Janaq Paço, emblema e skulpturës moderne shqiptare!

Jeta e tij artisike është dëshmia e një skulptori të madh, një monument i pavdekshëm i arteve pamore


Nga Dash Frashëri

“Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!
Po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë”

Ky fragment poetik i shkruar nga poeti rilindas, Naim Frashëri, ndoshta e ka frymëzuar “Skulptorin e Popullit”, Janaq Paço, për të realizuar monumetin më të mirë ekuestër për Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të vendosur në Krujë më 27 nëntor 1969, pas një pune dhjetëvjeçare.

“Janaq Paço është një eminencë e skulpturës. Monumenti i Skënderbeut ishte ai i përfytyrimit të të gjithë Shqiptarëve”.


Skulptori Janaq Paço dhe Imzot Fan Noli

Kështu shkruante eruditi Fan Noli nga Kisha Autoqefale e Bostonit në SHBA, në letrën e tij të falenderimit, pas përurimit të monumentit ekuestër i Skënderbeut në Krujë, realizuar mjeshtërisht nga një prej baballarëve të skulpturës monumentale shqiptare.


Fan Noli, realizuar nga Paço (1960)

“Monumenti i Skënderbeut në Krujë është i paarritshëm deri më sot. Konfiguracioni artistik i kapur në një moment të caktuar, duke shkaktuar efektin estetik më të thellë të një luftëtari”, shkruan studiuesja e artit, Nadire Buzo, në një profil të gjatë kushtuar Paços.

Gjatë jetës së tij artistike, skulptori Paço realizoi tri vepra monumentale kushtuar Skënderbeut: Monumentin e Skënderbeut në Krujë (1949-1959), monumentin e Skënderbeut në Tiranë (1964-1968, bashkautor me Odise Paskalin dhe Andrea Manon) dhe grupin skulpturor me titull: “Skënderbeu dhe populli” (1979-1982, në bashkautorësi me Genc Hajdarin) i vendosur në hollin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë.


Monumenti i Skënderbeut në Tiranë, Sheshi “Skënderbej”


“Skënderbeu dhe populli” , Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë.

Paço është një zë i veçantë i skulpturës moderne shqiptare. Në vitin 1984, në moshën 70-vjeçare, Janaq Paço, dekorohet me medaljen “Skulptor i  Popullit”.

***

Janaq Paço u lind, më 14 mars 1914 në Konicë, qytet në Greqinë Veriore pjesë e Prefekturës së Janinës,  ku prej vitesh punonte i ati i ardhur familjarisht nga fshati Badëlonjë i Përmetit, nga një familje arumuno-vllahe. Ndërroi jetë në Tiranë në moshën 77-vjeçare,  më 11 korrik 1991.


Konica, Greqi

Në vitin 1925, kur Janaqi ishte 11 vjeç, familja e tij u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Tiranë, pesë vjet pas ajo ishte shpallur kryeqytet.

Nisi të shkëlqente në vizatime dhe modelimin e figurave të ndryshme në argjilë, madje kur u kthye në Tiranë ai u shqua në një ekspozitë të hapur në “Kafe Kursal”, midis nxënësve të tjerë pjesëmarrës.

Një tregtar nga Selaniku, mik i babait të tij, e mori me vete djalin e talentuar, i cili do të mbaronte shkollën e mesme artistike në qytetin e Selanikut.

Në vitin 1933, do të fitonte konkursin e pranimit në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë.

Atje i vazhdoi studimet për skulpturë nën drejtimin e drejtorit të Akademisë së Arteve, Kostandin Dimitriadhis , nxënës dhe adhurues i skulptorit të madh francez August Rodenit. Ai ka fituar medalje të artë në garat e artit për Lojërat Olimpike Verore të 1924, me shtatoren e hedhësit të diskut.


Kostandin Dimitriadhis (1881-1943)

Duke parë talentin dhe karakterin e Janaq Paços, drejtori i akademisë e cakton si asistent, e mban në atelie dhe e trajton si birin e tij. Skulptori i ri Paço shkëlqen në punën e diplomës, duke fituar çmimin e parë midis studentëve të Akademisë, me portretin në mermer të shoqes së tij, Trilivia, e cila sot ndodhet ne Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë.

Paço ishte një realist i madh.

“Ai është skulptori që e modernizoi artin e skulpturës duke sjellë natyrshëm  “aromën” e një arti të rafinuar dhe mjaft elegant”, shkruan studiuesi Ylli Drishti.

Mbas kthimit në Tiranë, punoi si mësues vizatimi në gjimnazin ne të cilin kish filluar studimet e shkollës së mesme. Gjatë kësaj periudhe ai punon pa reshtur dhe në një konkurs të organizuar në ato vite, ai fiton çmimin e parë me “Kokën e Angjelinës”, motrës së tij, të cilën e bleu një italian.

Janaq Paço, së bashku edhe me “Skulptorin e Popullit”, Odhise Paskali – që të dy përmetarë – ishin themeluesit e degës së skulpturës në Liceut Artistik “Jordan Misja”, vatrës së shquar të arteve pamore, e cila edukoi dhe nxori artistë të mëdhenj.

Veprat, që Paço i ka realizuar në vitet 1945-60, kanë lënë gjurmë në artin pamor shqiptar. Janë figura kombëtare, si Qemal Stafa, Avni Rustemi apo Hoxha Tahsimi, monumentet e të cilëve janë jetësuar edhe në hapësirat publike.

Në vitin 1948, fitoi konkursin midis shumë konkurrentëve të huaj dhe vendas, për realizimin e monumentit ekuestër të Skënderbeut.

Me një përkushtim dhe mjeshtëri të rrallë punoi për 10 vjet rresht deri në inaugurimin e tij më 27 nëntor 1959, në qytetin e Krujës. Monumenti, 12 metra i lartë se bashku edhe me bazamentin, është derdhur në bronz në Budapest (Hungari), i asistuar nga vetë autori.

Në vitin 2001, Monumenti i Skënderbeut, kopje e atij të Kujës, u vendos në Prishtinë, në prani të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rrugova.

Në vitin 1960 Janaq Paço hap ekspozitën e parë vetjake, ku spikasnin skulpturat për piktorin Vangjush Mio, shkrimtarin Sterjo Spasse,  portrete të fëmijëve, portrete artistësh ku shkëlqen skulptura e Aleksandër Moisiut, aktorit të madh shqiptar me famë botërore në interpretimin e Hamletit. Në vitin 2004, pas shumë vitesh, nga koha kur ishte punuar vepra për Moisiun e madh, busti u vendos në qytetin e Kavajës.

Më 1973 përfundon “Gladiatorët” të parashikuar për t’u vendosur hyrje të Amfiteatrit antik të Durrësit.

Paço konsiderohet si themeluesi i  skulpturës dhe i  shkollës së nudos në Shqipëri. Në vitet ’70-’90 realizon një cikël nudosh të cilat më 1975 do t’i thyente me dorën e tij.

“Nga imazhet e këtyre nudove kuptojmë një ndjeshmëri magjike të mjeshtrit Paço për bukurinë femërore, delikatesën e qëndrimit dhe lëvizjeve të secilës prej tyre. Magjia e plastikës delikate të figurëve nudo të le gojëhapur.Kur vështron secilën prej tyre ndjen dhe kupton se ato janë realizuar me forma të plota, në qetësinë dhe natyrshmërinë e qëndrimeve, herë ulur apo në këmbë dhe herë- herë pa krahë”, thotë studiuesi Drishti.

Skulptori mori një dënim moral dhe artistik, në vitin 1974, pasi zbulohen nudot e tij,

“Thyerja e nudove ishte një goditje shumë e rëndë dhe i shkaktoi traumën më të madhe të jetës së tij, pasi filloi të kishte ndjesinë e përndjekjes dhe ndjesi që e ndau vetëm me familjen e vet”, shkruan studiuesja e artit, Suzana Varvarica Kuka, gjatë një shkrimi të saj të botuar te gazeta “Panorama”, me titullin intrigues: “Janaq Paço, si mund ta shkatërrojë sistemi komunist një artist”.

Në ekspozitën “Pranverë 89” në Galerinë Kombëtare të Arteve, fitoi çmimin e parë me “Portret vajze” e cila në vitin paraardhës nuk ishte lejuar të ekspozohej e cilësuar “vepër moderniste”.

***

Sipas studiuesit të njohur të artit, Ylli Drishti, Paço është një nga artistët që u ka dhënë jetë formave të ngrohta plastike, por edhe që është vlerësuar si skulptor monumental dhe portretist i veçantë, i cili në Shqipëri solli frymën e skulpturës klasike dhe moderne greke.

“Krijimtaria e Paços, lidhet me tri drejtime të rëndësishme: me familjen(portretet e familjarëve të tij, djali, vajza, dhe nipërit Ivi dhe Eri, shtatorja e nënës, Lida – e shoqja e artistit etj); me heronjtë nga historia dhe figurat e shquara të kulturës dhe artit shqiptar (figurat e dy gladiatorëve (1975),bustet e Heronjve të Popullit, bustet e rilindasve,shkrimtarëve, intelektualëve, piktorëve dhe muzikologëve (miq të tij si Ramadan Sokoli, Vangjush Mio, Sterjo Spasse) dhe së treti prirja për realizimin e nudove femërore; një pasion i artistit që në vitet e Akademisë së Arteve, në Athinë(Greqi) por që e shoqëroi në krijimtari gjithë jetën (me bocete të shumta)dhe që kulmoi me realizimin e ciklit të njohur të nudove (1960 -1977) – padyshim vepra të një niveli artistik elitar”, thotë Drishti, autori i një monografie të plotë mbi skulptorin.

Në 105-vjetorin e lindjes së skulptorit të njohur shqiptar Janaq Paço (2019), studiuesi Drishti, botoi veprat e skulptorit në një album. Ai propozon që të hapet edhe një muze për mjeshtrin e skulpturës shqiptare në Përmet, vendin e origjinës së Janaq Paços, ku ndodhet edhe një rrugë me emrin “Janaq Paço”, sepse vetëm në këtë mënyrë 100 veprat që familja e tij zotëron apo edhe të tjera, që gjenden në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të marrin jetë edhe për artdashësit vendas dhe të huaj.

“Vitet ikin bashkë me ne, legjendat mbesin… Na ishte njëherë një artist i madh, një njeri i veçantë, një skulptor gjigant, të cilin njëherë e një kohë, mamuthët e kombit e detyruan të thyente statujat e veta femërore të krijuara vite me parë, nga dashuria e madhe për artin dhe atdheun e tij. Ai është Janaq Paço”, shkruan Nadire Buzo.

Janaq Paço është përfshirë në librin e Susana Varvarica Kukës, “20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë – Histori arti për fëmijë dhe të rinj”.

“Mjeshtri shqiptar dhe personaliteti i skulpturës Janaq Paço jetoi gjithë krijimtarinë e tij në sistemin fatkeq të metodës së realizmit socialist, por kjo nuk ia turbulloi plotësisht krijimin skulpturor. Ai realizoi me dhjetra skulptura. Fillimisht u shpresh si një ekspresivist në bocetet e tij të boksierëve, më pas si një impresionist, disa herë lulëzuan veti të pastra të artit helen, siç ishin nudot apo figura e nënës, e disa herë të tjera në portrete si figurativ i mesjetës klasike dhe së fundmi si një modern tradicional i shek. XX me portretin e “Gruaja me Ruaza” 1989, i cili është pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. “, shkruan studiuesja Suzana Varvarica Kuka,

Radio Televizioni Shqiptar i kushtuar një dokumentar Janaq Paços.

“Pata fat që pedagogu im ishte Janaq Paço”, thotë skulptori i njohur përmetar, Besim Çaushi.


Skulptorët Janaq Paço dhe Besim Çaushi

_________
Tiranë, më 8 korrik 2024

Arti plot kuptim i Gazmend Lekës!

Kërkimi i një ekuilibri kompozicional harmonioz, një kompozim i hijshëm dhe shumë i gjallë.

15 vjet
“DKullolli Art – Studio”!

Në 2009 ishte një projekt ambicioz. Sot, në vitin 2024 është një dyqan prestigjioz i materialeve të artit në Shqipëri.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.