, pasues i Van Gogut dhe i Derain por mbi të gjitha si një kolorist të jashtëzakonshëm.
Shima është njohur herët nëpërmjet albumeve të artit me artin dhe artistët e mëdhenj klasikë dhe modernë botërorë si: Matisse, Van Gogh, Gauguin, Delaunay, Kandisky, Derain, të cilët influencuan jo pak në botën e tij të brendshme artistike dhe në strukturimin e tij si piktor “paksa ndryshe” nga të tjerët.
Peizazh nga piktori holandez, Van Gogh
Peizazh nga piktori francez, Andre Derain
Drishti e përshkruan pikturën e Shimës si “… fuqi e jashtëzakonëshme e ngjyrave të ikonografisë shqiptare dhe e mjeshtrave të saj si: Onufri, Nikolla, Shpataraku dhe Selenicasi. Shima “rrezaton” dritë duke e zbukuruar koleksionin e tij vazhdimisht me dashurinë e brendëshme që artisti ndjen për njerëzit, natyrën dhe objektet që e rrethojnë atë…”
Kolazh me vepra të Alush Shimës
Emri i piktorit Shima është i njohur për artdashësit shqiptarë, së pari si autor i shumë filmave artistikë (piktor filmi dhe kostumesh) të realizuar nga ish-Kinostudioja “Shqipëria e Re” gjatë viteve 1967 90. Mund të kujtojmë filmat “Gjeneral gramafoni”, “Kohë e largët”, “Në shtëpinë tonë”, “Në çdo stinë”, etj.
Në vitin 1999 Shima u mominua për çmimin Njeri i vitit (Man of the year) nga Instituti Biografik Amerikan.
M[ 31 dhjetor 2012, iu dha Urdhri “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me këtë motivacion: “Mjeshtrit virtuoz të penelit dhe shpërthimit të ngjyrave të gjalla, i cili rindërtoi në kanavacë realitetin e tij pamor duke i shpalosur mbarë botës një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist.”
***
Alush Shima lindi më 21 tetor 1942, në një familje me origjinë nga Kuçi i Vlorës, por e ardhur në Tiranë, në vitin 1927.
Ishte vetëm 8 vjeç kur Alush Shima nisi të vizatonte. Piktura ishte një pasion i madh edhe për babain e tij, i cili shpesh për të nxitur të voglin e tij drejt këtij rrugëtimi organizonte konkurse mes tyre.
Arsimin fillor, Shima e kreu në shkollën “Kosova” (1948), Tiranë.
Në vitin 1955, mori pjesë në kursin e vizatimit të Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi” me pedagogët piktorin Sadik Kaceli dhe më vonë Ndoc Kodhelin.
Viti 1956 – Kursi i vizatimit në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi”, i drejtuar nga Ndoc Kodheli. Alush Shima (në rreth), i dyti nga e majta, në radhën e sipërme, me bluzë me vija.
Shima vazhdoi studimet e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1955-1962). Pas Andrea Manos që ishte pedagogu i vizatimit, në Lice erdhi piktori Nexhmedin Zajmi. Zajmi ishte shumë kërkues dhe i mësoi Alushit teknikat e vizatimit. Punimet në qeramikë dhe vizatimet e Shimës i vlerësonte dhe pedagogja çeke, e atyre viteve.
Pedagogu Sadik Kaceli me nxënësit e tij
Talenti i tij i madh e çoi atë drejt “Institutit të Arteve”.
Kreu studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve (1962-1966), që kishte vetëm dy vjet që ishte hapur në Shqipëri. Ateljeja ku ai studjoi drejtohej nga piktorët Sali Shijaku dhe Nexhmedin Zajmi. Mbrojti diplomën me punimin kompozicional “Studentja në fshat”
Mars 1962. Disa nga studentët e kursit II të Insitutit të Arteve Figurative, në oborrin e Institutit në rrugën e Kavajës, përballë Parkut të xha Tonit. Në këmbë: Alush Shima (në rreth), Edison Gjergo, Llazar Taçi, Remzi Kuçi, Jorgo Kokolani e Aristidh Loli. Të ulur: Sotiraq Sholla dhe Agim Shami
Gjatë studimeve të mesme për qeramikë, në Tiranë (LAJM,Tiranë) i prirur ndaj pikturës, me këmbëngulje dhe pasion, ai koleksionoi rreth 1500 akuarele të realizuara në natyrë, me imazhe të periferisë dhe qytetit të Tiranës.
“Krijimtarinë Shima e nisi pas viteve ’60 të shekullit të XX. Ishin vitet e vështira të ndarjes së Shqipërisë nga kampi komunist dhe izolimit nga perëndimi (forcimit të shtetit totalitar komunist shqiptar, të reformave kundër besimeve fetare, shtetëzimeve dhe kolektivizimit të pronës private) të forcimit të parimeve të realizmit socialist në art dhe kulturë, ushtrimit të çensurës së ashpër ndaj artit dhe letërsisë dhe të dënimeve ekstreme që diktatura bëri ndaj shfaqjeve të një fryme lirie në art dhe kulturën shqiptare”, shkruan studiuesi Drishti.
Pas studimeve akademike (1967), Shima i ri punoi si piktor modelist në byronë e modeleve të ndërmarrjes artistike “Migjeni” në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ai realizoi disa tablo me temë historiko-sociale dhe ishte pjesëmarrës vetëm në pak ekspozita kombëtare. Ai ekspozoi për publikun disa tablo kompozicionale, por pas refuzimit dhe kritikave të tablove si: “Skënderbeu”(1968), “Studentja” (1973), ai nuk ekspozoi më.
Sot kjo pikturë, “Skënderbeu”, e punuar në 1968 është ruajtur në një gjendje perfekte dhe është vendosur në këndin më të rëndësishëm të shtëpisë së tij në Petrelë.
Portret i një punëtori – Viti 1971
Artisti Shima e kuptoi shumë shpejt që shteti komunist i udhehequr nga E.Hoxha, do të vazhdonte politikat e saj konservatore të brendëshme dhe të jashtme drejt izolimit ndaj botës perëndimore.
Ai u tërhoq nga krijimtaria publike për të mbajtur “ditarin sekret të piktorit” nëpërmjet një cikli prej mëse 4 000 vizatimesh, grafikash dhe pikturave mbi letër, pra zgjodhi rrugën e tij të veçantë, unikale të protestës artistike: ”krijimtarisë disidente të fshehur”.
Një cikël sa politik aq dhe social, një panoramë artistike e jetës shqiptare që apelonte fuqishëm kundër diktatorit, diktaturës dhe vlerësonte jetën dhe punën e njeriut.
“I ndërgjegjshëm për rrezikun e “rrugën” së nisur, i zhgënjyer nga realiteti shqiptar i kohës, i tradhëtuar nga kolegët-artistë bashkëkohës, të mbuluar me helmin e cmirës dhe të zilisë, Shima, me këmbëngulje dhe pasionin e “çmëndur” të dashurisë për artin, rebel dhe antikonformist, intiligjent dhe largpamës realizoi ciklin e tij të vizatimeve, grafikave dhe pikturave që mund të emërtohen ndofta: “E vërteta shqiptare” apo dhe “Diktatura dhe njeriu””, thekson Drishti në një profil kushtuar piktorit Shima dhe i botuar në ish-faqen zyrtare të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Të gjitha personazhet e “Sagës artistike” së krijuar nga Shima, duke filluar nga: diktatori, akrobati, piktori dhe modeli, violinisti, aktori, pëllumbi, adami dhe eva, nudo, gruaja, idil, fëmijët, familja etj. etj, vizatohen dhe pikturohen nudo, një preferencë kjo e veçantë e piktorit.
Vizatimet e Shimës janë unikale, ato s’janë gravura të gdhendura në dru apo në xing që mund të shumëfishohen, por janë vepra të krijuara vetëm një herë: herë me penë, laps, pastel, penel dhe shpesh edhe me ngjyra në teknikë mix.
Në pikturat e tij mbi letër shpesh koloriti është mjaft potent, vezullues dhe njollat dekorative priren të harmonizohen me imazhin njerëzor.
Cikli i vizatimeve dhe grafikave të Shimës është i mbushur me ekspresion, shkathësi, plasticitet, ngjyrë edhe pse në to ka ankth, tronditje njerëzore dhe të krijohet përshtypja se diçka ka ndodhur, po ndodh apo do të ndodhë nga çasti në çast.
Piktura e Shimës ka një dritë të brendëshme shpërthyese që mund të krahasohet me magjinë dhe fuqinë koloristike që ndjehet kur ndodhesh nën dritën e vitrazheve të katedraleve gotike.
Sigurisht në paletën e ngjyrave të tij mund të ndjehet dhe fuqija e jashtëzakonëshme e ngjyrave të ikonografisë shqiptare dhe e mjeshtrave të saj si: Onufri, Nikolla, Shpataraku dhe Selenicasi. Drita e fuqishme me ngjyra të pastra apo drita e fuqishme e grafikave dhe vizatimeve të Shimës buron së brendëshmi në çdo punim të tij.
Shima edhe kur realizoi grafikat, vizatimet, pikturat me temën kundër diktaturës komuniste, por edhe në natyrat e qeta, peizazhet, portretet e realizuara me ngjyra vaji, “rrezaton” dritë duke e zbukuruar koleksionin e tij vazhdimisht me dashurinë e brendëshme që artisti ndjen për njerëzit, natyrën dhe objektet që e rrethojnë atë.
Me muzikalitetin e muzikës së trishtë plot ankth dhe prag tragjedie që rrezatojnë grafikat, vizatimet dhe pikturat e tij të ciklit antidiktaturë, Shima, kontraston dukshëm në punimet e tjera të mbushura me ngjyra shpërthyese, të pastra, dekorative dhe ajër mesdhetar.
Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ndodhen tre vepra të artistit, ndërsa një numër i konsiderueshëm punimesh të tijndoshen në koleksionet e koleksionistëve në Shqipëri, Evropë, SHBA, Lindjen e Largët.
Punimet e tij shiten edhe në platformat online.
Biografia
(Përgatitur nga studiuesi i artit, Ylli Drishti)
21. 10. 1942: Lindi në Tiranë në familjen e Mustafa dhe Fatma Shimës.
1948: Arsimin fillor e kreu në shkollën Kosova, Tiranë
1955: Mori pjesë në kursin e vizatimit të Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi” me pedagogët piktorin Sadik Kaceli dhe më vonë Ndoc Kodhelin.
1956 – 1962: Shima vazhdoi studimet e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja”,Tiranë.
1959: Pas Andrea Manos që ishte pedagogu i vizatimit, në Lice erdhi piktori Nexhmedin Zajmi. Zajmi ishte shumë kërkues dhe i mësoi Alushit teknikat e vizatimit. Punimet në qeramikë dhe vizatimet e Shimës i vlerësonte dhe pedagogja çeke,e atyre viteve.
1962 – 1966: Kreu studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, që kishte vetëm dy vjet që ishte hapur në Shqipëri. Ateljeja ku ai studjoi drejtohej nga piktorët Sali Shijaku dhe Nexhmedin Zajmi. Mbrojti diplomën me punimin kompozicional “Studentja në fshat”
1967: Piktor modelist në byronë e modeleve të ndërmarrjes artistike “Migjeni” në Tiranë.
1968 – 1990: Piktor kostumesh dhe më vonë piktor filmi në Kinostudion “Shqipëria e Re”.Gjatë kësaj periudhe Shima ka realizuar si piktor filmi rreth 35 filma artistikë.
1968: Tabloja e Shimës “Skënderbeu mbret” nuk pranohet nga Komisioni shtetëror në ekspozitën kombëtare organizuar me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar.
1969: Në ekspozitën kombëtare të 25 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, realizoi një tablo me titull :”Lartësi 1309” kushtuar agresionit monarko-fashist grek në kufirin shqiptar në gusht 1949. Tabloja nuk u mirëprit dhe u kritikua në shtypin e kohës.
1971: Në ekspozitën kombëtare të 25 vjetorit të themelimit të PPSH refuzohet tabloja “Studentja”, për tendenca moderniste. (me imazhin e heroinës së luftës Margarita Tutulani)
1972: Merr pjesë në ekspozitën “Pranvera 1972” me peizazhin “Në kodrat e Tiranës” dhe me tablonë: “Poeti”, u cilësua si një vepër që nuk tregon realitetin dhe prirej drejt kërkimeve formaliste.
Merr pjesë në ekspozitën “Klasa punëtore në artet figurative” me tablonë “Minatori” (GKA, Tiranë)
1973: Ekspozita “Pranverë 1973” artisti Alush Shima tenton të marrë pjesë me tablonë “Naim Frashëri”, por ajo refuzohet nga Komisioni shtetëror si:”…pikturë formaliste me tendenca të theksuara moderniste…” Në këto kushte, pas disa refuzimesh dhe kritikash, Shima vendosi të mos merrte pjesë në ekspozitat e kohës.
1974: Pas Pleniumit të 4 – të Komitetti Qëndror të PPSH u përndoqën dhe u burgosën disa miq të tij artistë dhe intelektualë si: piktorët: Ali Oseku, Edison Gjergo dhe miku i shtëpisë pedagogu i historisë Tanush Frashëri. Alushi i terrorizuar vendosi të asgjësojë të gjitha pikturat e tij të krijuara gjatë viteve
1969 – 1974: Prej kësaj periudhe artisti ruan vetëm disa tablo.
1974 – 1990: Vendosi të pikturojë në fshehtësi të plotë. I vetëm Shima realizoi pikturat dhe vizatimet politike kundra sistemit komunist – diktatorial të kohës. Ai ndoqi rrugën e antikonformizmit dhe denoncimit të pushteti në mënyrë të heshtur dhe të fshehtë për vite me radhë. Ajo ishte një histori e pabesueshme dhe unikale në historinë e artit shqiptar.
Artisti Alush Shima krijoi mbi 4000 vepra (piktura, grafika, vizatime, pastele,tush, mix) përgjatë rreth 16 viteve që do të pasonin. Një pjesë shumë e vogël e këtyre grafikave dhe vizatimeve u shfaqën në publik pas viteve 1990, në një ekspozitë vetjake të artistit në Galerinë Kombëtare të Arteve , Tiranë.
Tetor 1990: Ekspozon për herë të Parë në GKA, Tiranë një pjesë të krijimtarisë së viteve 1973-1990
Maj 1994: Hap ekspozitën me titull “Ankth” në GKA, Tiranë, me një koleksion të vizatimeve dhe grafikave të realizuara në fshehtësi në vitet e komunizmit.
1994 – 1998: Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë
1992 – 1995: Hap dy ekspozita vetjake në “Roy Milles Gallery”, në Londër.
1998 – 2002: Ekspozitë vetjake në galerinë”Woodland Grove Gallery Inc”, Long Grove, Ilinois, SHBA.
2001: Ekspozitë vetjake në “CATO Gallery””, në Londër.
2002 – 2004: Ekspozita vetjake në galerinë”Hilligoss Gallery”, Chicago, Ilinois, SHBA.
2004 – 2006: 2004 Ekspozita vetjake në galerinë”Ha Karen Gallery”,Singapor.
2009 Botohet monografia “SHIMA – grafika, vizatime dhe piktura në letër 1960-1990”, të autores Suzana Varvarica Kuka, SHB “Toena”, Tiranë
1990 – 2013; Pas viteve 1990 kritika e vendeve fqinj, Greqisë, në fillimin e viteve ’90 e më vonë ajo e vendeve europiane dhe ajo përtej oqeanit: Anglisë, Zvicrës, SHBA dhe Singaporit, e vlerësuan Shimën me veprën e tij piktorike si fovist, pasues i Van Gogut dhe i Derain, por mbi të gjitha si një kolorist i jashtëzakonshëm.
2012 I jepet Urdhëri “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Prill – maj 2013 Ekspozita vetjake “Territore të vogla lirie 1968-1973”,Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë. Shoqërohet me Katalog, ShB.”Aleph”, Tiranë
2017 Ekspozita vetjake “Në zgjerim të intimes””, Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë. Shoqërohet me Katalog, ShB.”Aleph”, Tiranë.
Shkrime në vite mbi piktorin ALUSH SHIMA
“Diskutim krijues mbi ekspozitën e pranverës të arteve figurative”, Gazeta “Drita”, 09 .07. 1972, f. 2-3
Hasan Nallbani “Ekspozita e pranveres e arteve figurative, Gazeta “Drita”, 12.11.1972, f 1-2
Alda Bardhyli “Alush Shima, jeta mes ngjyrave dhe botëve të ndryshme” Gazeta SHQIP, 05. 03. 2009
Alma Mile “Shima: Si krijova 30 vjet në fshehtësi nën diktaturë” Gazeta “Panorama” 16.11.2009 fq 20-21
Përparim Kabo “ANATOMIA E TIRANISË NË TELAJON E ALUSH SHIMËS” (Kumtet filozofike të një identiteti pikturë), Gazeta SHQIP, 17. 03.2010
Përparim Kabo “ANATOMIA E TIRANISË NË TELAJON E ALUSH SHIMËS” (Kumtet filozofike të një identiteti picture), Gazeta SHQIP, 18. 03.2010
Ylli Drishti “Alush” – Historia Madhështore e Artit që nga Van Gogh . Revista “Monitor”, Nr. 240. shtator 2006
“It is a privelege to witness viewers’ reactions to Alush’s once-hidden art. I’ve seen some giggle like children and others choke back tears. At his last exhibition, an elderly woman simply hugged him and whispered ‘Thank you”.
Ricky Padro, Art Agent
30 dhjetor 2012 Presidenti Nishani dekoron zotin Alush Shima me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi zotit Alush Shima Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Mjeshtrit virtuoz të penelit dhe shpërthimit të ngjyrave të gjalla, i cili rindërtoi në kanavacë realitetin e tij pamor duke i shpalosur mbarë botës një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist”.
Shkrime mbi Shimën – Jashtë Shqipërisë
Në Greqi
Eleftherios Zolas “EKSPOZITE PIKTURE NGA PIKTORI SHQIPTAR ALUSH SHIMA”, shkurt – 18 mars 1991
Petro PAPADHOPULOS “TEK AMIMONI EKSPOZITË PIKTURE E ALUSH SHIMËS”, shkurt – 18 mars 1991
Meri Koliu ”EKSPOZITË E PIKTORIT SHQIPTAR NË AMIMONI”, shkurt –18 mars 1991
“NJË PIKTOR I MADH SHQIPTAR EKSPOZON NË AMIMONI – MOS E HUMBNI RASTIN E NJOHJES ME PUNËN E TIJ” – Gazeta ”TË REJAT E MËNGJESIT” (Janinë)
Ne Angli dhe SHBA
Revista “MILLIONAIRE”, Las Vegas, tetor 2004: “Alush, the greatest art story since Van Gogh”
Mila Andre “Shqiptari i gëzohet lirisë artistike” “Daily News” E premte, 11 Dhjetor 1998 Museo Drive
ROY MILES – ARTI SHQIPTAR MBËRRITI – Petar Hadji-Ristic jep profilin piktorit që gati u burgos pasi admironte Pikason. “The Daily Telegraph” – E hënë, 1 Qershor 1992 (Londër)
Giles Auty – Mësime të Forta – “THE SPECTATOR”
Martin A. Bartles Artisti i shpëton represionit përmes bukurisë – “DIVERSIONS” –